1 Ay njeri që bënetë kokë-trashë kur qërtonetë, do të humbasë papandehuraj, edhe pa shërim.
2 Kur madhëronenë të dreitëtë, gjëndëja gëzonetë, po kur urdhëron i paudhi, gjëndëja psherëtin.
3 Kush do urtësinë, gëzon tanë, po kush përzihetë me kurva, prish pasëjen’ (e ti).
4 Mbëreti forcon vëndinë me anë të dreitërisë, po kush merr mitë, e prish atë.
5 Ay njeri që përkëdhel t’afërmin’ e ti, nden rrietë përpara çapavet ati.
6 Njeriu i lik zihetë ndë të shtrembëtët, po i dreiti këndon e gëzonetë.
7 I dreiti njeh gjyqin’ e të vobegut, po i paudhi nukë di të njohurë.
8 Njerëzitë përqeshës i apënë flakë qytetit, po të urtëtë kthenjënë mbë-nj’-anë zemëriminë.
9 Njeriu i urtë kur hahet me njerin’ e marrë, ndo kur zemëronetë, ndo kur qesh, nukë gjen të prëjturë.
10 Njerëzitë gjakëtorë mërzitnjënë të dreitinë, po të dreitëtë kërkonjënë jetën’ e ati.
11 I marri çfaq gjithë zemërën’ e ti, po i urti e përmba atë prapazi.
12 Ay që urdhëron ndë u mbajtë vesh fialëvet rreme, gjithë shërbëtorët’ e ati (bënenë) të këqij.
13 I vobek edhe hua-dhënës përpiqenë bashkë: Zoti u ndrit sytë të dyve.
14 Mbëreti kur gjykon dreitë të vobeqtë, froni i ati do të forconetë për kurdo.
15 Shkopi edhe qërtimi apënë dituri, edhe diali i lëshuarë turpëron t’ëmënë.
16 Kur shumonenë të liqtë, shtonet’ e liga, po të dreitëtë kanë për të parë të rrëzuarët’ e atyre.
17 Mundo t’ët-bir, edhe do të t’apë të prëjturë, edhe do t’i apë gëzim shpirtit tënt.
18 Atie tek s’ka të faniturë, gjëndëja baretë, po ay që ruan nomnë, ësht’ i lumurë.
19 Shërbëtori nukë ndreqetë me fialë, sepse kupëton, po nukë dëgjon.
20 A pe njeri të shpejtë mbë fialët? Më tepërë shpëresë është mbë të marrinë, se mb’ atë.
21 Ndë rrittë ndonjë shërbëtorin’ e ti që së vogëli me të butë, më ndë funt do të bënetë bir.
22 Njeriu zemërak dhes qarta, edhe njeriu i mërishëm shton të ligatë.
23 Madhështia e njeriut do t’e përunjë atë, po zemër-unjurin’ e nderonjënë.
24 Kush ndan bashkë me kursarinë, uren shpirtin’ e ti, dëgjon benë, edhe nukë rrëfen.
25 Frika e njeriut ngreh kurth, po kush shpëren mbë Zotinë do të vihetë lart ndë siguri.
26 Shumë vetë kërkonjënë syt’ e mbëretit, po gjyqi i njeriut (është) prej Zotit.
27 Njeriu i paudhë (ësht’) i ndohëtë ndër të dreitët; edhe i dreiti mb’ udhët, ësht’ i ndohëtë ndër të paudhët.
1 Kush është kokëfortë ndaj qortimeve,
shpejt do të rrënohet e nuk do të shërohet.
2 Kur mbizotërojnë të drejtët, populli gëzon,
kur sundon i paudhi, populli rënkon.
3 Kush e do urtinë, e gëzon të atin,
por kush shkon me lavire, shfaros pasurinë.
4 Me drejtësi, mbreti e bën të qëndrueshëm vendin,
por, kush e rëndon me tagra, e shkatërron.
5 Kush i bën lajka mikut,
i hedh rrjetën këmbëve.
6 Kush bën shkelje, i ngre kurth vetes,
por i drejti brohoret e gëzohet.
7 I drejti ua njeh të drejtën skamnorëve,
por i paudhi nuk ha arsye.
8 Njerëzit qesëndisës e ndezin qytetin,
por të urtët e zmbrapsin zemërimin.
9 I urti, që ngatërrohet me të marrin,
nxehet, qeshet e s'gjen prehje.
10 Gjakësorët e urrejnë të përkryerin,
por të drejtët kujdesen për të.
11 I marri e shfryn gjithë dufin,
por i urti përmbahet e qetësohet.
12 Prijësi që u vë vesh fjalëve të rreme,
të gjithë shërbëtorët i ka të paudhë.
13 Këtu puqen skamnori e shtypësi:
dritën e syve ua jep Zoti të dyve.
14 Nëse mbreti gjykon me drejtësi skamnorët,
froni i tij do të qëndrojë përgjithmonë.
15 Shkopi dhe qortimi japin urti,
por i riu që lihet i lirë, turpëron të ëmën.
16 Kur mbizotërojnë të paudhët, mbizotëron krimi,
por të drejtët do ta shohin përmbysjen e tyre.
17 Qortoje birin e do të të lërë të qetë,
do të ta kënaqë shpirtin.
18 Kur s'ka vegim profetik, populli shthuret,
por lum ai që mban ligjin.
19 Skllavi nuk ndreqet me fjalë,
të kupton, por s'i vë në zbatim.
20 E shikon njeriun që ngutet për të folur?
Shpreso prej të marrit më shumë se prej tij.
21 Kush e përkëdhel skllavin që në rini,
në fund do të ketë kokëçarje.
22 Gjaknxehti nxit grindje,
idhnaku bën shumë faje.
23 Krenaria do ta poshtërojë njeriun,
por kush përulet, merr nderime.
24 Kush bëhet ortak me vjedhësin, urren veten,
e dëgjon përbetimin, por nuk e tregon.
25 Frika nga njerëzit të vë lakun,
kush beson në Zotin, është i mbrojtur.
26 Shumë e kërkojnë përkrahjen e prijësit,
por e drejta e njeriut vjen prej Zotit.
27 Të drejtëve u neveritet njeriu i padrejtë,
të paudhit i neveritet kush jeton me drejtësi.