1 Ngreu, ndriçoju, sepse drita jote erdhi, edhe lavdia e Zotit lindi mbi ty.
2 Sepse na errësira tek do të mbulonjë dhenë, edhe t’errëtë kombatë, po mbi ty do të lintnjë (drit’) e Zotit, edhe lavdia e ati do të shfaqetë mbi ty.
3 Edhe kombatë do të vinjënë ndë dritët tënde, edhe mbëretëritë ndë ndriçim të lindëjesë (dritësë) s’ate.
4 Ngre përqark syt’ e tu, edhe shih: këta të gjithë mbëlidhenë, e vinjënë te ti, t’ët-bij do të vinjënë së largu, edhe t’ët-bila do t’ushqenenë ndër brinjët.
5 Atëherë do të shohç, e do të gëzonesh, edhe zemëra jote do të manitet’ e do të sgjëronetë, sepse të plotët’ e detit do të këthenetë te ti, fuqit’ e kombavet do të vinjënë te ti.
6 Shumicë kamillesh do të të mbulonjë, kamilletë me një kurris të Midianit e të Efahësë; ata të gjithë nga Shebaja do të vinjënë, do të bien’ ar e livan, edhe do t’apënë zën’ e mirë për lavdurimet’ e Zotit.
7 Gjithë dhënt’ e Kedarit do të mbëlidhenë te ti, desht’ e Nebajothit do të të shërbenjënë, do të bihenë mbi therorenë t’ime me pëlqim, edhe unë do të lëvdonj shtëpin’ e lavdisë s’ime.
8 Cilëtë jan’ ata që fluturonjënë posi re, edhe posi pëllumba ndër parathirët të tyre?
9 Me të vërtetë dheujëzatë do të më presënë, edhe më përpara lundrat’ e Tarshishësë, që të bienë së largu t’ët-bij, argjëndin’ e atyreve, edhe arin’ e atyreve bashkë me ata, për emërin’ e Zotit Perëndisë tënt, edhe për Shënjtin e Israilit, sepse të lëvdoi.
10 Edhe të bijt’ e kombavet huajë, do të ndërtonjënë përsëri muret’ e tu, edhe mbëretërit’ e atyreve do të të shërbenjënë, sepse të rashë ndë zemërimt t’im, po për hirinë t’im të përdëlleva.
11 Edhe portat’ e tua do të jenë hapurë përherë, nukë do të mbyllenë dit’ e natë, që të këllasënë te ti fuqit’ e kombavet, edhe të bienë mbëretërit’ e atyreve.
12 Sepse ay komp e ajo mbëretëri që të mos të shërbenjënë, do të vdirenë, po, (ata) komba do të shkretonenë fare.
13 Lavdia e Livanit do të vinjë te ti, bredhi, e vgjeri, e bushi bashkë, që të stolisnjënë vëndin’ e shënjtëroresë s’ime, edhe do të lavdonj vëndin e këmbëvet mia.
14 Edhe djemt’ e atyreve që të hidhëruanë do të vinjënë te ti tuke kurrusurë, edhe gjith’ ata që nukë zunë për gjë do të puthnjënë gjurmat’ e këmbëvet tua, edhe do të të kluanjënë Qytet i Zotit, Sion’ e Shënjtit Israilit.
15 Ndonëse hoqnë dorë prej teje e të mërzitnë, kaqë sa nukë shkonte asndonjë për mes (teje), do të të bënj gëzim të pëjetëshim, ngazullim breza pas brezash.
16 Edhe do të pish klumështin’ e kombavet, edhe do të pish sisat’ e mbëretëret, edhe do t’e njohsh se unë Zoti jam Shpëtimtari yt, edhe Shpërblimtari yt, i Forti i Jakovit.
17 Ndë vënt të ramit do të bie ar, e ndë vënt të hekurit do të bie argjënt, e ndë vënt të drusë ram, e ndë vënt të gurëvet hekur; edhe do të bënj krerët’ e tu paqsim, edhe kujdestarët’ e tu dreitëri.
18 Nukë do të dëgjonetë më shtrëngatë ndë dhet tënt, të shkretuar’ e prishëje ndër sinoret të tua, po do të kluanjç muret’ e tu Shpëtim, edhe portat’ e tua Lavdurim.
19 Nukë do të jetë më te ti dielli për dritën’ e ditësë, as hëna nukë do të ndriçonjë me ndriçimin’ e saj, po Zoti do të jetë te ti drit’ e përjetëshime, edhe Perëndia yt lavdia jote.
20 Dielli yt nukë do të perëndonjë më, as hëna jote nukë do të shteretë; sepse Zoti do të jetë drita jote e përjetëshimeja, edhe dit e zisë s’ate do të mbaronenë.
21 Edhe gjëndëja jote (do të jenë) të gjithë të dreitë, do të trashëgonjënë dhenë për kurdo, dega e bimësë s’ime, puna e duaret mia, që të lëvdonem.
22 Më e vogëla do të bënetë një milë, edhe më e paka, komb’ i fortë; unë Zoti do të shpejtonj këtë pas kohës’ ati.
Lavdia e Jerusalemit
1 Ngrihu e shkëlqe,
se po vjen drita jote!
Lavdia e Zotit
mbi ty po agon!
2 Ja, tokën po e mbulon terri,
popujt errësira e thellë,
ndërsa mbi ty do të agojë Zoti,
lavdia e tij mbi ty do të shfaqet.
3 Drejt dritës sate do të ecin kombet,
mbretërit drejt shkëlqimit të agimit tënd.
4 Ngriji sytë përreth e shiko,
janë mbledhur të gjithë e po vijnë te ti.
Prej së largu do të vijnë bijtë e tu,
bijat e tua do të sillen në krahë.
5 Atëherë do të shohësh e do të shkëlqesh,
zemra fort do të të rrahë,
se pasuritë e detit mbi ty do të derdhen
e të mirat e kombeve te ti do të vijnë.
6 Një mori devesh do të të mbulojë,
gamile prej Midianit dhe Efahut,
të gjithë do të vijnë prej Shebës.
Ar e temjan do të mbartin
e do të shpallin lavdërimet e Zotit.
7 Gjithë dhentë e Kedarit do të mblidhen te ti,
deshtë e Nebajotit do të jenë në shërbimin tënd.
Do të kushtohen si fli e pëlqyeshme mbi altarin tim
e do ta madhëroj më shumë tempullin tim të lavdishëm.
8 Ç'janë ato që fluturojnë si retë,
porsi pëllumbat drejt foleve të tyre?
9 Ja, ishujt e largët tek më presin,
me në krye anijet e Tarshishit.
Bijtë e tu prej së largu do t'i sjellin,
me vete do të mbajnë argjendin e arin e tyre,
për nder të emrit të Zotit, Perëndisë tënd,
për nder të të shenjtit të Izraelit, që të dha lavdi.
10 Të huajt do t'i ndërtojnë muret e tua,
mbretërit e tyre do të të shërbejnë,
se vërtet në zemërimin tim të ndëshkova,
por nga mirësia ime pata mëshirë për ty.
11 Portat e tua do të rrinë përherë hapur,
nuk do të mbyllen as ditën, as natën,
që të të sjellin pasurinë e kombeve,
me mbretërit e tyre në krye.
12 Kombet dhe mbretëritë që nuk do të të shërbejnë,
do të marrin fund.
Po, ato kombe do të rrënohen krejt.
13 Te ti do të vijë lavdia e Libanit,
qiparisat e pishat, bashkë me bredhat,
për të stolisur vendin e shenjtërores sime,
të lavdishëm do ta bëj vendin ku shkelin këmbët e mia.
14 Kokulur do të vijnë te ti
bijtë e atyre që të shtypnin,
përmbys do të bien te këmbët e tua
të gjithë ata që të përçmonin,
do të të quajnë «Qyteti i Zotit»,
«Sioni i të shenjtit të Izraelit».
15 E braktisur dhe e urryer ishe
e askush nëpër ty s'kalonte,
por ja, po të bëj madhështi të amshuar,
gëzim, brez pas brezi.
16 Do të pish qumështin e kombeve,
prej begatisë së mbretërve do të thithësh.
Do ta marrësh vesh se unë jam Zoti,
shpëtimtari e shpenguesi yt,
i forti i Jakobit.
17 Në vend të bronzit, do të sjell ar,
në vend të hekurit, argjend,
bronz, në vend të drurëve,
hekur, në vend të gurëve.
Paqen do të caktoj si udhëheqësin tënd,
drejtësinë si sunduesin tënd.
18 Në vendin tënd për dhunë më s'do të flitet
as për shkatërrim e rrënim, në trojet e tua.
«Shpëtim» do t'i quash muret e tua,
«Lavdërim», portat e tua.
19 Nuk do të të ndriçojë më dielli ditën,
as hëna nuk do të të shkëlqejë natën,
se Zoti do të jetë drita jote e amshuar,
Perëndia, shkëlqimi yt.
20 Dielli yt nuk do të perëndojë më
e hëna jote nuk do të erret më,
se Zoti do të jetë drita jote e amshuar
dhe ditët e vajtimit do të marrin fund.
21 Mbarë populli yt do të jetë i drejtë
dhe vendin do ta trashëgojë në amshim.
Ata janë fara që unë mbolla,
vepra e duarve të mia, lavdia ime.
22 I vogli do të bëhet një mijë,
i pakti, një komb i fuqishëm.
Vetë unë, Zoti, në kohën e duhur,
do ta bëj shpejt këtë.