1 Edhe ishte një njeri sëmurë, Llazari nga Vithania, nga fshati i Marisë edhe i Marthësë, së motërës’ asaj.
2 (Edhe Maria ishte ajo që leu Zotinë me vaj ere, edhe fshiu këmbët’ e ati me flokët’ e asaj, të cilës’ i vëllaj, Llazari, ishte sëmurë.)
3 Të motëratë pra dërguanë tek ay, tuke thënë: “Zot, na ay që do ti tek është sëmurë.”
4 Edhe Jisuj kur dëgjoj tha: “Këjo sëmundë nuk’ është për vdekëje, po për lavdin’ e Perëndisë, që të lavduronet i Bir’ i Perëndisë me anë të asaj.”
5 Edhe Jisuj donte Marthën’ edhe të motërën’ e asaj, edhe Llazarinë.
6 Kur dëgjoj pra se është sëmurë, atëhere mbeti dy dit mb’ atë vënt ku ishte.
7 Pastaj pas kësaj u thotë nxënëset: “Le të vemi prapë ndë Judhe.”
8 Nxënësit’ i thonë: “Ravvi, ndashti Judhenjtë kërkoninë të të vrisinë me gurë, edhe përsëri vete atie?
9 Jisuj u përgjeq: “A s’ka dy-mbë-dhietë orë dita? Nd’ ecëtë ndonjë ditënë, nukë pengonetë, sepse sheh dritën’ e kësaj bote.
10 Po nd’ ecëtë ndonjë natënë, pengonetë, sepse s’ka dritë nd’ atë.”
11 Këto tha, edhe pastaj u thot atyre: “Llazari miku ynë fjeti; po vete që ta sqonj.”
12 Nxënësit’ e ati i thanë pra: “Zot, ndë fjeti, do të shpëtonjë.”
13 Po Jisuj kishte thënë për vdekëjen’ e ati; po ata kujtuanë se thotë për të fjeturit’ e gjumit.
14 Atëhere pra Jisuj u tha atyre ndër sy: “Llazari vdiq.
15 Edhe gëzonem për ju, që të besoni, sepse nukë qesh’ atie; po le të vemi tek ay.”
16 Thomaj pra, që thuhej binjak, u tha nxënëset shokëvet ti: “Le të vemi edhe neve, që të vdesëmë bashkë me atë.”
17 Kur erdhi pra Jisuj, e gjeti se kishte ndashti katrë dit ndë varr.
18 Edhe Vithania ishte afër Jerusalimit, sinja pesë-mbë-dhietë stadhe.
19 Edhe shumë vetë prej Judhenjet kishin’ ardhurë te Martha e te Maria, që t’i rëkoninë për të vëllan’ e atyreve.
20 Martha pra kur dëgjoj se po vien Jisuj, i dolli përpara; edhe Maria rrinte ndë shtëpi.
21 Martha pra i tha Jisujt: “Zot, t’ishnje këtu, im vëlla nukë do të vdiste.
22 Po edhe ndashti e di, se sa t’i lypënjsh Perëndisë, do të t’i apë Perëndia.”
23 Jisuj i thot’ asaj: “Yt vëlla do të ngjalletë.”
24 Martha i thotë: “E di se do të ngjalletë ndë të ngjallurit të ditësë pastajme.”
25 Jisuj i tha: “Unë jam të ngjalluritë edhe jeta; ay që më beson, edhe ndë vdektë, do të rronjë.
26 Edhe kushdo që rron edhe më beson, nukë do të vdesë për gjithë jetënë.
27 A e beson këtë?” I thotë: “Po, Zot, unë kam besuarë, se ti je Krishti, i Bir’ i Perëndisë, që ke ardhurë ndë botët.”
28 Edhe ajo si tha këto, vate e thërriti fshehura Marinë, të motërën’ e saj, e i tha: “Mësonjësi është këtu, edhe po të thërret.”
29 Ajo kur dëgjoj, ngrihetë shpejt, e vien tek ay.
30 (Jisuj edhe s’kishte ardhurë ndë fshat, po ishte nd’ atë vënt që i dolli përpara Martha.)
31 Judhenjtë pra që ishinë bashkë me atë ndë shtëpit tuke rëkuar atë, kur panë Marinë se u ngrit shpejt e dolli, i vanë prapa asaj, tuke thënë, se po vete ndë varr për të qjar’ atie.
32 Maria pra si erdhi atie ku ishte Jisuj, edhe pa atë, i ra ndër këmbë, tuke thën’ ati: “Zot, nd’ ishnje këtu, vëllaj nukë do të më vdiste.”
33 Jisuj pra kur pa atë tuke qjarë, edhe ata Judhenjtë që kishin’ ardhurë bashkë me atë tuke qjarë, sëmboj ndë shpirt të ti, edhe u droth,
34 E tha: ”Ku e keni vënë?” I thonë: “Zot, eja e shih.”
35 Jisuj derdhi lot.
36 Judhenjtë pra thoshinë: “Shih sa e donte.”
37 Po ca prej atyre thanë: “Nukë munte kyj që hapi syt’ e të verbërit, të bënte që të mos vdiste edhe kyj?”
38 Jisuj pra përsëri tuke sëmbuarë ndër vetëhe vien ndë varrt. Edhe ishte një spille, edhe mbi atë ishe vënë një gur.
39 Jisuj thotë: “Ngrini gurinë.” Martha, e motëra e të vdekurit, i thotë: “Zot, qelbetë ndashti; sepse është katrë diç.”
40 Jisuj i thot’ asaj: “Nukë të thashë, se ndë besofsh, do të shohç lavdin’ e Perëndisë?”
41 Ngritnë pra gurinë (atie ku ishte vënë i vdekuri). Edhe Jisuj ngriti sytë përpietë, e tha: “Atë, të falem ndersë, se më dëgjove.
42 Edhe un’ e dinjam se përherë më dëgjon; po këtë e thashë për këtë llauzinë që rri këtu rreth, që të besonjënë, se ti më dërgove.”
43 — Edhe si tha këto, bërtiti me zë të math: “Llazar, dil jashtë.”
44 Edhe i vdekuri dolli, lidhurë këmbët’ e duartë me rrypa pëlhure; edhe faqeja e ati pështjellë me rizë. Jisuj u thot’ atyre: “Sgjidheni, edhe lëreni të vejë.”
45 Shumë vetë pra prej Judhenjvet, që kishin’ ardhurë te Maria, edhe panë sa bëri (Jisuj), i besuanë.
46 Po ca prej atyre vanë te Farisenjtë, edhe u thanë sa bëri Jisuj.
47 Kryepriftëritë pra edhe Farisenjtë mbëlothnë bashkëndënëje, edhe thoshinë: “Ç’të bëjmë? Se kyj njeri po bën shumë çudira.
48 Ndë e lënçim’ atë kështu, të gjithë do t’i besonjënë; edhe do të vinë Romanëtë, e do të prishnjënë edhe vëndinë tënë edhe kombinë.
49 Edhe një nga ata, Kajafa, që ishte kryeprift i ati viti, u tha atyre: “Ju nukë dini asgjë,
50 As nukë mendoneni, se është mirë për ne të vdesë një njeri për llauzinë, edhe të mos humbasë gjithë kombi.”
51 — Edhe këtë nuk’ e tha prej vetëhesë ti, po tuke qënë kryeprift i ati viti, profitepsi se Jisuj kishte për të vdekurë për kombinë;
52 Edhe jo për kombinë vetëmë, po edhe që të mbëledhë mbë një edhe të bijt’ e Perëndisë që ishinë përndarë.
53 Që mb’ atë ditë pra bënë këshillë që ta vrasënë.
54 Përandaj Jisuj nuk’ ecënte më faqeza ndëpër Judhenjtë, po shkoj ateje mbë një vënt afërë shkretëtirësë, ndë një qytet që thuhet’ Efraim, edhe atie shkonte kohënë bashkë me nxënësit’ e ti.
55 Edhe ishte afër pashka e Judhenjet; edhe shumë vetë prej ati vëndi hipnë ndë Jerusalim përpara pashkësë, që të qëroninë vetëhen’ e tyre.
56 Kërkoninë pra Jisunë, edhe i thoshinë njëri tiatrit tuke ndenjurë ndë hieroret: “Ç’u duketë juve? Se nukë do të vinjë për të kremtenë?”
57 Edhe kryepriftërit’ e Farisenjtë kishinë porositurë, nd’ e marrtë vesh ndonjë se ku është, t’apë zë, që ta zënë.
Vdekja e Lazarit
1 Në atë kohë dergjej i sëmurë Lazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i motrës së saj, Martës. 2 Maria, motra e Lazarit të sëmurë, ishte ajo që leu Zotin me mirrë e ia fshiu këmbët me flokët e saj. 3 Atëherë motrat i çuan fjalë Jezuit: «Zot, miku yt i dashur është sëmurë». 4 Kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdinë e Perëndisë dhe që të përlëvdohet nëpërmjet saj Biri i Perëndisë».
5 Jezui i donte shumë Martën, motrën e saj Marinë e Lazarin. 6 Kur dëgjoi se Lazari ishte sëmurë, qëndroi edhe dy ditë atje ku ishte 7 e pastaj u tha dishepujve: «Le të kthehemi përsëri në Jude!». 8 Dishepujt i thanë: «Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë e ti do që të shkosh përsëri atje?». 9 Jezui u përgjigj: «A nuk ka dita dymbëdhjetë orë? Nëse dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote. 10 Por nëse dikush ecën natën, pengohet, se në të nuk ka dritë». 11 Pasi u tha këto, shtoi: «Lazari, miku ynë, ka fjetur, por po shkoj ta zgjoj». 12 Dishepujt i thanë: «Zot, nëse ka fjetur do të shpëtojë». 13 Por Jezui u kishte folur për vdekjen e Lazarit, ndërsa ata pandehën se ai u kishte folur për gjumin e zakonshëm. 14 Atëherë Jezui u tha hapur: «Lazari ka vdekur. 15 Gëzohem që nuk ndodhesha atje, në mënyrë që ju të besoni. Le të shkojmë tek ai!». 16 Thomai, i quajtur Binjak, u tha dishepujve të tjerë: «Të shkojmë edhe ne të vdesim me të!».
Ngjallja dhe jeta
17 Kur erdhi Jezui, Lazari kishte katër ditë në varr. 18 Betania ndodhej rreth tri kilometra larg Jerusalemit 19 dhe shumë judenj kishin shkuar te Marta e Maria, që t'i ngushëllonin për vdekjen e vëllait. 20 Kur dëgjoi se po vinte Jezui, Marta shkoi për ta takuar, ndërsa Maria qëndroi në shtëpi. 21 Atëherë Marta i tha Jezuit: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. 22 Por e di se, edhe tani, Perëndia do të të japë gjithçka që do t'i kërkosh». 23 Jezui i tha: «Yt vëlla do të ngjallet». 24 Marta i tha: «E di se do të ngjallet në ngjallje në ditën e fundit». 25 Jezui i tha: «Unë jam ngjallja dhe jeta. Kush beson në mua do të jetojë, edhe nëse vdes. 26 Kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson këtë?». 27 Ajo i tha: «Po, Zot. Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që vjen në botë».
Jezui qan
28 Pasi tha këto, ajo shkoi, thirri mënjanë Marinë, motrën e saj, e i tha: «Mësuesi është këtu e të kërkon». 29 Maria, sapo e dëgjoi, u ngrit me nxitim e shkoi tek ai, 30 sepse Jezui nuk kishte arritur ende në fshat, por po rrinte atje ku e kishte takuar Marta. 31 Judenjtë që ishin me Marinë në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se ajo u ngrit me nxitim e doli, i shkuan pas duke menduar se po shkonte te varri për të qarë atje.
32 Maria shkoi atje ku ishte Jezui dhe kur e pa, i ra ndër këmbë e i tha: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur».
33 Jezui, kur e pa se ajo dhe judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u prek në shpirt, u turbullua 34 e tha: «Ku e keni vënë?». Ata i thanë: «Zot, eja e shih!». 35 Jezui u përlot. 36 Atëherë judenjtë thanë: «Shih sa e donte!». 37 Por disa nga ata thoshin: «Ky që i hapi sytë të verbrit, a nuk mund të bënte që edhe Lazari të mos vdiste?».
Ngjallja e Lazarit
38 Jezui u prek përsëri në shpirt e shkoi te varri që ishte një shpellë me një gur në hyrje. 39 Jezui tha: «Hiqeni gurin!». Marta, motra e të vdekurit, i tha: «Zot, ai qelbet tashmë, se ka katër ditë në varr». 40 Jezui i tha: «A nuk të thashë se po të besosh do të shohësh lavdinë e Perëndisë?».
41 Atëherë ata ngritën gurin, ndërsa Jezui ngriti sytë lart e tha: «Të falënderoj, o Atë, që më dëgjove. 42 Unë e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por e thashë për turmën përreth, që të besojnë se ti më dërgove». 43 Pasi tha këto, thirri me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!». 44 I vdekuri doli me këmbë e duar të lidhura me rripa pëlhure, ndërsa fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezui u tha: «Zgjidheni e lëreni të shkojë!».
Kërkojnë ta vrasin
(Mt 26.1-5Mk 14.1-2Lk 22.1-2)
45 Shumë nga judenjtë që kishin ardhur te Maria, kur panë ato që bëri Jezui, besuan në të, 46 por disa prej tyre shkuan te farisenjtë e u treguan çfarë kishte bërë Jezui. 47 Atëherë kryepriftërinjtë e farisenjtë mblodhën këshillin e thanë: «Çfarë të bëjmë? Ky njeri po bën kaq shumë shenja! 48 Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të dhe atëherë do të vijnë romakët e do të rrënojnë tempullin e kombin tonë».
49 Njëri prej tyre, Kajafa, që ishte kryeprifti atë vit, u tha: «Ju nuk kuptoni asgjë. 50 A nuk e kuptoni se për ju është më mirë të vdesë një njeri për popullin, sesa të shkatërrohet gjithë kombi?». 51 Këtë nuk e tha nga vetja, por, meqenëse ishte kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezui do të vdiste për kombin. 52 Dhe jo vetëm për kombin, por edhe për të mbledhur e për t'i bërë një bijtë e shpërndarë të Perëndisë. 53 Që nga ajo ditë ata vendosën ta vrasin. 54 Prandaj Jezui nuk ecte më haptas mes judenjve, por shkoi në një vend pranë shkretëtirës, në një qytet të quajtur Efraim e ndenji atje me dishepujt.
55 Po afrohej Pashka e judenjve dhe shumë njerëz nga i gjithë vendi shkuan në Jerusalem, përpara Pashkës, për ritin e pastrimit. 56 Ata e kërkonin Jezuin dhe, kur ishin në tempull, pyesnin njëri-tjetrin: «Si mendoni? A do të vijë në festë?». 57 Kryepriftërinjtë e farisenjtë kishin dhënë urdhër që, po ta dinte ndokush se ku ndodhej Jezui, të lajmëronte, që ta kapnin.