1 Kur të rrish të hash bashkë me bujar, vështro mirë (ato që kanë vënë) përpara teje,
2 edhe vër-i thikënë qafësë s’ate, ndë je hamës.
3 Mos dëshëro gjellët’ e ati, sepse këto janë të ngrëna kobimi.
4 Mos ki kujdes të bënesh i pasurë, hiq dorë prej mëntëjesë s’ate.
5 A do të shtiesh sytë mbi atë gjë që s’është? Sepse (pasëja) bën me të vërtetë për vetëhen’ e saj krahë, e fluturon ndë qiell posi shqiponjë.
6 Mos ha bukën’ e smir-keqit, as mos dëshëro gjellët’ e ati,
7 sepse sikundrë mendon ndë zemërët të ti, i këtillë është. Ha e pi, thotë ty, po zemëra e ati nuk’ është bashkë me ty.
8 Bukënë (që) hëngre do t’e viellç, edhe do të humbasç ligjëratat’ e ëmbëla.
9 Mos i këshillo ndë vesht të marrit, sepse do të hedhë poshtë urtësin’ e fialëvet tua.
10 Mos çkul kufinj të vietërë, edhe mos shkel nd’ arët të varfërëvet,
11 sepse Shpërblimtari i atyre (ësht’) i fortë; ay do të shikonjë gjyqin’ e atyre kundrë teje.
12 Ngjit zëmërënë tënde pas mësimit, edhe veshët’ e tu pas fialëvet urtësisë.
13 Mos u kurce të mësonjç dialënë, sepse ndë i rënç ati me shkop, nukë do të vdesë;
14 tuke i rënë ati me shkop, do t’i shpëtonjç shpirtinë nga hadhi.
15 Biri im, ndë u bëftë zëmëra jote e mënçëme, do të gëzonet’ edhe zemëra ime;
16 edhe veshnjet’ e mia do të gëzonenë, kur të flasënë dreitë buzët’ e tua.
17 Zemëra jote le të mos u ketë zëli faltorëvet, po (ki) frikë Zotit gjithë ditënë,
18 sepse me të vërtetë (është) shpagim, edhe shpëresa jote nukë do të këputetë.
19 Pa dëgjo ti, o biri im, edhe bënu i urtë, edhe drejto zemërënë tënde mb’ udhët.
20 Mos rri bashkë me verë-pirësit, as bashkë me plank-prishësit që hanë mish,
21 sepse verë-pirësi edhe plank-prishësi do të bënenë të vobeq, edhe gjumashi do të vishetë me lecëka.
22 Dëgjo-i t’-yt-et që të ka piellë, edhe mos e përqesh t’et-ëmë, kur të plaketë.
23 Bli të vërtetënë, edhe mos e shit diturinë, e mësimnë, e urtësinë.
24 I ati të dreitit do të gëzonetë fort, edhe kush piell (bir) të urtë, do të gëzonetë për atë.
25 Yt-atë e jot-ëmë do të gëzonenë, po më fort do të gëzonet’ ajo që të polli.
26 Biri im, ep-më zëmërënë tënde, edhe syt’ e tu le të shikonjënë udhët’ e mia,
27 sepse kurva (është posi) grop’ e thellë, edhe e huaja posi pus i ngushtë.
28 Edhe ajo bën pritë posi kursar, edhe shton faltorëtë ndër njerëzit.
29 Kush (ësht’) i mierë? Kush psherëtin? Kush zihetë? Kush flet fialë të kota? Kush rrihetë pa ndonjë punë? Kush kuq sytë?
30 Ata që ngrysenë ndë verët, ata që shkonjënë kohënë tuke kërkuarë verë të mirë.
31 Mos vështro verënë se ësht’ e kuqe, se ngjyen qeftinë, se sbret shijazi.
32 Më ndë funt kafshon posi gjarpër, thumbon posi beronjë;
33 syt’ e tu do të shikonjënë (gra) të huaja, edhe zemëra jote do të flasë (fialë) të paturpshime;
34 edhe do të jesh posi ay që flë ndë kërthizët të detit, edhe posi ay që dirgjetë ndë majët të drusë lundrësë;
35 (do të thuash) Më bininë, edhe nukë më dhëmpte, më rrihninë, edhe nukë ndinjam, kurë do të sgjonem, që të vete, e të kërkonj atë përsëri?
1 Kur të ulesh për të ngrënë me një prijës,
ki kujdes kë ke përballë.
2 Vëri fre grykës,
nëse je hamës.
3 Mos i dëshiro gjellët e tij,
se janë bukë e pabesë.
4 Mos u lodh për pasuri,
por hiq dorë me mençuri.
5 Ia hedh sytë, por s'është më,
se vë krahë si shqiponja
e fluturon në qiell.
6 Mos ha bukën e të ligut
e mos i dëshiro gjellët e tij,
7 se ai bën llogari me vete.
Të thotë: «Ha e pi!»,
por me zemër s'është me ty.
8 Kafshatën që ke ngrënë do ta vjellësh
e fjalët e bukura do t'i shkosh dëm.
9 Mos i fol në vesh të marrit,
se do ta përçmojë urtinë e mësimit tënd.
10 Mos e lëviz kufirin e kahershëm
e mos hyr në arën e jetimit,
11 se shpaguesi i tyre është i fortë
e do ta mbrojë çështjen e tyre ndaj teje.
12 Ushtroje zemrën me parimin
e veshët me fjalët e dijes.
13 Mos rri pa e qortuar të riun,
se nuk do të vdesë po t'i biesh me shkop.
14 Bjeri me shkop,
se e shpëton nga skëterra.
15 Biri im, nëse zemra jote do të jetë e urtë,
edhe zemra ime do të ngazëllejë.
16 Do të më gëzohet shpirti,
kur buzët e tua të thonë të drejtën.
17 Të mos i ketë zili zemra jote mëkatarët,
por jeto gjithmonë me drojën e Zotit,
18 se do të kesh të ardhme
e nuk do të të pritet shpresa.
19 Dëgjomë, o biri im, bëhu i urtë,
drejtoje zemrën tënde në udhën e drejtë.
20 Mos u shoqëro me ata që dehen me verë,
me ata që s'ngopen së ngrëni mish,
21 se pijaneci e grykësi do të skamen
e përgjumja do t'i veshë me zhele.
22 Dëgjoje tët atë që të ka lindur,
mos e përçmo nënën në pleqëri.
23 Blije e mos e shit të vërtetën,
urtinë, rregullin e kuptimin.
24 Sa shumë gëzohet ati i të drejtit
e sa lumturohet ai që lind të urtin!
25 Le të lumturohen ati yt e nëna jote,
le të gëzojë ajo që të lindi.
26 Vëmë vesh, biri im,
e le të kënaqen sytë e tu me udhën time.
27 Lavirja është gropë pa fund,
e huaja pus i ngushtë.
28 Ajo rri në pritë si vjedhësi
dhe e shton numrin e burrave tradhtarë.
29 Vaj kush, e mjerë për kë!
Për kë janë zënkat e ankimet?
Për kë janë plagët e kota dhe sytë e lëbyer?
30 Për atë që jepet pas verës,
për ata që shijojnë pije të përziera.
31 Mos e shiko verën si kuqëlon,
si përshkëndit në kupë
e rrjedh lëmuar,
32 se në fund të kafshon si gjarpri
e të pickon si nepërka.
33 Sytë e tu do të shohin çudira
e zemra jote do të thotë prapësi.
34 Do të jesh si ai që fle në mes të detit,
si ai që rri shtrirë majë direkut.
35 «Më kanë goditur, por s'më dhemb,
më kanë rrahur, por s'di gjë.
Po kur të zgjohem? Prapë do të më pihet».