1 Edhe si shkoj e shëtuna, tuke gëdhir’ e dielë , e para ditë e javësë, erdhi Maria Magdhalini, edhe Maria tiatërë, që të shihinë varrë.
2 Edhe ja tek u bë një tërmet i math; sepse ëngjëll’ i Zotit sbriti nga qielli, edhe erdhi e rrukullisi gurinë nga dera e varrit, edhe rrinte sipër’ ati.
3 Edhe faqeja e ati ishte posi vetëtimë, edhe rrobeja e ati e bardhë posi dëborë.
4 Edhe ata që ruanin’ u trëmpnë nga frik’ e ati; edhe u bënë posi të vdekurë.
5 Edhe ëngjëlli u përgjeq e u tha gravet: “Mos kini frikë; sepse e di se kërkoni Jisunë që u kryqëzua.
6 Nuk’ është këtu; sepse u ngjall, sikundrë pat thënë. Ejani, shihni vëndinë ku dirgjej Zoti.
7 Edhe shkoni shpejt e u thoni nxënësëvet ati, se u ngjall nga të vdekuritë; edhe ja te po vete më përpara se ju ndë Galilet; atie do ta shihni atë; ja tek u thashë juve.”
8 Edhe ato duallnë shpejt nga varri me frikë edhe me gëzim të math, edhe u sulnë t’u apënë zë nxënësëvet ati.
9 Edhe tuke vaturë t’apënë zë nxënësëvet ati, ja Jisuj tek poqi me ato, e u tha: “Gëzohi.” Edhe ato i erthnë përanë, e i zunë këmbëtë, edhe iu falnë.
10 Atëhere Jisuj u tha atyre: “Mos kini frikë, shkoni, e epni zë vëllezëret të mi, që të shkonjënë ndë Galilet, edhe atie do të më shohënë.”
11 Edhe ato tuke vajturë, ja ca nga ruajtësitë tek erthnë ndë qytet, e u dhanë zë krye-priftëret për gjithë sa u bënë.
12 Edhe ata u mbëlothnë bashkë me pleqtë, edhe si muarnë e dhanë këshillë, u dhanë ushtëtorëvet mjaft argjënda, tuke thënë:
13 “Thoni, se nxënësit’ e ati erthnë natën’ edhe e vothnë kur po flinim ne.
14 Edhe ndë u dëgjoftë këjo nga qivernitari, ne do t’i mbushmë mëndëjen’ ati, edhe do të bëjmë që ju të mos keni kujdes.”
15 Edhe ata si muarnë argjëndatë, bënë sikundrë u mësuanë. Edhe këjo fialë u hap ndëpër Judhenjt gjer mbë ditë të sorme.
16 Edhe të një-mbë-dhietë nxënësitë vanë ndë Galilet, nd’ atë mal që i pat porositur’ Jisuj.
17 Edhe kur e panë, iu falnë ati; po ca nga ata ishinë me dy mëndëje.
18 Edhe Jisuj erdhi përanë, e u foli atyre, tuke thënë: “M’u dha çdo pushtet ndë qiell edhe mbi dhet.
19 Shkoni pra e mësoni gjithë kombetë, edhe i pagëzoni mb’emërit të Atit e të Birit e të Frymësë Shënjtëruarë.
20 Edhe i mësoni ata të ruanjënë gjithë sa u kam porositurë juve; edhe ja unë te jam bashkë me ju gjithë dittë, gjer mbë të mbaruarët të jetësë. Amin.
Ngjallja
(Mk 16.1-8Lk 24.1-12Gjn 20.1-10)1 Pas së shtunës, në mëngjes herët, Maria Magdalena dhe Maria tjetër erdhën për të parë varrin. 2 Papritur ra një tërmet i fortë dhe një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, rrokullisi gurin e u ul mbi të. 3 Fytyra e engjëllit shndriste si vetëtima e rrobat i kishte të bardha si dëbora. 4 Rojat i zuri një frikë aq e madhe, saqë u drodhën e mbetën si të vdekur. 5 Engjëlli foli e u tha grave: «Mos kini frikë! E di se po kërkoni Jezuin, të kryqëzuarin. 6 Nuk është këtu, se ai u ngjall siç pati thënë. Ejani e shihni vendin ku qe vënë .
7 Shkoni shpejt e u thoni dishepujve të tij se ai u ngjall prej të vdekurve dhe se do të shkojë përpara jush në Galile. Atje do ta shihni. Këto kisha për t'ju thënë».
8 Ato u larguan me të shpejtë nga varri dhe plot frikë e gëzim të madh vrapuan për të lajmëruar dishepujt. 9 Dhe ja, Jezui u doli përpara e u tha: «Ju përshëndes!». Ato iu afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan. 10 Atëherë Jezui u tha: «Mos kini frikë! Shkoni e u thoni vëllezërve të mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin».
Dëshmia e rojave
11 Ndërsa gratë ishin rrugës, disa roja shkuan në qytet e u treguan kryepriftërinjve gjithçka që kishte ndodhur. 12 Kryepriftërinjtë e pleqtë u mblodhën e pasi ranë në një mendje, u dhanë ushtarëve një shumë të madhe parash 13 e u thanë: «Ju duhet të thoni se dishepujt e tij erdhën gjatë natës kur ju po flinit dhe e vodhën trupin e tij. 14 Po ta marrë vesh qeveritari, do ta bindim ne e nuk do të lejojmë që ju të ndëshkoheni». 15 Ata morën paratë e bënë siç i mësuan.
Kështu këto fjalë janë përhapur ndër judenjtë deri në ditët e sotme.
Porosia
(Mk 16.14-18Lk 24.36-49Gjn 20.19-23Vp 1.6-8)16 Të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në malin që u kishte thënë Jezui. 17 Kur e panë Jezuin, e adhuruan, por disa prej tyre dyshuan. 18 Jezui iu afrua e u tha: «Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë, 19 prandaj shkoni e mësojini të gjitha kombet dhe pagëzojini në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të shenjtë. 20 Mësojini të zbatojnë gjithë sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju të gjitha ditët, deri në mbarim të botës».