1 Ndërmest të këtyre fialëve , kur ishinë mbëledhurë shumicat’ e gjëndëjesë, kaqë sa shkelinë njëri jatrinë, zuri t’u thoshte nxënëset ti: “Më përpara ruani vetëhenë tuaj nga brum’ i Farisevet, që ësht’ ipokrisi.
2 Po nuk’ është gjë e mbuluarë, që s’është për të sbuluarë; edhe e fshehurë, që s’është për të mos marrë vesh.
3 Përandaj sa thatë nd’errësirë, do të ndigjonenë ndë dritë; edhe ç’foltë ndër veshë ndëpër dhomat, do të leçitenë mbi kulmet të shtëpisë.
4 Edhe po u them juve miqvet mi: Mos kini frikë ata që vrasënë trupnë, edhe pastaj s’kanë se ç’të bënjënë gjë më teprë.
5 Po do t’u dëftenj juve cilinë të keni frikë: Kini frikë atë që ka pushtet, passi të vrasë, të hedhë ndë gjehenë; me të vërtetë, po u them juve: Këtë kini frikë.
6 A nukë shitenë pesë zoq për dy asprë? Edhe një nga ata nuk’ ësht’ i harruarë përpara Perëndisë.
7 Po edhe qimet’ e kresë tuaj janë numëruarë të gjitha. Mos kini frikë pra, ju ndani prej shumë zoqsh.
8 Edhe po u them juve: Kushdo që të më rrëfenjë përpara njerëzet, edhe i bir’ i njeriut do t’e rrëfenjë përpara ëngjëjet Perëndisë.
9 Edhe kushdo që të më mohonjë përpara njerëzet, do të mohonetë përpara ëngjëjet Perëndisë.
10 Edhe kushdo që të thotë fialë kundrë të birit njeriut, do t’i faletë; po ati që të vllasfimisë kundrë Frymësë Shënjtëruarë nukë do t’i faletë.
11 Edhe kur t’u bienë juve ndëpër sinagogjit, e ndëpër urdhërat, e ndëpër pushtetet, mos mendoni qysh, a ç’të përgjigji, a ç’të thoni;
12 Sepse Frym’ e Shënjtëruarë do t’u mësonjë juve nd’atë orë ç’duhetë të thoni.”
13 Edhe një prej gjëndëjes’ i tha: “Mësonjës, thuaj tim vëllaj të ndanjë trashëgimnë bashkë me mua.”
14 Po ay i tha: “O njeri, kush më vuri gjyqtar, a ndarës mbi ju?”
15 Pastaj u tha atyre: “Vështroni edhe ruhi nga lakëmimi; sepse ndë pastë teprë ndonjë, jet’ e ati nukë varetë prej gjës’ ati.”
16 Edhe u tha atyre një paravoli, tuke thënë: “Një njeriu të pasuri i erdhi mbarë ara.
17 Edhe mendonej me vete, tuke thënë: Ç’të bënj? Se s’kam ku të mbëleth pemët’ e mia.
18 Pastaj tha: Këtë kam për të bërë; do të prish grunarët’ e mi, edhe do t’i bënj më të mëdhenj, edhe do të mbëleth atie gjithë drithëtë tim, edhe të mirat’ e mia.
19 Edhe do t’i them shpirtit tim: O shpirt, ke shumë të mira që gjëndenë për shumë viet; prëhu, e ha, e pi, e gëzonu.
20 Po Perëndia i tha: I marrë, këtë natë do të lypënjënë prej teje shpirtinë tënt; edhe sa bëre gati, kujt do të jenë?
21 Kështu do të jetë ay që mbëleth thesarë për vetëhen’ e ti, e nuk’ është i pasurë te Perëndia.”
22 Pastaj u tha nxënëset ti: “Përandaj po u them juve: Mos kini kujdes për jetënë tuaj, ç’të hani; as për trupnë tuaj, ç’të vishni.
23 Jeta është më e ndershime se ushqimi, edhe trupi se të veshuritë.
24 Viri re korbatë, se nukë mbiellënë, as nukë korrnjënë; ata nukë kanë qilar, as grunar, edhe Perëndia i ushqen; sa më teprë ndani ju nga shpestë?
25 Edhe cili prej jush që ka kujdes munt të shtonjë një kut ndë moshë të ti?
26 Kur ju pra nukë muntni as për më të vogëlënë, përse keni kujdes për të tierat?
27 Viri re luletë, qysh rritenë; se nukë mundonenë, as nukë drethnjënë; edhe po u them juve, se as Sollomoni me gjithë lavdin’ e ti nuk’ ishte veshurë si një nga këto.
28 Po ndë qoftë se barinë, që sot është nd’ arë, edhe nesërë hidhetë ndë furrë, Perëndia e vesh kështu, sa më teprë juve, o besë-pakë?
29 Edhe ju mos kërkoni ç’të hani, a ç’të pini; as mos ini me dy mëndëje.
30 Sepse kombet’ e botësë kërkonjënë gjithë këto; edhe Ati juaj e di, se keni nevojë për këto.
31 Po kërkoni mbëretërin’ e Perëndisë, edhe këto të gjitha do t’u shtonenë juve.
32 Mos ki frikë, o tuf’e vogëlë; sepse Atit tuaj i pëlqeu t’u apë juve mbëretërinë.
33 Shitni pasëjetë tuaja, edhe epni elejmosinë. Bëni kuleta për vetëhenë tuaj që nukë vietëronenë, thesar ndë qiejet që nukë shteretë, atie ku kursari nuk’ afronetë, as krimbi nuk’ e prish.
34 Sepse ku është thesari juaj, atie do të jetë edhe zëmëra juaj.
35 Le të jenë mesetë tuaj ngjeshurë, edhe kandiletë ndezurë.
36 Edhe ju ini gati posi njerëzitë kur presënë zon’ e tyre, kurë do të këthenetë nga dasmatë, që t’i hapnjënë përnjëherë, kur të vinjë të trokëllinjë.
37 Lum ata shërbëtorë, të cilëtë, kur të vinjë i zoti, do t’i gjenjë sgjuarë; vërtet po u them juve, se do të ngjishetë, e do t’i vërë të rrinë ndë mësallë, edhe do të vinjë përanë t’u shërbenjë atyre.
38 Edhe nd’arthtë ndë të dytënë ruajtje, edhe ndë të tretënë ruajtje nd’ arthtë, edhe t’i gjenjë kështu, të lumurë jan’ ata shërbëtorë.
39 Edhe këtë e dini, se, ndë qoftë se e dinte i zoti shtëpisë, mbë ç’orë vien kursari, do të rrinte sgjuarë, edhe nukë do të linte t’i shponej shtëpia.
40 Edhe ju pra bëhi gati; sepse i bir’ i njeriut vien mb’ atë orë që nuk’ e mendoni. “
41 Edhe Pietri i tha: “Zot, për neve e thua këtë paravoli, apo për të gjithë?”
42 Edhe Zoti tha: “Vallë cili ësht’ ay kujdestar besëtar edhe i mënçim, që ta vërë i zoti mbi shërbëtorët’ e ti, që t’u apë me kohë masën e grurit?
43 Lum ay shërbëtuar, të cilinë kur të vinjë i zoti, do t’e gjenjë tuke bërë kështu.
44 Vërtet po u them juve, se e ka për të vënë mbi gjithë gjën’ e ti.
45 Po ndë thënt’ ay shërbëtuar ndë zëmërët të ti, se: “Im zot mënohetë të vinjë”; edhe të zërë të rrahnjë shërbëtorët’ e shërbëtoretë, e të hajë e të pijë e të dehetë;
46 I zot’ i ati shërbëtori do të vinjë atë ditë që s’e pret, edhe atë orë që s’e di; edhe do t’e ndanjë, edhe do t’e vërë piesën’ e ati bashkë me të pabesët.
47 Edhe ay shërbëtori që e dinte andën’ e të zotit, edhe nukë bëri gati vetëhenë , as nukë bëri pas andës’ ati, do të rrihetë shumë.
48 Po ay që nuk’ e diti, edhe bëri punë për të rrahurë, do të rrihetë pak. Edhe gjithësekujt që iu dha shumë, shumë do të kërkonetë prej ati; edhe ati që i lanë shumë, do t’i lypënjënë më teprë.
49 Erdha të vë ziarr mbë dhet; edhe ç’tietrë gjë dua, ndë qoftë se u ndes tashti?
50 Edhe kam një pagëzim të pagëzonem, edhe sa shtrëngonem gjersa të mbaronetë?
52 Kujtoni se kam ardhurë t’ap paqtim mbë dhet? Jo, po u them juve, po veç të ndarë. Sepse tashi e paskëtaj do të jenë pesë vetë ndë një shtëpi ndarë, tre kundrë dyve, edhe dy kundrë treve.
53 Do të ndahet’ i ati kundrë të birit, edhe i biri kundrë t’et; e ëma kundrë së bijësë, edhe e bija kundrë s’ëmësë; vierra kundrë nusesë saj, edhe nuseja kundrë së vierrësë.”
54 I thoshte edhe gjëndëjesë: “Kur të shihni renë se del prej së perënduarësë diellit, përnjëherë thoni: Po vien shi; edhe bënetë kështu.
55 Edhe kur fryn erë miesdite, thoni, se: Do të bënjë vapë; edhe bën.
56 Ipokritinj, faqen’ e dheut e të qiellit dini t’e shquani; po këtë kohë si nuk’ e shquani?
57 Si nukë gjykoni edhe të drejtënë prej vetëhesë tuaj?
58 Kur vete pra tek urdhëratësi bashkë me kundrëgjyqësinë tënt, mundonu mb’ udhë të shpëtonjç prej ati, se mos të heqë te gjykatësi, edhe gjykatësi të apë ndë dorët të shërbëtorit, edhe shërbëtori të hedhë ndë burk.
59 Po të them tyj: Nukë ke për të dalë andej, gjersa të lajç edhe asprën’ e pastajme.”
Ruhuni nga hipokrizia
1 Atëherë, ndërsa mijëra njerëz ishin mbledhur turmë, aq sa shkelnin njëri-tjetrin, Jezui filloi t'u fliste më parë dishepujve të vet: «Ruhuni nga tharmi i farisenjve që është hipokrizia. 2 Nuk ka asgjë të mbuluar që s'do të zbulohet dhe asnjë të fshehtë që s'do të merret vesh. 3 Prandaj, çfarëdo që keni thënë në errësirë, do të dëgjohet në dritë e çfarë keni pëshpëritur me dyer të mbyllura, do të shpallet nga çatitë».
Mos kini frikë
(Mt 10.28-31)4 «Miqtë e mi, unë po ju them: mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por pastaj nuk mund të bëjnë asgjë më tepër. 5 Ja cilin duhet të kini frikë: atë që pas vdekjes ka pushtetin t'ju hedhë në Gehenë. Po, po ju them, nga ky të keni frikë.
6 A nuk shiten pesë harabela për dy qindarka? Megjithatë Perëndia nuk lë në harresë asnjërin prej tyre. 7 Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela».
Të dëshmosh për Krishtin
(Mt 10.32-33Mt 12.32Mt 10.19-20)8 «Unë po ju them se kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta rrëfejë atë para engjëjve të Perëndisë. 9 Por, kush më mohon para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta mohojë atë para engjëjve të Perëndisë. 10 Kush flet kundër Birit të njeriut do të falet, por ai që do të fyejë Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet.
11 Kur t'ju dërgojnë para sinagogave, krerëve e pushtetarëve, mos u shqetësoni sesi do të mbroheni apo se çfarë do të thoni. 12 Shpirti i shenjtë do t'ju mësojë se çfarë të thoni në atë çast».
Pasaniku i pamend
13 Pastaj dikush nga turma i tha: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua». 14 Por Jezui i tha: «Kush më vuri mua gjykatës apo ndarës mes jush, o njeri?». 15 Pastaj u tha: «Kini kujdes! Ruhuni nga çdo dëshirë për pasuri, se jeta e njeriut nuk varet nga pasuria e tij».
16 Atëherë u tregoi një shëmbëlltyrë: «Toka e një pasaniku dha shumë prodhim. 17 Kështu ai mendoi me vete: “Çfarë të bëj, se nuk kam vend ku të mbledh të korrat?”. 18 Pastaj tha: “Ja çfarë do të bëj: do të rrëzoj grunarët e mi e do të ndërtoj disa më të mëdhenj. Kështu do të mbledh në ta gjithë grurin e të gjitha të mirat e mia. 19 E do t'i them shpirtit tim: shpirti im, ke shumë të mira për shumë vite. Pusho, ha, pi e kënaqu!”. 20 Por Perëndia i tha: “I pamend! Pikërisht këtë natë do të të merret shpirti. Po ato që grumbullove, kujt do t'i mbeten?”.
21 Kështu u ndodh atyre që mbledhin thesare për vete e nuk bëhen të pasur në sytë e Perëndisë».
Kujdesjet dhe shqetësimet
(Mt 6.25-34Mt 19—21)22 Jezui u tha dishepujve të vet: «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. 23 Se jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. 24 Shikoni korbat! As mbjellin, as korrin, as kanë qilarë apo grunarë, e megjithatë Perëndia i ushqen. Por ju vleni shumë më tepër se shpendët. 25 Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? 26 Nëse ju, pra, nuk mund të bëni një vogëlsi si kjo, pse shqetësoheni për të tjerat? 27 Shikoni si rriten zambakët. Ata as nuk punojnë e as nuk endin, por unë po ju them se as vetë Solomoni në gjithë madhështinë e tij nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. 28 Nëse Perëndia vesh barin e fushës që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë?
29 Mos u shqetësoni se çfarë do të hani e çfarë do të pini e mos u brengosni. 30 Janë kombet e botës që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj e di se ju keni nevojë për këto. 31 Kërkoni mbi të gjitha mbretërinë e Perëndisë dhe ai do t'jua japë edhe ato.
32 Mos ki frikë, grigjë e vogël, se Atit i ka pëlqyer t'jua japë mbretërinë. 33 Shitini pasuritë tuaja e jepni lëmoshë. Bëni për vete pasuri që nuk vjetrohen e mblidhni në qiej një thesar që nuk shteron kurrë. Atje vjedhësi nuk mund të afrohet e tenja nuk mund të brejë. 34 Sepse, atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj».
Shërbëtorët e kujdesshëm
(Mt 24.45-51)35 «Ngjishini ijët për punë e mbajini kandilat ndezur. 36 Jini si ata që presin të zotin e tyre që kthehet nga dasma, për t'i hapur derën sapo të trokasë. 37 Lum ata shërbëtorë që, kur vjen i zoti, i gjen zgjuar. Me të vërtetë po ju them se ai do të ngjeshë ijët e do t'u thotë të ulen për të ngrënë. Pastaj do të vijë e do t'u shërbejë. 38 Nëse vjen nga mesnata apo në mëngjes herët e i gjen zgjuar, lum ata! 39 Por dijeni këtë: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë do të vinte vjedhësi, nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. 40 Jini gati, se nuk e dini orën kur do të vijë Biri i njeriut».
41 Pjetri i tha: «Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua për ne apo për të gjithë?». 42 Atëherë Zoti i tha: «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 43 Lum ai shërbëtor që, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. 44 Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. 45 Por nëse ai shërbëtor thotë me vete: “Zotëria im po vonon të vijë” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë, burra e gra, të hajë e të pijë e të dehet, 46 atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret dhe në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen të pafetë. 47 Ai shërbëtor që e di se çfarë dëshiron i zoti, por nuk është gati të veprojë sipas dëshirës së të zotit, do të marrë shumë të rrahura. 48 Por ai që nuk e dinte dhe bëri gjëra për të cilat meriton të rrihet, do të rrihet më pak.
Kujt i është dhënë shumë, do t'i kërkohet shumë. Kujt i është besuar shumë, do t'i kërkohet edhe më shumë».
Shkak ndarjeje
(Mt 10.34-36)49 «Unë erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa shumë dëshiroj të ndizet! 50 Kam një pagëzim me të cilin do të pagëzohem e me sa padurim e pres të përmbushet. 51 Mos vallë mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo paqe, po ju them, por përçarje. 52 Që tani e tutje nëse në një shtëpi do të jenë pesë veta, do të ndahen tre kundër dyve e dy kundër treve. 53 Do të ndahen
ati nga i biri
dhe biri nga i ati,
nëna nga e bija
dhe bija nga e ëma,
vjehrra nga nusja
dhe nusja nga e vjehrra».
Shenjat e kohës
(Mt 16.2-3)54 Pastaj u tha turmave: «Kur shihni renë që ngrihet në perëndim, ju menjëherë thoni se do të bjerë shi e kështu ndodh. 55 Kur shihni se po fryn juga, ju thoni se do të bëjë i nxehtë i madh e kështu ndodh. 56 Hipokritë! Dukuritë e tokës e të qiellit dini t'i shpjegoni, po si nuk ditkeni të dalloni kohën e tanishme?».
Pajtimi me kundërshtarin
(Mt 5.25-26)57 «Pse nuk gjykoni vetë se ç'është e drejtë? 58 Nëse je rrugës për te gjykatësi bashkë me kundërshtarin tënd, përpiqu të merresh vesh me të rrugës, që kur të dalësh para gjykatësit, ai mos të të dorëzojë te roja e pastaj roja të të fusë në burg. 59 Unë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».