1 Mos gjykoni, që të mos gjykoneni,
2 Sepse me çfarë gjyqi gjykoni, do të gjykoneni; edhe me çfarë matësi matni, do t’ua masënë përsëri.
3 Edhe përse shikon lëmishtenë që është ndë syt tyt vëllaj, edhe tranë që është ndë syt tënt nuk’e ndien?
4 A si do t’i thuaç tyt vëllaj: Le të nxier lëmishtenë nga syri yt, edhe ja trari tek është ndë syt tënt?
5 Ipokrit, nxir më përpara tranë nga syri yt, edhe atëherë do të shohç mirë të nxierç lëmishtenë nga syri tyt vëllaj.
6 Mos epni gjën’ e shënjtëruarë qenvet, as mos hithni margaritarëtë tuaj përpara derravet, se mos i shkelnjën’ ata me këmbët’ e tyre, edhe pastaj këthenen’ e u shkelnjën’ edhe juve.
7 Lypni, edhe do t’u epetë juve; kërkoni edhe do të gjeni; trokollini, edhe do t’u hapetë juve;
8 Sepse kushdo që lypën merr, edhe ay që kërkon gjen, edhe ati që trokollin do t’i hapetë.
9 A cili ësht’ay njeri nga ju, ndë lyptë i biri bukë, mos do t’i apë ati gur?
10 Edhe ndë lyptë peshk, mos do t’i apë ati gjarpër?
11 Ndë qoftë pra se ju që jeni të liq, dini t’u epni dhëna të mira bijvet tuaj, sa më tepër’ Ati juaj që është ndë qiejet, do t’u apë të mira atyre që lypënë nga ay?
12 Gjithë sa të doni pra t’u bënjënë juve njerëzitë, kështu bëni edhe ju atyre, sepse kyj është nomi edhe profitëritë.
13 Hyni ndëpër derët të ngushtë; sepse e gjerë është dera, edhe e hapët’ ësht’ udha që shpie ndë të humburitë, edhe shumë vetë jan’ata që hynjënë ndëpër atë.
14 Sepse e ngushtë është dera, edhe e shtrënguar’ësht’ udha që shpie ndë jetët, edhe të pakë jan’ ata që e gjenjën’ atë.
15 Edhe ruhi nga profitërit’e rrem, të cilëtë vinjënë te ju me të veshura dhënsh, po përbrënda jan’ ujq që rrëmbenjënë.
16 Nga pemët’e tyre do t’i njihni ata; sos mbëledhënë rrush nga drizatë, a fiq nga murrizatë?
17 Kështu çdo druj’ e mirë bën pemë të mira; po druj’ e dobëtë bën pemë të liga.
18 Druj’ e mirë s’munt të bënjë pemë të liga, as drurj’ e dobëtë të bënjë pemë të mira.
19 Çdo dru që s’bën pemë të mirë, këputetë e hidhetë ndë ziarr.
20 Përandaj nga pemët’e atyre do t’i njihni ata.
21 Nukë do të hynjë ndë mbëretërit të qiejevet kushdo që më thotë: Zot, Zot; po ay që bën dashurimn’e tim Et që është ndë qiejet.
22 Shumë vetë do të më thonë nd’atë ditë: Zot, Zot, nukë profitepsëm mb’ emërit tënt, edhe mb’ emërit tënt nxuarëm diaj, edhe mb’ emërit tënt bëm shumë çudira.
23 Po atëherë do t’u rrëfenj atyre, se kurrë nuk’ u kam njohurë juve; ikëni prej meje ju që keni punuarë paudhërinë.
24 Kushdo pra që dëgjon këto fialët’e mia, edhe i bën ato, do ta gjanj atë me një njeri të mënçim që ndërtoj shtëpin’e ti mbi shkëmp të gurit ;
25 Edhe ra shiu, e erdhë lumëratë, e frynë erëratë, edhe u përpoqnë pas asaj shtëpie, po nuk’ u rrëzua; sepse ishte themelosurë mbi shkëmpt të gurit .
26 Po kushdo që dëgjon këto fialët’e mia, edhe nuk’ i bën, do t’i gjanjë një njeriu të marrë, që ndërtoj shtëpin’e ti mbi rërët;
27 Edhe ra shiu, e erdhë lumëratë, e frynë erëratë, edhe u përpoqnë pas asaj shtëpi, edhe u rrëzua; edhe të rrëzuarit’e asaj ishte të math.
28 Edhe Jisuj kur mbaroj këto fialë, gjëndëja tmeroneshinë për mësimin’e ati.
29 Sepse i mësonte ata sikurse të kishte pushtet, e jo si shkronjësitë.
Mos e gjyko tjetrin
(Lk 6.37-38, Lk 41-42)
1 «Mos gjykoni, që të mos gjykoheni, 2 sepse siç gjykoni, do të gjykoheni, dhe me masën që do të matni, do të mateni. 3 Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? 4 Dhe si mund t'i thuash vëllait tënd “më lër të ta heq ashklën nga syri” kur ke traun në syrin tënd? 5 Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd.
6 Mos u jepni qenve gjërat e shenjta e mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin e pastaj të kthehen kundër jush e t'ju shqyejnë».
Lypni, kërkoni, trokitni
(Lk 11.9-13)
7 «Lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, 8 sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. 9 Kush prej jush do t'i jepte gur fëmijës së vet po t'i kërkonte bukë? 10 Ose, do t'i jepte gjarpër po t'i kërkonte peshk? 11 Nëse ju, që jeni të këqij dini t'u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj, që është në qiej, do t'u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.
12 Bëjuni të tjerëve gjithçka dëshironi t'ju bëjnë juve. Në këtë përmblidhen ligji e profetët».
Dera e ngushtë
(Lk 13.24)
13 «Hyni nëpër derën e ngushtë, se e madhe është dera dhe e gjerë është udha që çon në humbje e të shumtë janë ata që kalojnë nëpër të. 14 Por e ngushtë është dera dhe e ngushtë është udha që çon në jetë e të paktë janë ata që e gjejnë».
Pema dhe frytet
(Lk 6.43-44)
15 «Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë. 16 Ata do t'i njihni nga frytet e tyre. A vilet rrush nga ferrat apo fiq nga murrizat? 17 Kështu, çdo pemë e mirë jep fryte të mira, ndërsa pema e kalbur jep fryte të këqija. 18 Pema e mirë nuk mund të japë fryte të këqija dhe as pema e kalbur nuk jep fryte të mira. 19 Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë pritet e hidhet në zjarr. 20 Kështu, pra, prej fryteve të tyre do t'i njihni».
Nuk ju kam njohur
(Lk 13.25-27)
21 «Jo kushdo që më thotë: “O Zot, o Zot!”, do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. 22 Atë ditë shumë veta do të më thonë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd? A nuk dëbuam djajtë në emrin tënd? A nuk bëmë mrekulli në emrin tënd?”. 23 Atëherë do t'u them: “Kurrë nuk ju kam njohur, largohuni nga unë, ju që keni bërë paudhësi”».
Dy shtëpitë
(Lk 6.47-49)
24 «Kushdo që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të mençur, që e ka ndërtuar shtëpinë në shkëmb. 25 Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat dhe u vërsulën kundër kësaj shtëpie, por ajo nuk u shemb, sepse i kishte themelet në shkëmb. 26 Kushdo që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të pamend që e ka ndërtuar shtëpinë në rërë. 27 Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat e u vërsulën kundër kësaj shtëpie, dhe ajo u shemb. I madh qe shkatërrimi i saj».
28 Dhe kur Jezui mbaroi së foluri, turmat mbetën të habitura nga mësimi i tij, 29 se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit.