Një shenjë
(Mk 8.11-13Lk 12.54-56)1 Atëherë erdhën farisenjtë e saducenjtë dhe, për ta vënë në provë Jezuin, i kërkuan një shenjë nga qielli. 2 Por ai iu përgjigj: «Kur bie mbrëmja, ju thoni se do të bëjë mot i mirë, sepse qielli është i kuq. 3 Ndërsa në agim thoni: “Sot kemi stuhi, se qielli është i kuq e i vranët”. Ju që dini të shpjegoni dukuritë e qiellit, nuk mundkeni të shpjegoni shenjat e kohës? 4 Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait». Pastaj u largua prej tyre.
Tharmi i farisenjve dhe saducenjve
(Mk 8.14-21)5 Kur arritën në bregun tjetër, dishepujt panë se kishin harruar të merrnin bukë. 6 Atëherë Jezui u tha: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e saducenjve». 7 Ndërsa ata i thanë njëri-tjetrit: «Nuk kemi marrë bukë me vete». 8 Por Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po i thoni njëri-tjetrit, o besimpakë? Se nuk keni bukë? 9 Nuk kuptoni? A nuk ju kujtohen pesë bukët që iu ndamë pesë mijë vetave e sesa shporta mblodhët? 10 Po shtatë bukët që iu ndamë katër mijë vetave? Sa shporta mblodhët? 11 Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukën? Ruhuni, pra, prej tharmit të farisenjve e saducenjve». 12 Atëherë e kuptuan se nuk u kishte thënë të ruheshin nga tharmi i bukës, por nga mësimi i farisenjve e saducenjve.
Pohimi i Pjetrit
(Mk 8.27-30Lk 9.18-21)13 Kur erdhi në krahinën e Cezaresë së Filipisë, Jezui i pyeti dishepujt e vet: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?». 14 Ata i thanë: «Disa thonë se është Gjon Pagëzori, të tjerë se është Elia e të tjerë se është Jeremia ose njëri nga profetët». 15 Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». 16 Atëherë Simon Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë». 17 Jezui i tha: «Lum ti, Simon, biri i Jonait, se as mishi, as gjaku nuk ta zbuluan këtë gjë, por Ati im që është në qiej! 18 Dhe unë po të them: ti je Pjetri. Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe portat e skëterrës nuk do ta mposhtin. 19 Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve. Çfarëdo që të lidhësh në tokë, do të jetë e lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiej». 20 Pastaj i urdhëroi dishepujt të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti.
Paralajmërimi i parë i Pashkës
(Mk 8.31—9.1Lk 9.22-27)21 Që nga ajo kohë, Jezui filloi t'u tregonte dishepujve se duhej të shkonte në Jerusalem e të vuante shumë për shkak të pleqve, kryepriftërinjve e shkruesve. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej. 22 Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortonte e i tha: «Larg qoftë, o Zot! Kjo mos të ndodhtë kurrë». 23 Por Jezui u kthye nga ai e i tha: «Largohu prej meje, Satan! Ti po më bëhesh pengesë, sepse nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve». 24 Pastaj Jezui u tha dishepujve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 25 Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë atë. 26 Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte jetën e vet? Apo çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës së vet? 27 Biri i njeriut do të vijë me engjëjt e tij në lavdinë e Atit të vet dhe do të shpërblejë çdo njeri sipas veprave të veta. 28 Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do të provojnë vdekjen pa e parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e tij».
Jeyusit i kërkojnë një shenjtë
1 U afruen farisejtë e saducejtë dhe, tue e vue në sprovë, i kërkuen t'u shfaqte një shenjë nga qielli. 2 Por ai iu përgjigj: «Kur bjen mbramja, ju thoni: “do të khjellët, se qielli asht i kuq”. 3 E, në ag: “Sot, stuhi, se qielli asht skuqë e nxi”. Ju që e njihni qiellin nga pamja, po shenjat e kohës nuk mundeni me i dallue? 4 Breznia e ligë dhe e pabesë lyp një shenjë, por nuk do t'i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës». Atëherë i la e u largue.
Tharmi i farisejve dhe saducejve
5 Kur shkuen në bregun tjetër, nxanësit kishin harrue me marrë bukë. 6 Jezusi u tha: «Ruhuni e mbrohuni nga tharmi i farisejve e i saducenjve». 7 Por ata i thonin me vete: «Nuk morëm bukë». 8 Tue e ditë këtë, Jezusi u tha: «Pse thoni me vete, o besimpaktë, se nuk keni bukë? 9 A s'kuptoni e s'ju kujtohen pesë bukët e pesëmijë vetëve e sa shporta morët? 10 Po shtatë bukët e katërmijë vetëve e sa shporta morët? 11 Si nuk e kuptoni se nuk po ju flisja për bukën? Mbrohuni, pra, prej tharmit të farisejve e saducejve». 12 Atëherë e morën vesh se nuk u kishte thanë me u ruejt prej tharmit të bukës, por prej mësimit të farisejve e saducejve.
Pjetri thotë se Jezusi asht Mesia
13 Kur Jezusi shkoi në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxanësit e vet: «Kush thonë njerëzit se asht Biri i njeriut?». 14 Ata i thanë: «Disa thonë Gjon Pagëzuesi, të tjerë Elia e të tjerë Jeremia, ose një nga profetët». 15 Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam?». 16 Iu përgjigj Simon Pjetri: «Ti je Krishti, Biri i Hyut të gjallë». 17 Jezusi ia ktheu: «Lum ti, Simon, biri i Jonës, se jo mishi e gjaku ta zbuluen, por Ati im që asht në qiej! 18 Dhe unë po të them se ti je Pjetër, mbi këtë shkamb do të ndërtoj kishën time e dyert e ferrit nuk do ta mposhtin. 19 Ty kam me t'i dhanë çelësat e mbretnisë së qiejve. Çkado të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhun në qiej e çkado të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhun në qiej». 20 Atëherë i urdhnoi nxanësit mos me i thanë kujt se ai ishte Krishti.
Paralajmërimi i parë i Pashkës
21 Prej asaj here, Jezusi filloi me ua shtjellue nxanësve se i duhej me shkue në Jerusalem e me pësue shumë prej pleqve, kryepriftënve e shkrestarëve, se do ta vritej e të tretën ditë do të ngjallej. 22 Pjetri e mori veç e filloi tue e qortue: «Mëshirë për ty, o Zot! Mos të raftë kjo gja!». 23 Por Jezusi iu kthye pjetrit e i tha: «Shko mbas meje, Satan! Ti po më bahesh bjerrje, se nuk përbluen punët e Hyut, por të njerëzve». 24 Atëherë Jezusi u tha nxanësve: «Nëse dikush dëshiron me ardhë mbas meje, të mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 25 Se, ai që dëshiron me shpëtue jetën e vet, do ta humbë dhe, ai që e humb jetën e vet për mue, do ta gjejë. 26 Çka i volit njeriut me fitue kret botën, tue vue në lojë jetën e vet? Ose, çka ka me dhanë njeriu në këmbim të jetës së vet? 27 Biri i njeriut ka me ardhë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e tij, e atëherë do t'i japë secilit simbas veprave të veta. 28 Vërtet po ju them se ka disa, prej atyne që janë këtu, të cilët nuk do ta shijojnë vdekjen pa e pa Birin e njeriut tue ardhë në mbretninë e vet».