1 Pasandaj hyri përsëri ndë sinagogjit; edhe atie ish një njeri që kish dorënë të thatë.
2 Edhe vininë re atë, ndë qoftë se do ta shëronte për ditë të shëtunë, që ta përflasënë.
3 Edhe ay i thotë ati njeriut që kish dorënë të thatë: “Ngreu ndë mest.”
4 Pasandaj u thot’ atyre: “Ësht’e udhësë të bëjë njeri mirë për të shëtuna, apo të bëjë keq? Të shpëtojë shpirt, apo të vrasë?” Po ata s’bëninë zë.
5 Atëhere si i vuri re rreth me zemërim, tuke i ardhurë keq për ashpërimin’ e zemërës’ atyre, i thotë njeriut: “Shtri dorënë tënde.” Edhe ay e shtriu; edhe dora e ati u bë e shëndoshë [posi tiatëra].
6 Edhe Farisejtë si duallnë, përnjëherë bënë këshillë bashkë me Irodhianët kundrë ati, që ta prishjënë.
7 Po Jisuj iku bashkë me nxënësit’ e ti mb’anë të detit; edhe i vanë pas shumë shumicë nga Galilea, e nga Judhea,
8 E nga Jerusalimi, e nga Idhumea, e nga përtej Jordhanit; edhe shumë shumicë nga ata që ishinë rreth Tyrësë edhe Sidhonësë, erdhë tek ay, kur dëgjuanë se sa punëra bënte.
9 Edhe ay u tha nxënëset ti ta presë atë afërë një lundrë, për punë të gjëndëjesë, që të mos e shtrëngojënë.
10 Sepse shëroj shumë vetë, kaqë sa bininë sipër ati, që t’e prekënë sa vetë kishinë sëmundëje.
11 Edhe frymat’ e ndyra, kur e vështroninë, i bininë përpara, edhe bërtisninë, tuke thënë, se: “Ti je i Bir’ i Perëndisë.”
12 Po ay i qërtonte shumë, që të mos e çfaqënë.
13 Pasandaj hipën ndë malt, edhe thërret përanë vetëhesë sa vetë deshi ay; edhe ata vanë tek ay.
14 Edhe sgjodhi dy-mbë-dhietë vetë , që të jenë bashkë me atë, edhe që t’i dërgojë të leçisënë.
15 Edhe të kenë pushtet të shërojënë sëmundëjetë, edhe të kërrejënë diajtë;
16 Simonë, që ia vuri emërinë Pietrë;
17 Edhe Jakovinë, të birrë e Zevedheut, edhe Joannë, të vëllan’ e Jakovit, edhe ua vuri emërinë Voanergjes, që do me thënë: të Bijt’ e bubullimësë;
18 Edhe Andhrenë, e Filippinë, e Varthollomenë, e Matthenë, e Thomanë, e Jakovinë, të birrë e Allfeut, e Thadhdhenë, e Simon Kananitinë,
19 Edhe Judhë Iskariotinë, i cili e dha ndër duar.
20 Pasandaj vinë ndë një shtëpi; edhe mbëlidhetë përsëri gjëndëje, kaqë sa ata s’munt të hanin’ as bukë.
21 Edhe njerëzit’ e ati, kur dëgjuanë, duallnë ta mbajnë; sepse thoshinë, se: “Dolli nga mëntë.”
22 Edhe shkronjësitë, që sbritnë nga Jerusalimi, thoshinë, se: “Ka Veelzevulinë, edhe se kërren diajtë me të parin’ e diajvet.”
23 Po ay , si thirri ata përanë, u thoshte me paravolira: “Si munt të kërrejë Satanaj Satananë?
24 Edhe ndë u ndaftë një mbëretëri kundrë vetëhesë saj, ajo mbëretëri s’munt të qëndrojë;
25 Edhe ndë u ndaftë një shtëpi kundrë vetëhesë saj, ajo shtëpi s’munt të qëndrojë.
26 Edhe Satanaj ndë u ngrittë kundrë vetëhesë tij, edhe u nda, s’munt të qëndrojë, po ka të mbaruarë.
27 As ndonjë s’munt të ryjë ndë shtëpi të fortit që të rrëmbejë enët’ e ati, pa mos lidhurë më përpara të fortinë; edhe atëhere do të rrëmbejë shtëpin’ e ati.
28 Me të vërtetë po u them juve, se gjithë faletë do t’u ndëlenenë të bijet njerëzet, edhe vllasfimiatë sado që të vllasfimisjënë,
29 Po ay që të vllasfimisjë kundrë Frymësë Shënjtëruarë, nukë do të ndëlenetë për gjithë jetënë; po është faltuar i dënimit pasosurë;
30 Sepse thoshninë, se: Ka frymë të ndyrë.
31 Vinë pra të vëllezëritë edhe e ëma e ati, edhe si qëndruanë jashtë, dërguanë tek ay, që ta thërresënë.
32 Edhe rreth ati rrinte gjëndëje; edhe i than’ ati: “Na jot ëmë edhe tët vëllezërë te po të kërkojënë jashtë.”
33 Po ay u përgjeq atyreve, tuke thënë: “Kush ësht’ imë a tem vëllezërë?”
34 Edhe si vuri re rreth ata që rrininë përanë ati, thotë: “Na imë edhe tem vëllezërë!
35 Sepse ay që të bëjë dashurimin’ e Perëndisë, kyj është im vëlla, edhe ime motërë, edhe mëmë.”
Njeriu me dorë të tharë
(Mt 12.9-14Lk 6.6-11)1 Jezui hyri përsëri në një sinagogë dhe aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. 2 Farisenjtë e vëzhgonin me kujdes për të parë nëse do ta shëronte ditën e shtunë, që të mund ta padisnin. 3 Jezui i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e dil në mes!». 4 Pastaj iu drejtua atyre: «A është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën, të shpëtosh një jetë apo të vrasësh?». Por ata heshtën. 5 Jezui pa përreth i zemëruar dhe, me keqardhje për ngurtësimin e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua plotësisht.
6 Farisenjtë dolën përjashta e u këshilluan me herodianët që ta vrisnin.
Turma në bregun e liqenit
7 Jezui shkoi bashkë me dishepujt drejt liqenit, ku e ndoqi një turmë e madhe njerëzish nga Galilea e Judeja, 8 nga Jerusalemi e Idumeja, nga bregu tjetër i Jordanit, nga rrethinat e Tirit e të Sidonit. Ishte një turmë e madhe që, me të dëgjuar çfarë bënte, erdhi tek ai. 9 Jezui u tha dishepujve t'i bënin gati një varkë të vogël, që të mos e shtypte turma, 10 sepse ai kishte shëruar aq shumë veta, saqë të gjithë ata që kishin sëmundje shtyheshin drejt tij për ta prekur. 11 Kur e shihnin, shpirtrat e ndyrë binin përmbys para tij, duke thirrur: «Ti je Biri i Perëndisë». 12 Dhe ai i urdhëronte rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të.
Zgjedhja e të dymbëdhjetëve
(Mt 10.1-4Lk 6.12-16)13 Pastaj u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që donte. Ata shkuan tek ai 14 dhe ai caktoi të dymbëdhjetët, që i quajti apostuj , që të qëndronin me të e t'i dërgonte të predikonin, 15 duke u dhënë pushtet për të dëbuar djajtë. 16 Ja të dymbëdhjetët : Simoni, të cilit i vuri emrin Pjetër, 17 Jakobi, biri i Zebedeut, e Gjoni, vëllai i Jakobit, të cilëve u vuri emrin Boanerges, që do të thotë «bijtë e bubullimës», 18 Andrea e Filipi, Bartolomeu e Mateu, Thomai e Jakobi, biri i Alfeut, Tadeu, Simon Kananiti 19 e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.
Jezui dhe Beelzebuli
(Mt 12.22-32Lk 11.14-23Lk 12.10)20 Pastaj Jezui shkoi në një shtëpi dhe përsëri u mblodh një turmë, sa nuk mundën as të hanin bukë. 21 Kur e morën vesh këtë gjë, të afërmit e tij erdhën ta merrnin, sepse thoshin: «Nuk është në vete». 22 Por shkruesit që kishin ardhur nga Jerusalemi thoshin: «Ka Beelzebulin brenda dhe i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve».
23 Jezui i thirri pranë vetes e filloi t'u fliste me shëmbëlltyra: «E si është e mundur që Satani të dëbojë Satanin? 24 Nëse një mbretëri është e përçarë, kjo mbretëri nuk mund të qëndrojë më këmbë. 25 Dhe nëse një shtëpi është e përçarë, kjo shtëpi nuk mund të qëndrojë më këmbë. 26 Nëse Satani është ngritur kundër vetes dhe është përçarë, nuk mund të qëndrojë më këmbë, por ka marrë fund. 27 Por askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë nëse nuk e ka lidhur më parë të fortin. Vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë.
28 Me të vërtetë po ju them se gjithçka do t'u falet bijve të njerëzve, edhe mëkatet që kanë bërë, edhe fyerjet ndaj Perëndisë, 29 por kushdo që fyen Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet në amshim. Ai është fajtor me mëkat të amshuar».
30 Jezui i tha të gjitha këto, sepse ata thoshin: «Është i pushtuar nga një shpirt i ndyrë».
E ëma dhe vëllezërit
(Mt 12.46-50Lk 8.19-21)31 Ndërkaq erdhën e ëma dhe vëllezërit e tij. Ata u ulën përjashta dhe dërguan dikë për ta thirrur. 32 Një turmë rrinte ulur rreth tij e dikush i tha: «Nëna jote, vëllezërit e tu e motrat janë përjashta e po të kërkojnë». 33 Ai iu përgjigj: «Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?». 34 Pastaj vështroi ata që ishin ulur rreth tij e tha: «Ja nëna ime e vëllezërit e mi. 35 Kushdo që bën vullnetin e Perëndisë është vëllai im, motra ime e nëna ime».