1 Edhe të shëtunën’ e dytë pas së parësë ay po shkonte ndëpër të mbiellat; edhe nxënësit’ e ati këputinë kallinj, e i haninë, tuke fërkuarë me dorë.
2 Ca prej Farisenjet u than’atyre: “Përse bëni atë që nuk’ ësht’ e udhësë të bëni për të shëtuna?”
3 Edhe Jisuj u përgjeq e u tha atyre: “Nuk’ e kini kënduarë as këtë që bëri Dhavidhi, kur i erdhi uri ati edhe atyre që ishinë bashkë me atë?
4 Qysh hyri nhë shtëpit të Perëndisë, edhe mori bukët’ e paravëniesë, edhe hëngri, edhe u dha edhe atyreve që ishinë bashkë me atë, të cilatë nuk’ ishte e udhësë t’i hanin të tierë përveç priftrëvet?”
5 Edhe u thoshte atyre, se i bir’ i njeriut ësht’ edhe i zoti së shëtunësë.
6 Edhe përsëri një tietrë të shëtunë hyri ndë sinagogjit, edhe mësonte; edhe atie ishte një njeri që kishte dorën’ e diathtë të thatë.
7 Edhe shkronjësit’ e Farisenjt’ e vështroninë, ndë qoftë se do të shëronte për ditë të shëtunë, që të gjeninë shkak kundrë ati.
8 Po ay i dinte mendimet’ e atyreve, e i tha njeriut, që kish dorën’ e thatë: “Ngreu, edhe qëndro ndë mest.” Edhe ay u ngrit edhe qëndroj.
9 Jisuj u tha pra atyre: “Do t’u pyes juve një gjë: Ësht’e udhësë të shëtunatë të bënjë njeriu mirë, a po të bënjë keq? Të shpëtonjë shpirt, a po të humpnjë?
10 Edhe passi vuri re ata rreth, i tha njeriut: “Ndej dorënë tënde.” Edhe ay bëri ashtu, edhe dor’ e ati u bë e shëndoshë posi tietra.
11 Po ata u mblushnë mëri, edhe flisninë njëri me jatrinë, ç’t’i bënjënë Jisujt.
12 Edhe nd’ato dit dolli ndë malt të falej, edhe e shkoj natënë tuke falurë Perëndisë.
13 Edhe si u bë ditë, thirri nxënësit’ e ti, edhe sgjodhi dy-mbë-dhietë nga ata, edhe i qjuajti apostoj;
14 Simoninë që e qjuajti Pietrë, edhe Andhrenë, të vëllan’ e ati, Jakovinë edhe Joanninë, Filippinë edhe Varthollomenë, Matthenë edhe Thomanë,
15 Jakovinë të birin’ e Allfeut, edhe Simoninë që u qjuajt Zilloti,
16 Judhënë, të vëllan’ e Jakovit, edhe Judhë Iskariotinë, i cili u bë edhe trathtuar.
17 Edhe sbriti bashkë me ata, e qëndroj mbë një vënt shesh; edhe ishinë gjëndëje nga nxënësit’e ati, edhe shumë shumicë llauzi nga gjithë Judhea edhe nga Jerusalimi, edhe nga an’ e detit Tyrës’ edhe Sidhonësë, të cilët’ erdhë të ndigjonin’ atë, edhe të shëroneshinë nga sëmundëjet’e tyre;
18 Edhe ata që mundoneshinë nga frymat’ e ndyra, edhe shëroneshinë.
19 Edhe gjithë gjëndëja kërkoninë t’i cikinë; sepse dilte fuqi prej ati, edhe shëronte të gjithë.
20 Edhe ay, si ngriti syt’e ti mbë nxënësit’e ti, thoshte:
“Lum ju të vobegjëtë, sepse mbëretëri’ e Perëndisë është juaja.
21 Lum ju që keni uri tashti, sepse do të nginji. Lum ju që qjani tashti, sepse do të qeshni.
22 Të lumurë jeni ju , kur t’u mërzitnjënë njerëzitë, edhe kur t’u veçonjënë, edhe t’u përqeshnjënë, edhe t’u nxierrën’ emërinë për të keq, për punët të birit njeriut.
23 Gëzohi atë ditë edhe këcëni; sepse na paga juaj tek ësht’ e shumë ndë qiell; sepse kështu ua bënin’ edhe profitëvet atërit’ e atyreve.
24 Po mierët ju të pasuritë, sepse e trashëguatë ngushulliminë tuaj.
25 Mierët ju të nginjuritë, se do t’u vinjë uri. Mierët ju që qeshni tashi, se do të mbani zi e do të qjani.
26 Mierët ju, kur të thonë mirë për ju [gjithë] njerëzitë; sepse kështu ua bënin atërit’ e atyreve edhe profitëvet gënjeshtarë.
27 Po u them juve që ndigjoni: Doni arëmiqtë tuaj; bëni mirë atyreve që u mërzitnjënë.
28 Bekoni ata që u mallëkonjënë; edhe faluni për ata që u dëmëtonjënë.
29 Ati që të të bierë me shuplakë faqesë, këthe-i edhe tiatrënë, edhe ati që të merr rrobenë tënde, leri edhe këmishënë.
30 Edhe epi kujdo që lypën prej teje; edhe ati që të marrë të tuatë, mos ia lyp.
31 Edhe sikundrë doni t’u bënjënë njerëzitë juve, kështu edhe ju bëni atyreve.
32 Edhe ndë daçi ata që u duanë juve, çfarë nderi keni ju? Sepse edhe fajtorëtë duan’ ata që i duanë.
33 Edhe ndë u bëfshi mirë atyreve që u bënjënë mirë juve, çfarë nderi keni ju? Sepse edhe fajtorëtë bënjënë kështu.
34 Edhe ndë u dhënçi hua atyreve , që shpëreni t’i merrni prapë, çfarë nderi keni ju? Sepse edhe fajtorët’ u apënë hua fajtorëvet, që t’i marrënë prapë një për një.
35 Po doni arëmiqtë tuaj, edhe bëni mirë, edhe epni hua, pa pasurë ndonjë shpëresë më; edhe atëherë paga juaj do të jetë shumë, edhe do të jeni të bijt’ e të Lartit; sepse ay ësht’ i mirë tek ata që nuk njohënë të mirë edhe te të këqijtë.
36 Bëhi pra të përdëllyershim, sikundrë edhe Ati juaj ësht’ i përdëllyershim.
37 Edhe mos gjykoni, edhe nukë do të gjykohi; mos dënoni, edhe nukë do të dënohi; ndëjeni, edhe do t’u ndëjenjënë.
38 Epni, edhe do t’u apënë juve; masë të mirë, të ngjeshur’ e të tundur’ e të derdhurë për buzë do t’u apënë ndë gjit tuaj; sepse me atë masë që matni, do të këthenenë t’u masën’ edhe juve.”
39 Edhe u tha atyre një paravoli: “Mos munt i verburi t’i heqë udhënë të verburit? A nukë do të bienë të dy ndë gropët?
40 Nuk’ është nxënësi përmbi mësonjësin’ e ti; po cilido që është i kulluarë, do të jetë si mësonjësi ti.
41 Edhe përse shikon lëmishtenë që është ndë syt tyt vëllaj, po tranë që është ndë syt tënt nuk’ e ndien?
42 Apo si munt t’i thuash tyt vëllaj: Vëlla, dal të të nxier lëmishtenë që ke ndë syt tënt, kur ti nukë sheh tranë që ke ndë syt tënt? Ipokrit, nxir më përpara tranë prej syrit tënt, edhe atëherë do të shohç mirë të nxierç lëmishtenë që është ndë syt tyt vëllaj.
43 Sepse nuk’ është ndonjë dru i mirë që të bënjë pemë të kalburë; as ndonjë dru i kalburë që të bënjë pemë të mirë.
44 Sepse çdo dru njihetë prej pemësë ti; sepse nukë mbëledhënë fiq nga drizatë, as nukë vielënë rrush nga ferratë.
45 Njeriu i mirë nxier të mirënë prej thesarit mirë të zemrësë ti; edhe njeriu i lik nxier të ligënë prej thesarit lik të zemrësë ti; sepse goj’ e ati flet nga të tepërët’ e zemrësë.
46 Edhe përse më thërritni: Zot, Zot, edhe nukë bëni sa them?
47 Kushdo që vien tek unë, edhe ndigjon fialët’ e mia, edhe i bën, do t’u dëftenj juve me cilinë gjan.
48 Ay gjan me një njeri që ndërtonte një shtëpi, i cili mihu e thelloj, edhe shtyri themeli mbi shkëmpt; edhe kur rrudhë ujratë, u përpoq lumi pas asaj shtëpie, edhe nukë mundi t’e tuntnjë; sepse ishte themelosurë mbi shkëmpt.
49 Po kushdo të ndigjonjë e të mos bënjë, përgjan me një njeri, që ndërtoj shëpi mbi dhet pa themeli; që u përpoq lumi pas asaj, edhe ra përnjëherë, edhe të rrëzuarët’ e asaj shtëpie u bë të math.”
Jezui dhe e shtuna
(Mt 12.1-8Mk 2.23-28)
1 Një të shtunë, ndërsa Jezui po ecte përmes një fushe me grurë, dishepujt këpusnin kallinj, i shkoqnin me duar dhe hanin. 2 Disa nga farisenjtë thanë: «Përse po bëni atë që nuk është e lejueshme të shtunën?». 3 Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? 4 Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, mori bukën e kushtimit, hëngri vetë e u dha edhe atyre që ishin me të, bukë që nuk lejohet t'i hajë askush përveç priftërinjve?». 5 Pastaj u tha: «Biri i njeriut është Zot i të shtunës».
Njeriu me dorë të paralizuar
(Mt 12.9-14Mk 3.1-6)
6 Një të shtunë tjetër Jezui hyri në një sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë. 7 Shkruesit dhe farisenjtë e vëzhgonin me kujdes Jezuin për të parë nëse do të shëronte të shtunën, që të gjenin një shkak për ta paditur. 8 Jezui, edhe pse e dinte çfarë mendonin ata, i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e qëndro në mes!». Dhe ai u ngrit. 9 Pastaj u tha atyre: «Po ju pyes: a është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën? Të shpëtosh një jetë apo ta shkatërrosh atë?». 10 Dhe, ndërsa po i shikonte të gjithë ata që ishin përreth, i tha të sëmurit: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua tërësisht. 11 Por ata u tërbuan e filluan të flisnin me njëri-tjetrin se çfarë mund t'i bënin Jezuit.
Zgjedhja e të dymbëdhjetëve
(Mt 10.1-4Mk 3.13-19)
12 Gjatë atyre ditëve Jezui shkoi në mal për t'u lutur dhe e gdhiu duke iu lutur Perëndisë. 13 Kur u bë ditë, i thirri dishepujt pranë vetes, zgjodhi dymbëdhjetë prej tyre dhe i quajti apostuj. 14 Këta ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër, dhe vëllai i tij Andrea, Jakobi e Gjoni, Filipi e Bartolomeu, 15 Mateu e Thomai, Jakobi i Alfeut dhe Simoni që quhej Zelltar, 16 Juda i Jakobit e Judë Iskarioti që u bë tradhtar.
Shërbesa e Jezuit dhe turmat
(Mt 4.23-25)
17 Jezui zbriti së bashku me ta e u ndal në një vend të rrafshët, ku gjendeshin shumë nga dishepujt e tij. Aty gjendej edhe një turmë e madhe njerëzish nga e gjithë Judeja, Jerusalemi e bregu i Tirit e i Sidonit. 18 Kishin ardhur për ta dëgjuar e për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre. Ata që vuanin nga shpirtrat e ndyrë shëroheshin 19 dhe të gjithë përpiqeshin ta preknin, sepse prej tij dilte një forcë që i shëronte.
Lumnitë dhe mjerimet
(Mt 5.1-12)
20 Atëherë Jezui ngriti sytë, pa nga dishepujt e tha:
«Lum ju që jeni të varfër,
se e juaja do të jetë mbretëria e Perëndisë!
21 Lum ju që tani keni uri,
se do të ngiheni!
Lum ju që tani qani,
se do të qeshni!
22 Lum ju kur njerëzit t'ju urrejnë,
kur t'ju përjashtojnë e t'ju shajnë,
kur të shpifin për ju
për shkak të Birit të njeriut!
23 Kur të vijë ajo ditë,
gëzohuni e kërceni,
se ja shpërblimi juaj është i madh në qiell.
Kështu vepruan etërit e tyre edhe me profetët.
24 Por mjerë ju të pasur,
se e keni marrë ngushëllimin tuaj!
25 Mjerë ju që jeni të nginjur tani,
se do të keni uri!
Mjerë ju që tani qeshni,
se do të trishtoheni e do të qani!
26 Mjerë ju kur të gjithë
të flasin mirë për ju!
Kështu vepruan etërit e tyre me profetët e rremë».
Dashuria për armiqtë
(Mt 5.38-48Mt 7.12a)
27 «Por unë po ju them juve që më dëgjoni: duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë. 28 Bekojini ata që ju mallkojnë e lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. 29 Nëse dikush të qëllon në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën. Kushdo që të merr gunën, mos e pengo të të marrë edhe këmishën. 30 Jepi kujtdo që të kërkon ndonjë gjë dhe, nëse dikush të merr ndonjë gjë tënden, mos ia kërko. 31 Bëjuni të tjerëve çka dëshironi t'ju bëjnë juve. 32 Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët i duan ata që i duan. 33 Dhe nëse u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët bëjnë kështu. 34 Nëse u jepni hua vetëm atyre prej të cilëve shpresoni se do t'jua kthejnë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që të marrin prej tyre çfarë kanë dhënë. 35 Ju, përkundrazi, duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre e jepni hua pa pritur që t'ju kthehet. Kështu do të merrni një shpërblim të madh e do të jeni bijtë e të tejlartit Perëndi, sepse ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe të këqijtë. 36 Jini të mëshirshëm, sikurse është i mëshirshëm edhe Ati juaj».
Mos e gjyko vëllanë
(Mt 7.1-5)
37 «Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni. Mos dënoni e nuk do të dënoheni. Falni e do të faleni. 38 Jepni e do t'ju jepet. Do t'ju vënë në prehër një masë të mirë, të ngjeshur, të tundur e të begatë, sepse me masën që do të matni, do të mateni».
39 Jezui u foli përsëri me shëmbëlltyra: «A mund t'i prijë një i verbër një të verbri tjetër? A nuk do të bien të dy në gropë? 40 Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi. Edhe po të mësojë gjithçka, do të jetë si mësuesi i tij.
41 Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? 42 Si mund t'i thuash vëllait tënd “vëlla, më lër të ta heq ashklën nga syri”, ti që nuk pikat traun në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd».
Pema njihet nga frytet
(Mt 7.17-20Mt 12.34b-35)
43 «Nuk ka pemë të mirë që jep fryte të këqija e as pemë të kalbur që jep fryte të mira. 44 Çdo pemë njihet nga frytet e saj. Askush nuk mund të vjelë fiq nga ferrat e as rrush nga shkurret. 45 Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së tij dhe njeriu i keq nxjerr të keqen nga thesari i tij i keq, sepse ç'ka zemra, nxjerr goja ».
Dy shtëpitë
(Mt 7.24-27)
46 «Përse më thërrisni “Zot, Zot” e nuk bëni çfarë ju them unë? 47 Po ju tregoj kujt i ngjan ai që vjen tek unë dhe që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia. 48 Ai i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi, gërmoi thellë e i hodhi themelet në shkëmb. Kur erdhi përmbytja, lumi vërshoi drejt asaj shtëpie, por nuk e tundi dot vendit, se shtëpia ishte ndërtuar mirë. 49 Ndërsa ai që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi mbi dhe, pa themele. Kur vërshoi lumi, ajo u shemb menjëherë e i madh qe shkatërrimi i saj».