KAPTINA II.
1 Edhe nd’ato ditt duel urdhënë prei Kaisarit Augustit me u shkruem gjithë bota.
2 (Këjo e shkrueme ishte bamë përpara kur ishte Kyreni guvernator’ i Syrisë).
3 Edhe të gjithë shkojshinë me u shkruem, gjithë-se-cilli ndë qytet të vet.
4 Hipi edhe Iosefi prei Galilesë, prei qytetit Nazaret, ndë Iude, ndë qytet të Davidit, qi quhetë Bethleem (sepse ai ishte prei shtëpisë, edhe atënisë Davidit),
5 për me u shkruem bashkë me Marinë; qi ishte fejuem me ate për grue, e cilla ishte me barrë.
6 Edhe ata kur ishin’ atie, asai iu mbushnë ditt për me piellë.
7 Edhe puell birin’ e vet paralindësinë, edhe u mpështuell me shpërgaj, edhe e vuni ndë grasht; sepse s’kishinë vend atie ku kishinë ranë.
8 Edhe nd’atë vend ishinë disa bari, ranë ndër ara, tue rueitunë me ret natënë tufën’ e vet.
9 Edhe qe engjull’ i Zotit tek erdhi mb’ata, edhe lafti i Zotit i ndriti rreth, edhe u frikuenë me frikë të madhe.
10 Edhe engjull’ i Zotit u tha atyne: Mos u frikoni, sepse qe te po u ap juve za të mirë për nji gëzim të madh, qi ka me qenunë mbë çdo popull,
11 sepse sot u leu juve, ndë qytet të Davidit, nji Shëlbues, i cilli ashtë Zoti Krisht.
12 Edhe këjo shenjë qoftë mbë ju. Keni me gjetunë nji foshnje mpështiellë me shpërgaj, ndenjunë ndë grasht.
13 Edhe bashkë me engjullin’ u duk befas nji shumicë ushtërie qiellore, tue lavduem Perëndinë, e tue thanë:
14 Laft mbë Perëndinë qi ashtë mbë të naltat, edhe paqtim mbë dhet, pëlqim ndë nierëzit.
15 Edhe engjujtë si iknë prei atyne ndë qiell, ata baritë thanë njiani tietrit: Le të shkojmë tashti ngjysh ndë Bethleem, e të shofimë këte punë qi ashtë bamë, të cillënë na e diftoi Zoti.
16 Edhe erthnë me vrap, e gjetnë edhe Marinë, edhe Iosefinë, edhe foshnjenë ndenjunë ndë grasht.
17 Edhe ata si panë, diftuenë për fjalënë qi u fol atyne për këte çun.
18 Edhe gjith’ ata qi ndëgjuen’ u mërekulluenë për ato fjalë qi u folnë atyne baritë.
19 Edhe Marie ruente me vetëhe gjithë këto fjalë, tue i vumë mbrenda ndë zemërët të vet.
20 Edhe baritë u këthyenë, tue lavduem, e tue nderuem Perëndinë për gjith’ ato qi ndëgjuen’ e panë, sikurse u fol mb’ata.
21 Edhe kur u mbushnë tetë ditt për me rreth-premë dialinë, emën’ i ati u queit IESU, qi ishte queitunë prei engjullit para se ai qe zanë ndë barkut.
22 Edhe kur u mbushnë ditt e pastrimit asai, mbas ligjësë Moiseut, e prunë ndë Ierusalem, me e nxierrë përpara Zotit;
23 (sikurse ashtë shkruem ndë ligjë të Zotit: “Se çdo mashkullë qi çel shtratin’ e barkut ka me u queitunë shenjt te Zoti”),
24 edhe për me dhanë kurbaninë, sikurse ashtë thanë ndë ligjë të Zotit: “Nji parë turtuj, a dy zoq pullumbash.”
25 Edhe qe tek ishte nji nieri ndë Ierusalem, qi e kishte emninë Symeon; edhe kyi nieri ishte i dreitë, e me frikën’ e Perëndisë, tue pritunë ngushullimin’ e Israelit; edhe Shpirti Shenjt ishte mbi ate.
26 Edhe ishte sbuluem tek ai prei Shpirtit Shenjt mos me pamë vdekë para se të shofi Krishtin’ e Zotit.
27 Edhe erdhi me anë të Shpirtit Shenjt ndë tempull; edhe përintë kur prunë mbrenda dialinë, Iesunë, qi të bajshinë për ate mbas zakonit ligjësë,
28 ai e priti n’grykë, edhe lavdoi Perëndinë, e tha:
29 Tashti, o Zotëni, lisho shërbëtorinë tand me paqtim, mbas fjalësë s’ate,
30 sepse syt’ e mi panë shpëtiminë tand,
31 qi bane përpara sysh gjithë popujvet;
32 dritë për të ndritunit e kombevet, edhe laft për popullin tand Israelinë.
33 Edhe Iosefi edhe e ama e ati ishinë tue u mërekulluem për ato qi fliteshinë për ate.
34 Edhe Symeoni i bekoi, edhe i tha Marisë, s’amës’ ati: Qe kyi te gjindetë për të ranë e për të ngritunë shumë vetëve ndë Israel; edhe për shenjë qi flitetë kundrë ati;
35 (edhe nji shpatë ka me shkuem ndëpër shpirt tand), qi të sbulohenë mendimet’ e shumë zemërave.
36 Edhe atie ishte Ana, nji profetëneshë, e bija Fanuellit, prei farës’ Aserit; ajo ishte shumë e lashtë ndër ditt, kishte rruem shtatë viet bashkë me burrinë mbas virgjinisë vet;
37 edhe ajo ishte grue e ve afërë tetë-dhet’ e katër vieç, e cilla nukë dahei prei tempullit, tue adhuruem me agjinime e me të lutuna nat’ e ditë.
38 Edhe ajo mbassi ia mbërrini asai ore, i falei ndersë Zotit, edhe u fliste për ate gjith’ atyne qi pritshinë shpërblim ndë Ierusalem.
39 Edhe si maruenë gjithë qish ishinë mbas ligjësë Zotit, u këthyenë ndë Galile, ndë Nazaret, qytetin’ e vet.
40 Edhe çuni rritei e forcohei ndë shpirt, tue u mbushunë me dituni; edhe hir’ i Perëndisë ishte mbi ate.
41 Edhe përint’ e ati shkojshinë për viet ndë Ierusalem për festë të pashkëvet.
42 Edhe si u ba dy-mbë-dhetë vieç, ata hipnë ndë Ierusalem, mbas zakonit festësë,
43 edhe si u mbaruenë ditt, mbë të këthyemit e atyne, diali Iesui mbeti mbrapa ndë Ierusalem; edhe Iosefi edhe e ama e ati nukë dijshinë.
44 Por kujtuenë se ai ashtë mb’udhë me shokët, edhe ata ecën nji ditë udhë; edhe e kërkojshinë ndëpër fisnat e ndëpër të njoftunit.
45 Edhe mbassi s’e gjetnë, u këthyenë ndë Ierusalem, tue kërkuem ate.
46 Edhe mbas tri ditsh e gjetnë ndë tempull ndenjunë ndë miedis të mieshtravet, tue ndëgjuem ata, e tue pyetun’ ata.
47 Edhe gjith’ ata qi e ndëgjojshinë mërekulloheshinë për mendien’ e për të përgjegjunat e ati.
48 Edhe kur pan’ ate, u habitnë; edhe e ama i tha: Dial, qish na bane kështu? Qe yt-at’ edhe unë te po të kërkojmë me pikëllim.
49 Edhe ai u tha atyne: Përse më kërkoni? Nuk’ e dini se unë duhetë me qenunë ndë punët e t’im et?
50 Por ata nuk’ e muernë vesht fjalënë qi u foli atyne.
51 Edhe sdripi bashkë me ata, edhe erdhi ndë Nazaret; edhe ishte ndën’ urdhënë t’atyne. Edhe e ama ruente gjithë këto fjalë ndë zemërë të vet.
52 Edhe Iesui shkonte mbarë mbë dituni e mbë moshë e mbë hir për-anë Perëndisë e nierëzish.
Lindja e Jezuit
(Mt 1.18-25)1 Në ato ditë Cezar Augusti nxori një dekret për shënimin e tërë popullsisë. 2 Shënimi i parë ishte bërë kur Kuirini qeveriste Sirinë. 3 Të gjithë shkonin për t'u shënuar, secili në qytetin e vet. 4 Edhe Jozefi, që ishte nga Galilea, nga qyteti i Nazaretit, shkoi në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem, sepse ishte nga shtëpia e nga fisi i Davidit, 5 për t'u shënuar së bashku me Marinë, të fejuarën e tij, që ishte shtatzënë. 6 Ndërsa ndodheshin në Betlehem, i erdhën ditët për të lindur 7 dhe lindi birin e saj të parëlindur. E mbështolli në pelena dhe e vuri në grazhd, se në bujtinë nuk kishte vend për ta.
Barinjtë dhe engjëjt
8 Në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër ara duke ruajtur tufën e tyre. 9 Një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit i mbështolli me dritë. Ata u trembën shumë, 10 por engjëlli u tha: «Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin: 11 sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar që është Krishti Zot. 12 Shenja për ju do të jetë kjo: do të gjeni një fëmijë të mbëshjellë në pelena e të shtrirë në grazhd». 13 Papritur bashkë me engjëllin u duk një ushtri e madhe qiellore që lavdëronte Perëndinë kështu:
14 «Lavdi i qoftë Perëndisë
në lartësitë qiellore
e paqe në tokë
njerëzve që ai i ka për zemër».
15 Kur u larguan engjëjt prej tyre e u kthyen në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: «Të shkojmë në Betlehem e të shohim çfarë ka ndodhur, atë që na ka bërë të ditur Zoti». 16 Ata shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë me Jozefin e fëmijën të shtrirë në grazhd. 17 Kur e panë, shpallën çfarë u qe thënë për foshnjën. 18 Dhe të gjithë ata që dëgjuan mbetën të habitur nga tregimi i barinjve.
19 Maria i ruante dhe i shqyrtonte të gjitha këto në zemrën e saj.
20 Atëherë barinjtë u kthyen duke përlëvduar Perëndinë e duke i thurur lavde për gjithçka panë e dëgjuan, ashtu siç u qe thënë.
21 Pas tetë ditësh, kur e rrethprenë, i vunë emrin Jezu, emrin që i kishte vënë engjëlli para se të ngjizej.
Jezui foshnjë në tempull
22 Kur erdhi koha e pastrimit të tyre në tempull, sipas ligjit të Moisiut, Jozefi dhe Maria e çuan Jezuin në Jerusalem për t'ia paraqitur Zotit, 23 siç është shkruar në ligjin e Zotit: çdo djalë i parë do t'i kushtohet Zotit 24 dhe për të kushtuar flinë siç thuhet në ligjin e Zotit: një çift turtujsh ose dy pëllumba të vegjël.
25 Në atë kohë jetonte në Jerusalem një njeri me emrin Simeon. Ky njeri ishte i drejtë e i përkushtuar ndaj Perëndisë. Ai priste ngushëllimin e Izraelit dhe Shpirti i shenjtë ishte me të. 26 Shpirti i shenjtë i kishte zbuluar se nuk do të vdiste pa e parë Krishtin e Zotit. 27 I udhëhequr nga Shpirti, ai erdhi në tempull dhe kur prindërit sollën Jezuin foshnjë, për të përmbushur me të kërkesat e ligjit, 28 Simeoni e mori Jezuin në krahë dhe bekoi Perëndinë kështu:
29 «Tani, o Zot,
lëre shërbëtorin tënd
të shkojë në paqe,
sipas fjalës sate,
30 se me sytë e mi
e pashë shpëtimin tënd
31 që ti e përgatite
në sytë e të gjithë popujve,
32 dritë për të ndriçuar kombet
e lavdi për popullin tënd, Izraelin».
33 I ati dhe e ëma e Jezuit mrekulloheshin nga gjërat që thuheshin për të. 34 Atëherë Simeoni i bekoi e i tha Marisë, nënës së Jezuit: «Ja, ky fëmijë do të jetë shkak për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe shenjë kundërshtimi, 35 që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Ndërsa ty një shpatë do të ta përshkojë shpirtin».
36 Aty gjendej edhe një profeteshë, Ana, e bija e Fanuelit, nga fisi i Asherit. Ajo ishte e shkuar në moshë, kishte jetuar shtatë vjet me burrin e saj 37 e pastaj jetoi si vejushë derisa u bë tetëdhjetë e katër vjeç. Ajo nuk largohej nga tempulli, por adhuronte Zotin ditë e natë, duke agjëruar e duke u lutur. 38 Meqenëse ndodhej aty në atë çast, filloi edhe ajo të lavdëronte Zotin dhe u fliste për fëmijën atyre që prisnin shpengimin e Jerusalemit.
Kthimi në Nazaret
39 Si kryen gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret. 40 Fëmija rritej e forcohej plot urti dhe hiri i Zotit ishte me të.
Jezui fëmijë në tempull
41 Prindërit e Jezuit shkonin çdo vit në Jerusalem për festën e Pashkës. 42 Kur ai mbushi dymbëdhjetë vjeç, shkuan përsëri atje, sipas zakonit. 43 Si kaluan ditët e festës, ata u nisën për t'u kthyer. Fëmija Jezu mbeti në Jerusalem, por prindërit nuk e morën vesh këtë gjë. 44 Meqë mendonin se ai ishte bashkë me udhëtarët e tjerë, ata udhëtuan gjithë ditën e pastaj filluan ta kërkonin te të afërmit e të njohurit, 45 por nuk e gjetën dhe u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar. 46 Pas tri ditësh e gjetën në tempull. Ishte ulur në mes të mësuesve që i dëgjonte e i pyeste. 47 Të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin nga zgjuarsia e përgjigjet e tij. 48 Kur e panë, u habitën dhe e ëma i tha: «Bir, pse na e bëre këtë? Unë e yt atë po të kërkonim gjithë ankth». 49 Jezui u përgjigj: «Pse po më kërkonit? A nuk e dinit se duhet të merrem me punët e Atit tim?». 50 Por ata nuk i kuptuan fjalët e tij.
51 Pastaj u nis bashkë me ta, u kthye në Nazaret e u bindej. Nëna e tij i ruante të gjitha këto gjëra në zemër. 52 Jezui rritej në urti, në moshë e në hir para Perëndisë e njerëzve.