1 I dreiti vdes, edhe asndonjë nuk’ e vë ndër mënt, edhe njerëzit’ e përdëllyershim mbëlidhenë, pa kupëtuarë ndonjë, se i dreiti mbëlidhetë përpara së keqesë.
2 Do të hynjë ndë paqtim: ata që ecënjënë ndë të pafal të tyre, do të prëhenë ndër shtretet të tyre.
3 Po ju të bijt’ e magjistaresë, farë kurvari e kurve, afrohi këtu.
4 Kundrë kujt kënaqi? Kundrë kujt sgjëruatë golënë, shtritë gluhënë? A nukë jeni ju djem panomie, farë gënjeshtre,
5 ju që ngrohi me idhullat ndënë ç’do dru të gjelbëtë, tuke therë djemtë ndër të çarat të malit ndënë shkrepat të shkëmbevet?
6 Piesa jote (është) ndë mest të zajevet përronjvet; këta, këta (janë) trashëgimi yt, edhe ndër ata derdhe kurbane të spërkaturi, prure dhuratë prej brumesh; a sos i kam këto për të pëlqyerë?
7 Mbi mal të lartë e të math vure shtratinë tënt, edhe atie hipe që të bënjç kurban.
8 Edhe prapa dyeret e pragjevet ngrehe të përmënduritë t’at, sepse sbulove (vetëhenë tënde tuke larguarë) prej meje, edhe hipe, sgjërove shtratnë tënt, edhe u bëre me një fialë me ata; deshe shtratin’ e atyreve, sgjodhe vëndetë;
9 po vajte edhe te mbëreti me të lyera, edhe shtove erërat’ e mira, edhe dërgove lark të laimët’ e tu edhe unje (vetëhenë tënde) gjer ndë varr.
10 U mundove nd’ udhët tënde të gjatënë, (edhe) nukë the: (Mundonem) kot; gjete të rruarëtë me dorënë tënde, përandaj nuk’u lodhe.
11 Edhe prej kujt drove, a pate frikë, që të gënjejsh, edhe të mos më kujtojsh, as mos e vësh (këtë) ndër mënt? A nuk’ (është) më fort, (sepse) unë pushova që kurë, (përandaj) ti nuk më pate frikë?
12 Unë do të tregonj dreitërinë tënde, edhe punët’ e tua, po nukë do të të bënjënë dobi.
13 Kur të klëthaç, le të të shpëtonjënë shokët’ e tu, po era do t’i rrëmbenjë ata të gjithë, kotësira do t’i marrë (ata); po kush shpëren mbë mua do të trashëgonjë dhenë, edhe do të fitonjë malinë t’im të shënjtëruarë.
14 Edhe do të them: Lartoni, Lartoni, bëni gati udhënë, nxirni jashtë pengesënë nga udha e gjëndëjesë s’ime.
15 Sepse kështu thot’ i Larti edhe i Siprëmi, ay që rri ndë jetët të gjatë, që (e ka) emërinë Shënjt: Unë rri ndër (vënde) të lartë, edhe ndë (vënt) të shënjtëruarë, edhe bashkë me atë që ka shpirt të thyerë edhe të unjurë, që t’i ap jetë shpirtit të përunjuret, edhe t’i ap jetë zemërësë të thyeret.
16 Sepse nukë do të hahem për gjithë jetënë, as nukë do të jem përherë i zemëruarë, sepse do të humbasënë përpara meje fryma, edhe shpirtratë që bëra.
17 U zemëruashë për panomin’ e fëtimit ndyrë t’ati, edhe i rash’ ati; fsheha faqenë t’ime, edhe u zemëruashë, po ay ecëte, përpara nd’ udhët të zëmrësë ti.
18 Pash’ udhët’ e ati edhe do t’e shëronj, edhe do t’i heq udhën’ ati, edhe do t’i ap përsëri ngushullime ati, edhe të helmuaret ati.
19 Unë ndërtonj pemën’ e buzëvet: Paqtim, paqtim, mbë të largun’ e mbë t’afërminë, thotë Zoti. Edhe do t’e shëronj atë.
20 Po të pabesëtë janë posi deti, kur fryhetë, edhe nukë munt të pushonjë, edhe valët’ e ati hedhënë jashtë llum e baltë.
21 Paqtim nukë do të jetë për të pabesëtë, thotë Perëndia im.
Qortim idhujtarisë
1 Po merr fund i drejti
e askush nuk shqetësohet!
Njerëzit besnikë po shfarosen
e askush s'e vret mendjen!
Po, i drejti po degdiset
prej së keqes!
2 Por, paqja vjen,
kush ecën udhës së drejtë,
do të prehet në shtratin e vet.
3 Afrohuni këtu, o bij të shortares,
bij të të përdalit e të lavires.
4 Me kë talleni?
Kundër kujt hapni gojën e nxirrni gjuhën?
A s'jeni ju bij të paudhësisë
e pjellë e mashtrimit?
5 Ju ndizeni në epshe ndër lisa,
poshtë çdo peme të harlisur.
Fëmijët tuaj i flijoni nëpër lugina,
nëpër të çarat e shkëmbinjve.
6 Mes rrëpirave të luginës është pjesa jote,
ato, po, ato janë çka të takon.
Atyre u kushtove fli stërpikjeje,
fli drithi u blatove.
Mos vallë prej tyre
u dashka të zbutem?
7 Mbi mal të lartë e të thepisur u ngjite
e atje shtratin tënd e vure.
Atje lart u ngjite
fli për të kushtuar.
8 Pas derës e pas pragut
i vure përkujtimoret e tua.
Fshehtas meje u zhveshe,
mbi shtrat u ngjite
e shtratin e zgjerove.
Marrëveshje me ta ti bëre,
shtratin e tyre fort e dëshirove,
lakuriqësinë me ëndje ua vështrove.
9 Shkove te mbreti e lyer me vaj,
e lyer me shumë erëra të mira.
Deri larg i nise lajmëtarët e tu
dhe zbrite deri në skëterrë.
10 Prej udhës së gjatë u lodhe,
por nuk the: «Është e kotë!».
I mblodhe forcat sërish,
prandaj dhe nuk u këpute.
11 Prej kujt u tute e pate frikë, që të gënjeje,
të më harroje e të mos më kishe për zemër?
Kam heshtur për një kohë të gjatë,
prandaj dhe nuk ma ke frikën.
12 Ja, unë do ta shpall hapur drejtësinë tënde
bashkë me veprat e tua,
por kjo s'do të të sjellë dobi.
13 Kur të bërtasësh,
le të të shpëtojë moria e idhujve të tu.
Por ata do t'i marrë era,
do t'i përpijë puhiza.
Por, kush kërkon strehë tek unë,
do të trashëgojë tokën,
do të zotërojë malin tim të shenjtë.
14 «Sheshoni, sheshoni, shtrojeni udhën!», do të thuhet,
«Hiqini pengesat nga udha e popullit tim!».
15 Se kështu thotë i Larti e i Tejlarti,
ai që banon në amshim,
emri i të cilit është i shenjtë:
Në vend të lartë e të shenjtë banoj,
por edhe pranë atij që pendohet
e atij që ka përulësi në shpirt,
për t'ua përtërirë shpirtin të përulurve,
për t'ua përtërirë zemrën të penduarve.
16 Ja, unë nuk dua të grindem përherë
as dua të jem i zemëruar përgjithmonë,
se para meje do të këputej çdo shpirt
e çdo qenie që unë kam krijuar.
17 Prej paudhësisë së tij të pangopur u zemërova,
e godita e i zemëruar prej tij u fsheha.
E ai u end me kokëfortësi
udhës së zemrës së vet.
18 I njoh mirë udhët e tij,
por dua ta shëroj.
Do t'i prij, do ta ngushëlloj sërish
atë vetë dhe ata që vajtojnë me të.
19 Do të vë fjalë hareje në buzët e tij.
Paqe, paqe për atë që është larg e afër,
thotë Zoti, e do ta shëroj.
20 Të paudhët janë si deti i trazuar,
që nuk di të qetësohet,
ujërat e tij nxjerrin llucë e baltë.
21 Nuk ka paqe për të paudhët,
thotë Perëndia im.