1 Kush do mësimnë, do mëndëjenë, po ay që mërzit qërtimnë ësht’ i marrë.
2 I miri gjen hirë te Zoti, po atë që mendon të liga do t’e dënonjë.
3 Njeriu nukë do të forconetë me anë të së paudhësë, po rrënja e të dreitëvet do të mbesë e patundurë.
4 Gruaj’ e mirë është kurorë te burri i saj, po ajo që bën turpëri është kalbësirë ndër eshtërat t’ati.
5 Mendimet’ e të dreitëvet janë dreitëri, po këshillet’ e të pabesëvet janë kobim.
6 Fialët’ e të pabesëvet bënjënë pritë për gjak, po gol’ e të dreitëvet do t’i shpëtonjë ata.
7 Të pabesëtë baren’ e s’janë më, po shtëpia e të dreitëvet do të mbesë.
8 Njeriu lavdonetë nga urtësia e ti, po i shtrembëti nga zëmëra do të jetë për të hedhurë poshtë.
9 Më i mirë ësht’ ay njeri që s’nderonetë, edhe ësht’ i zoti vetiut, se ay që mburretë, edhe s’ka bukë (të hajë).
10 I dreiti ka kujdes për jetën’ e bagëtisë ti, po zemëra e të pabesëvet ësht’ e papërdëllyershime.
11 Kush punon dhen’ e ti do të nginjetë me bukë, po ay që vete pas mëndëjesë të kotëvet s’ka mënt.
12 I pabesi kërkon t’u dalë zot të këqivet, po rrënja e të dreitit lëshon përsëri.
13 I pabesi zihetë ndë kurth nga fali i buzëvet, po i dreiti shpëton nga shtrëngimi.
14 Njeriu do të mbushetë me të mira nga pemët’ e golësë (ti), edhe shpagimi i duaret njeriut do të kthenetë prap te ay.
15 Udh’ e të marrit (ësht’) e dreitë ndër sy t’ ati, po ay që dëgjon këshille (ësht’) i urtë.
16 I marri dëften përnjëherë zemërimn’ e ti, po i urti mbulon turpëjen’ e ti.
17 Kush flet të vërtetënë rrëfen të dreitënë, po deshmitari i rrem (thotë) kobim.
18 Llomatari (është) posi të prerat’ e thikësë, po gola e të urtëvet (është) shërim.
19 Buzët’ e së vërtetësë do të qëndronjënë kurdo, po gluha gënjeshtare (është) vetëmë për një çikëzë herë.
20 Kobim (është) ndë zemërët t’atyreve që mendonjënë të liga, po te ata që këshillonjënë paqtim (është) gëzim.
21 Të dreitit nukë do t’i bënetë ndonjë dëm, po të pabesëtë do të mbushenë me të këqia.
22 Zotit i vien të ndohtë nga buzëtë gënjeshtare, po ata që bënjënë të vërtetënë (janë) të priturë tek ay.
23 Njeriu i urtë mbulon mënt, po zemëra e të marrëvet leçit marrëzi.
24 Dora e punëtorëvet do t’urdhëronjë, po purtesësitë do të jenë ndën’ urdhërë.
25 Hidhërimi ndë zemërët të njeriut ja përunj atë, po fial’ e mirë ja gëzon atë.
26 I dreiti ja shkon më tepërë t’afërmit ti, po udh’ e të pabesëvet i gënjen ata.
27 Kush purton nukë zë gjahun’ e ti, po gjëja e njeriut kujdesshëm (është) shum’ e vëlyerë.
28 Nd’ udhët të dreitërisë (është) jetë, edhe udh’ e asaj nukë (të nxier) ndë vdekëjet.
1 Kush do rregullin, do dijen,
por kush e urren qortimin, çnjerëzohet.
2 Kush është i mirë ka përkrahjen e Zotit,
ndërsa njeriun dinak e dënon.
3 Askush nuk zë rrënjë me prapësi,
por rrënja e të drejtëve nuk lëviz.
4 Një grua zonjë është kurorë për të shoqin,
por gruaja që turpëron është kalbësirë për eshtrat e tij.
5 Të drejtët mendojnë drejtësinë,
të paudhët këshillojnë mashtrimin.
6 Fjalët e të paudhëve janë pritë gjakatare,
por të drejtët do t'i çlirojë goja e vet.
7 Të paudhët bien e s'janë më,
por shtëpia e të drejtëve qëndron.
8 Njeriu lavdërohet sipas mençurisë së tij,
por mendjeçarturit do të përbuzen.
9 Më mirë i shpërfillur, por me shërbëtor,
sesa i mburrur, por i pangrënë.
10 I drejti kujdeset për bagëtitë e veta,
por ndjenjat e të paudhëve janë mizore.
11 Kush punon tokën e vet do të ngihet me bukë,
kush rend pas kotësive është i pamend.
12 Dëshira e keqbërësit është rrjetë prapësish,
rrënja e të drejtëve lulëzon.
13 Buzët e përdala janë kurthi i të ligut,
por i drejti do të shpëtojë nga ankthi.
14 Njeriu ngihet me të mirat që nxjerr nga goja,
secili shpërblehet sipas veprave që bën.
15 I marri kujton se sillet drejt,
por kush dëgjon këshillën është i urtë.
16 I marri e tregon qartë zemërimin e vet,
ndërsa i mprehti e fsheh turpërimin.
17 Kush thotë të vërtetën, shpall drejtësinë,
por dëshmitari i rremë, mashtrimin.
18 Kush flet pa menduar është si shpatë therëse,
por gjuha e të urtëve është shërim.
19 Goja e së vërtetës, qëndron përgjithmonë,
por gjuha gënjeshtare vetëm për pak.
20 Në zemrën e mendjekëqijve ka mashtrim,
këshilltarëve të paqes u takon gëzimi.
21 Të drejtin nuk do ta zërë asnjë mjerim,
ndërsa të paudhët do të jenë mbushur me të këqija.
22 Buzët gënjeshtare i neveriten Zotit,
por atë e gëzon kush thotë të vërtetën.
23 Njeriu i mençur nuk e shfaq dijen,
kurse zemra e të marrëve kumton marrëzinë.
24 Dora e punëtorit do të mbizotërojë
e dora e përtacit do të nënshtrohet.
25 Ankthi i zemrës e thyen burrin,
ndërsa një fjalë e mirë e gëzon.
26 I drejti e drejton të afërtin e vet,
por udha e të paudhëve ngatërron vetë ata.
27 Përtaci nuk do të ketë gjah për të pjekur,
por zelli i jep njeriut pasuri të çmueshme.
28 Në udhën e drejtësisë është jeta,
nuk ka vdekje në shtigjet e saj.