1 Sepse na Zoti, Zoti i ushtërivet tek do të heqë pshtetëjen’ e ndihmënë nga Jerusalima e nga Judha, gjithë pshtetëjen’ e bukësë, edhe gjithë pshtetëjen’ e ujit,
2 të fortinë, e luftëtarinë, gjukatësinë, e profitinë, e të mënçëminë, e plakunë,
3 krye-pesë-dhietëshinë, e të nderëshiminë, këshillëtarinë, e mieshtrin’ e mënçim, e shortëtarin’ e urtë.
4 Edhe do t’u ap atyre çuna të vegjëlë për të parë, edhe foshnjetë do të zotëronjënë mbi ata.
5 Edhe gjëndëja do të shtrëngonetë: njeriu nga njeriu, edhe gjithë-se-cili nga i afërmi ti. I riu do të madhështonetë te plaku, edhe i poshtri te i nderëshimi.
6 Ndë zëntë njeri të vëllanë prej shtëpisë t’et, (e t’et i thotë): Qe rrobë, bënu i parë ndër një, edhe këjo prishëje (le të jetë) ndënë dorënë tënde.
7 Atë ditë do të bënjë be, e do të thotë: Nukë do të bënem miekës sepse ndë shtëpit t’ime s’kam as bukë, as rrobë. Mos më bëni të parin’ e gjëndëjesë,
8 sepse u prish Jerusalima, edhe Judha ra, sepse gluha e atyreve, edhe punët’ e atyreve (janë) kundrë Zotit, që të ndesnjënë syt’ e lavdis’ ati.
9 Të parët’ e faqes’ atyre deshmon kundrë atyreve, edhe leçitnjënë falin’ e tyre, posi Sodhomatë, nuk’ e fshehënë. Mjer shpirti i atyreve! Sepse i shpaguanë të këqia vetëhesë tyre.
10 Thoni të drejtit, se mirë (do të jetë për atë), sepse do të hajë pemën’ e duaret tia.
11 Mjer i paudhi! Keq (do të jetë për atë), sepse shpagimi i duaret ati do t’i bënetë.
12 Gjëndëjenë t’ime e shtrëngonjënë çuna të vegjëlë, edhe gratë zotëronjënë mbi atë. O gjëndëja ime, udhë-heqësit’ e tu të bënjënë të sillesh andej e këtej, edhe të prishnjën’ udhën’ e çapavet tua.
13 Zoti ngrihetë për të bërë gjyq, edhe rri për të gjukuarë gjëndëjetë.
14 Zoti do të hynjë ndë gjyq bashkë me pleqt’ e gjëndëjesë ti, edhe me të parët’ e asaj, sepse ju hëngrëtë vështinë; plaçkat’ e të vobegut (janë) ndër shtëpit tuaja.
15 Përse shtrënguatë gjëndëjenë t’ime, edhe bluatë faqet’ e të vobegjet - thotë Zoti Perëndia i ushtërivet.
16 Edhe Zoti thotë: Sepse bilat e Sionësë u madhështuanë, edhe ecënjënë me qafë të dreitë, e me sy të gënjyershim, ecënjënë butë, edhe ngërcëllonjënë me këmbët’ e tyre,
17 përandaj Zoti do të bënjë t’u bierë lesht’ e majësë kresë të bilavet Sionësë, edhe Zoti do të sbulonjë turpërin’ e atyreve.
18 Atë ditë Zoti do të heqë lavdin’ e stolivet që tringëllinjënë, edhe gërshetetë, e gjysma-hënëzatë,
19 qaforetë, e rrathët’ e duaret, e napatë,
20 kësulat’ e gërshetuara, e kofsharëtë, e lidhëjet’ e kresë, e kopëzat’ e erëravet, e vathëtë,
21 unazatë, e hundaretë,
22 stolit’ e larme, e rrobat’ e sipërme, e mbulesatë, e kuletatë,
23 pasqyratë, e të lintat’ e holla, e mitratë, e rrobat’ e verësë.
24 Edhe ndë vënt të erësë mirë, do të jetë qelbësirë; edhe ndë vënt të brezit, litar; edhe ndë vënt të komit bukurë, të rënë leshi; edhe ndë vënt të krahëroresë, të ngjeshurë thesi; të diegurë dielli, ndë vënt të bukurisë.
25 Burrat’ e tu do të therenë me thikë, edhe fuqia jote (do të mbesë) ndë luftë.
26 Edhe dyert’ e asaj do të psherëtinjënë e do të vajtonjënë, edhe ajo do të dirgjetë mbi truallt e shkretuarë.
Trazirë në Jerusalem
1 Ja! Zoti, Zoti i ushtrive
po heq prej Jerusalemit e prej Judës
çdo përkrahje e çdo mbështetje,
çdo ndihmë me bukë
e çdo ndihmë me ujë,
2 trimin e luftëtarin,
gjyqtarin e profetin,
shortarin e plakun,
3 kreun e njësisë pesëdhjetëshe,
bashkë me fisnikun,
këshilltarin dhe magjistarin e aftë,
yshtësin plot mjeshtëri.
4 Do t'u vë djelmosha si prijës,
foshnjat do të sundojnë mbi ta.
5 Njëri-tjetrin do ta shkelin me këmbë,
i afërti do të shtypë të afërtin,
i riu do të sillet keq me plakun
dhe i pandershmi me të ndershmin.
6 Do të rrëmbejë vëllai vëllanë,
brenda në shtëpinë e të atit.
«Ja, ku e ke gunën», do t'i thotë. «Prina,
kjo rrënojë është tani në dorën tënde».
7 Atë ditë do të ngrejë zërin e do të thotë:
«S'kam për t'u bërë mjeku i plagëve,
në shtëpi nuk ka as bukë e as gunë,
mos më caktoni prijës të popullit».
8 Jerusalemi po rrënohet, Juda po bie,
gjuha e veprat e tyre janë kundër Zotit,
i kundërvihen sy më sy të Lavdishmit.
9 Vetë pamja e fytyrës
dëshmon kundër tyre,
mëkatin e vet si Sodoma e shpallin
e nuk e fshehin.
Mjerë shpirti i tyre,
se vetes i kanë bërë keq!
10 I thoni të drejtit se është i lum,
se do të hajë frytin e veprave të veta.
11 Mjerë i paudhi, fatkeqësitë do ta godasin,
do ta gjejnë ato që ka bërë me duart e veta.
12 Shtypësit e popullit tim janë fëmijë,
gratë sundojnë mbi të.
O populli im, udhëheqësit e tu po të mashtrojnë
e drejtimin e udhës po ta ngatërrojnë.
13 Në këmbë u ngrit Zoti për të bërë padi,
në këmbë po rri për të gjykuar popujt.
14 Po vjen Zoti për të bërë gjyq
me pleqtë e popullit e prijësit e tij:
Jeni ju që e shkatërruat vreshtin,
në shtëpitë tuaja i keni plaçkat
që u rrëmbyet të varfërve.
15 Me ç'të drejtë e shtypni popullin tim
dhe dërrmoni fytyrën e të varfërve?
Kumton Zoti, Zoti i ushtrive!

16 E Zoti tha: krenohen bijat e Sionit,
ecin me qafën zgjatur e me vështrime joshëse,
ecin me hapa të vegjël lozonjarë,
unazat nëpër këmbë u tringëllojnë.
17 Por Zoti do t'ua bëjë kokën qerose,
Zoti do t'ua lërë ballin zbuluar.

18 Atë ditë Zoti do t'ua heqë stolitë e kyçeve të këmbës, fjongot e kokës e varëset gjysmëhënëshe, 19 vathët, byzylykët e vellot, 20 kësulat, gjerdanët e këmbës, brezat, enët e aromave e hajmalitë, 21 unazat e stolitë e hundës, 22 rrobat festive, mbulojat, shajet e çantëzat, 23 pasqyrat, këmishëzat, shamitë e kokës e xhubletat. 24 Atëherë, në vend të erës së mirë do të ketë kalbësi, në vend të brezit, litar, në vend të kaçurrelave, shogë, në vend të rrobës festive, grathore, në vend të hijeshisë, shëmti.
Të vejat e Jerusalemit
25 Burrat e tu do të bien nga shpata,
trimat e tu në betejë.
26 Gjëmë e vaj do të ketë në portat e tua,
i shkretuar do të ulesh përdhe.