1 Tashi do t’i këndonj të dashurit t’im kënkën e të dashurit t’im për vështin’e ati. I dashuri im kishte një vësht mbi një kodrë fort të majme.
2 Edhe e thuri atë, edhe mbëlodhi gurëtë nga ay, edhe mbëltoi nd’ atë më të sgjedhuratë hardhi, edhe ndërtoi një pirk ndë mest t’ati, ndërtoi edhe një tirë nd’ atë, edhe priste të bënte rrush, po bëri larushq.
3 Edhe tashi, o vëndësit’ e Jerusalimësë, edhe burrat’ e Judhësë, u lutem, gjukoni ndë mest meje edhe vështit t’im.
4 Ç’munt t’i bënjam vështit t’im edhe më, edhe nuk’ ja bëra? Përse pra bëri larushq, tek prisnjam të bënte rrush?
5 Tashi pra do t’u ap zë juve, ç’kam për t’i bërë vështit t’im: do t’i heq gardhinë, edhe do t’e hanë, do t’i prish murinë, edhe do të shkeletë.
6 Edhe do t’e lë atë të shkretë: nukë do të pritetë, as nukë do të mihetë, po do të mbinjënë driza e gjëmba; do t’urdhëronj edhe retë të mos lëshonjënë shi mbi atë.
7 Po vështi i Zotit ushtërivet (është) shtëpia e Israilit, edhe burrat’ e Judhësë (janë) bim’ e ti e dashura; edhe priste gjyq, po na tek (është) shtrëngatë; priste dreitëri, po na tek (është) klithmë.
8 Mjer ata që bashkonjënë shtëpi me shtëpi, edhe piekën’ arë me arë, gjersa të mos mbesë vënt, që të rinë vetëm’ (ata) ndë mest të dheut!
9 Zoti i ushtërivet (tha) ndër veshët të mi: Me të vërtetë shumë shtëpi, të mëdha e të mira, do të mbetenë të shkreta, pa vëndës.
10 Po, dhietë lehë vështi do t’i apënë për një vëth, edhe fara e një homori do t’apë një efa.
11 Mjer ata që ngrihenë që me natë, e kërkonjënë të pira të forta, të cilëtë e sgjasënë gjer mbrëmanet, (gjersa) t’i nxenjë vera!
12 Edhe qithara e lyra, lodra e fyelli, e vera, janë ndër gostit t’atyreve. Po nukë shikonjënë punën’ e Zotit, edhe nukë vënë re vepërën’ e duaret ati.
13 Përandaj gjëndëja ime u pru ndë skllavëri, sepse nukë kupëton, edhe të nderëshimit e atyre mjaknjënë për bukë, edhe shumica e atyreve gajasnjënë për ujë.
14 Përandaj varri sgjëroi vetëhen’ e ti, edhe hapi fort tepërë golën’ e ti; edhe lavdia e atyreve, e shumica e atyreve, e zallahia e atyreve, e ata që kënaqenë, do të sbresënë nd’ atë.
15 Edhe njeriu i poshtrë do të kurrusetë, edhe i forti do të përunjetë, edhe syt’ e të lartëvet do t’ulenë.
16 Edhe Zoti i ushtërivet do të lartonetë mbë gjyq, edhe Perëndia i shënjtëruarë do të shënjtëronetë ndë dreitëri.
17 Atëhere shqerratë do të kullosenë pas mëndyrësë tyre, edhe të huajëtë do të hanë vëndet’ e shkretë e (bagëtivet) majme.
18 Mjer ata që t-heqënë panominë me litarë kotësire, edhe falinë posi me rripa qerreje,
19 të cilëtë thonë: Le të nxitonjë, le të shpejtonjë punën’ e ti, që të shohëmë, edhe dashurimi i Shënjtit Israilit le t’afronet’ e le të vinjë, që të xëmë!
20 Mjer ata që thonë të keqenë të mirë, edhe të mirënë të keqe, të cilëtë vënë errësirënë për dritë, edhe dritënë për errësirë, të cilëtë vënë të hidhurënë për të ëmbëlë, edhe të ëmbëlënë për të hidhurë!
21 Mjer ata (që janë) të urtë ndër syt të tyre, e të mënçim përpara vetëhesë tyre!
22 Mjer ata (që janë) të fortë për të pirë verë, e të fuqishim për të përzierë të pira të forta,
23 të cilëtë nxierrënë të dreitë të paudhinë, për dhuratat, edhe heqënë të dreitën’ e të dreitit prej ati.
24 Përandaj posi gluha e zjarrit që ha kallaminë, edhe (posi) flaka që përpin kashtënë, (kështu) rrënja e atyreve do të bënetë posi plehë, edhe lulëja e atyreve do të ngrihetë posi pluhurë, sepse hothnë tej nomin’ e Zotit ushtërivet, edhe s’i vunë vesh fialësë Shënjtit Israilit.
25 Përandaj zemërata e Zotit u dhes përpara gjëndëjes’ ati, edhe ndejti dorën’ e ti mbi ata, e u ra atyre; edhe maletë dridheshinë, edhe kërmat’ e atyreve u bënë posi plehe ndë mest të udhëvet. Mbi gjithë këto zemërata e ati nuk’ u ul, edhe dor’ e ati (është) po ndejturë.
26 Edhe do të ngrerë ndër kombat një shenjë për së largu, edhe do t’u vërshëllinjë atyre nga an’ e dheu, edhe shpejt na tek do të vinjë me vrap.
27 Asndonjë nukë do të lodhetë, as nukë do të pengonetë ndë mest t’atyreve; asndonjë nukë do të dërmitnjë, as nukë do të flerë; as brezi i mesit atyreve nukë do të sgjidhetë, as rripi i këpucëvet atyre nukë do të këputetë.
28 Shëgjetat’ e atyreve (janë) të holla, edhe gjithë harqet’ e atyreve (janë) të tendurë; thundrat’ e kuajvet atyre do të jenë posi gurë zjarri, edhe torrovilet’ e (qerrevet) atyre posi erë mpshtiellëje;
29 ulurimat’ e atyreve (do të jenë) posi të leonit: do t’ulurinjënë posi këlysh leoni; po, do t’ulurinjënë, edhe do të rrëmbenjënë gjahunë, edhe do t’ikënjënë, edhe s’ka se kush ta shpëtonjë.
30 Edhe atë ditë kur të gjëmonjënë kundrë atyreve posi gjëmim deti, do të vështronjënë ndë dhet, edhe na errësirë e hidhërim, edhe drita u err ndë qiell t’ati.
Vreshti i Zotit
1 Do t'i këndoj të dashurit tim një këngë,
këngën e të dashurit tim për vreshtin e tij,
vreshtin, që i dashuri im
mbi një kodër pjellore e kishte.
2 E thuri, e pastroi nga gurët,
me hardhi të zgjedhura e mbolli,
në mes të tij një kullë ndërtoi,
torkun brenda tij gërmoi.
Priste t'i bënte rrush,
por i dha veç larushk.
3 E ju, o banorë të Jerusalemit,
e ju, o burra të Judës,
mes meje e vreshtit tim gjykoni!
4 Ç'të bëj më për vreshtin tim,
që ende s'e paskam bërë?
Tek prisja të më bënte rrush,
përse dha vetëm larushk?
5 E tani më lejoni t'ju dëftej
se ç'do t'i bëj vreshtit tim:
do t'ia shthur gardhin,
që të bëhet djerr,
do t'ia rrëzoj ledhet,
që ta shkelin me këmbë.
6 Do ta lë të mbesë i shkretë,
pa krasitje e pa prashitje,
që të mbijnë ferra e gjemba.
Reve do t'u urdhëroj,
të mos ia lëshojnë shiun.
7 Vreshti i Zotit të ushtrive është shtëpia e Izraelit,
filizat e tij të zgjedhur janë banorët e Judës.
Priti të vepronin drejt
e ja, veç gjakderdhje,
priti të bënin drejtësi
e ja, veç gulçime.
8 Mjerë kush shtëpisë i shton shtëpi,
mjerë kush arës i shton arë!
Në fund s'do të ketë më vend,
vetmitarë do të jeni në mes të tokës.
9 Në veshët e mi Zoti i ushtrive u betua:
vërtet shumë shtëpi do të mbesin të shkreta,
të mëdha e aq të bukura, por pa banorë.
10 Tre hektarë vreshta veç një vozë verë,
dhjetë thasë farë veç një thes fare.
11 Mjerë ata që rendin qëmenatë pas pijeve dehëse
e rrinë deri natën vonë duke u dendur me verë.
12 Në festat e tyre ka harpa e qeste,
dajre, fyej e verë,
por as që duan t'ia dinë për veprën e Zotit,
bëmat e duarve të tij as që i vënë re.
13 Ndaj populli im do të degdiset nga padija,
prej urisë do të vuajnë fisnikët e tij,
turmat do t'i përvëlojë etja.
14 Skëterra e ka hapur mirë grykën,
gojën e ka shqyer gjerë e gjatë.
Në të do të bien fisnikët e turmat,
ajo shamatë e tërë ajo festë.
15 Njeriu do të poshtërohet,
shumë poshtë do të bjerë,
vështrimi i krenarëve do të përulet.
16 Do të lartësohet Zoti i ushtrive,
kur të shpallë gjykim,
Perëndia i shenjtë do ta dëftejë shenjtërinë,
kur të bëjë drejtësi.
17 Do të kullotin atje qengjat si në livadhin e tyre,
të huajt do të ushqehen në rrënojat e pasanikëve.
18 Mjerë ata që, me litarët e mashtrimit,
tërheqin pas vetes paudhësinë,
dhe mëkatin me litarët e qerres.
19 E thonë: «Të nxitojë e ta bëjë shpejt veprën e tij,
që ta shohim,
të përmbushen sa më shpejt shestimet e të shenjtit të Izraelit,
që ta njohim».
20 Mjerë ata që të keqen e quajnë të mirë
e të mirën të keqe,
që terrin e mbajnë për dritë
e dritën për errësirë,
që hidhësinë e mbajnë për të ëmbël
e të ëmblën për të hidhur.
21 Mjerë ata që mbahen për të urtë,
që kujtojnë se janë të mençur.
22 Mjerë ata që janë trima për të pirë verë
e mjeshtra për të përzier pijet dehëse,
23 që e shfajësojnë të paudhin për të marrë mitë
e të drejtit ia mohojnë drejtësinë.
24 Ndaj, sikur gjuha e zjarrit djeg kashtën
e flaka përpin bykun,
ashtu do t'u kalbet rrënja
e lulja e tyre do të fluturojë si pluhuri,
se e hodhën poshtë ligjin e Zotit të ushtrive,
e përçmuan fjalën e të shenjtit të Izraelit.
25 Prandaj u ndez zemërimi i Zotit kundër popullit,
prandaj e shtriu dorën për t'i goditur.
Malet fort u trandën
e kufomat e tyre si plehu mbuluan rrugët,
por zemërimi i tij nuk u fashit
e dora e tij është ende e shtrirë.
26 Flamurin do të ngrejë për kombet e largëta,
do t'u fërshëllejë deri në skajet e tokës
e, ja, kur t'ia behin shpejt e vetëtimthi.
27 Asnjë s'është i lodhur apo i këputur,
asnjë nuk dremit e nuk përgjumet,
Brezi nga ijët nuk u zgjidhet,
rripat e sandaleve nuk u këputen.
28 Shigjetat e tyre janë të mprehta, harqet të ndehura,
thundrat e kuajve të forta si gur stralli,
rrotat e qerreve të luftës si vorbulla e erës.
29 Ulërima e tyre si ulërimë luani,
ulërijnë si këlyshë luani.
Hungërojnë, zënë prenë,
në vend të sigurt e shpien
e askush nuk ua rrëmben.
30 Do të ulërijnë atë ditë mbi të, siç ulërin deti,
Do të hedhin sytë mbi vendin,
do të shohin errësirë e fatkeqësi,
dritën të errësuar prej reve.