KAPTINA VI.
1 Edhe të shëtunën’ e dytë mbas së parësë, ai po shkonte ndëpër të mbielluna; edhe dishepujt’ e ati këputshinë kallëza, edhe hajshinë, tue i shimë me dorë.
2 Edhe disa prei Fariseish u than’ atyne: Përse bani ate qi s’asht’ e udhësë me bamë për të shëtuna?
3 Edhe Iesui u përgjeq, e u tha atyne: S’keni kënduem, as këte qi bani Davidi, kur i erdhi i ati, edhe atyne qi ishinë bashkë me ate?
4 Si hyni ndë shtëpit të Perëndisë, edhe muer bukët’ e paravumies’, edhe hangër, edhe u dha edhe atyne qi ishinë bashkë me ate, të cillatë s’ishte e udhësë me i ngranë të tierë përveç priftënavet?
5 Edhe u thoshte atyne, se: I bir’ i nieriut asht’i zoti edhe së shëtunësë.
6 Edhe për-së-ri nji tietër së shëtune hyni ndë synagogët, edhe mësonte; edhe atie ishte nji nieri qi kishte dorën e diathtë të thatë.
7 Edhe Shkruisit’ e Fariseitë vejshin’ ore ate ndë qoftë se do të shëndoshi për ditë të shëtunë, qi të gjejnë shkaik kundrë ati.
8 Por ai i dinte mendimet’ e atyne, edhe i tha nieriut qi kishte dorën’ e thatë: Çohu, edhe qindro ndë miedis. Edhe ai u ngrit, edhe qindroi.
9 Iesui u tha atyne pra: Kam me u pyetunë juve për nji gja - Ashtë me udhë për të shëtuna me bamë mirë, apor me bamë keq? Me shpëtuem shpirt, apor me hupunë?
10 Edhe mbassi vuni ore ata rreth, i tha nieriut: Shtri dorënë tande. Edhe ai bani ashtu, edhe dora e ati u ba e shëndoshë porsi tietra.
11 Por ata u mbushnë me marri, edhe flitshinë njiani me tietrinë, qish mundeshinë me i bamë Iesuit.
12 Edhe mb’ato ditt duel ndë malt me u falunë, edhe ishte tue shkuem gjithë natënë mbë të falunit e Perëndisë.
13 Edhe kur u ba ditë, thirri dishepujt’ e vet; edhe sgjodhi dy-mbë-dhetë prei asish, edhe i queiti apostuj;
14 Simoninë qi e queti Pietër, edhe Andrenë të vëllan’ e ati, Iakobin’ edhe Gjionninë, Filippin’ edhe Bartholomenë,
15 Matthenë edhe Thomanë, Iakobinë të birin’ e Alfeut, edhe Simoninë qi quhei Zelotë,
16 Iudenë të vëllan’ e Iakobit, edhe Iudën’ Iskariotinë, i cilli u ba edhe trathtuer,
17 Edhe sdripi bashkë me ata, e qindroi mbë nji vend rrafsh, edhe ishinë gjindëje prei dishepujsh ati, edhe shumë shumicë populli prei gjithë Iudesë edhe Ierusalemit, edhe prei për-anë deti Tyrës’ edhe Sidonësë, të cillëtë erthnë me ndëgjuem ate, edhe me u shëndoshunë prei lingatash veta;
18 edhe ata qi mundoheshinë prei shpirtënash ndytë, edhe shëndosheshinë.
19 Edhe gjithë gjindëja kërkonte me e prekunë, sepse dilte fuqi prei ati, edhe shëndoshte të gjithë.
20 Edhe ai si ngriti syt’ e vet mbë dishepujt e vet, tha: Lumtë ju të vobeqitë, sepse mbëretënia e Perëndisë ashtë jueja.
21 Lumtë ju qi keni u tashti, sepse keni me u ngimë. Lumtë ju qi qjani tashti, sepse keni me qeshunë.
22 Të lumunë jeni ju , kur t’u marrinë mëni juve nierëzitë, edhe kur t’u veçojnë juve, edhe t’u përqeshinë, edhe t’u nxierrin’ emninë për të keq, për punë të birit nieriut.
23 Gëzohi mb’ate ditë, edhe karceni, sepse qe paga juei tek ashtë shumë ndë qiell, sepse kështu ua baishin’ atënit’ e atyne edhe profetënavet.
24 Por mjertë ju të pasunitë! Sepse e fituetë ngushulliminë tuei.
25 Mjertë ju qi jeni të ngimë! Sepse ka me u ardhun’ u juve. Mjertë ju qi qeshni tashti! Sepse keni me bamë vaje, e me qjamë.
26 Mjertë ju, kur të thonë mirë për ju gjithë nierëzitë! Sepse kështu ua bajshin’ atënit’ e atyne edhe profet-rrenësavet.
27 Po u thom juve qi ndëgjoni: Doni anëmiqtë tuei; bani mirë atyne qi u kanë mëni juve;
28 bekoni ata qi u mallëkojnë juve; edhe faluni për ata qi u ngasinë.
29 Ati qi të bierë me shuplakë faqesë, këthei edhe tietrënë; edhe ati qi të marri petkunë tand, leni edhe këmishënë.
30 Edhe epi cillit-do qi të lypi; edhe ati qi të marri të tuatë, mos ia lyp prap.
31 Edhe sikurse doni me u bamë juve nierëzitë, kështu edhe ju u bani atyne; edhe ndë daçi ata qi e duenë juve, çfarë nderie ashtë mbë ju?
32 Sepse edhe fajtorëtë duen’ ata qi i duenë.
33 Edhe ndë u bafshi mirë atyne qi u bajnë mirë juve, çfarë nderie ashtë mbë ju? Sepse edhe fajtorëtë bajnë kështu.
34 Edhe ndë u dhançi hua atyne qi shpëreni me i marrë prap, çfarë nderie ashtë mbë ju? Sepse edhe fajtorët’ u apinë hua fajtorëvet, për me i marrë prap nji për ni.
35 Por doni anëmiqtë tuei, edhe bani mirë, edhe epni hua, pa pasunë ndonji shpëresë ma; edhe atëherë paga juei ka me qenunë shumë, edhe keni me qenunë të bijt’ e të Naltit, sepse ai asht’ i mirë mbë të pangjoftunit nderë edhe mbë të këqijt.
36 Bahi pra të përdëllyeshim, sikurse edhe Ati juei asht’ i përdëllyeshim.
37 Edhe mos gjukoni, edhe s’keni me u gjukuem; mos dënoni, edhe s’keni me u dënuem; ndëjeni, edhe keni me u ndëjyem;
38 epni, edhe ka me u dhanë juve; matës të mirë, të rrasun’ edhe të tundun’ edhe të derdhunë për buzë kanë me u dhanë juve ndë gji tuei. Sepse me atë matës qi matni, kanë me u këthyem me u matun’ edhe juve.
39 Edhe u tha atyne nji parabullë: Mos mundet’ i verbëti me i tërhekun’ udhënë të verbëtit? A s’kanë me ranë të dy ndë gropët?
40 Nuk’ ashtë dishepull përmbi mieshtrin’ e vet, por cilli-do qi asht’ i kullutë ka me qenunë porsi mieshtri vet.
41 Edhe përse shikon krandienë qi ashtë ndë sy t’yt vëlla, por tranë qi ashtë ndë sy tand nuk’ e ndien?
42 Apor si munde me i thanë t’yt vëlla: Vëlla, le të nxier krandienë qi ke ndë sy tand, kur ti nukë shef tranë qi ke ndë sy tand? Hipokrit, nxier ma përpara tranë prei synit tand, edhe atëherë ke me pamë mirë për me nxierrë krandienë qi ashtë ndë sy t’yt vëlla.
43 Sepse s’ashtë ndonji dru e mirë qi ban pemë të kalbëtë, as ndonji dru e kalbëtë qi ban pemë të mirë.
44 Sepse çdo dru ngjifetë prei pemësë vet. Sepse nukë mbëledhinë fiq prei drizash, as nukë vielinë rrush prei ferrash.
45 Nieriu i mirë nxier të mirënë prei thesoresë mirë të zemrësë vet; edhe nieriu i keq nxier te keqenë prei thesoresë keqe të zemrësë vet, sepse goja e ati flet prei tepëricësë zemrësë.
46 Edhe përse më thërritni: Zot, zot, edhe nukë bani sa thom?
47 Kush-do qi vien tek unë, edhe ndëgjon fjalët’ e mia, edhe i ban, kam me u diftuem juve me cillinë përgjan:
48 ai përgjan me nji nieri qi ndërtoi nji shtëpi, i cilli gërmihi, e thelloi, e vuni themel mbi shkampt; edhe kur vërshoi ujët’, u përpoq lumi mbas asai shtëpie, edhe nukë mufti me e tundunë, sepse ishte themeluem mbi shkampt.
49 Po kush të ndëgjojë e të mos bajë, përgjan me nji nieri qi ndërtoi shtëpinë mbi dhe pa themel, qi u përpoq lumi mbas asai, edhe ra përnjiherë; edhe të rrenuemit’ e asai shtëpie u ba i math.
Jezui dhe e shtuna
(Mt 12.1-8Mk 2.23-28)1 Një të shtunë, ndërsa Jezui po ecte përmes një fushe me grurë, dishepujt këpusnin kallinj, i shkoqnin me duar dhe hanin. 2 Disa nga farisenjtë thanë: «Përse po bëni atë që nuk është e lejueshme të shtunën?». 3 Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? 4 Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, mori bukën e kushtimit, hëngri vetë e u dha edhe atyre që ishin me të, bukë që nuk lejohet t'i hajë askush përveç priftërinjve?». 5 Pastaj u tha: «Biri i njeriut është Zot i të shtunës».
Njeriu me dorë të paralizuar
(Mt 12.9-14Mk 3.1-6)6 Një të shtunë tjetër Jezui hyri në një sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë. 7 Shkruesit dhe farisenjtë e vëzhgonin me kujdes Jezuin për të parë nëse do të shëronte të shtunën, që të gjenin një shkak për ta paditur. 8 Jezui, edhe pse e dinte çfarë mendonin ata, i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e qëndro në mes!». Dhe ai u ngrit. 9 Pastaj u tha atyre: «Po ju pyes: a është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën? Të shpëtosh një jetë apo ta shkatërrosh atë?». 10 Dhe, ndërsa po i shikonte të gjithë ata që ishin përreth, i tha të sëmurit: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua tërësisht. 11 Por ata u tërbuan e filluan të flisnin me njëri-tjetrin se çfarë mund t'i bënin Jezuit.
Zgjedhja e të dymbëdhjetëve
(Mt 10.1-4Mk 3.13-19)12 Gjatë atyre ditëve Jezui shkoi në mal për t'u lutur dhe e gdhiu duke iu lutur Perëndisë. 13 Kur u bë ditë, i thirri dishepujt pranë vetes, zgjodhi dymbëdhjetë prej tyre dhe i quajti apostuj. 14 Këta ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër, dhe vëllai i tij Andrea, Jakobi e Gjoni, Filipi e Bartolomeu, 15 Mateu e Thomai, Jakobi i Alfeut dhe Simoni që quhej Zelltar, 16 Juda i Jakobit e Judë Iskarioti që u bë tradhtar.
Shërbesa e Jezuit dhe turmat
(Mt 4.23-25)17 Jezui zbriti së bashku me ta e u ndal në një vend të rrafshët, ku gjendeshin shumë nga dishepujt e tij. Aty gjendej edhe një turmë e madhe njerëzish nga e gjithë Judeja, Jerusalemi e bregu i Tirit e i Sidonit. 18 Kishin ardhur për ta dëgjuar e për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre. Ata që vuanin nga shpirtrat e ndyrë shëroheshin 19 dhe të gjithë përpiqeshin ta preknin, sepse prej tij dilte një forcë që i shëronte.
Lumnitë dhe mjerimet
(Mt 5.1-12)20 Atëherë Jezui ngriti sytë, pa nga dishepujt e tha:
«Lum ju që jeni të varfër,
se e juaja do të jetë mbretëria e Perëndisë!
21 Lum ju që tani keni uri,
se do të ngiheni!
Lum ju që tani qani,
se do të qeshni!
22 Lum ju kur njerëzit t'ju urrejnë,
kur t'ju përjashtojnë e t'ju shajnë,
kur të shpifin për ju
për shkak të Birit të njeriut!
23 Kur të vijë ajo ditë,
gëzohuni e kërceni,
se ja shpërblimi juaj është i madh në qiell.
Kështu vepruan etërit e tyre edhe me profetët.
24 Por mjerë ju të pasur,
se e keni marrë ngushëllimin tuaj!
25 Mjerë ju që jeni të nginjur tani,
se do të keni uri!
Mjerë ju që tani qeshni,
se do të trishtoheni e do të qani!
26 Mjerë ju kur të gjithë
të flasin mirë për ju!
Kështu vepruan etërit e tyre me profetët e rremë».
Dashuria për armiqtë
(Mt 5.38-48Mt 7.12a)27 «Por unë po ju them juve që më dëgjoni: duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë. 28 Bekojini ata që ju mallkojnë e lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. 29 Nëse dikush të qëllon në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën. Kushdo që të merr gunën, mos e pengo të të marrë edhe këmishën. 30 Jepi kujtdo që të kërkon ndonjë gjë dhe, nëse dikush të merr ndonjë gjë tënden, mos ia kërko. 31 Bëjuni të tjerëve çka dëshironi t'ju bëjnë juve. 32 Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët i duan ata që i duan. 33 Dhe nëse u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët bëjnë kështu. 34 Nëse u jepni hua vetëm atyre prej të cilëve shpresoni se do t'jua kthejnë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që të marrin prej tyre çfarë kanë dhënë. 35 Ju, përkundrazi, duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre e jepni hua pa pritur që t'ju kthehet. Kështu do të merrni një shpërblim të madh e do të jeni bijtë e të tejlartit Perëndi, sepse ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe të këqijtë. 36 Jini të mëshirshëm, sikurse është i mëshirshëm edhe Ati juaj».
Mos e gjyko vëllanë
(Mt 7.1-5)37 «Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni. Mos dënoni e nuk do të dënoheni. Falni e do të faleni. 38 Jepni e do t'ju jepet. Do t'ju vënë në prehër një masë të mirë, të ngjeshur, të tundur e të begatë, sepse me masën që do të matni, do të mateni».
39 Jezui u foli përsëri me shëmbëlltyra: «A mund t'i prijë një i verbër një të verbri tjetër? A nuk do të bien të dy në gropë? 40 Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi. Edhe po të mësojë gjithçka, do të jetë si mësuesi i tij.
41 Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? 42 Si mund t'i thuash vëllait tënd “vëlla, më lër të ta heq ashklën nga syri”, ti që nuk pikat traun në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd».
Pema njihet nga frytet
(Mt 7.17-20Mt 12.34b-35)43 «Nuk ka pemë të mirë që jep fryte të këqija e as pemë të kalbur që jep fryte të mira. 44 Çdo pemë njihet nga frytet e saj. Askush nuk mund të vjelë fiq nga ferrat e as rrush nga shkurret. 45 Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së tij dhe njeriu i keq nxjerr të keqen nga thesari i tij i keq, sepse ç'ka zemra, nxjerr goja ».
Dy shtëpitë
(Mt 7.24-27)46 «Përse më thërrisni “Zot, Zot” e nuk bëni çfarë ju them unë? 47 Po ju tregoj kujt i ngjan ai që vjen tek unë dhe që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia. 48 Ai i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi, gërmoi thellë e i hodhi themelet në shkëmb. Kur erdhi përmbytja, lumi vërshoi drejt asaj shtëpie, por nuk e tundi dot vendit, se shtëpia ishte ndërtuar mirë. 49 Ndërsa ai që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi mbi dhe, pa themele. Kur vërshoi lumi, ajo u shemb menjëherë e i madh qe shkatërrimi i saj».