Krie e njëzetenjëtë
1 E si u qasnë ndë Ierusalim, e erdhë ndë Vithfagji, afër malit së ullinjet, atëherë Iisui dërgoi di mathiti, e u tha ature:
2 Hajdeni ndë fshat që është përtej juvet, e me një do të gjeni një gomare lidhurë, edhe kroçnë me të bashkë, e si ta zgjidhni bimani mua.
3 E ndë ju thashtë juvet njeri gjë, thoi: Zot’ i ture i do, e do t’i dërgojë ato menjëherë.
4 Edhe gjithë këjo u bë, që të paguhetë ajo që u tha nga profiti, që thotë:
5 Thoi vashëzësë së Sionit: Ja, mbreti it vjen tek tij i butë, e i hipurë kaluar mbi gomare, e mbi kroç bir të gomaresë së munduarë.
6 E si vanë mathititë e bënë sikundrë porsiti nd’ata Iisui.
7 E prunë gomarenë edhe kroçnë, e vunë mbi ato rrobat’ e ture, e hipi sipër mbi to.
8 E turm’ e njerëzet, shtroijnë rrobat’ e ture mb’udhë, e të tjerë prisnë dega nga lisatë, e i shtroijnë mb’udhë.
9 E turmat’ e njerëzet që vijnë përpara, edhe prapa, thërisnë, e thoshnë: Osana të biri Dhavidhit, i bekuarë ësht’ ai që vjen mbë ëmër të Zotit, osana mbë të lartatë.
10 E si hiri ai ndë Ierusalim, u drodh gjithë quteti, e thoshnë: Cili është kij?
11 E turmat’ e njerëzet thoshnë: Kij është Iisui profiti, që është nga Nazareti Galileësë.
12 E hiri Iisui ndë qishë të Perndisë, e nxori jashtë gjith’ ata që shitnë e bleijnë ndë qishë, edhe trapezet e sarafëvet jua gremisi, edhe fronet’ e ature që shitnë pëllumbatë.
13 E u thot’ ature: Është shkruarë, shtëpia ime do të quhetë shtëpi e së falturit, e ju e bëtë atë spile të kusarëvet.
14 E u qasnë nde ai të verbërë, e të çalë ndë Iero, e i shëroi ata.
15 E si panë të parët’ e priftëret edhe Grammatikotë këto çudira që bëri, e djelmtë që thërisnë ndë qishë, e thoshnë: Osana të biri Dhavidhit, u zëmëruanë.
16 E i thanë atij: A digjo(n) se ç’thonë këta? Edhe Iisui u thot’ ature: Digjoj. Nukë dhiavastë kurrë, se nga goja e foshnjëvet, edhe ature që thithijënë qumështë do të nxjer lëvdim?
17 E si i la ata dolli jashtë nga quteti ndë Vithani, e mbeti atje.
18 E ndë mëngjes kur kthenej ndë qutet, e mori uja.
19 E si pa një rrënjë fik ndë udhë, erdhi mbë të, e nukë gjeti tjatër mbë të, përveçme fletavet vetëmë, e i thotë fikut: Mos u bëftë pemë kurrë ndë jetë nga teje. E u tha atëherë fiku.
20 E si panë mathitejtë, u çuditnë, e thanë: Qish u tha fiku menjëherë?
21 E Zoti Krisht u përgjegj, e u tha ature: Me të vërteta u thom juvet, ndë paçi besë e ndë mos qofi me di zëmëra, jo vetëmë këtë që u bë te fiku do të bëni, po edhe këtit malit ndë i thëfçi: Ngreu e bjerë ndë det, do të bënetë.
22 E sa të lipëni ndë të falturë me besë, të gjitha do t’i mirri.
23 E si erdhi ai ndë qishë, u qasnë nde ai tek dhidhaks të parët’ e priftëret edhe pleqësi e llaoit, e i thoshnë: Me ç’urdhër bën këto, edhe kush ta dha ti këtë urdhër?
24 Edhe Iisui u përgjegj, e u tha ature: Do t’u pies edhe unë juvet një fjalë, e ndë ma thaçi mua atë, edhe unë do t’u thom juvet me ç’urdhër bëj këto.
25 Pagëzimi i Ioannit nga Qielli qe, a nga njerëzitë? E ata mëndonishnë me vetëhe të ture, e thoshnë: Ndë thafçim nga Qielli, do të na thotë nevet: Pse adha nukë besuatë?
26 E ndë thafçim nga njerëzitë, trëmbemi botënë, se të gjithë e kanë Ioannë posi profit.
27 E ju përgjegjnë Iisuit, e i thanë: Nukë dimë. Edhe ai u tha ature: Edhe unë nuk’ u thom juvet, se me ç’urdhër bëj këto.
28 Ç’u duketë juvet? Një njeri kish di djelm, e ju qas së parit, e i tha: Bir, hajde sot e puno ndë vështë tim.
29 Edhe ai u përgjegj, e i tha: Nukë dua. Më pastaj ndërroi mëndnë, e vate.
30 E ju qas edhe së ditit, e i tha edhe atij ashtu; e ai ju përgjegj, e i tha: Unë, zot. E nukë vate.
31 Cili dha nga këta të di bëri thelimënë e së jatit? E i thanë: I pari. U thot’ ature Iisui: Me të vërteta u thom juvet, se Tellonëritë, edhe kurvjarëtë, do të venë më përpara se juvet ndë mbretëri të Perndisë.
32 Se erdhi ndër ju Ioanni me udhë të së drejtësë, e nuk’ e besuatë; e Tellonetë edhe kurvjarëtë besuanë mbë të, e juvet ndonëse patë, nukë ndërruatë mëndë pastaj, të besojëtë mbë të.
33 Tjetër paravoli digjoni: Një njeri zot shtëpiet, e ai vuri (fitepsi) një vështë, e e thuri atë me gardhe, e rrëmoi mbë të patitir, e stisi mbë të pirgo (kullë) e e dha atë ndë bujq, e iku.
34 E kur afëroi koh’ e pemëvet, dërgoi kopilt’ e tij ndë bujqër të mirrë pemmët’ e tij.
35 Edhe bujqëritë si i zunë kopijt’ e tij, njerinë e rrahnë, e tjatërin’ e muarrë me gurë.
36 Pameta dërgoi të tjerë kopij, më të shumë se të parëtë, e ua bënë edhe aturevet ashtu.
37 E më të pastajmenë dërgoi mb’ata të bir’ e tij, e tha: Do të kenë turp nga biri im.
38 Edhe bujqëritë si panë të birë thanë me vetëhe të ture: Kij është klironomi, ejani ta vrasëmë atë, e t’i mbajëmë klironomin’ e tij.
39 E si e zunë atë, e krienë jashtë nga vështi, e e vranë.
40 E po kur të vijë i zoti i vështit, ç’do të ju bëjë ature bujqëret?
41 I than’ atij: Këta të këqinj, shumë keq do t’i vrasë, e vështënë do ta apë ndë të tjerë bujqër, që ata do t’i apënë atit pemmëtë mbë kohë të ture.
42 U thot’ ature Iisui: Nukë dhiavastë kurrë ndë kartëra, atë gur që katafronisnë mjeshtrëtë, ai u bë e u vu krie ndë qoshe; nga Zoti u bë këjo, e duketë çudi ndë si tona?
43 Pra andaj u thom juvet, se mbretëria e Perndisë do të ngrihetë nga juvet, e do të ipetë ndë milet, që të bëjë pemët’ e saj.
44 Edhe ai që të bjerë mbi këtë gur, do të thërmonetë, edhe nde cili që të bjerë sipër, atë do ta bëjë pluhur.
45 E si ndienë të parët’ e priftëret edhe farisejtë paravolit’ e tij, kupëtuanë se për ata i thotë.
46 E kërkoijnë që ta zirinë atë, po u trëmnë nga bota, se e kishnë atë posi profit.
Hymja në Jerusalem
1 Kur iu afruen Jerusalemit e mbërritën në Betfagë, në malin e Ullinjve, Jezui dërgoi dy nxanës 2 e u tha: «Shkoni në fshatin kundruell jush e menjëherë do të gjeni lidhun një gomaricë me një visk. Lirojini e m'i sillni mue. 3 Nëse ndokush ju thotë gja, thoni: "Zoti ka nevojë për ta. Do t'i nisë menjëherë"». 4 Kjo ndodhi që të plotësohej çka qe thanë me anë të profetit:
5 thuejiuni bijës së Sionit:
ja, mbreti yt po vjen te ti,
i butë e kaluer mbi gomaricë,
e në një visk, zog të kafshës bartore.
6 Nxanësit shkuen e banë siç i urdhnoi Jezusi. 7 I grahën gomaricës me visk, hodhën petkat mbi ta dhe e ulën Jezuin mbi ta.
8 Një turmë e gjanë shtroi në rrugë petkat e veta e disa të tjerë këputnin degët e pemëve e i shtronin në rrugë. 9 Turmat që i prinin dhe ata që e ndiqnin, bërtitnin:
«Hosana birit të Davidit,
bekue ai që vjen në emën të Zotit,
Hosana në naltësi !».
10 Kur hyni në Jerusalem, u trazue mbarë qyteti e thonin: «Kush asht ky?». 11 Turmat thonin: «Ky asht profeti Jezus, ai nga Nazareti i Galilesë».
Pastrimi i tempullit
12 Jezusi hyni në tempull e qiti jashtë të gjithë ata që ishin tue shirtë e tue ble në tempull. Përmbysi edhe tryezat e këmbyesve, edhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave. 13 Dhe u tha: «Asht e shkrueme:
shtëpia ime
do të thirret shtëpi lutjeje ,
por ju batë shpellë cubash».
14 Në tempull, iu afruen të verbtë e të çalë dhe ai i shëronte. 15 Por, kryepriftënt e shkrestarët, tue pa mrekullitë që bani dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u tërbuen 16 e i thanë: «A ndigjon çka po thonë këta?». Jezusi u tha: «Po. A nuk e keni lexue kurrë: nga goja e fëmijëve dhe e ferishteve do ta gatitësh lëvdimin ?». 17 Atëher i la e doli përjashta qytetit, në Betani. E atje e kaloi natën.
Mallkimi i fikut
18 Në nadje, tue u kthye në qytet, e zuni uria. 19 Kur pa një fik anës rrugës, iu afrue, por nuk gjeti asgja, përveç gjetheve, prandaj i tha: «Mos daltë ma fryt prej teje deri në amshim!». E fiku u tha përnjëherësh. 20 Kur nxanësit e panë, u mahnitën e thanë: «Si u tha përnjëherësh fiku?». 21 Jezusi u përgjigj: «Vërtet po ju them, po të keni besim e të mos ndërdysheni, nuk do t'i bani fikut vetëm këtë, por, po t'i thoni këtij mali "çohu e hidhu në det", do të ndodhë. 22 Çkado të lypni në lutje me besim, do ta merrni».
Pushteti i Jezuit
23 Kur hyni në tempull e po mësonte, kryepriftënt e pleqtë iu afruen dhe e pyetën: «Me ç'pushtet i ban këto? Kush ta ka dhanë këtë pushtet?». 24 Jezusi u tha: «Edhe unë do t'ju pyes për një çështje. Nëse më përgjigjeni, edhe unë do t'ju them me ç'pushtet i baj këto. 25 Pagëzimi i Gjonit, prej kah vinte? Prej qiellit apo prej njerëzve?». Por ata mendonin me vete: «Po të themi "Prej qiellit", do të na thotë: "Pse, pra, nuk i besuet?". 26 Po të themi "Prej njerëzve", i druhemi turmës, se të gjithë e mbajnë Gjonin për profet». 27 Prandaj iu përgjigjen Jezusit: «Nuk e dimë». E ai u tha: «As unë nuk ju them me ç'pushtet i baj këto».
Dy djem, dy përgjigje
28 «Si mendoni? Një njeri kishte dy djem. Shkoi e i tha të parit: "Bir, shko sot e puno në vresht". 29 Ai iu përgjigj: "Nuk due". Por, mbasandej, u ndërroi mendje e shkoi. 30 Shkoi te tjetri e i tha poashtu. Ai iu përgjigj: "Po, zot". E nuk shkoi. 31 Cili prej të dyve kreu vullnetin e atit?». I thanë: «I pari». Jezusi u tha: «Vërtet po ju them se tagrambledhësit dhe laviret shkojnë para jush mbretërinë e Hyut. 32 Se erdhi Gjoni te ju në udhën e drejtësisë, por nuk i besuet, mirëpo tagrambledhësit dhe laviret i besuen. Ndërsa ju patë e nuk ndërruet mendje mandej, për me i besue».
Vreshtarët e mbrapshtë
33 «Ndigjoni një tjetër shëmbëlltyrë. Një kryeshtëpiak mbolli një vresht, i vuni gardhin rrotull, hapi një gropë për tork, nëdrtoi një kullë, ua dorëzoi bujqve dhe u nis për udhë. 34 Kur u afrue koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te bujqit, me marrë të vjelat e veta. 35 Por bujqit i morën shërbëtorët e tij dhe dikë e rrahën, dikë e vranë e dikë e mbytën me gurë. 36 Prapë u dërgoi shërbëtorë të tjerë, ma shumë se të parët, popr vepruen njësoj me ta. 37 Në fund u dërgoi të birin, tue thanë: "Me tim bir do të sillen mirë". 38 Por, bujqit, kur panë birin, thanë me vete: "Ky asht trashëgimtari. Ejani ta vrasim e të marrim në pronë trashëgiminë e tij". 39 E kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. 40 Kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t'u bëjë këtyne bujqve?». 41 Ata i thanë: «Do t'i rrënojë keqas dhe vreshtin do t'ua japë bujqve të tjerë, të cilët që do t'ia dorëzojnë të vjelat në kohën e tyne». 42 Jezusi u tha: «A nuk keni lexue kurrë në Shkrime:
guri, që ndërtuesit e përjashtuen,
u ba guri i qoshes.
Prej Zotit erdhi kjo
dhe asht mahnitëse për sytë tanë ?».
43 Prandaj po ju them: «Mbretnia e Hyut do t'ju hiqet juve e do t'i jepet një kombi që do t'ia qesë. 44 Kush bjen mbi këtë gur, do të copëtohet. Nëse ai bjen mbi dikënd, do ta shtypë».
45 Kur kryepriftënt dhe farisejtë i ndigjuan shëmbëlltyrat e tij, e morën vesh se po fliste për ta 46 dhe lypnin me e kapë, por u trembeshin turmave, që e mbanin për profet.