Dorëzimi te Pilati
(Mk 15.1Lk 23.1-2Gjn 18.28-32)
1 Në mëngjes herët të gjithë kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit vendosën së bashku ta dënonin Jezuin me vdekje. 2 Pasi e lidhën, e morën e ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit.
Vdekja e Judës
(Vp 1.18-19)
3 Kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se Jezuin e dënuan, u pendua, ia ktheu kryepriftit e pleqve tridhjetë monedhat e argjendta 4 e u tha: «Kam mëkatuar se tradhtova gjakun e pafajshëm». Ata i thanë: «E ç'na duhet neve! Kjo është punë për ty». 5 Pasi i hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten.
6 Kryepriftërinjtë morën monedhat e argjendta e thanë: «Nuk është e lejueshme t'i vëmë këto para në thesarin e tempullit, sepse janë para gjaku». 7 Atëherë vendosën të blinin me to arën e një poçari për ta bërë varrezë të huajsh. 8 Për këtë arsye ajo arë është quajtur deri më sot «Ara e Gjakut». 9 Kështu u përmbush çfarë qe thënë nga profeti Jeremi:
i morën tridhjetë monedhat e argjendta,
çmimi që kishin dhënë bijtë e Izraelit,
10 e blenë me to Arën e Poçarit,
siç më kishte urdhëruar Zoti.
Te Pilati
(Mk 15.2-5Lk 23.3-5Gjn 18.33-38)
11 Jezui qëndronte para qeveritarit dhe ai e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». 12 Por, kur e padisnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk jepte asnjë përgjigje. 13 Atëherë Pilati i tha: «A nuk dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?». 14 Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin.
Dënimi me vdekje
(Mk 15.6-15Lk 23.13-25Gjn 18.39—19.16)
15 Për çdo festë Pashke qeveritari e kishte bërë zakon të lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. 16 Në atë kohë kishin në burg një të burgosur shumë të njohur që quhej Jezu Baraba. 17 Kur u mblodh turma, Pilati u tha: «Cilin doni t'ju liroj, Jezu Barabën apo Jezuin që quhet Krisht?». 18 Sepse e dinte se Jezuin e kishin dorëzuar nga smira.
19 Ndërsa Pilati ishte i ulur në fronin e gjykatësit, e shoqja i çoi fjalë: «Mos u ngatërro me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij». 20 Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonin Barabën e të vrisnin Jezuin. 21 Qeveritari u tha përsëri: «Cilin nga të dy doni t'ju liroj?». Ata iu përgjigjën: «Barabën!». 22 Pilati i pyeti: «Atëherë çfarë të bëj me Jezuin që quhet Krisht?». Të gjithë i thanë: «Të kryqëzohet!». 23 Ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!». 24 Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës e tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!». 25 I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!». 26 Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin.
Tallja
(Mk 15.16-20Gjn 19.2-3)
27 Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën. 28 E zhveshën dhe e mbështollën me një petk të kuq. 29 Pastaj thurën një kurorë me gjemba e ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». 30 E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë. 31 Pasi e tallën, ia hoqën petkun, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar.
Kryqëzimi
(Mk 15.21-32Lk 23.26-43Gjn 19.17-27)
32 Kur dolën përjashta, ndeshën një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan të mbartte kryqin e Jezuit. 33 Kur arritën te një vend që quhet Golgota, që do të thotë «Vendi i Kafkës», 34 i dhanë të pijë verë me një përzierje të hidhur, por kur e provoi, Jezui nuk deshi ta pijë.
35 Pasi e kryqëzuan, hodhën short për të ndarë rrobat e tij. 36 Pastaj u ulën e po e ruanin. 37 Mbi kokë i vunë shkrimin me shkakun e dënimit: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve». 38 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.
39 Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën 40 e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten nëse je Biri i Perëndisë e zbrit nga kryqi!». 41 Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit dhe pleqtë e tallnin e thoshin: 42 «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Ky që qenka mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi e atëherë do t'i besojmë. 43 Ky ka besuar në Perëndinë e ka thënë se është Biri i Perëndisë! Atëherë le ta shpëtojë Perëndia nëse e do». 44 Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë.
Vdekja
(Mk 15.33-41Lk 23.44-49Gjn 19.28-30)
45 Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën. 46 Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eli, Eli, lema sabakthani ?» që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise ?». 47 Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë». 48 Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë. 49 Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar».
50 Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt. 51 Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. 52 Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën 53 dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve.
54 Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë».
55 Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg. 56 Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut.
Varrimi
(Mk 15.42-47Lk 23.50-56Gjn 19.38-42)
57 Në mbrëmje erdhi një njeri i pasur nga Arimateja me emrin Jozef. Edhe ai kishte qenë dishepull i Jezuit. 58 Ai shkoi te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. Atëherë Pilati urdhëroi t'ia jepnin.
59 Jozefi e mori trupin e Jezuit, e mbështolli me një pëlhurë të pastër prej liri 60 dhe e vendosi në varrin e ri që kishte hapur për vete në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur të madh te gryka e varrit e u largua.
61 Maria Magdalena dhe Maria tjetër po rrinin përballë varrit.
Rojat te varri
62 Të nesërmen ishte e shtunë . Kryepriftërinjtë dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati 63 e i thanë: «Zotëri, na kujtohet se ai mashtrues, kur ishte ende gjallë, pati thënë: “Pas tri ditësh do të ngjallem”. 64 Prandaj jep urdhër që të sigurohet varri deri ditën e tretë, që të mos shkojnë dishepujt e tij për ta vjedhur trupin e pastaj t'i thonë popullit: “U ngjall prej të vdekurve”. Kështu mashtrimi i fundit do të jetë më i madh se i pari». 65 Pilati u tha: «Merrni roja dhe shkoni e siguroni varrin sa më mirë». 66 Ata shkuan dhe pasi e vulosën gurin e vendosën roja, e siguruan varrin.
Jezusi para Pilati
1 Kur agoi, të gjithë kryepriftënt e pleqtë e popullit vendosën bashkarisht ta dënonin Jezusin me vdekje. 2 Mbasi e lidhën, e çuen e ia dorëzuen Pilatit, qeveritarit.
Vdekja e Judës
3 Atëherë Juda, ai që e kishte dorëzue, kur pa se dënuen, u pendue, ua ktheu tridhjetë monedhat e argjendta kryepriftënve e pleqve 4 dhe u tha: «Mëkatuva, tue dorëzue gjak të pafajshëm». Ata i thanë: «Ç'na duhet neve! Shihe vetë». 5 Hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largue dhe shkoi e u fur.
6 Kryepriftënt morën monedhat e argjendta e thanë: «Nuk lejohet me i qitë këto para kushtimore sep janë pare gjaku». 7 Atëherë morën vendim të blinin me to arën e një poçari për varrimin e të huejve. 8 Prandaj ajo arë u quejt «Ara e Gjakut», deri sot. 9 Kështu u plotësue çka qe thanë prej Jeremisë profet:
Morën tridhjetë monedhat e argjendta,
çmimi e të çmuemit,
që u çmue nga bijtë e Izraelit,
10 e i dhanë për Arën e Poçarit,
siç më kishte urdhnue Zoti.
Jezusi para Pilatit
11 Jezusi u vu para qeveritari. Qeveritari e pyeti: «A je ti mbreti i judejve?». Jezusi i tha: «Ti po thue». 12 Por, kur e paditnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk përgjigjej fare. 13 Atëherë Pilati i tha: «A nuk po ndigjon sa çka po dëshmojnë kundër teje?». 14 Ai nuk iu përgjigj për asnjë gja, saqë e çuditi shumë qeveritarin.
Dënimi me vdekje
15 Për çdo festë qeveritari e kishte ba doke me lirue një të burgosun, atë që dëshironin. 16 Asokohe kishin një të burgosun të bujshëm, që quhej Jezu Baraba. 17 Kur u mblodhën, Pilati u tha: «Cilin doni t'ju liroj, Jezu Barabën apo Jezusin që quhet Krisht?». 18 E dinte se Jezusin e kishin dorëzue nga smira.
19 Ndërsa ishte ndejë në gjykatore, e shoqja i çoi fjalë: «Mos të kesh gja me atë të drejtë, se sot kam vuejt shumë në andërr për shkak të tij». 20 Por kryepriftënt e pleqtë e bindën turmën me kërkue Barabën e Jezusin me e vra. 21 Qeveritari u tha rishtas: «Cilin prej të dyve doni me ju lirue?». Ata iu përgjigjën: «Barabën!». 22 Pilati u thotë: «Çka të baj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?». Të gjithë i thonë: «Të kryqëzohet!». 23 Ai u tha: «Pse, ç'të keqe bani?». Por ata bërtitnin edhe ma fort: «Të kryqëzohet!». 24 Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duert para turmës e tha: «Jam i pafajshëm për gjakun e këtij. Shiheni ju». 25 Mbarë populli u përgjigj: «Gjaku i tij raftë mbi ne e mbi fëmijët tanë!». 26 Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezusin, mbasi e fshikulluen, e dorëzoi të kryqëzohej.
Jezusi para përqeshësve
27 Atëherë ushtarët e qeveritarit e morën Jezuin në pretorium dhe bashkuen rreth tij tanë kohortën. 28 E zhveshën dhe i hodhën sipër një pelerinë të kuq. 29 Thurën një kunorë ferrash, ia vunë në krye e i dhanë një kallam në dorën e djathtë. Tue ra në gjuj para tij, e qesëndisnin e i thonin: «Të falemi, o mbreti i judejve!». 30 E pështynë, morën kallamin e ia gjuenin kresë. 31 Mbasi e qesëndisën, ia hoqën pelerinën, e veshën me petkat e veta dhe e çuen për ta kryqëzue.
Kryqëzimi
32 Tue dalë, hasën në një njeri kireneas me emnin Simon, të cilin e detyruen me i mbartë kryqin. 33 Kur shkuen te një vend, që quhet Golgota, domethanë «Vendi i Kafkës», 34 i dhanë me pi verë të përzieme me vner, por kur i ndjeu shijen, nuk deshi me e pi.
35 Si e kryqëzuen, hodhën short për me nda petkat e tij 36 dhe u ulën e po e ruenin. 37 Mbi krye i vunë me shkrim shkakun arsyen: «Ky asht Jezusi, mbreti i judejve». 38 Atëherë kryqëzuen me të dy cuba, njenin në të djathtë e tjetrin në të majtë.
39 Kalimtarët e fyenin, tundnin kryet 40 e thonin: «Ti, që e shkatërron tempullin dhe e ndërton për tri ditë, shpëto veten, nëse je Biri i Hyut, e zbrit nga kryqi!». 41 Njësoj edhe kryepriftënt, shkrestarët e pleqtë e tallnin e thonin: 42 «Të tjerët i shpëtoi, veten nuk mundi me e shpëtue. Mbreti i Izraelit! Të zbresë tash nga kryqi e do të besojmë në të. 43 Besoi në Hyun, ta lirojë tash Hyu po deshi, meqë tha se asht Biri i Hyut!». 44 Edhe cubat, që ishin të kryqëzuem me të, e përqeshnin.
Vdekja
45 Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën. 46 Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eli, Eli, lema sabakthani ?» që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise ?». 47 Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë». 48 Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë. 49 Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar».
50 Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt. 51 Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. 52 Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën 53 dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve.
54 Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë».
55 Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg. 56 Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut.
Varrimi
57 Kur ra mbramja, erdhi një njeri i pasun nga Arimateja, me emnin Jozef. Edhe ai kishte qenë nxanësi Jezusit. 58 Shkoi te Pilati e i lypi trupin e Jezuit. Atëherë Pilati urdhënoi t'ia jepnin.
59 Jozefi e mori trupin e Jezuit, e mbështolli me li të pastër 60 dhe e vuni në varrin e ri, që kishte hapë për vete në shkamb. Rrokullisi një gur të madh te gryka e varrit e shkoi.
61 Maria Magdalenë e Maria ishin ulun kundruell varrit.
Rojat e varrit
62 Të nesërmen, që i bie me qenë mbas të premtes, kryepriftënt e farisenjtë u mblodhën te Pilati 63 e i thanë: «Zotni, na u kujtuem se ai mashtrues pati thanë, sa ishte gjallë: “Pas tri ditësh jam i gjallë”. 64 Prandaj, urdhno të sigurohet varri deri ditën e tretë, që të mos shkojnë dishepujt e tij me e vjedhë e me i thanë popullit: “U ngjall prej të vdekunve”. E mashtrimi i mbramë do të jetë më i keq se i pari». 65 Pilati u tha: «I keni rojtarët. Shkoni e sigurojeni si të dini». 66 Ata shkuan dhe e siguruen varrin, tue e vulosë gurin me rojtarë.