Për shkruesit dhe farisenjtë
(Mk 12.38-40Lk 11.37-52Lk 20.45-47)1 Atëherë Jezui u tha turmave e dishepujve: 2 «Shkruesit e farisenjtë janë ulur në katerdrën e Moisiut. 3 Bëni e zbatoni gjithçka që ju thonë ata, por mos veproni sipas veprave të tyre, se nuk veprojnë siç thonë. 4 Lidhin barrë të rënda që mbahen me vështirësi e ua vënë njerëzve mbi shpatulla, por vetë nuk duan t'i lëvizin as me gisht. 5 Të gjitha veprat i bëjnë për t'u dukur para njerëzve. Thekët i mbajnë të gjera e cepat e petkut të gjata. 6 U pëlqen të kenë vendin e nderit nëpër festa dhe vendet e para nëpër sinagoga. 7 Duan që njerëzit t'i përshëndesin nëpër sheshe e t'i thërrasin “mësues” .
8 Por ju mos lejoni t'ju thërrasin mësues, sepse një është mësuesi juaj dhe ju jeni të gjithë vëllezër. 9 Mos quani askënd mbi tokë atë, se Ati juaj është një: ai që është në qiell. 10 Mos lejoni t'ju thërrasin prijës, se e keni një prijës, Krishtin. 11 Kush është më i madhi ndër ju, të jetë shërbëtori juaj. 12 Kush lartëson veten, përulet dhe kush përul veten, lartësohet».
13-14 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që u mbyllni njerëzve mbretërinë e qiellit! As vetë nuk hyni brenda e as lejoni të hyjnë ata që duan ».
15 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që përshkoni detin e tokën për të kthyer një njeri në besim dhe më pas e bëni bir të Gehenës dy herë më shumë se veten tuaj!».
16 «Mjerë ju, o udhërrëfyes të verbër, që thoni: “Nëse dikush betohet për tempullin, s'ka gjë, por nëse betohet për arin e tempullit, është i detyruar ta mbajë betimin”. 17 Të marrë e të verbër! Çfarë është më i rëndësishëm, ari apo tempulli që e shenjtëron arin? 18 Ju thoni: “Nëse dikush betohet për altarin, s'ka gjë, por nëse betohet për dhuratën që gjendet mbi altar, është i detyruar të mbajë betimin”. 19 Të verbër ! Çfarë është më e rëndësishme, dhurata apo altari që e shenjtëron dhuratën? 20 Sepse kush betohet për altarin, betohet për të dhe për gjithçka që gjendet mbi altar. 21 Kush betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon në tempull. 22 Kush betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që rri ulur mbi fron».
23 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të koprës e të kuminit, por lini pas dore gjërat më me peshë të ligjit: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. 24 Udhërrëfyes të verbër! Ju kulloni pijen për të hequr mushkonjën, por gëlltitni devenë!».
25 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju pastroni anën e jashtme të kupës e të pjatës, por brenda ato janë plot me vjedhje e shfrenim. 26 Farise i verbër, pastro më parë anën e brendshme të kupës e të pjatës, që të jetë e pastër edhe ana e jashtme».
27 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju ngjani me varre të zbardhura që duken të bukura nga jashtë, por brenda janë plot me eshtra të vdekurish e gjithfarë ndyrësish. 28 Kështu, nga jashtë ju shfaqeni para njerëzve si të drejtë, por përbrenda jeni plot hipokrizi e paudhësi».
Mjerë ju
29 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, se ndërtoni varret e profetëve e stolisni përmendoret e të drejtëve! 30 Ju thoni: “Po të kishim jetuar ne në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim marrë pjesë në derdhjen e gjakut të profetëve”. 31 Kështu dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bij të atyre që vranë profetët. 32 Çojeni deri në fund veprën e nisur nga etërit tuaj. 33 Gjarpërinj e pjellë nepërkash, si do t'i shmangeni dënimit të Gehenës? 34 Prandaj unë po ju dërgoj juve profetë, të urtë dhe shkrues. Disa prej tyre do t'i vrisni e do t'i kryqëzoni, të tjerë do t'i rrihni në sinagogat tuaja e do t'i përndiqni nga qyteti në qytet 35 dhe kështu do të bjerë mbi ju tërë gjaku i drejtë i derdhur mbi tokë, që nga gjaku i Abelit të drejtë, deri te gjaku i Zakarisë, birit të Barakut, që e vratë mes shenjtërores e altarit. 36 Me të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brezni».
Vajtimi për Jerusalemin
(Lk 13.34-35)37 «Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët e që me gurë i vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! 38 Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. 39 Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni:
bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit! ».
Qortimet për shkrestarët e farisejtë
1 Atëherë Jezusi u tha turmave e nëxanësve: 2 «Shkrestarët e farisejtë rrinë ulun në katedrën e Moisiut. 3 Gjithçka ju thonë ata, zbatojeni e mbajeni, por mos veproni simbas veprave të tyre. Ata flasin, por nuk bajnë. 4 Lidhin barrë të randa e të zorshme dhe ua ngarkojnë njerëzve të tjerë, por vetë as me gisht nuk duen me i luejt. 5 Të gjitha veprat e veta i bajnë për me u pa prej njerëzve. Zgjanojnë thekët e cepat e petkut i zgjasin. 6 Duen kryet e vendit nëpër gosti, vendet e para nëpër sinagoga 7 përshëndetjet nëpër sheshe e me u thirrë "mësues" prej njerëzve.
8 Por ju mos u thirrni mësues, se një asht mësuesi juej e të gjithë ju jeni vëllazën. 9 E mos thirrni askënd mbi tokë atë. Një asht Ati juej qiellor. 10 Mos u thirrni prijës, se prijësi juej asht Krishti. 11 Ma i madhi ndër ju, të jetë shërbestari juaj. 12 Kush naltohet, do të përulet e, kush përulet, do të naltohet.
13-14 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej dyfytyrësha, që ua ndryni njerëzve në fytyrë mbretninë e qiejve! As vetë nuk hyni, as ata që janlë tue hy nuk i leni me u futë.
15 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej dyfytyrësha, që endeni nëpër det e nëpër thatinë për me ba një rishtar e atëherë e bani bir të Gehenës dyfish sa veten tuej!
16 Mjerë ju, o udhëheqës të verbtë, që thoni: "Nëse dikush betohet për tempullin, s'ka gja, por, nëse betohet për arin e tempullit, ka detyrim". 17 Të marrë dhe të verbtë! Cili asht ma i madh, ari apo tempulli, që e shejtnon arin? 18 Thoni: "Nëse dikush betohet për altarin, s'ka gja, por, nëse betohet për dhuratën mbi të, ka detyrim". 19 Të verbtë! Cili asht ma i madh, dhurata apo altari, që e shejtnon dhuratën? 20 Kush betohet për altarin, betohet për të e për gjithçka ash mbi të. 21 Kush betohet për tempullin, betohet për të e për kë banon në të. 22 Kush betohet për qiellin, betohet për fronin e Hyut e për kë rrin ulun mbi të.
23 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej dyfytyrësha! Ju lani të dhjetën e mendrës, të koprës e të kuminit, por shpërfillni gjanat ma të randësishme të ligjit: gjykimin, mëshirën e besën. Këto duhet t'i zbatoni, pa i shpërfillë të tjerat. 24 Udhërrëheqës të verbtë, që kulloni mushkajën, por devenë e përpini!
25 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej dyfytyrësha, dëlirni të përjashtmen kupës e të enës, por përmbrenda janë plot me cubni e shfrenim. 26 Farise i verbtë, pastro ma parë të përmbrendshmen kupës e të enës, që të bahet e dëlirë edhe përjashtmja.
27 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej dyfytyrësha, që u përngjani vorreve të zbardhuna, të cilët përjashta duken të bukura, por mbrenda janë plot me eshtna të vdekunish dhe gjithfarë fëlliqësish. 28 Njësoj edhe ju përjashta u shfaqeni njerëzve të drejtë, por përmbrenda jeni plot dyfytyrësi dhe mbrapështi.
29 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej dyfytyrësh, se ndërtoni vorret e profetëve e zbukuroni përmendoret e të drejtëve! 30 E thoni: "Po të kishim qenë ne në kohën e etënve tanë, nuk do të kishim qenë pjesëmarrës në gjakderdhjen e profetëve, në kohën e tyne". 31 Kështu i dëshmoni vetes se jeni bijtë e vrasësve të profetëve. 32 Mbusheni edhe ju masën e etënve tuej. 33 Gjarpij e pjellë nepërkash, si do t'i shmangeni gjykimit të Gehenës? 34 Prandaj, ja, unë po dërgoj te ju profetë, të urtë dhe shkrestarë. Disa prej tyne do t'i vritni e do t'i kryqëzoni dhe disa do t'i frushkulloni në sinagogat tueja e do t'i përndiqni nga qyteti në qytet. 35 Kështu do të reshet mbi ju tanë gjaku i drejtë i dikuem mbi tokë, prej gjakut të Abelit të drejtë, deri te gjaku i Zakarisë, birit të Barakut, që e vratë mes shejtnores e altarit. 36 Vërtet po ju them: të gjitha këto do të bien mbi këtë brezni».
Vajtimi për Jerusalemin
37 «Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e i mbyt me gurë të dërguemit te ti! Sa herë kam dëshirue me i mbledhë tok bijtë e tu, siç i mbledh squka zogjtë e vet nën krahë, por nuk deshët! 38 Ja, shtëpia juaj do t'ju mbetet e shkretueme. 39 Po jua them: prej tashit, nuk do të më shihni ma, derisa të thoni:
bekue qoftë
ai që vjen në emën të Zotit !».