KAPTINA XVIII.
1 Nd’atë herë erthnë dishepujtë te Iesui, e i thanë: Vallë cilli ashtë ma i math ndë mbëretënit të qillvet?
2 Edhe Iesui thirri për-anë vetëhesë nji çun të vogëlë, edhe e qindroi ndë miedis t’atyneve,
3 e tha: Për të vërtet po u thom juve, ndë mos u këthefshi, e të baheni porsi çunat’ e vogjilë, s’keni me hymë ndë mbëretënit të qillvet.
4 Kush të përvejë pra vetëvetëhenë porsi kyi çun i vogëlë, kyi ashtë ma i math ndë mbëretënit të qillvet.
5 Edhe kush të presi nji kësi çuni të vogëlë, mb’emënit t’em, ka pritunë mue.
6 Por kush të shkandalizojë nji prei kësish të vogjilish qi më besojnë, ashtë mirë për ate me u varë nji gur mullini mbë qafë t’ati, edhe me u zhytunë ndë fund të detit.
7 Mjer mbë botënë për shkandujt! Sepse ashtë nevojë me ardhunë shkandujtë; por mjer ati nieriu, qi vien shkandulli prei ati!
8 Edhe ndë të shkandalizoftë dora jote a kamba jote, prei, edhe hidhi prei teje: ma mirë ashtë për tyi me hymë ndë jetët i çalë, a dorë-cunk, se tue pasunë dy duer, a dy kambë, me u hedhunë ndë ziarrm të pasosunë.
9 Edhe ndë të shkandalizoftë syni yt, nxire, edhe hidhe prei teje: ma mirë ashtë për tyi me hymë ndë jetët me nji sy vetëmë, se tue pasunë dy, me u hedhunë ndë xhehenem të ziarrmit.
10 Shikoni mos bani mbë asgja nji prei kësish të vogjilish, sepse po u thom juve, se engjujt’ e atyneve ndë qillt shofinë gjithënji faqen e t’im et qi ashtë ndë qillt.
11 Sepse i bir’ i nieriut erdhi me shpëtuem të hupuninë.
12 Qish u duketë juve? Ndë pastë nji nieri nji qind dhen, edhe me hupunë nji prei atyneve, nukë len të nandë-dhet e nandëtë, e vete ndëpër malet me kërkuem të hupuninë?
13 Edhe ndë e gjetë, për të vërtet po u thom juve, se gëzohetë ma tepërë për atë, se për nandë-dhet’ e nandëtë qi s’kanë hupunë.
14 Kështu nuk’ asht’ e dashunë përpara Atit tuei qi ashtë ndë qillt, me hupunë nji prei kësish të vogjilish.
15 Edhe ndë të baftë faj yt vëlla, shko, edhe qirtoje ndërmiet teje, edhe ati vetëmë; ndë të ndëgjoftë, e fitove t’yt vëlla,
16 por ndë mos të ndëgjoftë, merr bashkë me vetëhe edhe nji a dy vetë , për me “qindruem çdo fjalë ndë gojë dy a tre deshmitarve”.
17 Edhe ndë mos u ndëgjoft’ atyneve, thueja kishësë; edhe ndë mos i ndëgjoft’ edhe kishësë, atëherë ai le të jetë te ti porsi gjintari edhe publikani.
18 Për të vërtet po u thom juve: Qish të lithni mbi dhet, kanë me qenë lidhunë ndë qiell; edhe qish të sgjidhni mbi dhet, kanë me qenë sgjidhunë ndë qiell.
19 Përsëri po u thom juve, se ndë qofshinë mbi dhet dy vetë prei jush me nji fjalë, për çdo farë gjaje qi të lypinë, ka me u bam’ atyneve prei t’im et qi ashtë ndë qillt.
20 Sepse ku të jenë dy, a tre vetë mbëledhunë mb’emën t’em, atie jam edhe unë ndë miedis t’atyneve.
21 Atëherë i erdhi për-anë Pietri, e tha: Zot ndë më baftë faj em vëlla, sa herë do t’ia ndëjej? Deri mbë shtatë herë?
22 Iesui i thotë: Nukë të thom - Deri mbë shtatë herë, por - Deri mbë shtatë-herë ka shtatë-dhetë.
23 Përandai mbëretënia e qillvet u përgjait me nji nieri mbëret, qi deshi me vum’ ore llogari me shërbëtorët’ e vet.
24 Edhe kur filloi me vum’ ore llogari , i pruni nji detuer qi i kishte detyrë dhetë mijë tallanta.
25 Edhe mbassi s’kishte me ia lamë, i zoti ati urdhënoi me u shitun’ ai, edhe grueja e ati, edhe të bijt’, edhe gjithë qish kishte, edhe me u lamë detyra .
26 Shërbëtori pra i ra ndër kambë, e i lutei, tue thanë: Zot, bahu zemër-gjanë mbë mue, edhe kam me t’i lamë të gjitha.
27 Edhe të zotit si iu dhimpt ai shërbëtori, e lishoi, edhe ia la detyrënë.
28 Por ai shërbëtori si duel, gjeti nji prei shërbëtorëvet shokvet vet, qi i kishtë detyrë nji qind dinarë; edhe si e zuni, e kapte për fyti, tue thanë: Më laj ç’detyrë më ke.
29 Atëherë pra shërbëtori shoqi vet i ra ndër kambë, e i lutei, tue thanë: Bahu zemërë-gjanë mbë mue, edhe kam me t’i lamë të gjitha.
30 Edhe ai nukë donte, por shkoi, edhe e vuni ndë burk, deri sa t’i lajë detyrënë.
31 Edhe shërbëtorëtë shokët’ e ati kur panë se qish u ba, u idhënuenë fort, edhe erthnë, e i diftuenë të zotit vet gjithë qish u ba.
32 Atëherë i zoti ati e thirri mbas vetëhesë, e i tha: Shërbëtor i keq, gjith’ atë detyrë ta lashë, sepse m’u lute;
33 nukë duhei edhe ti ta ndëjeishe shërbëtorinë shoqinë tand, sikurse të ndëjeva edhe unë?
34 Edhe i zoti ati u zemërue, edhe e dha ndër duer t’atyneve qi mundojnë, deri sa të lajë gjithë detyrënë qi i kishte.
35 Kështu edhe em Atë qiellori ka me ua bamë juve ndë mos ia falshi me gjithë zemërat tueja gjithë-se-cilli të vëllait vet fajet’ e atyneve.
Më i madhi në mbretërinë e qiejve
(Mk 9.33-37Lk 9.46-48)1 Atëherë dishepujt erdhën te Jezui dhe e pyetën: «Kush është më i madhi në mbretërinë e qiejve?». 2 Jezui thirri një fëmijë, e vuri mes tyre 3 e tha: «Me të vërtetë po ju them se, nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijë, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. 4 Kush përulet si ky fëmijë, ai është më i madhi në mbretërinë e qiejve. 5 Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua».
Shkaktar për mëkat
(Mk 9.42-48Lk 17.1-2)6 «Nëse dikush i bëhet pengesë njërit prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, për atë do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të mbytej thellë në det. 7 Mjerë bota për gjërat që bëhen pengesë! Pengesat duhet të vijnë, por mjerë ai njeri që i shkakton ato! 8 Nëse dora apo këmba jote të bëhet pengesë, prije e hidhe tej. Është më mirë të hysh i gjymtuar ose i çalë në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dyja duart dhe këmbët e të të hedhin në zjarrin e amshuar. 9 Dhe nëse syri yt të bëhet pengesë, nxirre e hidhe tej. Është më mirë të hysh me një sy në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dy sytë e të të hedhin në Gehenën e zjarrit».
Delja e humbur
(Lk 15.3-7)10-11 «Kini kujdes se mos përçmoni ndonjërin prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiej shikojnë gjithnjë fytyrën e Atit tim që është në qiej . 12 Si mendoni? Nëse një njeri ka njëqind dele e njëra prej tyre humb rrugën, a nuk do t'i lërë ai të nëntëdhjetenëntat në male për të kërkuar atë që humbi rrugën? 13 E nëse e gjen, me të vërtetë po ju them se ai gëzohet më shumë për të, sesa për të nëntëdhjetenëntat që nuk e kishin humbur rrugën. 14 Po kështu edhe vullneti i Atit tuaj në qiej nuk është që të humbasë ndonjë prej këtyre të vegjëlve».
Dy a tre në emrin tim
(Lk 17.3)15 «Nëse vëllai yt mëkaton kundër teje, shko e qortoje vetëm për vetëm. Po të dëgjoi, e ke fituar vëllanë tënd. 16 Por, nëse nuk të dëgjon, merr edhe një ose dy të tjerë me vete, që çdo fjalë të mund të mbështetet me dëshminë e dy ose tre dëshmitarëve. 17 Nëse nuk pranon t'i dëgjojë, tregoja kishës dhe, po nuk pranoi të dëgjojë as kishën, le të jetë për ty si një prej kombeve apo si një tagrambledhës». 18 «Me të vërtetë po ju them: çfarëdo që të lidhni në tokë, do të jetë e lidhur në qiell dhe çfarëdo të zgjidhni në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiell. 19 Përsëri po ju them se nëse dy prej jush bien në një mendje për diçka që duan të kërkojnë, Ati im në qiell do t'ua japë. 20 Sepse atje ku janë të mbledhur dy a tre veta në emrin tim, unë jam aty, mes tyre».
Shërbëtori që s'fal
21 Atëherë Pjetri erdhi te Jezui e i tha: «Zot, sa herë duhet ta fal vëllanë që mëkaton kundër meje? Deri në shtatë herë?». 22 Jezui i tha: «Jo deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë. 23 Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi, i sollën njërin që i detyrohej dhjetë mijë talenta 25 dhe meqenëse ky nuk kishte të paguante, i zoti urdhëroi që të shitej së bashku me gruan, fëmijët e gjithçka kishte, që të shlyhej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të paguaj gjithçka!”. 27 I zoti i këtij shërbëtori, i shtyrë nga dhembshuria e liroi dhe ia fali detyrimin. 28 Por, po ai shërbëtor, kur doli jashtë, takoi njërin prej shërbëtorëve të tjerë si ai, i cili i detyrohej njëqind denarë. E kapi për gryke e i tha: “Më kthe çka më detyrohesh!”. 29 Atëherë ky shërbëtor i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të ta kthej detyrimin!”. 30 Ai nuk pranoi, por shkoi dhe e futi në burg derisa t'i paguante detyrimin. 31 Kur e panë çfarë ndodhi, shërbëtorët e tjerë u pikëlluan shumë dhe shkuan e i treguan të zotit gjithçka kishte ndodhur. 32 Atëherë i zoti e thirri shërbëtorin e i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë! Unë ta fala tërë detyrimin, se ti m'u përgjërove. 33 A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shërbëtorin tjetër, siç pata unë mëshirë për ty?”. 34 I zoti ua dorëzoi me zemërim rojave të burgut, derisa të shlyente tërë detyrimin e tij. 35 Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor nëse nuk i falni vëllezërit tuaj me gjithë zemër».