1 Atë vit që vdiq Uziahu, mbëreti, pashë Zotinë tuke ndenjurë mbë shkëmp të lartë e të ngriturë, edhe pëqiri i ati mbushi tempullinë.
2 Siprë ati rrininë Serafimë, që kishte nga gjashtë krahë gjithë-se-cili: me të dyjatë mbulonte faqen’ e ti, edhe me të dyjatë mbulonte këmbët’ e tia, edhe me të dyjatë fluturonte.
3 Edhe njëri i thërriste tjatërit, e thoshte:
Shënjt, shënjt, shënjt, (është) Zoti i ushtërivet,
gjithë dheu (është) plot me lavdin’ e ati.
4 Edhe shtyllat’ e derësë u tuntnë nga zëri i ati që thëriste, edhe shtëpia u mbush me tym.
5 Atëhere thashë: Mjeri unë! Sepse jam njeri me buzë të paqëruara, edhe rri ndë mest të gjëndëjesë me buzë të paqëruara; sepse syt’ e mi panë Mbëretinë, Zotin’ e ushtërivet.
6 Atëhere fluturoi tek unë një nga Serafimëtë, që kishte ndë dorë të ti një thëngjill zjarri, (të cilin’) e mori me pickatorenë nga theroreja.
7 Edhe e poqi ndë golët t’ime, e tha: Na ky tek të poqi buzëtë, edhe panomia t’u hoq, edhe fali t’u qërua.
8 Edhe dëgjova zën’ e Zotit, që thoshte: Cilinë do të dërgonj, edhe cili do të venjë për neve? Atëhere thashë: Na (tek jam) unë, dërgo-më.
9 Edhe (ay) tha: Shko, e thuaj kësaj gjëndëje: Me veshë do të dëgjoni, po nukë do të merrni vesh; edhe me sy do të shihni, po nukë do të kuptoni.
10 U trash zëmër’ e kësaj gjëndëje, edhe u bënë veshët’ e atyreve të rëndë, edhe mbyllnë syt’ e tyre, që të mos shohënë me syt’ e tyre, e të dëgjonjënë me veshët’ e tyre, edhe të kuptonjënë me zemërën’ e tyre, edhe të këthenen’ e të shëronenë.
11 Atëhere thashë: Gjer kurë, o Zot? Edhe (ay) u përgjeq: Gjersa të shkretonenë qytetetë, që të mos ketë vëndës, edhe shtëpitë, (që të mos kenë) njeri, edhe dheu të shkretonetë fare,
12 edhe Zoti të largonjë njerëzitë, edhe të mos mbesë farë gjëje ndë mest të dheut.
13 Po (do të mbesë) nd’ atë edhe një e dhietë, edhe ajo përsëri do të hahetë; posi vgjërit e lisit, që (u mbitetë) trungu, kur pritenë, (kështu) farësë shënjtëruarë (do të mbetetë) trungu i asaj.
Thirrja e Isaisë
1 Vitin që vdiq mbreti Uziah, pashë Zotin të ulur në një fron të lartë e madhështor. Cepat e petkut të tij mbushnin tempullin. 2 Mbi të qëndronin serafët . Secili prej tyre kishte nga gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy këmbët e me dy krahë fluturonte. 3 Ata i thërrisnin njëri-tjetrit e thoshin:
«Shenjt! Shenjt! Shenjt Zoti i ushtrive!
Mbarë toka është plot me lavdinë e tij!».
4 Pragjet e shtalkave u drodhën nga zëri i atij që thërriste dhe tempulli u mbush me tym. 5 E unë thashë:
«I mjeri unë! Mora fund!
Se njeri me buzë të papastra jam
e mes një populli të papastër jetoj,
por sytë e mi panë Mbretin,
Zotin e ushtrive».
6 Atëherë njëri nga serafët fluturoi drejt meje. Në dorë mbante një thëngjill zjarri që e kishte marrë me mashë prej altarit. 7 Me të më preku gojën e më tha:
«Ja, ky preku buzët e tua,
paudhësia jote u fal,
mëkati yt u shlye».
8 Mandej dëgjova zërin e Zotit që tha: «Kë të dërgoj? Kush do të shkojë për ne?». Unë thashë: «Ja ku jam, dërgomë mua!». 9 E ai më tha: «Shko e thuaji këtij populli:
për të dëgjuar, do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni,
për të parë, do të shihni, por nuk do të dalloni.
10 Trashja zemrën këtij populli,
shurdhoja veshët, verboja sytë,
që të mos shohin me sy
e të mos dëgjojnë me veshë,
që zemra e tyre të mos kuptojë,
e kështu të mos kthehen e të shërohen».
11 Atëherë unë thashë: «Deri kur, o Zot?». Ai m'u përgjigj:
«Derisa qytetet të shkretohen
e banorë të mos kenë,
derisa shtëpitë të mbesin pa njeri
e toka të lihet djerr.
12 Derisa Zoti ta degdisë njerëzinë
e shkretimi të jetë i madh në vend.
13 Por edhe një e dhjeta që do të mbesë,
do të kthehet e do të kalojë nëpër zjarr.
Do të jetë si qarri e si lisi
që kur priten u mbetet veç trungu,
trungu që do të jetë filizi i shenjtë».