1 Biri im, ruaj fialët’ e mia, edhe vlo porosit’ e mia mbë vetëhet tënde.
2 Ruaj porosit’ e mia, edhe do të rronjç; edhe nominë t’im, posi dritën’ e syvet.
3 Lidh-i ato mbë gishtërat të tu, gërvisht-i ato mbi rrasët të zemërësë s’ate.
4 Thuaj diturisë: Ti je motëra ime, edhe kluaj urtësinë për fisinë (tënt),
5 që të të ruanjënë nga gruaj’ e huajë, edhe nga e huaja që të përkëdhel me fialët’ e saj.
6 Sepse nga parathireja e shtëpisë s’ime shtiva sytë ndëpër trirët,
7 e pashë ndër të marrët; vështrova ndër djemt një dialosh pa mënt,
8 i cili shkonte rrugësë përanë çipit të atillë gruaje, edhe kish marrë udhënë që vinte ndë shtëpit t’asaj,
9 vonë mbë të ngrysurit të ditësë, ndë t’errët të natësë, e nd’ errësirë,
10 edhe na tek përpiek me atë një grua (që e kish) të parëtë si kurvë, edhe zemërënë gënjeshtare,
11 lomatare edhe e paturpshëme; këmbët’ e asaj nukë qëndronjënë ndë shtëpit t’asaj,
12 tashi gjëndetë jashtë, tashi ndëpër rrugat, ri e prep mbë ç’do çip.
13 Zë atë, edhe e puth, edhe me sy e faqe të paturpshëme i thot’ ati:
14 “Kam kurbane paqtimi, sot lava kushtimet’ e mia,
15 përandaj dola të pres ty, sepse më mori malli të shoh syt’ e tu, edhe të gjeta;
16 kam shtruarë shtratinë t’im me pëlhura të linjta e të leshta qëndisurë me fije të Egjyftërisë;
17 kam pshtymurë shtratinë t’im me smirrnë, e me allojë, e me qinamomë;
18 eja le të dehemi me dashuri gjer mbë të sbardhëllyerë, le të kënaqemi me dashuri,
19 sepse nuk’ është burri ndë shtëpi, ka marrë udhë të largë;
20 mori një kuletë me argjënt ndë dorë të ti, do të kthenetë ndë shtëpi të ti pas kohe.”
21 Me shumë mjeshtëri të saj e gënjeu atë, me laikat’ e buzëvet saj e hoqi pas vetiu.
22 Përnjëherë vate pas asaj, posi kau kur vete të theretë, a posi dreri kur këcen ndë lakt,
23 gjersa t’i depërtonjë mushkurinë shëgjetulla; posi zogu që vete me vrap ndë ngraçkët, edhe nuk’ e di se është kundrë jetësë ti.
24 Tashi pra dëgjomëni, o djem, edhe mbani vesh fialëvet golësë s’ime.
25 Zemëra jote le të mos priretë mb’ udhët t’asaj, as mos kthenesh mbë rrugat t’asaj.
26 Sepse ajo bëri shumë vetë e ranë të plagosurë, edhe burra të fortë janë vrarë prej asaj.
27 Shtëpia e asaj ësht’ udhë pise, që të shpie ndër dhomat të vdekëjesë.
1 Biri im, ruaji fjalët e mia
e mbaj me vete urdhërimet e mia.
2 Mbaji urdhërimet e mia e do të jetosh,
mësimi im të jetë si ninëza e syrit tënd.
3 Lidhi në gishtat e tu,
shkruaji mbi rrasën e zemrës sate.
4 Urtisë thuaji: «Ti je motra ime»
e gjykimin quaje sivëlla,
5 që të të ruajë nga gruaja e panjohur,
nga e huaja fjalëpërkëdhelur.
6 Duke parë përmes flegrash,
prej dritares së shtëpisë sime,
7 pashë ndër thjeshtakët,
vërejta mes të rinjve,
një djalosh mendjelehtë.
8 Ai kaloi në një rruginë,
pranë qoshes së një të atille,
e u çapit drejt shtëpisë së saj,
9 në mbrëmje, kur ngryset dita,
në mug, kur bie nata.
10 Ja, takohet me një grua
veshur si lavire, me zemër dredharake;
11 e hedhur, kryeneçe,
që s'i zë këmba shtëpi,
12 që herë në rrugë e herë në sheshe,
në çdo qoshe në pritë rri.
13 Ajo e zuri dhe e puthi,
e i tha me shfytyrësi:
14 «Kam kushtuar fli paqtimi,
sot unë kushtet i kam plotësuar,
15 prandaj të kam dalë para:
të kërkova e të gjeta.
16 Mbi divanin tim kam shtrirë
basma lara-lara, beze nga Egjipti.
17 Mbi shtrat hodha pikla mirre,
aloe e kanellë.
18 Eja ta pimë me fund kupën e dashnorëve,
të dëfrejmë në dashuri deri në agim.
19 Burri nuk është në shtëpi
është nisur për udhë të largët,
20 se ka marrë me vete qesen e parave.
Kthehet në shtëpi me hënën e plotë».
21 E mikloi me lajka shumë,
e trullosi me joshjen e buzëve të saj.
22 Dhe ai befas i shkon pas,
si kau në thertore,
si dreri i zënë në lak ,
23 derisa një shtizë t'ia shpojë mëlçinë;
si një zog që rend në kurth,
por ai nuk e di se luan me jetë.
24 Ndaj, o bijtë e mi, dëgjomëni
e vëruni vesh fjalëve që po them:
25 mos të të zvargë zemra udhëve të saj,
mos u sorollat shtigjeve të saj,
26 se shumë të lënduar ajo ka gremisur
e janë të panumërt theroret e saj.
27 Shtëpia e saj është udhë skëterre,
teposhtë, në qelitë e vdekjes.