1 Mjer ata djem që ngritnë krye, thotë Zoti, të cilëtë marrënë këshillë, po jo prej meje; edhe të cilëtë bënjënë dhiata, po jo me anë të frymësë s’ime, që të shtonjënë fal përmbi fal,
2 të cilëtë venë për të sbriturë ndë Egjyftëri edhe nukë pyesënë golënë t’ime, që të forconenë me fuqin’ e Faraonit, edhe t’i zënë besë hiesë Egjyftërisë!
3 Edhe fuqia e Faraonit do të jetë turpëria juaj, edhe shpresa mbë hiet të Egjyftërisë (do të jetë) turpëri.
4 Sepse të parët’ e ati qenë ndë Zoan, edhe të laimët’ e ati erthnë ndë Hanes.
5 Të gjithëve u erdhi turp për një gjëndëje që s’mundi t’u bënte dobi atyreve, as t’u jetë atyre ndihmë a dobi, po më fort turpëri e të sharë.
6 Të faniturit’ e shtëzëvet Mes-ditësë, ndë dhet të shtrëngimit e të ngushtimit, atie ku (gjëndetë) leoni i fortë, edhe leoni i lashtë, nepërka, edhe gjarpëri me krahë të flakëta, (atie) do të bienë pasëjen’ e tyre mbi supet të gomarëvet vegjëlë, edhe thesarët’ e tyre mbi kurrist të kamilevet, të një gjëndëje që nukë do t’u bënjë dobi (atyre).
7 Sepse Egjyftëtë do të ndihënë kot e padobi, përandaj klitha për këtë: Fuqia e atyreve është të rrinë urtë.
8 Tashi shko, shkruaj këtë përpara atyreve mbë kartë, edhe shëno atë ndë vivlit, që të ruhetë për kohënë që vien gjer ndë jetët (të jetëvet),
9 se këjo gjëndëje nukë bindetë, bij të rrem, bij që s’duanë të dëgjonjënë nomin’ e Zotit,
10 të cilët’ u thonë atyre që shohënë: Mos shihni, edhe profitëvet: Mos na profitepsni të drejtatë, (po) na flitni me lajka, profitepsni me të gënjyerë;
11 dilni jasht’ udhësë, priri nga rruga, ngreni prej syvet t’ënë Shënjtin’ e Israilit.
12 Përandaj kështu thotë Shënjti i Israilit: Sepse nukë zini për gjë këtë fialë, edhe shpëreni mbë gënjeshtrënë e mbë të ligënë, edhe mpshteti mbi këto.
13 Përandaj këjo panomi do të jetë ndër ju posi gërmadhë gati për të rënë, (posi) bark mbë mur të lartë, të cilit të rrëzuarëtë vien papandehurë sakaqëherash.
14 Edhe do ta dërrmonjë atë posi të dërrmuar’ ene balte, që dërrmonetë pa të dhëmburë, kaqë sa të mos gjëndetë ndër të thyerat ndonjë copë për të marrë zjarr nga vatra, a për të marrë ujë nga gropa.
15 Sepse kështu thotë Zoti Perëndia, Shënjti i Israilit: Ndë të këthyerët e ndë të prëjturit do të shpëtoni; ndë pushimt e ndë shpëresët do të jetë fuqia juaj, po nukë deshtë
16 edhe thatë: Jo, po do t’ikëjmë kaluar; përandaj do t’ikëni; edhe: Do t’u hipëjmë kuajve këmbë-shpejtëve; përandaj ata që u ndiekënë juve do të jenë këmbë-shpejtë.
17 Do t’ikëni një milë vetë nga frika e njërit, (edhe të gjithë) nga frika e të pesëve, gjersa të mbetni posi shtyllë ndë majët të malit, edhe posi flamure mbi kodrët.
18 Edhe Zoti kështu do të presë, që t’u përdëllenjë juve, edhe kështu do të lartonetë, që t’i vinjë keq për ju, sepse Zoti (është) Perëndi gjyqi; lum gjith’ ata që presën’ atë.
19 Sepse gjëndëja do të rri ndë Sionë ndë Jerusalimë; nukë do të klajsh më, me të vërtetë do të të përdëllenjë ndë zët të klithmësë s’ate, kur të dëgjonjë atë, do të të përgjegjetë.
20 Edhe Zoti (ndë) u ep juve bukë shtrëngimi, edhe ujë ngushtimi, po mësonjësit’ e tu nukë do të hiqenë më, po syt’ e tu do të shohënë mësonjësit’ e tu,
21 edhe veshët’ e tu do të dëgjonjënë fialë prapa teje, tuke thënë: Këjo (ësht’) udha, ecëni nd’ atë, kur të këthehi mb’ anë të diathtë, edhe kur të këthehi mb’ anë të mëngjërë.
22 Edhe do të mërzitni posi gjë të ndohëtë (mbulesën’) e idhullavet argjëntta që janë të gëdhëndura, edhe stolin’ e (idhullavet) arta që janë të derdhura; do t’i hethç ato posi rreckë të ndyrë, do t’u thuaç atyre: Ikni këtej.
23 Atëhere do të lëshonjë shi për farënë tënde, që kishje për të mbiellë nd’ arët, edhe bukën’ e dritht dheut, e cila do të jet’ e majme edhe mjaft; atë ditë bagëtit’ e tua do të kullosënë ndër kullota të gjëra.
24 Edhe qetë, e gomaret’ e ra, që punonjënë dhenë, do të hanë kashtë të qëruarë hedhurë nd’ erët me lopatën’ e me eratorenë.
25 Edhe do të jenë mbë ç’do mal të lartë, e mbë ç’do kodrë të lartë, lumëra e rrëke ujërash, ndë ditët të therëjesë madhe, kur të bienë pirgjetë.
26 Edhe drita e hënësë do të jetë posi drita e diellit, edhe drita e diellit do të jetë shtatë herë (më e madhe), posi drita e të shtatë ditvet, atë ditë që lith Zoti të thyerët’ e gjëndëjesë ti, edhe shëron plagën’ e të plagosurit atyre.
27 Na emëri i Zotit tek po vien për së largu, zemërimi i ati (ësht’) i flakëtë, edhe barra e ati (ësht’) e rëndë, buzët’ e ati janë plot me zemërim, edhe gluha e ati (është) posi zjarr që diek;
28 edhe frym’ e ati (është) rrym që vërshon, edhe harrin gjer ndë mest të qafësë, që të shoshnjë kombatë ndë shoshët të kotësirësë; edhe (do të jetë) ndër nofullat të gjëndëjevet një frë, që do t’i bënjë (ata) të humbasën’ udhënë.
29 Do të jetë kënkë ndër ju, posi natën’ e së kremtesë kur kremtonetë, edhe gëzim zëmëre, posi kur venë me fyeje për të ardhurë ndë mal të Zotit, te i Forti i Israilit.
30 Edhe Zoti do të bënjë të dëgjonetë lavdia e zërit ti, edhe do të dëftenjë t’unjurit’ e krahut ti, me hidhërimin’ e zemëratësë, edhe me flakën’ e zjarrit që diek, të hedhuravet, e erësë fortë, e gurëvet breshërit.
31 Sepse Asyriani do të hidhetë poshtë me zën’ e Zotit, do të rrihetë me shkop.
32 Edhe ku të shkonjë shkopi i urdhëruarë, që do të bierë Zoti mbi atë, do të jenë tymbana e qithara, edhe do të lëftonjë kundrë atyreve me lufta të frikëshime.
33 Sepse Tofeti është bërë gati që moti, po është bërë gati për mbëretinë; ay e bëri (atë) të thellë e të gjërë, zjarri i ati (është) flakë e shumë dru, fryma e Zotit do ta ndesnjë atë, posi rrym squfuri.
Kundër marrëveshjes me Egjiptin
1 Mjerë bijtë kryeneçë, kumton Zoti,
që sendërgjojnë, por pa më pyetur mua,
që lidhin besën, por jo të frymëzuar prej meje,
e që, kështu, i shtojnë mëkatet.
2 U nisët për të zbritur në Egjipt,
por pa më pyetur mua.
Kërkoni mbrojtjen e fuqishme të faraonit,
doni të gjeni strehë nën hijen e Egjiptit.
3 Mbrojtja e faraonit do t'ju kthehet në turp,
streha nën hijen e Egjiptit në poshtërim.
4 Vërtet prijësit tuaj ndodhen tashmë në Coan
dhe të dërguarit tuaj kanë mbërritur në Hanes,
5 por do të turpërohen të gjithë,
prej një populli që nuk sjell asnjë të mirë,
që nuk sjell as ndihmë e as dobi,
por veç turp e poshtërim.
6 Profeci kundër kafshëve të Negevit:
Në një vend vuajtjeje e mjerimi,
prej nga vijnë luanesha e luani,
nepërka e dragoi fluturues,
mbi kurriz gomarësh mbartin pasuritë,
mbi gunga devesh thesaret e tyre,
për t'ia çuar një populli
nga i cili gjë s'fitojnë.
7 E kotë e pavlerë është ndihma e Egjiptit,
prandaj dhe e quaj «Rahaba që s'luan vendit».
8 Shko tani e, para syve të tyre,
shkruaje këtë në një rrasë.
Shënoje në një rrotull,
që të mbetet për të ardhmen
deri në amshim.
9 Se ky popull është kryengritës,
bij mashtrimi janë ata,
bij që s'duan ta dëgjojnë ligjin e Zotit.
10 «Mos kini vegime!», u thonë vegimtarëve.
«Mos na dëfteni të vërtetën!», profetëve.
«Por na flisni me fjalë lajkatare
e na dëfteni veç mashtrime!
11 Shmanguni nga udha e drejtë,
dilni prej shtegut të vërtetë,
të shenjtin e Izraelit na e hiqni sysh!».
12 Prandaj kështu thotë i shenjti i Izraelit:
Meqë e përçmuat këtë fjalë
dhe besuat te shtypja e te shthurja,
duke u mbështetur fort mbi to,
13 kjo paudhësi do të jetë për ju si një e çarë,
si plasaritja e thellë e murit të lartë,
rrënimi i të cilit ndodh papritur në një çast.
14 Do të thyhet si një poçe prej balte,
do të thërrmohet pa mëshirë.
S'do t'i mbesë asnjë copëz,
për të marrë pak zjarr prej vatrës
apo për të nxjerrë një pikë ujë prej sternës.
15 Se kështu thotë Zoti Perëndi,
i shenjti i Izraelit:
po të ktheheni e të pushoni,
do të gjeni shpëtim;
po të jini në prehje e të keni besim,
do t'i gjeni forcat,
por ju nuk doni.
16 Ju thatë: «Aspak! Do të ikim me kuaj».
Mirë, pra, keni për të ikur.
«Do të kalërojmë shpejt e shpejt», thatë.
Mirë, pra, të shpejtë do të jenë
edhe ndjekësit tuaj.
17 Vetëm njëri do t'ju kërcënojë
e një mijë prej jush do të tremben,
pesë prej tyre do t'ju kërcënojnë,
do të merrni arratinë,
derisa të keni mbetur si hu në majë të malit,
si flamuri në majë të kodrës.
18 E pra, Zoti pret t'ju përdëllejë,
është ngritur t'ju mëshirojë,
se Zoti është Perëndi i drejtë;
lum ata që shpresojnë tek ai!
19 Se ti, o popull i Sionit, që banon në Jerusalem,
nuk ke për të qarë më,
mëshirë do të gjesh, sapo t'i kërkosh,
ndihmë do të marrësh, sapo të të dëgjojë.
20 E Zoti ka për t'ju dhënë
bukë në kohë fatkeqësie,
ujë në kohë mjerimi.
Mësuesi më prej teje s'do të fshihet,
por me sytë e tu do ta shohësh.
21 Nëse shmangeni djathtas,
apo nëse shmangeni majtas,
një zë nga pas do t'ju thotë në vesh:
«Ja ku është udha, bjerini andej!».
22 Idhujt e veshur me argjend
do t'i trajtosh si të papastër,
bashkë me idhujt prej metali
të veshur me ar.
Do t'i flakësh tej si papastërti grash
e do t'u thuash: «Qelbësirë!».
23 Atëherë do të dërgojë shi për farën
që do të kesh mbjellë nëpër ara
dhe buka që do të prodhojë toka,
e shijshme dhe e begatë do të jetë.
Atë ditë bagëtitë e tua do të kullotin
nëpër kullota të gjera.
24 Qetë e gomarët, që lërojnë arat,
do të hanë tagji të kripur,
të hedhur me lopatë e terplote.
25 Mbi çdo mal të lartë
e mbi çdo kodër të ngritur
përrenj do të ketë, që rrjedhin vrullshëm,
ditën e batërdisë së madhe,
kur do të shemben kullat.
26 Drita e hënës do të ndriçojë si drita e diellit,
drita e diellit do të jetë shtatë herë më e fortë,
porsi ndriçimi i shtatë ditëve do të jetë,
ditën kur Zoti të lidhë plagën e popullit të vet
e të shërojë vurratën e goditjes që vetë i dha.
27 Ja, prej së largu vjen emri i Zotit,
e zjarrtë furia e tij, e rëndë barra e tij,
plot zemërim janë buzët e tij,
gjuha e tij si flakë përvëluese.
28 Fryma e tij si përroi që vërshon
e që të mbulon deri në fyt,
që kombet t'i shoshitë me shoshë kërdie,
që popujve t'u vërë në nofulla fre shfrenimi.
29 Atëherë do t'ia merrni këngës,
si natën kur bëni festë,
me zemër të ngazëlluar, si ai që i bie fyellit,
kur shkon në malin e Zotit, te shkëmbi i Izraelit.
30 Zoti do të bëjë t'i dëgjohet zëri i madhërishëm,
do të tregojë si vringëllon krahu i tij,
me furinë e zemërimit të tij,
me flakët e zjarrit përvëlues,
me thëllim e me stuhi,
me shtrëngatë breshri.
31 Prej zërit të Zotit do të dridhet Asiria,
nga fshikullimat e shkopit të tij.
32 Çdo goditje e shkopit të ndëshkimit,
me të cilin Zoti do t'i bjerë,
do të përcillet me dajre e me harpa;
me beteja vringëlluese
kundër saj do të luftojë.
33 Qëmoti është gatitur vendi i zjarrit përvëlues,
gati është edhe për mbretin,
e kanë thelluar, e kanë zgjeruar,
turra e zjarrit është plot me dru,
fryma e Zotit si përrua squfuri,
flakën ka për t'i vënë.