Krie e shtatëtë
1 Mos hiqni mbë gojë, të mos u heqëjnë.
2 Sepse sikundrë gjukoni, do të gjukoneni, edhe me ç’matës që matni, do t’u matetë edhe juvet.
3 Edhe pse sheh gozhdënë që është ndë si të vëllait sit, e nukë vështron tranë, që është ndë si tënd?
4 A qish do t’i thuaç vëllait sit, le të nxjer nga siu it halënë, kur gjëndetë trau ndë si tënd?
5 Ipokrití (me di faqe) nxir më përpara tranë nga siu it, pra pastaj mbase do të mundç të nxjerç halënë nga siu i sit vëlla.
6 Mos shtini të shëntëruaratë qenet, edhe mos vii margaritarëtë tuaj përpara derravet, se mos i shkeljënë ato me këmbë të ture, e kthenenë e u çapëlojënë edhe juvet.
7 Lipëni, e do t’u ipetë juvet. Kërkoni, e do të gjeni. Biri derësë e do t’u hapetë juvet.
8 Sepse cilido që lipën, merr, edhe ai që kërkon gjen. Edhe atit që çokanis portënë do t’i hapetë.
9 Vallë gjëndetë njeri nga juvet që të kërkojë prej sij biri i tij bukë, mos do t’i apë atij gur?
10 A ndë kërkoftë pishk, mos do t’i apë gjarpër?
11 Nd’është juvet, ndonëse jeni të këqinj, dini të ipni të dhëna të mira ndë djelm tuaj, sa më tepër jati juaj i qiellvet do të apë të mira nd’ata që kërkojënë nga ai?
12 Sa dha të mira doni të ju bëjënë juvet njerëzitë, të tila të bëni edhe juvet mb’ata, sepse këjo është nomi edhe Profitëretë.
13 Hini nga der’ e ngushtë se dera ësht’ e gjerë edhe udha ësht’ e hapëtë që bie ndë pisë, e janë shum’ ata që shkojënë nga ajo.
14 Se ësht’ e ngushtë dera, edhe e zahmetëçme udha që bie ndë jetë të pasosurë, e janë të pakë ata që e gjejënë atë.
15 E të ruheni nga profitërit’ e rrem, se ata vijënë mbë ju me lëkurëra të delevet, po përbrënda janë ulqër që rrëmbejënë.
16 Nga punërat’ e ture do t’i njihni ata. Mos vjelënë nga gjëmbatë rrush a nga murizatë fiq?
17 Kështu çdo lis i mirë bën pemmëra të mira, e lisi i kalbëtë, bën pemëra të liga.
18 S’mund lis i mirë, të bëjë pemmëra të liga, as lis i kalbëtë të bëjë pemëra të mira.
19 Çdo lis që nukë bën pemmëra, pritetë, e vihetë mbë zjar.
20 Nga pemëtë dha të ture, do t’i njihni ata.
21 Nukë do të hijë ndë mbretëri të qiellvet çdo njeri që më thotë mua: O Zot, Zot; po ai që bën ato që do jati im që është ndë qiell.
22 Mb’atë ditë shumë do të më thonë: O Zot, o Zot, nukë profitepsm navet ndë ëmër tat, edhe ndë ëmër tat nxuarm të paudhëtë, edhe ndë ëmër tat bëm shumë thavmaturgji?
23 E ahiere do t’u thom ature, se kurrë nuk’ u njoha juvet, ju që bëjëtë të këqiatë.
24 Cilido ësht’ ai që digjon këto fjalët’ e mia, e i bën ato, u do ta bëj atë të gjajë me një njeri të mënçurë, që vuri binan’ e shtëpisë tij mbi gur.
25 E dërmoi shiu e erdhë lumëratë, e frijtinë erëtë, e u përpoqnë mb’atë shtëpi e nukë ra, se qe bina e saj mbi gur.
26 E cilido që digjon fjalët’ e mia, e nuk’ i bën ato, ai gjan me një njeri pa mënd, që vuri binan’ e shtëpisë tij mbi rërë.
27 E dërmoi shiu, e erdhë lumëratë e frijtinë erëtë, e u përpoqnë mb’atë shtëpi, e ra, e të gremisurit e saj u bë të madh.
28 E u bë, si i sosi Iisui këto fjalë, u çuditnë llaoi ndë dhidhahi të tij.
29 Sepse i dhidhaks ata si që kish eksusi, e jo si dhidhaksnë grammatikotë.
Për gjykimin
1 «Mos gjykoni, që të mos gjykohenit. 2 Me gjykimin me të cilin gjykoni do të gjykoheni e me masën me të cilën do të matni do të matet për ju. 3 Pse shesh ashklën në synin e vëllait tand, porse traun në synin tand nuk e vëren? 4 Ose, si i thue vëllait tand: "Më len ta heq ashklën prej synit", kur ja që ke traun synin tand? 5 Dyfytyrësh! Hiq ma parë traun nga syni yt e atëherë do të shohësh mirë me heqë ashklën nga syni i vëllaut tand.
6 Mos u jepni qenve çka asht e shenjtë e mos ua hidhni perlat derrave, që të mos i shkelin me kambë e të kthehen me ju coptue ju».
Kush lyp, merr
7 «Lypni e do t'ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokitni e do t'ju çelet. 8 Po, kushdo që lyp, merr. Kush kërkon, gjen. Kujt troket, do t'i çelet. 9 A ka ndonjë njeri prej jush, që, po t'i lypte i biri bukë, ai do t'i jepte gurë? 10 Apo që, po t'i kërkonte peshk, do t'i jepte gjarpër? 11 Nëse ju, që jeni të ligj, dini me u dhanë fëmijëve tuej dhurata të mira, aq ma shumë Ati juej që asht në qiell do t'u japë të mira atyne që ia kërkojnë.
12 Gjithçka dëshironi që njerëzit të bajnë për ju, ashtu bani edhe ju për ta. Ky asht ligji e profetët».
Dy udhët
13 «Hyni nëpër derë të ngushtë, se e gjanë asht dera dhe e haptë asht rruga që çon në rrënim e të shumtë janë ata që hyjnë nëpër të. 14 Por e ngushtë asht dera dhe e shtrënguet ast rruga që çon në jetë e të paktë janë ata që e gjejnë».
Profetët e rremë
15 «Kini kujdes nga profetët e rremë, që vijnë ndër ju me petka delesh, porse përmbrenda janë ujq të pangopshëm. 16 Prej fryteve të tyne do t'i dalloni. Mos u vilka rrushi nga ferrat, apo fiqtë nga murrizat? 17 Njësoj, çdo pemë e mirë jep fryte të bukura, kurse pema e çartun jep fryte të këqija. 18 Nuk mundet nji pemë e mirë me dhanë fryte të këqija, as pema e çartun me dhanë fryte të bukura. 19 Çdo pemë që nuk jep fryt të bukur duhet me u pre e me u hedhë në zjarr. 20 Prandaj, prej fryteve të tyne do t'i dalloni».
Nxanësi i vërtetë
21 «Jo kushdo që rrin tue më thanë: "O Zot, o Zot!" do të hyjë në mbretninë e qiejve, por ai që kryen vullnetin e Atit tim, që asht në qiej. 22 Shumë vetë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuem në emnin tand, e në emnin tand nxorëm djajtë, e në emnin tand bamë mrekulli?" 23 E atëherë do t'u tham haptas: "Kurrë s'ju njoha. M'u shporrni, ju që bani mbrapshti!"».
Shtëpia mbi shkamb
24 «Tash, kush i ndëgjon këto fjalë të miat dhe i zbaton, i përngjan një burri të urtë, që e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkamb, 25 ra shiu, vërrshuen lumejtë, fryen ernat e u përplasën me atë shtëpi, por ajo nuk u shemb, se ishte e themelueme mbi shkamb. 26 Kush i ndëgjon këto fjalë të miat e nuk i zbaton, i ngjan një njeriu të marrë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi ranë, 27 ra shiu, vërrshuen lumejtë, fryen ernat e u përplasën me atë shtëpi dhe ajo shtëpi u shemb e rrëzimi i saj qe i madh».
28 Mbasi Jezusi i kreu këto fjalime, turmat mbetën të mahnituna prej mësimit të tij. 29 Ai i mësonte si dikush që ka pushtet e jo si shkruesit e tyne.