KAPTINA I.
1 Libri i gjeneallogjisë Iesu Krishtit, birit Davidit, birit Abrahamit.
2 Abrahamit i leu Isaaku, e Isaakut i leu Iakobi, e Iakobit i leu Iuda, edhe të vëllazënit e vet,
3 e Iudës’ i leu Faresi edhe Zara prei Thamarësë, e Faresit i leu Esromi, e Esromit i leu
Arami,
4 e Aramit i leu Aminadabi, e Aminadabit i leu Naassoni, e Naassonit i leu Salmoni,
5 e Salmonit i leu Boozi prei Rababësë, e Boozit i leu Obedi prei Ruthësë, e Obedit i
leu Iesseu,
6 e Iesseut i leu Davidi mbëreti.
7 E Davidit mbëretit i leu Solomoni prei grues’ Uriut, e Solomonit i leu Roboami, e Roboamit i leu Abia, e Abisë i leu Asai,
8 e Asait i leu Iosafati, e Iosafatit i leu Iorami, e Ioramit i leu Ozia,
9 e Ozisë i leu Ioathami, e Ioathamit i leu Ahazi, e Ahazit i leu Ezekia,
10 e Ezekisë i leu Manassi, e Manassit i leu Amoni, e Amonit i leu Iosia,
11 e Iosisë i leu Iehonia edhe të vëllazënit’ e vet, mbë të shpërngulmen’ e Babylonisë.
12 Edhe mbas të shpërngulmesë Babylonisë, Iehonisë i leu Salathieli, e Salathielit i leu Zorobabeli;
13 e Zorababelit i leu Abiudi, e Abiudit i leu Eliakimi, e Eliakimit i leu Azori.
14 e Azorit i leu Sadoku, e Sadokut i leu Ahimi, e Ahimit i leu Eliudi.
15 e Eliudit i leu Eleazari, e Eleazarit i leu Matthani, e Matthianit i leu Iakobi.
16 e Iakobit i leu Iosefi, burri i Marisë, prei të cillësë leu Iesui, qi thohetë Krisht.
17 Gjithë brezatë pra, prei Abrahamit deri mbë ditë të Davidit, janë katër-mbë-dhetë breza; edhe prei Davidit deri mbë të shpërngulmen e Babylonisë, janë katër-mbë-dhetë breza; edhe prei të shpërngulmesë Babylonisë deri mbë ditë të Krishtit, janë katër-mbë-dhetë breza.
18 Edhe të lemit’ e Iesu-Krishtit kështu ka qenë: Maria, e ama e ati, mbassi u fejue me Iosefinë, para se të bashkoheshinë, u gjind me barrë prei Shpirtit Shenjt.
19 Edhe Iosefi burr’ i asai, tue qen’ i dreitë, e s’donte me i nxierrë zaninë për të keq, deshi me e lishuem pshefas.
20 Por ai kur ishte tue menduem këto punë , qe engjull’ i Zotit tek iu duk nd’andërrë, e i tha: Iosef, bir’ i Davidit, mos ki frikë me marrë me vetëhe Marinë gruenë tande, sepse të mbarsunitë qi u ba tek ajo ashtë prei Shpirtit Shenjt.
21 Edhe ka me piellë bir, edhe ke me ia thirrë emëninë Iesu, sepse ai ka me shpëtuem popullin’ e vet prei fajevet atyne.
22 (Edhe gjithë këjo u ba, qi të mbushetë qish ashtë thanë prei Zotit me anë të profetit, qi thoshte:
23 “Qe virgjinesha te do të mbarsetë, edhe do të pielli bir, edhe do t’ia thërrasin’ emënin’ Emmanuel”, qi ajo, këthyem, do me thanë, Perëndia bashkë me ne.)
24 Edhe Iosefi si u çue prei gjumit, bani sikurse e urdhënoi engjull’ i Zotit, edhe muer përanë vetëhesë gruen’ e vet,
25 edhe nuk’ e ngjofi, deri sa puell të birin’ e vet dialin’ e parë, edhe ia thirri emëninë IESU.
Breznitë e Jezu Krishtit
(Lk 3.23-38)
1 Libri i breznive të Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit.
2 Abrahamit i lindi Isaku, Isakut i lindi Jakobi, Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij. 3 Judës i lindën prej Tamarës Faresi e Zara, Faresit i lindi Hesromi, Hesromit i lindi Arami, 4 Aramit i lindi Aminadabi, Aminadabit i lindi Naasoni, Naasonit i lindi Salmoni, 5 Salmonit i lindi Boezi prej Rahabës, Boezit i lindi Jobedi prej Rutës, Jobedit i lindi Jeseu, 6 Jeseut i lindi Davidi, mbreti.
Davidit i lindi Solomoni nga gruaja e Uriahut, 7 Solomonit i lindi Roboami, Roboamit i lindi Abiu, Abiut i lindi Asafi, 8 Asafit i lindi Josafati, Josafatit i lindi Jorami, Joramit i lindi Ozia, 9 Ozisë i lindi Joatami, Joatamit i lindi Akazi, Akazit i lindi Ezekia, 10 Ezekisë i lindi Manaseu, Manaseut i lindi Amosi, Amosit i lindi Josia, 11 Josisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babiloni.
12 Pas shpërnguljes në Babiloni, Jehonisë i lindi Salatieli, Salatielit i lindi Zorobabeli, 13 Zorobabelit i lindi Abiudi, Abiudit i lindi Eliakimi, Eliakimit i lindi Azori, 14 Azorit i lindi Sadoku, Sadokut i lindi Akimi, Akimit i lindi Eliudi, 15 Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matani, të cilit i lindi Jakobi. 16 Jakobit i lindi Jozefi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jezui, i quajtur Krisht.
17 Breznitë nga Abrahami deri te Davidi janë gjithsej katërmbëdhjetë, nga Davidi deri te shpërngulja në Babiloni katërmbëdhjetë dhe nga shpërngulja në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë brezni.
Lindja e Jezu Krishtit
(Lk 2.1-7)
18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, ishte e fejuar me Jozefin, por përpara se të bashkoheshin, ajo mbeti shtatzënë nga Shpirti i shenjtë. 19 Meqenëse Jozefi, burri i saj, ishte njeri i drejtë e nuk donte ta turpëronte, vendosi ta ndante fshehurazi. 20 Ndërsa po mendonte këto gjëra, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr e i tha: «Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh për grua Marinë. Fëmija që është ngjizur në të është nga Shpirti i shenjtë. 21 Ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre».
22 E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti nëpërmjet profetit:
23 virgjëresha do të ngjizet
e do të lindë një djalë
që do të quhet Emanuel,
që e përkthyer do të thotë: Perëndia është me ne.
24 Kur u zgjua nga gjumi, Jozefi bëri siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori Marinë për grua, 25 por nuk pati marrëdhënie me të, derisa ajo lindi të birin , të cilit Jozefi ia vuri emrin Jezu.