1 Edhe si shkoj e shëtuna, Maria Magdhalini, edhe Maria, e ëm’ e Jakovit, edhe Salloma, blenë erëra, që të vinë e ta lyejënë.
2 Edhe shumë shpejt ndë mëngjest të parënë ditën ’ e javësë vinë mbi varrt, tuke lerë dielli.
3 Edhe thoshinë ndë vetëhe të tyre: “Cili do të na rrukullisjë gurinë prej derësë varrit?”
4 Edhe kur shtynë sytë, shohënë se guri ish rrukullisurë; sepse ish fort i math.
5 Edhe si hynë ndë varrt, panë një dialosh tuke ndenjurë mb’anë të diathtë, veshurë me rrobe të bardha; edhe ato u trempnë.
6 Edhe ay u thot’ atyre: “Mos u trëmpni; kërkoni Jisu Nazarinasinë, që qe kryqëzuarë? U ngjall, nuk’ është këtu; na vëndi ku e patnë vënë.
7 Po shkoni, e u thoni nxënëset ati, edhe Pietrit, se ay vete më përpara se ju ndë Galilet; atie do ta shihni, sikundrë u pat thënë juve.”
8 Edhe ato duallnë [shpejt], e iknë nga varri; edhe ato ishinë trembur’ e habiturë; edhe s’i thanë gjë asndonjërit; sepse kishinë frikë.
9 Edhe si u ngjall ndë mëngjes të parënë ditën’ e javësë, iu duk të parënë herë Marisë Magdhalinisë, që kish kërryerë shtatë diaj prej asaj.
10 Ajo vate, e u dha zë atyreve që kishinë ndenjurë bashkë me atë, atie ku ishinë tuke bërë vajë e tuke klarë.
11 Edhe ata kur dëgjuanë, se rron, edhe se u pa nga ajo, nukë zunë besë.
12 Edhe pastaj u dëftye me tiatërë formë mbë dy vetë nga ata, që ishinë tuke ecur’ e tuke vaturë nd’ arë.
13 Edhe ata vanë e u dhanë zë të tierëvet; po as atyreve s’u zunë besë.
14 Pastaj u dëftye mbë të një-mbë-dhietetë, atie ku ishinë tuke ndenjurë ndë mësallë, edhe i shau për pabesërin’ e atyreve, edhe për zemërën’ e ashpërë, sepse nuk’ u zunë besë atyreve, që e panë ngjallurë.
15 Edhe u tha atyre: “Shkoni ndëpër gjithë botënë, e leçitni ungjillinë ndëpër gjithë kriesënë.
16 Kush të besojë edhe të pagëzonetë, do të shpëtojë. Po kush të mos besojë, do të gjukonetë për mundim .
17 Edhe këto shenje do t’u bënenë prapa atyreve që do të besojënë. Mb’ emërit tim do të kërrejënjë diaj; do të flasënë gluhëra të ra; do të zënë gjarpinj.
18 Edhe ndë pifshinë ndonjë farë gjëje që mbyt, nukë do t’u bëjë keq atyre; do të vënë duartë përmbi të sëmurë, edhe do t’i shërojënë.
19 Zoti pra, passi u foli atyre, hipi ndë qiell, edhe ndenji mbë anë të diathtë të Perëndisë.
20 Edhe ata duallë e leçitnë mbë gjithë vëndet, tuke u ndihur’ atyre bashkë Zoti, edhe tuke u vërtetuar’ atyre fialënë me ato çudia që u ngjiteshinë prapa. Amin.
Ngjallja
(Mt 28.1-8Lk 24.1-12Gjn 20.1-10)1 Pasi kaloi e shtuna, Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit dhe Salomeja blenë vajra erëmirë, që të shkonin për të lyer trupin e Jezuit. 2 Të dielën , herët në mëngjes, shkuan te varri sapo kishte lindur dielli. 3 Ato i thanë njëra-tjetrës: «Kush do të na e rrokullisë gurin nga gryka e varrit?». 4 Por panë e vunë re se guri ishte rrokullisur, edhe pse ishte tepër i madh. 5 Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh të veshur me një rrobë të bardhë që rrinte ulur në të djathtë e u shtangën. 6 Por ai u tha: «Mos kini frikë! Ju kërkoni Jezuin e Nazaretit, të kryqëzuarin. Ai u ngjall. Nuk është këtu. Ja vendi ku e kishin vënë. 7 Tani shkoni, u thoni dishepujve të tij e Pjetrit se ai po shkon përpara jush në Galile. Atje do ta shihni, siç ju ka thënë». 8 Ato dolën e ikën nga varri, se ishin të frikësuara e të tmerruara. Nga frika nuk i thanë gjë askujt.
Maria Magdalena
(Mt 28.9-10Gjn 20.11-18)9 Pasi u ngjall në mëngjesin e së dielës, Jezui iu shfaq në fillim Maria Magdalenës, prej së cilës kishte dëbuar shtatë djaj. 10 Kjo shkoi të lajmëronte ata që kishin ndenjur me të që ishin në zi e vajtonin. 11 Kur dëgjuan se Jezui ishte gjallë dhe se ajo e kishte parë, ata nuk deshën ta besonin.
Dy dishepujt
(Lk 24.13-35)12 Pas këtyre, Jezui iu shfaq në një trajtë tjetër dy dishepujve që po ecnin drejt fshatit. 13 Edhe ata u kthyen për të lajmëruar të tjerët, por as këtyre nuk deshën t'u besonin.
Porosia
(Mt 28.16-20Lk 24.36-49Gjn 20.19-23Vp 1.6-8)14 Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve, ndërsa po hanin, e i qortoi për mosbesimin e tyre e për ngurtësinë e zemrës, ngaqë nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ngjallur. 15 Jezui u tha: «Shkoni në të gjithë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese. 16 Ai që do të besojë e do të pagëzohet, do të shpëtojë; por ai që nuk do të besojë, do të dënohet. 17 Këto do të jenë shenjat që do të shoqërojnë ata që besojnë: do të dëbojnë djaj në emrin tim, do të flasin gjuhë të reja, 18 do të marrin gjarpërinj në duar dhe, po të pinë ndonjë helm, nuk do t'u bëjë dëm, do të vënë duart mbi të sëmurët e këta do të shërohen».
Ngritja në qiell
(Lk 24.50-53Vp 1.9-11)19 Zoti Jezu, pasi foli me ta, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtën e Perëndisë. 20 Atëherë ata u nisën e predikuan kudo, ndërsa Zoti vepronte së bashku me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin.