1 Po afronej edhe e kremteja e të pabrumëjevet, që qjuhetë Pashkë.
2 Edhe kryepriftërit’ e shkronjësitë kërkoninë, se qysh ta vrisninë, sepse i kishinë frikë llauzit.
3 Edhe Satanaj hyri te Judha që qjuhej Iskariot, i cili ishte nga numëri i të dy-mbë-dhietet.
4 Edhe vate e foli bashkë me kryepriftërit e me të parët e ushtëtorëvet, se qysh t’ua apë ndër duar.
5 Edhe ata u gëzuanë, edhe bënë fialë t’i apën’ argjënt.
6 Edhe ay u zotua edhe kërkonte kohë t’ua apë ndër duar kur të mos jetë gjëndëje.
7 Edhe erdhi dit’ e të pabrumëjevet, që nd’ atë ditë duhej të therej pashka.
8 Edhe Jisuj dërgoj Pietrin’ edhe Joanninë, edhe tha: “Ecëni e na bëni gati pashkënë, që të hamë.”
9 Edhe ata i thanë: “Ku do ta bëjmë gati?”
10 Edhe ay u tha atyre: “Kur të hyni ju ndë qytet, na te do të përpiqni me një njeri tuke mbarturë një shtëmbë uji; hiqni pas ati ndë shtëpi, ku të hynjë.
11 Edhe thoni të zotit shtëpisë: Mësonjësi të thotë tyj: Ku është vëndi, që kam për të ngrënë pashkënë bashkë me nxënësit’ e mi?
12 Edhe ay do t’u dëftenjë juve një dhomë të madhe shtruarë; atie bëni gati.”
13 Edhe ata si vanë, gjetnë sikundrë u tha atyre; edhe bënë gati pashkënë.
14 Edhe kur erdhi ora ndenji ndë mësallë, edhe të dymbëdhiet’ apostojtë bashkë me atë.
15 Edhe u tha atyre: Me dëshërim dëshërova të ha këtë pashkë bashkë me ju, para së të pësonj;
16 Sepse po u them juve, se s’kam për të ngrënë më prej asaj, gjersa të mbushetë ndë mbëretërit të Perëndisë.
17 Edhe si mori potirinë, u fal ndersë, e tha: Merrni këtë edhe ndajeni ndërmest jush.
18 Sepse po u them juve, se s’kam për të pirë prej pemësë që piell hardhia, gjersa të vinjë mbëretëri’ e Perëndisë.
19 Pastaj mori bukë, e u fal ndersë, edhe e theu, e ua dha atyre, tuke thënë: Kyj është trupi im, që epetë për ju; këtë bëni për të përmendurë mua.
20 Kështu mori edhe potirinë, passi darkuanë, tuke thënë: Kyj potir është dhiata e re ndë gjakt tim, që derdhetë për ju.
21 Po na dor’e ati që më tradhëton, ku është bashkë me mua mbi truvezët.
22 Edhe i bir’ i njeriut vete sikundrë ësht’ urdhëruarë për atë ; po mier ay njeri, që trathtonetë prej ati.”
23 Edhe ata zunë të haheshinë njëri me jatrinë, se, vallë cili prej atyre do të jet’ ay që do të bënjë këtë.
24 Edhe u hëngrrë njëri me jatrinë, vallë cili prej atyre duketë se është me i math.
25 Edhe ay u tha atyre: “Mbëretërit’ e kombevet urdhëronjën’ ata, edhe ata që pushtonjën’ ata qjuhenë mirëbërës.
26 Po ju nukë do të jeni kështu; po më i madhi ndër ju le të bënetë posi më i vogëli, edhe i pari posi ay që shërben.
27 Sepse cili është më i math, ay që ka ndenjurë ndë mësallët, apo ay që shërben, a jo ay që ka ndenjurë ndë mësallët? Po unë jam ndërmest jush posi ay që shërben.
28 Edhe ju jini ata që keni mbeturë bashkë me mua ndë gucimet të mi;
29 Përandaj edhe unë bënj gati për ju një mbëretëri, sikundrë im Atë bëri gati për mua,
30 Që të hani e të pini mbë truvezët time ndë mbëretërit time, edhe të rrini ndë frone, tuke gjykuarë të dymbëdhietë farat’ e Israilit.”
31 Edhe Zoti tha: “Simon, Simon, na Satanaj tek u kërkoj juve, që t’u shoshnjë posi grurëtë.
32 Po un’ u luta për tyj që të mos të shteretë besa jote; edhe ti, kur të këtheneç ndonjë herë, forco vëllezërit’ e tu.”
33 Po ay i tha: “Zot, jam gati të vete bashkë me tyj edhe ndë burk edhe ndë vdekëje.”
34 Po ay tha: “Pietrë, po të them tyj, nukë do të këndonjë sot këndesi, para se të më mohonjç tri herë se nukë më njeh.”
35 Pastaj u tha atyre: “Kur u dërgova juve pa kuletë e pa trajstë e pa këpucë, mos u shteri gjë juve?”
36 Edhe ata thanë: “Asgjë.” U tha pra atyre: “Po tashi ay që të ketë kuletë, le ta marrë me vete; kështu edhe trajstë; edhe ay që të mos ketë, le të shesë rroben’ e ti, edhe le të blerë thikë.
37 Sepse po u them juve, se edhe këjo e shkruarë duhetë të mbaronetë mbi mua, se “Edhe u numërua bashkë me të panomët”, sepse ato që janë shkruarë për mua mbaronenë.”
38 Edhe ata thanë: “Zot, na te janë këtu dy thika.” Edhe ay u tha atyre: “Mjaft është.”
39 Pastaj dolli e vate ndë malt të Ullinjet, sikundrë e kishte zakon; edhe nxënësit’ e ati i vanë pas.
40 Edhe si erdhi ndë vënt, u tha atyre: “Fali për të mos hyrë ndë gucim.”
41 Edhe ay u nda nga ata sa një të hedhurë guri, edhe ra mbë gjunjë e falej, tuke thënë:
42 “O Atë, ndë daç të largonjç këtë potir prej meje; përveç jo dashurimi im, po yti u bëftë.”
43 Edhe iu duk një ëngjëllë prej qielli tuke dhënë fuqi ati.
44 Edhe si erdhi ndë shtrëngim, falej më teprë. Edhe diersa e ati u bë posi pika gjaku tuke rënë për dhe.
45 Edhe si u ngrit nga të faluritë, erdhi te nxënësit’e ti, e i gjeti fjeturë nga hidhërimi.
46 Edhe u tha atyre: “Ç’fliri? Ngreuni e fali, që të mos hyni ndë gucim.”
47 Edhe ay te po fliste, na gjëndëja, edhe ay që thuhej Judhë, një nga të dy-mbë-dhietëtë, te po vinte përpara atyreve, edhe u afrua te Jisuj, që t’e puthte.
48 Edhe Jisuj i tha: “Judhë, me të puthurë trathton të bir’ e njeriut?”
49 Edhe ata që ishinë rreth ati kur panë se ç’do të bënej, i thanë:
50 “Zot, t’u biemë me thikë?” Edhe një nga ata i ra shërbëtorit kryepriftit, edhe i preu veshn’e diathtë.
51 Po Jisuj u përgjeq e tha: “Lerni gjer këtu”; edhe zuri veshn’ e ati; edhe e shëroj.
52 Edhe Jisuj u tha kryepriftëret e të parëvet hieroresë e pleqet që kishin’ ardhurë mbi atë: “Posi mbi kursar keni dalë bashkë me thika e me dru?
53 Edhe unë kur jeshe përditë me ju ndë hieroret, nukë shtritë duartë mbi mua? Po këjo ësht’ ora juaj, edhe pushteti i errësirësë.”
54 Edhe si e zunë, e shpunë, edhe e prunë brënda ndë shtëpit të kryepriftit. Edhe Pietri i vinte pas për së largu.
55 Edhe ata si ndezë ziarr ndë mest të hoborrit, edhe ndenjnë bashkë, rrinte edhe Pietri ndë mest t’atyrevet.
56 Edhe një shërbëtore, kur pa atë tuke ndenjurë përanë dritësë, shtyri sytë mb’atë e tha: “Edhe kyj ishte bashkë me atë.”
57 Po ay e mohoj, tuke thënë:
58 “O grua, nuk’ e njoh.” Edhe pas ca pak kur pa atë një tietrë, tha: “Edhe ti je prej atyresh.” Po Pietri tha:
59 “O njeri, nukë jam. ”Edhe passi shkoj afro një orë, një tietrë qëndronte mbë fialët, tuke thënë, se: “Me të vërtetë edhe kyj ishte bashkë me atë, sepse është Galileas.”
60 Po Pietri tha: “O njeri, nukë di se ç’thua.” Edhe përnjëherë, kur ishte ay po tuke folë, këndoj këndesi.
61 Edhe Zoti u këthye e shtyri sytë mbi Pietrinë; edhe Pietrit i ra ndër mënt fial’ e Zotit sikundrë i pat thënë, se: ” Para se të këndonjë këndësi, do të më mohonjç tri herë.”
62 Edhe Pietri dolli jashtë, edhe qjau hidhurë.
63 Edhe ata burratë që mbaninë Jisunë losninë me atë edhe e rrihinë;
64 Edhe i mbuloninë sytë e i bijnë faqesë, edhe e pyetinë, tuke thënë: “Profiteps, cili është ay që të ra?”
65 Edhe i thoshinë shumë të tiera tuke vllasfimisurë.
66 Edhe si u bë ditë, u mbëloth pleqësia e llauzit e kryepriftërit’ e shkronjësitë, edhe e prunë lart ndë bashkëndenjëjet të tyre, tuke thënë:
67 “Ndë je ti Krishti, na thuaj.” Edhe ay u tha atyre: “Ndë u thënça juve, nukë do të besoni.
68 Edhe ndë u pyeça, nukë do të më përgjigji, as nukë do të më lëshoni.
69 Që tashi i bir’ i njeriut do të jetë tuke ndenjurë prej së diathtash fuqisë Perëndisë.”
70 Atëherë të gjithë thanë: “Ti pra je i bir’ i Perëndisë?” Edhe ay u tha atyre:
71 “Ju po thoni se unë jam.” Edhe ata thanë: “Ç’nevojë kemi më për martiri? Sepse neve vetë e ndigjuam prej gojës’ ati.
Vendimi për ta kapur
(Mt 26.1-5, Mt 14-16Mk 14.1-2, Mk 10-11Gjn 11.45-53)1 Ndërkaq po afrohej festa e Bukëve të ndorme që quhet Pashkë. 2 Kryepriftërinjtë dhe shkruesit po kërkonin sesi ta vrisnin Jezuin, por kishin frikë nga populli. 3 Atëherë Satani hyri te Juda që quhej Iskariot e që ishte njëri prej të dymbëdhjetëve. 4 Ky shkoi për t'u marrë vesh me kryepriftërinjtë dhe rojat sesi mund t'ua dorëzonte Jezuin. 5 Ata u gëzuan shumë e ranë në një mendje për t'i dhënë para. 6 Kështu Juda pranoi dhe kërkonte rastin që t'ua dorëzonte pa qenë e pranishme turma.
Përgatitja e Darkës së Pashkës
(Mt 26.17-25Mk 14.12-21Gjn 13.21-30)7 Kur erdhi dita e festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, 8 Jezui dërgoi Pjetrin e Gjonin e u tha: «Shkoni e bëni përgatitjet që të hamë Pashkën». 9 Ata e pyetën: «Ku dëshiron ta përgatisim?». 10 Jezui u tha: «Dëgjoni, kur të hyni në qytet do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Shkojini pas deri te shtëpia ku do të hyjë ai 11 e i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi na ka dërguar të të pyesim: ku është dhoma e pritjes ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?”. 12 Në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty shtrojeni darkën».
13 Ata shkuan, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën.
Darka e Zotit
(Mt 26.26-30Mk 14.22-261Ko 11.23-25)14 Kur erdhi koha, Jezui u ul për të ngrënë bashkë me apostujt. 15 Ai u tha: «Sa shumë kam dëshiruar ta ha këtë Pashkë me ju para se të vuaj, 16 sepse po ju them, nuk do të ha më nga kjo Pashkë, derisa ajo të përmbushet në mbretërinë e Perëndisë».
17 Pastaj mori kupën, tha lutjen e falënderimit e tha: «Merreni e ndajeni këtë mes jush. 18 Unë po ju them se që tani nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, derisa të vijë mbretëria e Perëndisë».
19 Pastaj mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Ky është trupi im që jepet për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim».
20 Po ashtu, pas darkës, bëri edhe me kupën e tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju. 21 Por ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë. 22 Biri i njeriut po shkon sikurse është caktuar, por mjerë ai njeri që e tradhton». 23 Atëherë ata filluan të pyesnin njëri-tjetrin se cili prej tyre do ta bënte këtë gjë.
Kush është më i madhi
24 Mes dishepujve lindi një grindje se kush prej tyre duhej të quhej më i madhi. 25 Por Jezui u tha: «Mbretërit e kombeve sundojnë mbi ta dhe ata që kanë pushtet mbi ta quhen bamirës. 26 Me ju nuk duhet të ndodhë kështu. Përkundrazi, më i madhi ndër ju duhet të bëhet si më i vogli dhe udhëheqësi si shërbëtori. 27 Kush është më i madh, ai që është në tryezë apo ai që shërben? A nuk është ai që rri në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben.
28 Ju jeni ata që keni qëndruar me mua në tundimet e mia 29 dhe unë po ju lë juve në dorë mbretërinë, ashtu si ma la mua Ati im, 30 që ju të mund të hani e të pini në tryezën e mbretërisë sime. Ju do të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit».
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mt 26.31-35Mk 14.27-31Gjn 13.36-38)31 «Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t'ju kalojë nëpër shoshë porsi grurin, 32 por unë jam lutur për ty që të mos shterojë besimi yt. Dhe ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu». 33 Pjetri i tha: «Zot, unë jam gati të vij me ty në burg e në vdekje». 34 Por Jezui iu përgjigj: «Pjetër, unë po të them se sot nuk do të ketë kënduar ende gjeli para se ti të mohosh tri herë që më njeh».
Para, trastë dhe shpatë
35 Pastaj Jezui u tha: «Kur ju dërgova pa para, pa trastë e pa sandale, a ju mungoi gjë?». Ata i thanë: «Asgjë». 36 Atëherë ai u tha: «Por tani, kush ka para, le t'i marrë me vete. Po ashtu edhe kush ka trastë. Dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë gunën e vet e të blejë një shpatë. 37 Unë po ju them se në mua duhet të përmbushet çka është shkruar: u radhit me të paudhët. Se çfarë është thënë për mua po përmbushet». 38 Ata i thanë: «Zot, ja, këtu janë dy shpata». Ai u përgjigj: «Është mjaft».
Lutja në malin e Ullinjve
(Mt 26.36-46Mk 14.32-42)39 Jezui doli e shkoi në malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij. 40 Kur arriti atje, u tha dishepujve: «Lutuni që të mos bini në tundim». 41 Pastaj u largua prej tyre sa një e hedhur guri, ra në gjunjë e u lut 42 kështu: «Atë, nëse do, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, u bëftë jo vullneti im, por i yti!». 43 Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli e i dha forcë. 44 Kur e zuri ankthi i vdekjes, u lut edhe më fort. Atëherë djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë . 45 Si u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt e i gjeti duke fjetur nga trishtimi. 46 Atëherë u tha: «Përse po flini? Ngrihuni e lutuni që të mos bini në tundim».
Tradhtia dhe arrestimi
(Mt 26.47-56Mk 14.43-50Gjn 18.3-11)47 Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi një turmë së cilës i printe njëri nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë. Ai iu afrua Jezuit për ta puthur, 48 por Jezui i tha: «Judë, me puthje po e tradhton Birin e njeriut?». 49 Kur panë se çfarë po ndodhte, ata që ishin rreth tij i thanë: «Zot, a t'u biem me shpata?». 50 Atëherë njëri prej tyre goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë, 51 por Jezui tha: «Mjaft me kaq!». Pastaj ia preku veshin dhe e shëroi.
52 Jezui u tha kryepriftërinjve, rojave të tempullit e pleqve që kishin ardhur për të: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? 53 Unë isha çdo ditë me ju në tempull e nuk më kapët, por ky është çasti juaj dhe pushteti i errësirës».
Mohimi i Pjetrit
(Mt 26.57-58, Mt 69-75Mk 14.53-54, Mk 66-72Gjn 18.12-18, Gjn 25-27)54 Atëherë e kapën Jezuin, e morën dhe e çuan në shtëpinë e kryepriftit, ndërsa Pjetri e ndoqi nga larg. 55 Aty kishin ndezur një zjarr në mes të oborrit, ishin ulur së bashku dhe Pjetri ishte mes tyre. 56 Kur një shërbëtore e pa Pjetrin të ulur pranë zjarrit, ia nguli sytë e tha: «Edhe ky njeri ishte me të». 57 Por Pjetri e mohoi e tha: «Grua, unë nuk e njoh atë». 58 Pak më vonë dikush tjetër e pa Pjetrin e tha: «Edhe ti je një nga ata». Por Pjetri tha: «Nuk jam, o njeri». 59 Pas rreth një ore, edhe një tjetër nguli këmbë e tha: «Është e vërtetë që edhe ky ishte me të, sepse është galileas». 60 Por Pjetri tha: «O njeri, nuk e di për çfarë po flet». Atë çast, ndërsa ai po fliste, këndoi gjeli.
61 Atëherë Zoti u kthye dhe vështroi Pjetrin. Pjetrit iu kujtuan fjalët e Zotit kur i kishte thënë: «Sot, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». 62 Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.
Tallja
(Mt 26.67-68Mk 14.65)63 Njerëzit që e ruanin Jezuin e tallnin dhe e rrihnin. 64 Ata ia lidhën sytë dhe e pyesnin: «Gjeje kush të goditi?». 65 Dhe e fyenin me shumë fjalë të tjera.
Para sinedrit
(Mt 26.59-66Mk 14.55-64Gjn 18.19-24)66 Kur u bë ditë, u mblodhën pleqësia e popullit, kryepriftërinjtë e shkruesit, dhe e çuan Jezuin në sinedrin e tyre 67 e i thanë: «Nëse je Krishti, na e thuaj».
Por Jezui u tha: «Po t'jua them, nuk do të më besoni, 68 dhe po t'ju pyes, nuk do të më përgjigjeni, 69 por që tani Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm ». 70 Atëherë të gjithë thanë: «A je ti, pra, Biri i Perëndisë?». Dhe Jezui u tha: «Ju po e thoni. Unë jam». 71 Dhe ata thanë: «Për çfarë dëshmie tjetër kemi nevojë? E dëgjuam vetë nga goja e tij».