Jezui dhe e shtuna
(Mk 2.23-28Lk 6.1-5)1 Një të shtunë Jezui po ecte përmes një fushe me grurë. Dishepujt e tij ishin të uritur e filluan të këpusnin kallinj gruri e të hanin. 2 Por, kur farisenjtë e panë këtë gjë, i thanë Jezuit: «Ja, dishepujt e tu po bëjnë çka nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën». 3 Jezui u tha: «A nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? 4 Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? 5 Apo, nuk e keni lexuar në ligj sesi priftërinjtë ditën e shtunë e thyejnë ligjin e së shtunës në tempull dhe janë të pafajshëm? 6 Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli. 7 Dhe po ta kishit ditur se çfarë do të thotë: dëshiroj mëshirën e jo flijimin, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. 8 Biri i njeriut është Zot i të shtunës».
Njeriu me dorë të tharë
(Mk 3.1-6Lk 6.6-11)9 Jezui u largua që andej dhe hyri në sinagogën e tyre. 10 Aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. Atëherë, që të mund ta padisnin, ata e pyetën: «A është e lejueshme të shërosh të shtunave?». 11 Por Jezui u tha: «Kush nga ju, po t'i binte në gropë një dele ditën e shtunë, nuk do ta kapte e ta nxirrte? 12 Sa herë më shumë vlen një njeri se një dele? Prandaj është e lejueshme të bësh mirë të shtunën». 13 Pastaj i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe ajo u shërua tërësisht si tjetra. 14 Atëherë farisenjtë dolën përjashta dhe u këshilluan me njëri-tjetrin që ta vrisnin.
Shërbëtori i zgjedhur
15 Kur e mori vesh këtë gjë, Jezui u largua që andej. Turma të mëdha e ndoqën pas e ai i shëroi të gjithë të sëmurët 16 dhe i urdhëroi rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të. 17 Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit Isai:
18 ja shërbëtori që unë kam zgjedhur,
i dashuri im,
me të cilin shpirti im është i kënaqur.
Tek ai do të vë Shpirtin tim
dhe ai do t'u shpallë drejtësinë kombeve.
19 Nuk do të ankohet,
as do të bërtasë.
Askush nuk do ta dëgjojë në rrugë
zërin e tij.
20 Nuk do ta thyejë
kallamin e shkelur
e as do ta shuajë
flakëzën që nxjerr tym,
derisa të ngadhënjejë e drejta.
21 E në emrin e tij
do të shpresojnë kombet.
Jezui dhe Beelzebuli
(Mk 3.20-30Lk 11.14-23Lk 12.10)22 Pastaj i sollën një shurdhmemec të verbër, të pushtuar nga djalli. Jezui e shëroi dhe ai filloi të fliste e të shikonte. 23 Të gjithë njerëzit u mahnitën e thanë: «A mos është ky Biri i Davidit?». 24 Por kur e dëgjuan këtë gjë, farisenjtë thanë: «Ky i dëbon djajtë vetëm me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve». 25 Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe asnjë qytet a shtëpi që është e përçarë nuk mund të qëndrojë në këmbë. 26 Nëse Satani dëbon Satanin, do të thotë se është i përçarë. E si mund të qëndrojë, atëherë, mbretëria e tij? 27 Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj këta do të jenë gjykatësit tuaj. 28 Por, nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju. 29 Si mund të hyjë dikush në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë, pa e lidhur më parë të fortin? Vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë.
30 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk mbledh me mua, shpërndan. 31 Prandaj po ju them se njerëzve do t'u falet çdo mëkat e fyerje ndaj Perëndisë, por nuk do t'u falet fyerja ndaj Shpirtit. 32 Kushdo që thotë një fjalë kundër Birit të njeriut, do të falet, por ai që flet kundër Shpirtit të shenjtë, nuk do të falet as në këtë jetë e as në jetën që vjen».
Pema njihet nga frytet
(Lk 6.43-45)33 «Po të jetë pema e mirë, do të merrni fryte të mira. Po të jetë pema e kalbur, do të merrni fryte të këqija, sepse pema njihet nga frytet që jep. 34 Pjellë nepërkash! E si mund të flisni mirë nëse jeni të këqij? Ç'ka zemra, nxjerr goja. 35 Njeriu i mirë nxjerr të mira nga thesari i tij i mirë dhe njeriu i keq nxjerr të këqija nga thesari i tij i keq. 36 Unë po ju them se në ditën e gjykimit njerëzit do të përgjigjen për çdo fjalë të kotë që do të thonë, 37 se nga fjalët tuaja do të bëheni të drejtë e nga fjalët tuaja do të dënoheni».
Një shenjë
(Mk 8.11-12Lk 11.29-32)38 Pastaj disa shkrues e farisenj i thanë: «Mësues, duam të shohim një shenjë prej teje». 39 Por ai u përgjigj: «Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona. 40 Ashtu si Jonai ndenji tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu do të rrijë edhe Biri i njeriut tri ditë e tri net në zemër të tokës. 41 Banorët e Ninivës do të ngjallen në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë atë, sepse ata u penduan pas predikimit të Jonait. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai. 42 Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë atë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni».
Kthimi i shpirtit të ndyrë
(Lk 11.24-26)43 «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë duke kërkuar prehje, por nuk gjen. 44 Atëherë thotë: “Do të kthehem te shtëpia ime, prej nga dola”. Kur vjen, e gjen shtëpinë të zbrazët, të pastruar e të zbukuruar. 45 Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja. Kështu do t'i ndodhë edhe kësaj breznie të ligë».
E ëma dhe vëllezërit
(Mk 3.31-35Lk 8.19-21)46 Ndërsa Jezui po u fliste ende turmave, përjashta prisnin e ëma dhe vëllezërit e tij që kërkonin të flisnin me të. 47 Dikush i tha: «Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e duan të flasin me ty». 48 Por Jezui iu përgjigj: «Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?». 49 Pastaj shtriu dorën drejt dishepujve e tha: «Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi. 50 Kushdo që bën vullnetin e Atit tim, që është në qiej, është vëllai im, motra ime e nëna ime».
E shtuna
1 Në atë kohë Jezusi përshkoi një të shtunë një hamalle gruni. Nxanësit e tij u ujtuen e filluen me këputë kallijtë e me hangër. 2 Por, tue pa këtë gja, farisejtë i thanë: «Ja, nxanësit e tu bajnë çka nuk lejohet me ba të shtunën». 3 Ai u tha: «A nuk e keni lexue çka bani Davidi kur pati uri, bashkë me ata që kishte me vete? 4 Si hyni në shtëpinë e Hyut dhe hangri bukët e kushtimit, që nuk i lejohej t'i hante as ai, as ata që kishte me vete, por vetëm priftënt? 5 Apo, nuk e keni lexue në ligj, se, të shtunën, priftënt në tempull e përdhosin të shtunën e janë të pafajshëm? 6 Megjithatë, unë po ju them se këtu asht diçka ma e madhe se tempulli. 7 Por, po ta dinit çka don me thanë përdëllimin dëshiroj e jo flinë , nuk do t'i kishit dënue të pafajshmit. 8 Zot i të shtunës asht biri i njeriut».
Shërimi i të paralizuemit
9 U shkëput prej andej dhe hyni në sinagogën e tyne. 10 E, ja, një me një dorë të thame. Atëherë e pyetën e i thanë: «A lejohet të shtunën me shërue?», që ta paditnin. 11 Por ai iu përgjigj: «Cili do të ishte ai njeri, nga ju, që, po të kishte një dele e po t'i binte kjo në pus, të shtunën, nuk do ta kapte e ta ngrente? 12 Por, sa vlen një njeri kundrejt deles! Prandaj lejohet me veprue bukur të shtunën». 13 Mandej i tha njeriut: «Shtrije dorën tande!». Ai e shtriu dhe iu përtëri, e shëndoshë si tjetra. 14 Por farisejtë dolën jashtë e morën vendimin kundër tij, për me e vra.
Jezusi, shërbëtori i Hyut
15 Kur Jezusi e mori vesh, u largue prej aty. Shumë turma shkuen mbas tij dhe ai i shëroi të gjithë ata 16 dhe i urdhnoi të mos njoftonin kënd për të, 17 që të plotësohej çka qe thanë prej Isaisë profet:
18 Ja shërbëroti im,
që e zgjodha,
i dashtuni im,
që ma ka kënaqë shpirtin.
Do të vej shpirtin tim mbi të
e gjykimin kombeve do t'ua shpallë.
19 Nuk do të grindet,
as do të bërtasë,
nuk do ta ndiejë kush në sheshe
zanin e tij.
20 Kallamin e lakuem nuk do ta thyejë
e fitilin tymues nuk do ta shkimë
derisa ta nxjerrë gjykimin me fitore
e kombet në të do të shpresojnë. 21
Jezusi dhe Beelzebuli
22 Atëherë i sollën një të djallosun të verbët e memec dhe ai e shëroi memecin, kështuqë memeci mundte me folë e me pa. 23 Mbarë turmat mahniteshin e thoshin: «A mos asht ky biri i Davidit?». 24 Farisejtë, kur morën vesh, thanë: «Ky nuk i dëbon djajtë, veçse falë Beelzebulit, prijësit të djajve».
25 Por, tue i ditë mendimet e tyne, ai u tha: «Çdo mbretni, e ndame ndër vete, shkretohet dhe asnjë qytet apo shtëpi, e ndame ndër vete, nuk do të qëndrojë. 26 Prandaj, nëse Satani nxjerr Satanin, asht nda kundër vetes. Si do të qëndrojë, pra, mbretnia e tij? 27 Nëse unë i nxjerr djajtë falë Beelzebulit, po bijtë tuej, falë të kujt i nxjerrin? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuej. 28 Por, nëse unë i nxjerr djajtë falë Shpirtit të Hyut, atëherë ka mbërritë te ju mbretnia e Hyut. 29 Ose, si mundet me hy dikush në shtëpinë e të fortit e me i rrëmbye plaçkat, nëse nuk e ka lidhë ma parë të fortin? Atëherë mundet me ia plaçkitë shtëpinë.
30 Kus nuk asht me mue, asht kundër meje dhe, kush nuk mbledh me mue, shpërndan. 31 Prandaj po ju them, çdo mëkat e blasfemi do t'u falet njerëzve, por blasfemia kundër Shpirtit të Shenjtë nuk ka me u falë. 32 Kush flet ndonjë fjalë kundër birit të njeriut, do t'i falet, por kush flet kundër Shpirtit të Shenjtë, nuk do t'i falet as në këtë kohë, as në të ardhmen».
Pema dhe frytet
33 «Ose e bani pemën të kandshme e fryti i saj asht i kandshëm, ose e bani pemën të çartun e fryti i saj asht i çartun. Se prej frytit njihet pema. 34 Pjellë shlligash! Si mundni me folë gjana të mira, tue qenë të ligj. Goja flet çka gufon nga zemra. 35 Njeriu i mirë, nga thesari i mirë, nxjerr të mira, ndërsa njeriu i lig, nga thesari i lig, nxjerr ligësi. 36 Por, unë po ju them se çdo fjalë e kotë që thonë njerëzit, për atë fjalë do të përgjigjen në ditën e gjyqit. 37 Se prej fjales sate do të shfajësohesh e prej fjalës sate do të dënohesh».
Shenja e Jonës
38 Atëherë disa prej shkresarëve morën fjalën e i thanë: «Mësues, duem me pa një shenjtë prej teje». 39 Por ai përgjigj e u tha: «Një brezni e ligë dhe besëthyeme kërkon një shenjë, por farë shenje nuk do t'i jepet, përveç shenjës së Jonës profet. 40 Sikurse ndejti Jona në barkun e viganit ujor tri ditë e tri netë , ashtu do të rrijë biri i njeriut në zemrën e tokës tri ditë e tri netë. 41 Burrat e Ninivës do të ngrihen në gjyq me këtë brez e do ta dënojnë, sepse ata u penduen falë kumtit të Jonës. Dhe, ja, ma shumë se Jona asht këtu. 42 Mbretnesha e jugut do të ngrihet në gjyq me këtë brez e do ta dënojë, se ajo erdhi prej skajeve të dheut, me ndie urtinë e Solomonit. Dhe, ja, ma shumë se Solomoni asht këtu».
Kthimi i shpirtit të papastër
43 «Kur shpirti i papastër del nga njeriu, endet nëpër vende të zhurituna, tue kërkue një vendpushim, por nuk e gjen. 44 Atëherë thotë: "Do të kthehem te shtëpia ime, prej ku dola". Dhe, kur vjen, e gjen të lirueme, të dlirun e të stolisun. 45 Mandej shkon e merr me vete shtatë shpirtna të tjerë ma të mbrapshtë se veten dhe hyjnë e zajnë vend aty. E fundja e atij njeriu bahet ma e keqe se fillimi. Kështu do të ndodhë edhe me këtë brezni të mbrapshtë».
Gjinia e Jezusit
46 Ndërsa po u fliste turmave, ja, nana dhe vëllaznit e tij qëndronin përjashta, tue u orvatë me i folë. 47 Dikush i tha: «Ja, nana jote e vëllaznit e tu qëndrojnë përjashta, tue u orvatë me të folë». 48 Por ai ua ktheu e tha: «Kush asht nana ime e kush janë vëllaznit e mi?». 49 Dhe zgjati dorën përmbi nxanësit e vet e tha: «Ja nana ime e vëllaznit e mi. 50 Se, kushdo që kryen vullnetin e Atit tim, që asht në qiell, ai më asht vëlla e motër e nanë».