KAPTINA III.
1 Mbasandai hyni për-së-ri ndë synagogët; ende atie ishte nji nieri qi kishte dorën’ e thatë.
2 Ende vijin ore ate, ndë qoftë se do ta shëndoshë për ditë të shëtunash; për me e përfolunë.
3 Ende ai i thot’ ati nieriut qi kishte dorën’ e thatë: Ngreu ndë miedis.
4 Mbasandai u thot atyne: Asht’ e udhësë me bamë mirë për të shëtuna, apo me bamë keq? Me shpëtumë shpirt, apo me vramë? Po ata s’pëzajinë.
5 Atëherë si i vuni ore rreth me zemërim, tue i ardhunë keq për ashpërimin’ e zemërës’ atyneve, i thotë nieriut: Shtri dorënë tande. Ende ai e shtrini, ende dora e ati u la e shëndoshë posi tietra.
6 Ende Fariseitë si dulnë, përnjiherë banë këshille bashkë me Herodianët kundra ati për me e prishunë.
7 Po Iesui iku bashkë me dishepujt’ e vet mb’anë të detit, edhe i voitnë mbrapa shumë shumicë ka Galilea, e ka Iudea,
8 e ka Ierusalemi, e ka Idumea, e ka përtej Iordanit; ende shumë shumicë prei atyneve qi ishinë rreth Tyrës, ende Sidonës’ erthnë ke ai, kur ndëgjunë se sa punë bante.
9 Ende ai u tha dishepujvet vet me pritun’ afër’ ati nji lundër, për punë të gjindëjesë, qi të mos e shtrëngojnë.
10 Sepse shëndoshi shumë vetë , kaqi sa bijinë sipar ati, qi ta prekinë, sa vetë kishinë sëmundëje.
11 Ende shpirtënat’ e ndytë kur e vijin’ ore, i bijinë përpara ende gërthiçinë, tue thanë, se: Ti je i Bir’ i Perëndisë.
12 Po ai i qirtonte shumë, qi të mos e shpërfaqinë.
13 Mbasandai hypën ndë malt, ende thërret për-anë vetëhesë sa vetë deshi ai, ende ata voitnë ke ai.
14 Ende ai sgjodhi dy-mbë-dhitë vetë , qi të jenë bashkë me atë, ende qi t’i dërgojë me predikumë,
15 ende të ken’ urdhënë me shëndoshunë sëmundëjetë, ende me nxierrë diajtë:
16 Simoninë, qi ia vuni emninë Pietër;
17 ende Iakobinë të birin’ e Zebedeut; ende Gjionninë të vëllan’ e Iakobit; ende ua vuni emëninë Boanerges, qi do me thanë: të Bijt’ e bumbullimësë;
18 ende Andrenë, ende Filippin’, ende Bartholomenë, ende Matthenë, ende Thomanë, ende Kananitin’, ende Iakobinë të birin’ e Alfeut, ende Thaddenë, ende Simon Kananitin’,
19 ende Iudën’ Iskariotinë, i cilli e trathtoi.
20 Mbasandai vinë ndë nji shtëpi. Ende mbëlidhetë për-së-ri gjindëje, kaqi sa ata s’mundeshinë me ngranë as bukë.
21 Ende nierëzit’ e ati kur ndëgjunë, dulnë me e zanë, sepse thoshinë, se ka dalunë menç.
22 Ende Shkruisitë qi sdripnë prei Ierusalemit, thoshinë, se ka Beelzebulin’, ende se nxir diajtë me të parin’ e diajvet.
23 Po ai si thirri ata për-anë, u thoshte me parabulla: Si mundetë Satanai me nxierrë Satananë?
24 Ende ndë u daftë nji mbëretëni kundrë vetëvetëhesë, ajo mbëretëni s’mundetë me qindrumë.
25 Ende ndë u daftë nji shtëpi kundrë vetëvetëhesë, ajo shtëpi s’mundetë me qindrumë,
26 Ende Satanai ndë u ngritë kundrë vetëvetëhesë, ende u da, s’mundetë me qindrumë, po ka të mbarume.
27 Askushi s’mundetë me hymë ndë shtëpit të fortit për me rrëmbym’ enët’ e ati, pa mos lidhunë ma përpara të fortinë; ende atëherë ka me rrëmbymë shtëpin’ e ati.
28 Me të vërtet po u thom juve, se gjithë fajetë kanë me u falunë të bijvet nierëzëvet, ende vlasfimiatë, sado qi të vlasfimojnë,
29 po ai qi të vlasfimojë kundrë Shpirtit Shenjt, s’ka me iu falunë për gjithë jetënë, por ashtë fajtur i mundimit pasosunë,
30 sepse thoshinë, se : Ka shpirt të ndytë.
31 Vinë pra të vëllazënit’ ende e ama e ati, ende si ndejtnë jashtë, dërgunë ke ai, për me e thirrunë.
32 Ende rreth ati rrinte gjindëje, ende i thanë: Ngje jot amë ende t’yt vëllazën ke po të kërkojnë jashtë.
33 Po ai u përgjeq atyneve, tue thanë: Kush ashtë ama eme, a vëllazënit’ e mi?
34 Ende si vuni ore rreth ata qi rrijinë për-an’ ati, tha: Ngje ama eme, ende vëllazënit’ e mi!
35 Sepse ai qi të bajë dashunimin’ e Perëndisë, kyi asht’ em vëlla, ende eme motër, ende amë.
Njeriu me dorë të tharë
(Mt 12.9-14Lk 6.6-11)1 Jezui hyri përsëri në një sinagogë dhe aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. 2 Farisenjtë e vëzhgonin me kujdes për të parë nëse do ta shëronte ditën e shtunë, që të mund ta padisnin. 3 Jezui i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e dil në mes!». 4 Pastaj iu drejtua atyre: «A është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën, të shpëtosh një jetë apo të vrasësh?». Por ata heshtën. 5 Jezui pa përreth i zemëruar dhe, me keqardhje për ngurtësimin e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua plotësisht.
6 Farisenjtë dolën përjashta e u këshilluan me herodianët që ta vrisnin.
Turma në bregun e liqenit
7 Jezui shkoi bashkë me dishepujt drejt liqenit, ku e ndoqi një turmë e madhe njerëzish nga Galilea e Judeja, 8 nga Jerusalemi e Idumeja, nga bregu tjetër i Jordanit, nga rrethinat e Tirit e të Sidonit. Ishte një turmë e madhe që, me të dëgjuar çfarë bënte, erdhi tek ai. 9 Jezui u tha dishepujve t'i bënin gati një varkë të vogël, që të mos e shtypte turma, 10 sepse ai kishte shëruar aq shumë veta, saqë të gjithë ata që kishin sëmundje shtyheshin drejt tij për ta prekur. 11 Kur e shihnin, shpirtrat e ndyrë binin përmbys para tij, duke thirrur: «Ti je Biri i Perëndisë». 12 Dhe ai i urdhëronte rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të.
Zgjedhja e të dymbëdhjetëve
(Mt 10.1-4Lk 6.12-16)13 Pastaj u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që donte. Ata shkuan tek ai 14 dhe ai caktoi të dymbëdhjetët, që i quajti apostuj , që të qëndronin me të e t'i dërgonte të predikonin, 15 duke u dhënë pushtet për të dëbuar djajtë. 16 Ja të dymbëdhjetët : Simoni, të cilit i vuri emrin Pjetër, 17 Jakobi, biri i Zebedeut, e Gjoni, vëllai i Jakobit, të cilëve u vuri emrin Boanerges, që do të thotë «bijtë e bubullimës», 18 Andrea e Filipi, Bartolomeu e Mateu, Thomai e Jakobi, biri i Alfeut, Tadeu, Simon Kananiti 19 e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.
Jezui dhe Beelzebuli
(Mt 12.22-32Lk 11.14-23Lk 12.10)20 Pastaj Jezui shkoi në një shtëpi dhe përsëri u mblodh një turmë, sa nuk mundën as të hanin bukë. 21 Kur e morën vesh këtë gjë, të afërmit e tij erdhën ta merrnin, sepse thoshin: «Nuk është në vete». 22 Por shkruesit që kishin ardhur nga Jerusalemi thoshin: «Ka Beelzebulin brenda dhe i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve».
23 Jezui i thirri pranë vetes e filloi t'u fliste me shëmbëlltyra: «E si është e mundur që Satani të dëbojë Satanin? 24 Nëse një mbretëri është e përçarë, kjo mbretëri nuk mund të qëndrojë më këmbë. 25 Dhe nëse një shtëpi është e përçarë, kjo shtëpi nuk mund të qëndrojë më këmbë. 26 Nëse Satani është ngritur kundër vetes dhe është përçarë, nuk mund të qëndrojë më këmbë, por ka marrë fund. 27 Por askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë nëse nuk e ka lidhur më parë të fortin. Vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë.
28 Me të vërtetë po ju them se gjithçka do t'u falet bijve të njerëzve, edhe mëkatet që kanë bërë, edhe fyerjet ndaj Perëndisë, 29 por kushdo që fyen Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet në amshim. Ai është fajtor me mëkat të amshuar».
30 Jezui i tha të gjitha këto, sepse ata thoshin: «Është i pushtuar nga një shpirt i ndyrë».
E ëma dhe vëllezërit
(Mt 12.46-50Lk 8.19-21)31 Ndërkaq erdhën e ëma dhe vëllezërit e tij. Ata u ulën përjashta dhe dërguan dikë për ta thirrur. 32 Një turmë rrinte ulur rreth tij e dikush i tha: «Nëna jote, vëllezërit e tu e motrat janë përjashta e po të kërkojnë». 33 Ai iu përgjigj: «Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?». 34 Pastaj vështroi ata që ishin ulur rreth tij e tha: «Ja nëna ime e vëllezërit e mi. 35 Kushdo që bën vullnetin e Perëndisë është vëllai im, motra ime e nëna ime».