1 Biri im, ndë u bëre dorë-zënë për mikunë tënt, ndë i dhe dorënë të huajit,
2 u zure ndë lakt me fialët’ e golësë s’ate, u zure me fialët’ e golësë s’ate;
3 bën këtë pra, o biri im, edhe shpëto, sepse re ndë duart të mikut tënt; shko, mos u loth, edhe shtrëngo mikunë tënt.
4 Mos u apsh gjum syvet tu, as të dërmiturë qepallavet tua;
5 shpëto si kapruall prej dorësë gjahtorit, edhe si zok prej dorës’ ati që zë zoq.
6 Shko te milingoneja, o purtesës, vështo udhët’ e asaj, edhe bënu i urtë,
7 e cila pa krye, pa të parë, pa qiverrnitar,
8 bën gati ushqimn’ e saj ndë verë, mbëleth të ngrënat’ e saj ndë të korrët.
9 Gjer kurë do të flësh, o përtesës? Kurë do të ngrihesh nga gjumi?
10 Pak gjum, pak të dërmiturë, pak të pshtiellurë duartë mbë gjumët,
11 pastaj vien vobezia jote posi udhëtar i shpejtë, edhe nevola jote posi burr i armatosurë.
12 Njeriu i pavëlyerë, njeriu i lik, ecën me golë të shtrembëtë;
13 bën mbë sy me syt’ e ti, flet me këmbët’ e ti, mëson me gishtërat’ e ti,
14 me zëmërë të shtrembëtë mendon të këqia mbë ç’do kohë, mbiell zënëje,
15 përandaj papandehuraj i ka për të ardhurë humbëja, papandehuraj do të thërrmonetë pa (pasurë) mjekësi.
16 Zoti mërzit këto të gjashta, po më fort këto të shtata i ka të ndoh shpirti i ati:
17 sy madhështorë, gluhë gënjështare, edhe duar që derdhënë gjak të pafajm,
18 zemërë që mendon mendime të liq, këmbë që ecënjënë me vrap mbë të bërët të keqe,
19 deshmitar të rrem që flet gënjeshtrë, edhe atë që shtyn vëllezëritë të zihenë.
20 Biri im, ruaj porosin’ e t’yt-et, edhe mos hith tej nomin’ e s’at-ëme.
21 Mba-ji lidhurë përherë ndë zëmërët tënde, var-i ndë qafët tënde.
22 Kur të ecënjç, do të heqë udhënë; kur të flësh, do të të ruanjë; edhe (kur) të shkonesh, do të flasë bashkë me ty.
23 Sepse porosia është kandile, edhe nomi është dritë, edhe qërtimet’ e diturisë (jan’) udhë jete,
24 që të të ruanjënë nga gruaj’ e keqe, nga lajk’ e gluhësë (gruasë) huajë.
25 Le të mos i teketë zemërësë s’ate për bukurin’ e asaj, edhe le të mos të gjuanjë me qepallat’ e saj.
26 Sepse për punë të kurvësë (bënetë njeriu) gjer mbë një copë buke, edhe gruaj’ e burrit, (që është kurvë) gjuan shpirt të paçimuarë.
27 A munt të vërë zjarr ndonjë ndë gji të ti, edhe të mos i digjenë rrobatë?
28 A munt të ecënjë ndonjë mbi thëngjij të dhezurë, edhe të mos i digjenë këmbëtë?
29 Kështu (edhe) ay që hyn te gruaj’ e të afërëmit ti; kush t’i qaset’ afër’ asaj, nukë do të dalë i pafajm.
30 Nuk’ e mërzitnjënë viedhësinë, kur vieth për të nginjurë shpirtin’ e ti, kur ka uri,
31 po ndë u zëntë, ka për t’i dhënë prapë për një shtatë, ka për të dhënë gjithë gjën’ e shtëpisë ti.
32 Po kush kurvëron me ndonjë grua, s’ka mënt; ay që bën këtë, vdier shpirtin’ e ti.
33 Do të ketë plagë e turpëri, edhe turpëria e ati nukë do të shuhetë.
34 Sepse zëlia është marrësi’ e burrit, edhe s’i ka për të ardhurë keq ndë ditët të marrëjesë shpagimit.
35 Nukë do të marrë asndonjë shpërblim, as nukë do të sbutetë, edhe ndë ja shumofsh dhuratatë.
Mbi dorëzaninë
1 Biri im, nëse ke hyrë dorëzanë për mikun tënd,
nëse ke dhënë dorën për një të huaj,
2 fjalët e gojës sate të kanë zënë në grackë
e je i kapur për fjale.
3 Atëherë, biri im, ja si do të bësh për t'u çliruar,
pasi ke rënë në dorë të mikut tënd:
shko, përulu para tij e prishja qetësinë.
4 Mos vër gjumë në sy,
as mos u jep prehje qepallave të tua.
5 Çlirohu porsi sorkadhja nga laku,
si zogu nga dora e gjahtarit.
Përtaci dhe milingona
6 Shko, o përtac, e shih milingonën,
shiko si vepron ajo e bëhu i urtë.
7 Ajo nuk ka as epror,
as mbikëqyrës, as pronar,
8 por verës bën gati ushqimin e vet
e, kur vijnë të korrat, mbledh hajen e vet.
9 Deri kur, o përtac, do të rrish shtrirë?
Kur do të çohesh nga gjumi?
10 Pak gjumë e pak dremitje,
pak duarkryq për të pushuar,
11 e ashtu vjen skamja, si endacak,
e varfëria si një shqytar.
I marri
12 Njeriu i pavlerë e burri i prapë
endet gojëçartur,
13 picërron sytë, përplas këmbët
e flet me gishta.
14 Në zemër mbart ligësi,
sheston përherë të keqen
e mbjell ndasi.
15 Ndaj befas do e zërë e zeza,
papandehur do të bjerë pa gjetur shërim.
Shtatë neveritë
16 Gjashtë gjëra urren Zoti,
madje shtatë i neveriten:
17 sytë mburravecë, gjuha gënjeshtare,
duart që derdhin gjakun e pafaj,
18 zemra që sheston synime të liga,
këmbët që turren kah e keqja,
19 dëshmitari i rremë që pjell gënjeshtra
e kush mbjell ndasi ndër vëllezër.
Porositë atërore
20 Zbatoje, o biri im, urdhërimin e atit tënd,
e mos e shpërfill mësimin e nënës sate,
21 ngulite përgjithmonë në zemër
e vare rreth qafës,
22 se, kur ecën, të drejton,
kur pushon, të ruan
e kur zgjohesh, të flet.
23 Urdhërimi është llambë e udhëzimi dritë.
Parimet qortuese janë udha e jetës,
24 se të ruajnë nga gruaja e përdalë,
nga fjalët ëmbëlake të gruas së panjohur.
25 Mos të të epet zemra prej bukurisë së saj
e mos bjer pre e qepallave të saj,
26 se gruaja lavire lyp veç një copë bukë,
por gruaja e martuar të merr nderin e jetës.
27 Po burri, a e mban dot zjarrin në gji,
pa i djegur petkat?
28 A ecën njeriu mbi prush
pa iu përcëlluar këmbët?
29 As ai që i qaset gruas së huaj,
që e prek atë, nuk do t'i ikë ndëshkimit.
30 Vjedhësi nuk poshtërohet
po vodhi prej urisë,
për të mbajtur shpirtin gjallë,
31 por po u kap, do të kthejë shtatëfishin
e do të japë krejt pasurinë e shtëpisë.
32 Kush shkel kurorën, është i pamend,
kush bën kështu, shkatërron jetën e vet.
33 Marre e plagë do të mbledhë
e turpi i tij nuk do të shlyhet,
34 se xhelozia e burrit është e tërbuar,
ai s'do të ketë mëshirë në ditën e hakmarrjes.
35 Ai s'pajtohet me asnjë dëmshpërblim,
nuk pranon asnjë mitëmarrje.