1 Ngushulloni, ngushulloni gjëndëjenë t’ime, thotë Perëndia juaj.
2 I flitni me ngushullim Jerusalimësë, edhe i thërritni asaj, se koha e të përunjurit asaj u mbush, se panomia e asaj u ndëllye, sepse mori nga dora e Zotit dy piesë për gjithë falet’ e saj.
3 Zëri i ati që klëthet ndë shkretëtirët: Bëni gati udhën’ e Zotit, bëni të drejta ndë shkretëtirët rrugat’ e Perëndisë t’ënë.
4 Ç’do shkëmp i çarë do të lartonetë, edhe ç’do mal e kodrë do t’uletë; edhe të shtrembëtatë do të bënenë të drejta, edhe vëndet’ e ashpërë (do të bënenë) të butë;
5 edhe lavdia e Zotit do të çfaqetë, edhe ç’do mish do të shohë bashkë, sepse gol’ e Zotit foli.
6 Zëri që thotë: Thirrë, edhe tha: Ç’të thrres? Ç’do mish është bar, edhe gjithë lavdia e asaj posi lulej’ e fushësë.
7 U tha bari, u fyshk luleja, sepse frymë Zoti fryjti mbi atë; me të vërtetë gjëndëja është bar.
8 Bari u tha, luleja u fyshk, po fial’ e Perëndisë t’ënë mbet për gjithë jetënë.
9 O ti që bie gjëmën’ e mirë ndë Sionë, hip ndë mal të lartë; o ti që bie gjëmën’ e mirë ndë Jerusalimë, ngre fort zënë tënt, ngre-je, mos ki frikë, thuaju qytetevet Judhësë: (Na tek) është Perëndia juaj!
10 Na Zoti Perëndia tek do të vinjë bashkë me ushtëri, edhe krahu i ati do t’urdhëronjë për atë; na paga e ati (tek është) bashkë me atë, edhe shpagimi i ati përpara ati.
11 Do të kullosë tufën’ e ti si bari, do të mbëledhë shqerratë me krahun’ e ti, (edhe) do t’i mbanjë ndë gji të ti; edhe do t’u heqë udhën’ atyre që pinë klumësht.
12 Kush mati ujëratë ndë grusht të dorësë ti, edhe mati qiejetë me pëllëmë, edhe futi baltën’ e dheut ndë masë, edhe peshoi maletë me ziq, edhe kodratë me zigare?
13 Kush mati frymën’ e Zotit, a u bë këshillëtar i ati, edhe e mësoi?
14 Me cilinë bashkë u këshillua, edhe (cili) i dha mënt ati, edhe i mësoi ati udhën’ e gjyqit, edhe i dha ati dituri, e i dëfteu ati udhën’ e urtësisë?
15 Na kombatë (tek janë) posi një pikë uji prej kove, edhe kujtonetë posi pluhuri i hollë i zigaresë; na tek ndërron vëndit dheujëzatë posi pluhur.
16 Edhe Livani nukë harrin për të diegurë, as shtëzët’ e ati nukë harrinjënë për kurban të diegurë gjithë.
17 Gjithë kombatë janë kurrëgjë përpara ati, numëronenë përanë ati më pak se kurrëgjëja edhe kotësia.
18 Me kë do ta përgjani pra Perëndinë? A me ç’shëmbëllim do ta mbarazoni atë?
19 Mieshtri tret ikonë të latuarë, edhe argjëndari nden ar mbi atë, edhe derth vargje t’argjënttë.
20 I vobegu (kur bën) dhuratë, sgjeth dru të pakalburë, (edhe) kërkon mieshtrë të mbarë për vetëhen’ e ti, që të ndërtonjë ikonë të gdhëndurë, që të mos tundetë.
21 A nuk’ e ditët? A nuk’ e dëgjuatë? A nuk’ u dhanë zë juve që ndë kryet të herësë? A nuk’ e kupëtuatë që kur u ngreh bota?
22 Ay është që rri mbi rretht të dheut, edhe ata që rrinë mbi atë (janë) posi karkaleca; ay që nden qiejetë posi kurtinë, edhe i sbëleth posi tendë për të ndenjurë;
23 ay që bie krerëtë ndë kurrëgjë, (edhe) bën gjukatësit’ e dheut për të kotë.
24 Po as nukë do të mbinjënë, po as nukë do të mbillenë, po as nukë do të zërë rrënjë ndë dhet trungu i atyreve; vetëmë posa të frynjë era mbi ata, sakaqëherash do të thahenë, edhe er’ e mpshtellëjesë do t’i rrëmbenjë posi kashtë.
25 Me kë do të më përgjani pra, edhe do të bënem sinjënjë? Thotë Shënjti:
26 Ngrini lart sytë tuaj, e shihni, kush i ka bërë këto? Ay që nxier ushtërin’ e atyre me numër; ay që thërret me emërë këto të gjitha ndë madhërit të fuqisë ti, sepse (ësht’) i fortë ndë pushtet, nuk’ i shteretë gjë.
27 Përse thua, o Jakov, edhe flet, o Israil: Udha ime është fshehurë nga Zoti, edhe gjyqi im nukë vështronetë nga Perëndia im?
28 A nuk’ e njohe? A nukë dëgjove, se Perëndia i përjetëshim, Zoti, Krietari i anëvet dheut, nuk mbet pa fuqi, as nukë lodhetë? Nuk’ i gjëndenë gjurmat’ e urtësisë ati.
29 U ep fuqi të dobëvet, edhe shton fuqin’ e të liqvet.
30 Edhe të rivet do t’u këputetë fuqia e do të lodhenë, edhe balli i të rivet do të ligenë fare.
31 Po ata që presënë Zotinë do të përtërinjënë fuqin’ (e tyre), do të hipënjënë me krahë posi shqiponja; do të sulenë, edhe nukë do të lodhenë, do t’ecënjënë, edhe nukë do t’u këputetë fuqia.
Ngushëllim për Izraelin
1 Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim,
thotë Perëndia juaj.
2 Flitini zemrës së Jerusalemit,
i shpallni atij,
se mori fund thirrja nën armë,
paudhësia e tij u shlye,
se dyfish u ndëshkua prej dorës së Zotit
për gjithë mëkatet e tij.
3 Ja, një zë thërret:
«Bëni gati në shkretëtirë
një udhë për Zotin,
rrafshoni nëpër stepë
një shteg për Perëndinë tonë.
4 Le të ngrihet lart çdo luginë,
le të ulet poshtë çdo mal e kodër,
rruga dredha-dredha le të drejtohet,
rrëpira le të bëhet e rrafshët.
5 Lavdia e Zotit do të shfaqet
e atëherë çdo qenie njëherësh do të shohë,
se foli vetë goja e Zotit».
6 Ja, një zë thotë: «Shpall!».
E pyeta: «Çfarë të shpall?».
«Se çdo njeri është si bari,
e mirësia e tij si lulja e fushës.
7 Bari thahet e lulja vyshket,
kur fryma e Zotit puhat mbi të,
e vërtet, populli është si bari.
8 Thahet bari, vyshket lulja,
por fjala e Perëndisë tonë
mbetet në amshim».
9 Ngjitu mbi një mal të lartë,
ti që i sjell lajmin Sionit!
Ngrije sa më fort zërin,
ti që i sjell lajmin Jerusalemit!
Ngrije zërin e mos ki frikë,
qyteteve të Judës thuaju:
«Ja, Perëndia juaj!».
10 Ja, Zoti Perëndi, po vjen me fuqi,
e krahu i tij do të sundojë.
Ja, me vete sjell shpagimin,
në prani të tij është shpërblimi.
11 Si bariu do ta kullotë kopenë e tij,
me krahun e vet do t'i mbledhë qengjat,
në gji do t'i mbajë,
deleve pjellake me kujdes do t'u prijë.
Madhështia e Zotit
12 Kush e ka matur me shuplakë detin
apo me pëllëmbë qiellin?
Kush e mati me masë pluhurin e tokës
apo i vuri në peshore malet e në kandar kodrat?
13 Kush e drejtoi shpirtin e Perëndisë
apo i dha ndonjëherë këshilla?
14 Me kë u këshillua e mësoi prej tij
apo kush ia mësoi shtegun e drejtësisë?
Kush i dha atij dije
apo i tregoi udhën e mençurisë?
15 Ja, kombet janë si pika e ujit në kovë,
çmohen sa pluhuri në peshore.
Ja, ujdhesat i ngre
si të ishin kokërr pluhuri.
16 Libani s'do të mjaftonte për të ndezur zjarrin,
kafshët e tij s'do të dilnin për flinë e shkrumbimit.
17 Kombet mbarë s'janë asgjë para tij,
si një hiç e kotësi vlerësohen prej tij.
18 Me kë, pra, ta krahasoni Perëndinë?
Ç'shëmbëllesë do të vini përballë tij?
19 Idhullin e shkrin farkëtari,
me fletë ari e vesh argjendari,
vargje prej argjendi i derdh përreth.
20 Më i varfri zgjedh dru që s'kalbet
e kërkon mandej një mjeshtër të ditur,
që idhullin atij t'ia punojë,
një idhull që nuk lëviz.
21 A nuk e ditkeni vallë?
A nuk e paskeni dëgjuar?
A nuk ju është thënë qëmoti?
Themelimin e tokës a s'e paskeni kuptuar?
22 Ai rri ulur mbi kubenë e tokës,
banorët e saj si karkaleca duken,
ai i shpalos qiejt porsi vel,
i shtrin si tendë për të banuar.
23 Ai i kthen princat në hiç,
të kotë i bën gjyqtarët e tokës.
24 Të porsambjellë, të porsahedhur në tokë,
pa zënë rrënjë ende kërcelli,
ai u fryn e ata thahen,
stuhia i rrëmben porsi kashtën.
25 «Me kë do të më krahasoni?», pyet i Shenjti.
«Me kë vallë qenkam i ngjashëm?».
26 Ngrini sytë lart e shikoni!
Kush i krijoi çka shihni?
Ai që i radhit të gjitha si ushtri,
që e thërret secilin me emër.
E madhe është fuqia e tij,
e vrullshme forca e tij,
prandaj dhe nuk mungon
asnjë prej tyre.
27 Pse flet kështu, o Jakob?
Përse thua, o Izrael:
«Udha ime është e fshehur për Zotin,
Perëndia im s'kujdeset për të drejtën time?».
28 A thua nuk e ditke vallë?
A thua s'e paske dëgjuar?
Zoti është Perëndia i amshimit,
ai i krijoi skajet e tokës.
As lodhet, as mundohet,
dija e tij është e pagjurmueshme.
29 Ai i jep fuqi të lodhurit,
të këputurit ia shton fuqitë.
30 Të rinjtë lodhen e këputen,
më të rriturit pengohen e bien.
31 Por ata që shpresojnë te Zoti
përtërihen në fuqi,
marrin krahë si të shqiponjës,
vrapojnë e nuk lodhen,
ecin e nuk këputen.