1 Sgjohu, sgjohu, vish fuqinë tënde, o Sionë; vish rrobat’ e tua të bukuratë, o Jerusalimë, qytet i shënjtëruarë, sepse paskëtaj s’ka për të hyrë më te ti parreth-preri e i pëgëri.
2 Shkunt pluhurinë, ngreu, e rri, o Jerusalimë, sgjith të lidhuratë nga qafa jote, o bil’ e Sionësë e skllavosura.
3 Sepse kështu thotë Zoti: u shittë për mosgjë, edhe do të shpërblehi pa argjënt.
4 Sepse kështu thotë Zoti Perëndia: Gjëndëja ime sbriti një herë përpara nd’ Egjyftëri që të rrinte e huajë atie, edhe Asyrianëtë i shtrënguan’ ata pa ndonjë punë.
5 Tashi pra, ç’kam (për të bërë) këtu, thotë Zoti, sepse gjëndëja ime u muar për mosgjë? Ata që urdhëronjën’ atë e bënjënë të ulurinjë, thotë Zoti, edhe emëri im shahetë gjithënjë përditë.
6 Përandaj gjëndëja ime do të njohë emërinë t’im, përandaj (do t’e njohë) atë ditë, se unë jam ay që flas, na unë (tek jam).
7 Sa të bukura janë këmbët’ e ati që ep zën’ e mirë, që leçit paqtimnë mbi malet! Ati që ungjillëzon të mira, që leçit shpëtim, që i thotë Sionësë: Perëndia yt mbëretëron!
8 Ronjësit’ e tu do të ngrenë zënë, do të brohorinjënë bashkë me zë, sepse do të shohënë sy ndër sy, kur të ndreqë Sionënë Zoti.
9 Brohorini, gëzohi bashkë, o vëndet’ e shkretuarë të Jerusalimësë, sepse Zoti ngushulloi gjëndëjen’ e ti, shpërbleu Jerusalimënë.
10 Zoti svesh krahun’ e ti të shënjtëruarinë përpara gjithë kombavet, edhe gjith’ anët e dheut do të shohënë shpëtimin’ e Perëndisë t’ënë.
11 Hiquni, hiquni, dilni andyj, mos i piqni gjëje të pëgërë, dilni nga mezi i asaj, qërohi ju që mbani enët’ e Zotit,
12 sepse nukë do të dilni me nxitim, as nukë do të bëni udhë me vrap, sepse Zoti do të shkonjë përpara jush, edhe Perëndia i Israilit do t’u përmbëledhë juve.
13 Na shërbëtori im tek do të venjë mbarë; do të lartonetë, e do të lëvdonetë, edhe do të hipënjë fort lart.
14 Sikundrë shumë vetë u manitnë për ty, kaqë të prishurë e kishte faqenë se (ç’do) njeri, edhe fytyrën’ e ati prej të bijet njerëzet!
15 Kështu do të spërkatnjë shumë komba, mbëretëritë do të mbëçelënë golën’ e tyre mb’ atë, sepse do të shohën’ atë që s’qe folurë ndër ata, edhe do të kupëtonjën’ atë që s’ke dëgjuarë.
Çlirimi i Sionit prej robërisë
1 Zgjohu, zgjohu,
ngjishu me fuqi, o Sion,
vishi rrobat e tua më të bukura,
o Jerusalem, qyteti i shenjtë,
se te ti nuk do të vijë më kurrë
i parrethpreri e i papastri.
2 Shkunde pluhurin,
ngrihu, o Jerusalem i robëruar,
zgjidhi vargonjtë që ke në qafë,
o e robëruara bijë e Sionit.
3 Se kështu thotë Zoti:
Ju shitën për hiçgjë,
por pa para do të shpengoheni.
4 Se kështu thotë Zoti Perëndi:
populli im zbriti dikur në Egjipt për të jetuar.
Mandej erdhën asirianët dhe e shtypën pa shkak.
5 E tani ç'fitoj unë këtu, kumton Zoti,
kur popullin tim e rrëmbyen pa shkak?
Sunduesit e tij ngadhënjejnë, kumton Zoti,
dhe emri im shahet përherë tërë ditën.
6 Prandaj populli im do ta njohë emrin tim,
prandaj atë ditë do ta dijë se unë jam
ai që thoshte: «Ja ku jam!».

7 Sa të bukura janë mbi male
këmbët e lajmëtarit,
të atij që shpall lajmin e paqes,
që shpall shpëtimin e i thotë Sionit:
«Perëndia yt mbretëron!».
8 Rojtarët e tu po thërrasin,
po ngrenë tok zërin e po brohorasin,
se me sytë e tyre po shohin
Zotin që kthehet në Sion.
9 Shpërtheni së bashku në britma gëzimi,
o rrënojat e Jerusalemit,
se Zoti i jep ngushëllim popullit të tij,
Jerusalemin po e shpengon.
10 Se Zoti e zhveshi krahun e tij të shenjtë
në sytë e mbarë kombeve.
Mbarë skajet e tokës do ta shohin
shpëtimin e Perëndisë tonë.
11 Nisuni, nisuni, dilni prej andej,
mos prekni asgjë të papastër,
dilni prej Babilonisë e pastrohuni,
o ju që mbartni enët e Zotit.
12 Se nuk do të dilni me nxitim,
me ngut nuk do të ikni.
Para jush do të shkojë Zoti,
pas jush do të jetë Perëndia i Izraelit.
Vuajtjet e shërbëtorit të Zotit
13 Ja, shërbëtorit tim do t'i prijë e mbara,
do të nderohet, do të lartësohet, shumë do të madhërohet.
14 Të shumtë ata që u shtangën prej tij,
kur panë pamjen e njeriut të shfytyruar,
kaq ndryshe nga trajta e bijve të njeriut.
15 Kështu, ai do të mahnitë shumë kombe
e mbretërit do të mbyllin gojën para tij,
sepse do të shohin çka nuk u ishte treguar,
do të kuptojnë çka nuk kishin dëgjuar.