Mbjellësi
(Mk 4.1-9Lk 8.4-8)
1 Po atë ditë Jezui doli nga shtëpia dhe u ul në breg të liqenit . 2 Turma të mëdha u mblodhën pranë tij. Ai hipi në një varkë e u ul, ndërsa e tërë turma qëndronte në breg. 3 Jezui u tregoi shumë gjëra me shëmbëlltyra e u tha: «Një mbjellës doli për të mbjellë. 4 Ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën. 5 Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhe. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë, 6 por u vyshkën kur doli dielli e ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë. 7 Disa fara të tjera ranë ndër ferra dhe ferrat u rritën e ua zunë frymën. 8 Fara të tjera ranë në tokë të mirë e dhanë fryt, disa njëqindfish, disa gjashtëdhjetë e disa tridhjetë. 9 Kush ka veshë, le të dëgjojë».
Qëllimi i shëmbëlltyrave
(Mk 4.10-12Lk 8.9-10)
10 Pastaj erdhën dishepujt e i thanë: «Përse u flet me shëmbëlltyra?». 11 Jezui u përgjigj: «Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre jo. 12 Atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë e do të ketë me tepri, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. 13 Atyre u flas me shëmbëlltyra, sepse megjithëse shikojnë, nuk shohin dhe megjithëse dëgjojnë, nuk marrin vesh e as kuptojnë. 14 Te këta plotësohet profecia e Isaisë që thotë:
do të dëgjoni,
por s'do të kuptoni,
do të shikoni,
por s'do të shihni.
15 Sepse zemra e këtij populli
është mpirë,
veshët e tyre dëgjojnë me vështirësi
dhe sytë i kanë të mbyllur,
që të mos shohin me sy,
të mos dëgjojnë me veshë,
të mos kuptojnë me zemër
dhe që të mos kthehen tek unë
për t'i shëruar.
16 Por lum sytë tuaj, që shohin, e veshët tuaj, që dëgjojnë. 17 Me të vërtetë po ju them se shumë profetë e njerëz të drejtë dëshiruan të shihnin çfarë po shihni ju e nuk panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk dëgjuan».
Shpjegimi i shëmbëlltyrës
(Mk 4.13-20Lk 8.11-15)
18 «Ju e dëgjuat shëmbëlltyrën e mbjellësit. 19 Kur dikush e dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu e i rrëmben çka është mbjellë në zemrën e tij. Ky është fara që u mboll në rrugë. 20 Ajo që u mboll në gurishtë është ai që e dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë plot gëzim, 21 por nuk ka rrënjë në vetvete dhe është i përkohshëm, kështu që kur vjen mundimi apo përndjekja për shkak të fjalës, bie menjëherë. 22 Ajo që u mboll mes ferrash është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj jete dhe joshja e pasurisë ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme. 23 Ajo që u mboll në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën dhe e kupton. Ai jep fryt e prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetë e tjetri tridhjetë».
Egjra dhe gruri
24 Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farën e mirë në fushën e vet, 25 por ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit e u largua. 26 Kështu, kur bimët u rritën e dhanë fryt, atëherë u duk edhe egjra. 27 Shërbëtorët e të zotit të shtëpisë erdhën e i thanë: “Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në fushën tënde? Nga na doli egjra?”. 28 Ai u tha: “Këtë e ka bërë armiku”. Shërbëtorët i thanë: “A do që të shkojmë e ta mbledhim?”. 29 Por ai u tha: “Jo, sepse duke mbledhur egjrën, bashkë me të mund të shkulni edhe grurin. 30 Le të rriten të dyja bashkë deri në të korra dhe kur të vijë koha e të korrave, do t'u them korrësve: korrni më parë egjrën, lidheni në tufëza për t'i djegur, ndërsa grurin mblidheni në grunar”».
Fara e sinapit dhe tharmi
(Mk 4.30-32Lk 13.18-21)
31 Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve ngjan me një farë sinapi që një njeri e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32 Ajo është më e vogla ndër të gjitha farërat, por pasi rritet, është më e madhja ndër barishtet e bëhet pemë, saqë zogjtë e qiellit vijnë e bëjnë fole në degët e saj».
33 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa miell, derisa u mbrujt i gjithë brumi».
Dobia e shëmbëlltyrave
(Mk 4.33-34)
34 Jezui ua tha turmave të gjitha këto gjëra me shëmbëlltyra e nuk u fliste pa shëmbëlltyra, 35 që të përmbushet çfarë është thënë përmes profetit:
do të flas me shëmbëlltyra,
do të tregoj çfarë ishte e fshehur
që nga fillimi i botës.
Shpjegimi i shëmbëlltyrës së egjrës
36 Pastaj Jezui i la turmat e shkoi në një shtëpi. Dishepujt erdhën tek ai e i thanë: «Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë». 37 Ai u përgjigj: «Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut, 38 ara është bota dhe farat e mira janë bijtë e mbretërisë, ndërsa egjra janë bijtë e të ligut. 39 Armiku që i ka mbjellë është djalli. Të korrat janë fundi i botës, ndërsa korrësit janë engjëjt. 40 Ashtu siç mblidhet e digjet me zjarr egjra, kështu do të ndodhë në fundin e botës. 41 Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe ata do të mbledhin e do të hedhin jashtë mbretërisë gjithçka që bëhet pengesë e të gjithë ata që bëjnë paudhësi 42 dhe do t'i hedhë në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh. 43 Pastaj të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë, le të dëgjojë».
Tri shëmbëlltyra
44 «Mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në një arë. Një njeri, pasi e gjeti, e mbuloi dhe plot gëzim shkoi e shiti gjithçka që kishte dhe e bleu atë arë.
45 Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një tregtar që kërkon margaritarë të bukur, 46 i cili, me të gjetur një margaritar të shtrenjtë, shkoi, shiti gjithçka pati dhe e bleu.
47 Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një rrjetë që është hedhur në liqen dhe ka mbledhur peshq të çdo lloji. 48 Kur u mbush plot, e nxorën në breg, u ulën dhe i mblodhën peshqit e mirë në enë dhe të këqijtë i hodhën përjashta. 49 Kështu do të ndodhë në fundin e botës. Engjëjt do të dalin e do të ndajnë të këqijtë nga të drejtët, 50 e do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».
Thesaret e reja dhe të vjetra
51 «A i kuptuat të gjitha këto?». Ata iu përgjigjën: «Po ». 52 Atëherë ai u tha: «Prandaj çdo shkrues që është bërë dishepull i mbretërisë së qiejve i ngjan të zotit të shtëpisë, i cili nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja e të vjetra».
Profeti dhe vendlindja
(Mk 6.1-6Lk 4.16-30)
53 Si mbaroi së treguari këto shëmbëlltyra, Jezui u largua që andej. 54 Kur erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre. Ata mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vjen gjithë kjo urti e kjo fuqi për të bërë mrekulli? 55 A nuk është ky i biri i zdrukthëtarit? A nuk quhet Mari nëna e tij? A nuk janë vallë Jakobi, Jozefi, Simoni e Juda vëllezërit e tij? 56 Po motrat e tij a nuk janë të gjitha këtu te ne? Nga i vijnë këtij të gjitha këto?». 57 Dhe kjo i pengonte të besonin në të. Por Jezui u tha: «Profeti nuk përçmohet askund përveçse në vendlindjen e në shtëpinë e vet». 58 Aty nuk bëri shumë mrekulli, për shkak të mosbesimit të tyre.
Mbjellësi
1 Atë ditë Jezusi doli prej shtëpie dhe u ul pranë detit. 2 U mblodhën pranë tij turma të shumta, aq sa, mbasi hypi në një lundër, rrinte ulun, ndërsa turma në breg ishte më kambë. 3 Atëherë u foli shumëçka me shëmbëltyra. E tha: «Ja, një mbjellës doli me mbjellë. 4 Tue hedhë farat, një pjesë ra në rrugë, por erdhën shpendët dhe e përpinë. 5 Një pjesë tjetër ra në zallinë, ku nuk kishte shumë dhe. Buloi menjëherë se truelli nuk ishte i thellë, 6 por, kur doli dielli, u përcëllue dhe, tue mos pasë rranjë, u tha. 7 Një pjesë tjetër ra ndër ferra dhe ferrat u naltuen dhe e mbytën. 8 Një pjesë tjetër ra në tokën e bukur e dha fryt: kush njëqindfish, kush gjashtëdhjetlëfish e kush tridhjetëfish. 9 Kush ka veshë, të ndëgjojë».
Synimi i shëmbëlltyrave
10 Atëherë iu afruen nxanësit e i thanë: «Pse atyne u flet me shëmbëlltyra?». 11 Ai iu përgjigj: «Juve ju asht dhanë me i njohë mshehtësitë e mbretnisë së qiejve, por atyne nuk u asht dhanë. 12 Atij që ka, ka me iu dhanë e do t'i teprojë, por, atij që nuk ka, do t'i hiqet edhe ajo që ka. 13 Për këtë u flas me shëmbëlltyra atyne: që, tue pa, nuk shohin e, tue ndëgjue, nuk ndigjojnë, as përvetësojnë. 14 Me ta plotësohet profecia e Isaisë, që thotë:
Me ndigjue do të ndigjoni
e s'do të përvetësoni,
me pa do të shihni
e nuk do të shikoni,
15 se u trash zemra e këtij populli
e ndigjojnë me veshë të randuem.
Sytë e tyne janë mshelë,
që të mos shohin me sy
e të mos ndigjojnë me veshë,
të mos përvetësojnë me zemër e të kthehen,
për me i shërue.
16 Por, lum sytë tuej, se shohin, e veshët tuej, se ndigjojnë. 17 Vërtet po ju them se shumë profetë e të drejtë dëshiruen me kundrue çka kundroni ju e nuk e kunduruen dhe me ndigjue çka ndigjoni ju e nuk e ndigjuen».
Domethania e shëmbëlltyrës së mbjellësit
18 «Ju, pra, e ndigjuet shëmbëlltyrën e mbjellësit. 19 Të gjithë ata që e ndëgjojnë fjalën e mbretnisë e nuk e përvetësojnë, vjen i ligu dhe plaçkit çka u asht mbjellë në zemër. Këtë përfaqëson çka asht mbjellë anës së rrugës. 20 Çka asht mbjellë në zallinë asht ai që e ndëgjon fjalën dhe e merr menjëherë me hare, 21 por nuk ka rrajë në vetvete, përkundër, asht i kohëluejtun. Bie në pengesë menjëherë kur ndodh ndonjë pikëllim a përndjekje për shjkak të fjalës. 22 Çka asht mbjellë ndër ferra, asht ai që e ndëgjon fjalën, por ankthet e kohës e joshja e pasunisë e mbysin fjalën e ajo bahet shterpë. 23 Çka asht mbjellë në tokë të bukur, asht ai që, tue e ndëgjue fjalën, e përvetëson. Ai lidh fryt dhe jep kush njëqindfish, kush gjashtëdhjetëfish, kush tridhjetëfish».
Egjra e gruni
24 Ai u parashtroi një tjetër shëmbëltyrë: «Mbretnia e qiejve i ngjan një njeriu që mbjell farën e bukur në arën e vet. 25 Por, ndërsa njeriu flinte, erdhi armiku i tij, mbolli përsipër egjrën në mes të grunit e u largue. 26 Kur buluen, kërcelli dha fryt. Atëherë u duk edhe egjra. 27 Shërbëtorët iu afruen kryeshtëpiakut e i thanë: "Zotni, a nuk mbolle farë të bukur në arën tande? Tani, prej ku e ke egjrën?". 28 Ai u tha: "Një njeri armik e bani këtë". Shërbëtorët i thonë: "A dëshiron, pra, të shkojmë e t'i harrim?". 29 Por ai tha: "Jo, që, tue harrë egjrën, të mos shkulni grunin bashkë me të. 30 Leni të rritën të dyja bashkë deri në të korra dhe, në kohën e të korrave, do t'u them korrtarëve: harrni ma parë egjrën e lidheni në duajë, për me i djegë. Kurse grunin mblidheni në ahrin tim"».
Fara e sinapit dhe tharmi
31 U parashtroi edhe një shëmbëlltyrë tjetër e tha: «Mbretnia e qiejve i ngjan një fare sinapi, që një njeri e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32 Ajo asht ma e vogla ndër të gjitha farnat, por, kur rritet, asht ma e madhe se perimet e bahet pemë, aq sa vijnë zogjtë e qiellit e venë foletë në degët e tij».
33 Ai u tregoi edhe një tjetër shëmbëlltyrë. «Mbretnia e qiejve i ngjan tharmit, që një grue e mori dhe e mshehu në tri masa mielli, derisa ta mbrunte krejt».
Dobia e shëmbëlltyrave
34 Të gjitha këto Jezusi ua tha me shëmbëlltyra turmave e pa shëmbëlltyra nuk u thonte asgja, 35 që të plotësohej çka asht thanë me anë të profetit:
Do ta hap gojën me shëmbëlltyra,
do të shpall të mshehtat qysh prej fillimit të botës.
Shtjellimi i shëmbëlltyrës së egjrës
36 Atëherë Jezusi i la turmat e erdhi në shtëpi. Nxanësit e tij iu afruen e i thanë: «Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës». 37 Ai u përgjigj e tha: «Ai që mbjell farën e bukur asht biri i njeriut. 38 Ara asht bota, ndërsa fara e bukur janë bijtë e mbretnisë, porse ergjra janë bijtë e të ligut. 39 Armiku, që i mbolli, asht djalli. Të korrat janë e sosmja e botës, kurse korrtarët janë engjëjt. 40 Sikurse harret egjra e digjet me zjarr, njësoj do të jetë në të sosun të botës. 41 Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet e ata do të harrin prej mbretnisë së tij të gjitha bjerrjet e ata që kryejnë mbrapshtina 42 dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrtë. Atje do të ketë vaj e kërcëllim dhambësh. 43 Atëherë të drejtët do të vezullojnë si dielli në mbretninë e Atit të tyne. Kush ka veshë, të ndigjojë».
Të tjera shëmbëlltyra
44 «Mbretnia e qiejve i ngjan një thesari të mshehun në arë, të cilin një njeri, mbasi e gjeti, e mshehu dhe, i shtymë prej hareje, shkon e shet gjithë ç'kishte dhe blen atë arë.
45 Prapë, mbretnia e qiejve i ngjan një tregtari që asht tue kërkue perla të bukura. 46 Mbasi gjeti një margaritar të shetrenjtë, shkoi, shiti gjithë ç'kishte dhe e bleu.
47 Prapë, mbretnia e qiejve i ngjan një rrjete të hedhun në det, që ka mbledhë çdo lloj peshku. 48 Mbasi u mbush, e nxorën në breg, u ulën e të kandshmit i mblodhën në një kovë, kurse të çartunit i hodhën jashtë. 49 Kështu do të jetë në të sosun të botës. Do të dalin engjëjt, do t'i ndajnë të ligjtë nga të drejtët 50 e do t'i hedhin në furrën e zjarrtë. Atje do të ketë vaj e kërcëllim dhambësh».
Shkresari i mbretnisë
51 «A i përvetësuet të gjitha këto?» I thanë: «Po». 52 E ai u tha: «Çdo shkresar i mësuem me mbretninë e qiejve i ngjan një kryeshtëpiaku, që nxjerr nga thesari i vet risi e vjeturina».
Dëbimi nga Nazareti
53 Mbasi Jezusi i kreu këto shëmbëlltyra, u nis prej andej. 54 Kur erdhi në vendlindje, i mësonte nëpër sinagogat e tyne, aq sa, të mahnitun, thonin: «Nga i vijnë kjo urti e këto fuqi? 55 A nuk asht ky i biri i zdrukthëtarit? A nuk i thonë nanës së tij Mari e a nuk janë vëllaznit e tij Jakobi, Jozefi, Simoni e Juda? 56 Edhe motrat e tij, a nuk janë të gjitha ndër ne? Prej kah i vikan këtij të gjitha këto?». 57 E birreshin për shkak të tij. Por Jezusi u tha: «Profeti nuk mbetet pa nder, përveçse në atdhe e në shtëpinë e vet». 58 E, prej mosbesimit të tyne, nuk kreu aty shumë vepra të fuqishme.