1 Zemëra e mbëretit (është) ndë dorët të Zotit posi rriedhë ujërash: ku të dojë, këthen atë.
2 Gjith’ udhët’ e njeriut i dukenë të dreita ndër syt t’ati, po Zoti peshon zemëratë.
3 Të bënjë ndonjë dreitëri e gjyq, është më e pëlqyerë te Zoti se kurbani.
4 Syri i keq, e zemëra madhështore, e drit’ e të pabesëvet, (janë) fale.
5 Mendimet’ e kujdestarit (janë) vetëmë mbë të plotë, po ç’do madhështori (janë) me të vërtetë për nevolë.
6 Të fituarët’ e gjësë me gluhë të rreme (është) të kotë të paqëndruarë ndër ata që kërkonjënë vdekëje.
7 Rrëmbesat’ e të pabesëvet do t’i humbasnjën ata, sepse s’duanë të bënjënë të dreitënë.
8 Udh’ e njeriut prishurë (ësht’) e shtrëmbëtë, po pun’ e të qëruarit (ësht’) e dreitë.
9 Më mirë të rrijë (njeriu) ndë çipt të dhomësë, se ndë shtëpi të gjërë bashkë me grua që do zënëje.
10 Shpirti i të paudhit dëshëron të ligënë, i afërmi nukë gjën hirë ndër syt t’ ati.
11 Kur mundonetë përqeshësi, i mituri bënetë më i urtë; edhe i urti kur mësonetë, xë mënt.
12 I dreiti mendonetë për shtëpin’ e të paudhit, (po) të paudhëtë rrëzonenë ndë të keqet.
13 Kush zë veshët’ e ti, kur klëthet i vobegu, do të klëthasë edhe ay, po nukë do të dëgjonetë.
14 Dhurat’ e fshehurë sbut zemëratë, edhe dhurëtia ndë gji (sbut) mëri të fortë.
15 (Është) gëzim për të dreitinë të bënjë gjyq, po për punëtorët’ e së paudhësë (është) prishëje.
16 Njeriu që ka humbur’ udhën’ e urtësisë ka për të ndenjurë ndë mbëledhëjet të vrarëvet.
17 Kush do dëshërimnë (do të bënet’) i vobek; kush do verë e mirrë nukë do të bënet’ i pasurë.
18 I pabesi (do të jetë) shkëmbes’ e të dreitit, edhe faltori (do të jetë) shpërblim i të dreitëvet.
19 Më mirë të rri (njeriu) ndë dhe të shkretë, se bashkë me grua qartatore e zemërake.
20 Thesar i paçimuarë edhe mirra (gjëndenë) ndë shtëpi të urtit, po njeriu i marrë i prish ato.
21 Kush gjuan dreitëri e përdëllim do të gjënjë jetë, e dreitëri, e lavdi.
22 I urti rrëzon qytetin’ e të fortëvet, edhe heth poshtë murin’ e shpëresës’ ati.
23 Kush ruan golën’ e ti e gluhën’ e ti, ruan shpirtin’ e ti nga shtrëngimetë.
24 Madhështuar e perqeshës krye-lartë kluhet’ ay që punon me zemërim madhështie.
25 Dëshërimetë vrasën’ atë që purton, sepse duart’ e ati nukë duanë të punonjënë;
26 gjithë ditënë dëshëron dëshërime, po i dreiti ep edhe s’kurcen.
27 Kurbani i të pabesëvet (ësht’) i ndohtë; shumë më tepërë (kur) e bien’ atë me dreqësi.
28 Deshmitari i rrem do të vdiretë, po ay njeri që bindetë do të flasë përherë.
29 Njeriu i paudhë ashpëron faqen’ e ti, po i dreiti drejton udhët’ e tia.
30 S’ka dituri, as urtësi, as këshille, kundrë Zotit.
31 Kali bënetë gati për ditën’ e luftësë, po shpëtimi është prej Zotit.
1 Zemra e mbretit është si rrjedhë uji në dorën e Zotit,
ai e kthen nga t'ia ketë ënda.
2 Njeriut i duken të drejta të gjitha rrugët,
por zemrat i peshon Zoti.
3 Të zbatosh të drejtën e drejtësinë
i pëlqen Zotit më shumë se flijimet.
4 Dritë e të paudhëve është mëkati,
shikim poshtërues e zemër mburracake.
5 Synimet e zelltarit sjellin mbarësi,
por kushdo që ngutet përfundon në skamje.
6 Thesaret e mbledhura me gënjeshtra
janë si avulli i davaritur nga ndjekësit e vdekjes.
7 Të paudhët i zvarrit dhuna e vet,
sepse i kundërvihen drejtësisë.
8 Udha e fajtorit është e shtrembër,
vepra e të pastrit është e drejtë.
9 Është më mirë të banosh në qoshen e një pullazi,
se të ndash shtëpinë me një grua grindavece.
10 Shpirti i të paudhit dëshiron të keqen
e para tij s'gjen falje as i afërti.
11 Kur ndëshkohet përqeshësi, urtohet thjeshtaku,
kur mësohet i urti, nxë dijen.
12 I drejti e vëzhgon shtëpinë e të paudhit,
i plandos të paudhët në zezonë.
13 Kush mbyll veshët ndaj britmës së skamnorit,
do të bërtasë vetë e nuk do të marrë përgjigje.
14 Dhurata e fshehtë zbut zemërimin
mita e dhënë nën dorë, tërbimin.
15 I drejti gëzohet kur bëhet drejtësia,
por bakëqijtë tmerrohen.
16 Njeriu që shmanget nga udha e mençurisë
do të prehet në botën e hijeve.
17 Kush jepet pas kënaqësisë është njeri i skamur,
kush jepet pas verës e vajrave erëmirë nuk do të pasurohet.
18 I paudhi do të paguajë për të drejtin,
e i prapi për të mbarin.
19 Më mirë të banosh në vend të shkretë,
se me një grua grindavece e zemërake.
20 Thesare tërheqëse e vajra erëmirë në shtëpinë e të urtit,
por i përlan i marri.
21 Kush ndjek drejtësinë e mirësinë,
do të gjejë jetë, drejtësi e nder.
22 I urti e sulmon qytetin e të fortëve,
ia shemb fortesën ku e kishte varur shpresën.
23 Kush mban gojën e gjuhën e vet,
ruan veten nga vështirësitë.
24 Krenari e mendjemadhi e kanë emrin përqeshës
dhe veprojnë me mburrje të tepërt.
25 Përtaci vdes nga dëshirat e veta,
se duart e tij s'duan të punojnë.
26 Lakmitari lakmon gjithë ditën,
i drejti jep pa kursim.
27 Flija e të paudhit është e neveritshme,
aq më tepër kur kushtohet me prapësi.
28 Dëshmitari i rremë do të marrë fund,
por njeriu që dëgjon do të flasë gjithmonë.
29 I paudhi vrenjt fytyrën,
por i drejti kalit sjelljen.
30 Nuk ka urti, s'ka mençuri
e s'ka këshillë përballë Zotit.
31 Kali është mbrehur për ditën e betejës,
por fitorja i përket Zotit.