1 Edhe këto (janë) fialët’ e urta të Sollomonit, që mbëlothnë njerëzit’ e Ezeqiut, mbëretit Judhësë.
2 Lavdia e Perëndisë (është) të mbulonjë kafshënë, edhe lavdia e mbëretëret (është) të gjenjë kafshënë.
3 Të lartët’ e qiellit, e të thellët’ e dheut, e zemëra e mbëretëret s’kanë të kërkuarë.
4 Hiq ndryshkunë nga argjëndi, edhe do të dalë enë te argjëndari;
5 hiq të paudhëtë prej sysh mbëretit, edhe froni i ati do të forconetë ndë dreitëri.
6 Mos u mburr përpara mbëretit, edhe mos rri ndë vënt të mëdhenjet,
7 sepse më mirë (është) të të thonë: Hip këtu, se të sbreç përpara sysh të madhit, që panë syt’ e tu.
8 Mos shko shpejt të zihesh, mbase nukë (di se) ç’të bëjsh më ndë funt, kur të të turpëronjë i afërmi yt.
9 Ndreq gjyqinë tënt (vetëmë) bashkë me të afërminë tënt, edhe mos sbulo të fshehëtënë te tiatri,
10 se mos të shanjë ay që dëgjon, edhe nukë hiqetë turpëria jote.
11 Fiala që flitetë tek ka vëndinë është (posi) mollë t’arta ndër enë t’argjëntta.
12 Posi vëthë t’artë, edhe posi stoli prej ari të këthiellëtë, (ësht’) i urti që qërton veshn’ e dëgjuarshim.
13 Posi të ftohëtit’ e borësë ndë kohë të korrit, (kështu ësht’) i lajmi besëtar tek ata që e dërgonjënë, sepse prën shpirtet’ e të zotëret ti.
14 Kush mburretë për dhurëtin’ e gënjeshtrë (i gjan) resë e erësë pa shi.
15 Zotërisë i mbushetë mëndëja nga durimi; edhe gluh’ e ëmbëlë thyen eshtëra.
16 Gjete mjaltë? Mos ha tepërë, se mos fryhesh tepërë nga ajo, edhe ta viellsh.
17 Rrallë vërë këmbënë tënde ndë shtëpit të afërmit, se mos rëndonetë e të mërzitnjë.
18 Ay njeri që deshmon deshmi të rreme kundrë të afërmit ti, (është posi) kopaçë, e (posi) thikë, e (posi) shëgjet’ e hollë.
19 Besa e të pabesit ndë ditë të zezë, (është posi) dhëmb’ i kalburë, e (posi) këmb’ e dalë vëndit.
20 (Posi) ay që svesh rrobënë ndë kohë të ftohëtë, (e posi) uthëlla mbi nitrët, kështu (ësht’) ay që i këndon kënkë zëmërësë helmuarë.
21 Ndë ka uri arëmiku yt, ep-i bukë të hajë, edhe ndë ka et, ep-i ujë të pijë,
22 sepse do të grumbullonjç thëngjij zjarri mbi kryet t ati, edhe Zoti do të ta shpaguanjë.
23 Er’ e borësë dëbon shinë, edhe faqëja e vrërëtë gluhënë që pështëllin.
24 Më mirë të rrijë (njeriu) ndë çip të kasollësë, se ndë shtëpi të madhe bashkë me grua që i k’ënda të zihetë.
25 (Posi) ujët’ e ftohëtë ndë shpirt të eçim, kështu (është) zër’ i mirë nga dheu i largë.
26 I dreiti kur fëlen përpara të paudhit (është) posi gjurr’ e trubullë, e (posi) kroi i prishurë.
27 (Sikundrë) nuk’ (është) mirë të hajë njeri shumë mjaltë, kështu (nuk’ është) mirë të kërkonjë lavdin’ e ti.
28 Kush nukë përmba shpirtin’ e ti, (është posi) qytet i rrëzuarë, e pa mur.
Vijimi i fjalëve të Solomonit
1 Edhe këto që kanë mbledhur njerëzit e Ezekisë, mbretit të Judës, janë fjalët e urta të Solomonit.
2 Lavdia e Perëndisë është të veprojë në fshehtësi,
lavdia e mbretërve është të zbulojnë gjërat e fshehta.
3 Qielli i lartë, toka e thellë e zemra e mbretit,
janë të pashqyrtueshme.
4 Hiqja ndryshkun argjendit
e argjendari bën enën,
5 hiqja sysh mbretit të paudhin
e froni i tij do të mbështetet në drejtësi.
6 Mos u mburr para mbretit
e mos qëndro në vendin e të mëdhenjve,
7 se është më mirë të të thonë: «Ngjitu këtu!»,
sesa të të përulin në sytë e fisnikut
që e pe me sytë e tu.
8 Mos shko me ngut në gjykatë,
se çfarë do të bësh në fund,
kur të të turpërojë fqinji?
9 Çështjen tënde rrihe me fqinjin tënd,
por të fshehtën e tjetrit mos e zbulo,
10 se kush të dëgjon, të turpëron
e çfarë ke përfolur s'mund ta kthesh mbrapsht.
11 Si mollë e artë në enë argjendi
është fjala e thënë kur duhet.
12 Si vath i artë e si stoli ari të kulluar
është i urti që qorton veshin e dëgjueshëm.
13 Si freskia e dëborës në kohë të korrash
është lajmëtari besnik për atë që e dërgon.
14 Si retë dhe era, por pa shi,
është edhe kush mburret për dhuratat që s'i bën.
15 Princi mund të bindet me durim
e gjuha e butë i thyen kockat.
16 Nëse ke gjetur mjaltë, ha sa mjafton,
se po e teprove, do ta vjellësh.
17 Shkel rrallë në shtëpinë e fqinjit,
që të mos lodhet me ty e të të urrejë.
18 Çekan, shpatë e shigjetë e mprehtë
është ai që jep dëshmi të rreme kundër të afërtit.
19 Si dhëmb i prishur e këmbë e ndrydhur
është shpresa në të pabesin në ditë ngushtice.
20 Të këndosh para zemërvrarit
është si të zhvishesh në ditë të ftohtë,
si të hedhësh uthull mbi plagë.
21 Po të ketë uri armiku yt, jepi bukë të hajë,
po të ketë etje, jepi ujë të pijë,
22 se kështu grumbullon prush mbi kokën e tij
e Zoti do të të shpërblejë.
23 Era e veriut sjell shiun,
gjuha murmuritëse fytyrën e ngrysur.
24 Më mirë të banosh në qoshen e pullazit,
se të ndash shtëpinë me gruan grindavece.
25 Si uji i freskët për një shpirt të etur
është lajmi i mirë nga dheu i largët.
26 Si gurrë e ndotur e si burim i turbullt
është edhe i drejti që luhatet para të paudhit.
27 Të hash tepër mjaltë e të kërkosh nderim pas nderimi,
nuk është mirë.
28 Si kështjellë e thyer e pa mure
është edhe njeriu që s'e sundon veten.