Të faniturit’ e shkretëtirësë detit.
1 Posi erat’ e shakullit të mes-ditësë që shkonjënë, (kështu) vien nga shkretëtira, nga dheu i frikëshim.
2 Të faniturë të ashpërë m’u dëftye; shtrëngatësi po shtrëngon, edhe prishësi po prish. Hip, o Elam; qerthullo, o Midhi, pushova gjithë shtrëngimet’ e asaj.
3 Përandaj mesi im është plot me të dhëmburë; më pushtuanë të dhëmbura, posi të dhëmburat’ e asaj që piell; u kurruç të dëgjonj (atë), u trazuaç ndë të parët (t’ati).
4 Zemëra ime po rreh: tristim më mori! Nata e gëzimit t’im m’u këthye ndë frikë.
5 Po bënetë gati truveza, po ruanjënë pritë, po hanë, po pinë; ngrihi, o të parët’ e ushtërisë, bëni gati nburonja.
6 Sepse Zoti më tha kështu: Shko, vërë përgjonjës, që t’apë zë ç’sheh.
7 Edhe pa dy kalorës hipurë kaluarë, një hipurë gomarit e një hipurë kamillesë, edhe mbajti vesh mirë me shumë kujdes.
8 Edhe thërriti (posi) leon, pa prëjturë: O im-zot, po rri ndë pritët ditënë, edhe po ruanj gjithë net,
9 edhe na tek po vinjënë dy burra kalorës hipurë kaluarë. Edhe u përgjeq e tha: Ra, ra Vavillona, edhe gjith’ ikonat’ e latuara të perëndivet asaj u dërrmuanë përdhe.
10 O të shirëtë t’im, edhe o gruri i lëmësë s’ime, u dëfteva juve atë që dëgjova nga Zoti i ushtërivet, Perëndisë Israilit.
11 Të faniturit’ e Dumahësë. Më thërret nga Seiri, Ronjës: Ç’ka natënë, o ronjës? Ç’ka natënë, o ronjës?
12 Ronjësi tha: Mëngjesëja erdhi, po edhe nata; ndë daçi të pyetni, pyetni, këthehi, eni.
13 Të faniturit’ e Arabisë. Do të shkoni natënë ndë pyll të Arabisë, o udhëtarët’ e Dedanimëvet.
14 Bini ujë për t’ i dalë përpara ati që ka et, o vëndësit’ e dheut Themanit; dilni përpara me bukë ati që ikën.
15 Sepse po ikënjënë nga faqeja e kordhavet, nga faqeja e kordhësë sveshurë, edhe nga faqeja e harkut ngrehurë, edhe nga faqeja e fërtymësë luftësë.
16 Sepse kështu më tha Zoti: Ndë mest të një viti, sikundrë (janë) viet e pagëtarit, do të hiqetë me të vërtetë gjithë lavdia e Qidarit;
17 edhe të mbeturit’ e numërit harkorëvet fortë nga të bijt’ e Qidarit do të vogëlonetë, sepse Zoti Perëndia i Israilit foli.
Rënia e Babilonisë
1 Profeci kundër shkretëtirës së detit:
ashtu si furtunat fshikullojnë Negevin,
ashtu do të vijë nga shkretëtira,
nga ai vend i tmerrshëm.
2 Një vegim i tmerrshëm m'u dëftua:
një tradhtar po tradhton,
një shkatërrimtar po shkatërron.
Vërsulu, o Elam! Rrethoje, o Madai!
Po i jap fund çdo rënkimi në të!
3 Prandaj po më dridhen ijët,
më kanë zënë dhimbjet si të lindjes,
dridhem i tëri nga ç'dëgjoj,
tmerrohen nga ç'më shohin sytë.
4 Më lëshoi zemra,
më pushtuan drithërimat,
muzgu, që fort e dëshiroja,
më është bërë tmerr.
5 Bëhet gati tryeza, shtrohet qilimi ,
hahet e pihet.
Ngrihuni, o prijës,
lyejeni shqytin!
6 Se kështu më tha Zoti:
«Shko e vër një vrojtues,
që të lajmërojë çka sheh.
7 Po të shohë qerre lufte,
kalorës dyshe-dyshe,
kalorës hipur mbi gomarë,
kalorës hipur mbi deve,
le t'i hapë sytë mirë,
le të vrojtojë me shumë kujdes».
8 E ja, vrojtuesi bërtiti:
«O Zot, tërë ditën kam vrojtuar pa lëvizur,
tërë natën kam qëndruar në vendrojë.
9 Por ja, po vijnë qerre lufte,
kalorës dyshe-dyshe.
Ra, ra Babilonia», do të thotë,
«Gjithë idhujt e hyjnive të saj
janë bërë copë e çikë përtokë».
10 O shirja ime! O biri i lëmit tim!
Çka dëgjova prej Zotit të ushtrive,
Perëndisë së Izraelit,
atë ju dëfteva.
Kundër Dumahut
11 Profeci për Dumahun:
nga Seiri po më thërret dikush:
«Roje, edhe sa natë ka mbetur?
Roje, edhe sa natë ka mbetur?».
12 «Po vjen mëngjesi», thotë roja,
«Por po vjen edhe nata.
Nëse doni të pyesni, pyesni,
por kthehuni edhe një herë!».
Kundër arabëve
13 Profeci për Arabinë:
nëpër kaçubat e Arabisë do ta kaloni natën,
o varganet e dedanëve!
14 Dilini përpara të eturit,
sillini ujë, o banorë të tokës së Temait!
Dilini përpara me bukë të arratisurit!
15 Se kanë marrë arratinë prej shpatës,
prej shpatës së zhveshur,
prej harkut të ndehur,
prej furisë së betejës.
16 Se kështu më tha Zoti: «Pas një viti, vit i një punëtori me mëditje, tërë madhështia e Kedarit do të marrë fund. 17 I vogël do të jetë numri i harkëtarëve të mbetur, i luftëtarëve të Kedarit, sepse ka folur Zoti, Perëndia i Izraelit».