1 Atë ditë Zoti do të mundonjë me thikën’ e ti, të keqen’ e të madhen’ e të fortënë, Leviathaninë gjarpërin’ e shtrëmbëtë, po, Leviathaninë gjarpërin’ e shtrembëtë, edhe do të vrasë lubinë që (është) ndë det.
2 Atë ditë këndoni asaj: O Vësht i dashurë,
3 unë Zoti do t’e ruanj atë; mbë ç’do herë do t’e ujit atë, që të mos i bënjë dëm ati (asndonjë), nat’ e ditë do t’e ruanj atë;
4 nukë do të jetë zemërim tek unë; cili do të venjë kundrë meje driza e gjëmba ndë luftë; do të shkonjam për mes t’atyre, do t’ i digjam këto bashkë,
5 a le të zihetë nga fuqia ime, (që) të bënjë paqtim bashkë me mua, (edhe) do të bënjë paqtim bashkë me mua.
6 Mbë t’ardhuritë do të bënjë Jakovinë të zërë rrënjë; Israili do të lulëzonjë, edhe do të bënjë dega, e do të mbushnjë faqen’ e botësë me pemë.
7 Mos i ra ati, sikundrë u ra atyreve që i ranë ati? Apo u vranë pas vdekëjes’ atyreve që u vranë nga ay?
8 Me masë do të lëftojsh bashkë me atë, kur ta hethç tej atë; mat erën’ e ti të fortënë ndë ditët të erësë diellit.
9 Andaj me këtë do të qëronetë panomia e Jakovit, edhe këjo (do të jetë) gjithë pema, të shuhetë fali i ati, kur të dërrmonjë gjithë gurët’ e tempujvet posi pluhur të hollë të këlqeresë, pyjet’ e mira edhe idhullatë nukë do të mbetenë më ndë këmbë.
10 Sepse qyteti i fortë do të shkretonetë, të ndenjuritë do të lihetë, edhe do të mbetetë posi shkretëtirë; atie do të kullosë viçi, edhe atie do të prëhetë, edhe do të hajë degat’ e asaj.
11 Kur të thahenë degat’ e asaj, do të këputenë; gratë do të vinjënë, e do t’i diegënë, sepse është gjëndëje pa mënt; andaj ay që bëri atë nukë do t’i vinjë keq për atë, edhe ay që gatoi atë nukë do t’e përdëllenjë atë.
12 Edhe atë ditë Zoti do të hedhë tej nga hendeku i lumit gjer ndë rrymt të Egjyftërisë, edhe ju do të mbëlidhi një nga një, ju të bijt’ e Israilit.
13 Edhe atë ditë do t’i bienë trumbetësë madhe, edhe do të vinjën’ ata që u prishnë ndë dhet të Asyrisë, edhe ata që qenë dëbuarë ndë dhet të Egjyftërisë, edhe do të lusnë Zotnë ndë malt të shënjtëruarë ndë Jerusalimë.
1 Atë ditë Zoti do të ndëshkojë me shpatën e vet të mprehtë, të madhe e të fuqishme Leviatanin, gjarprin dredharak, Leviatanin, gjarprin dredha-dredha, dhe do të vrasë përbindëshin e detit.
Vreshti i Zotit
2 Atë ditë, vreshtit të ëmbël këndojini!
3 Vetë unë, Zoti, e ruaj,
në kohën e duhur e ujis,
dhe, që të mos e dëmtojë askush,
ditë e natë bëj roje.
4 I zemëruar nuk jam.
Po të më vinin ferra e gjemba,
do të marshoja për të luftuar kundër tyre,
në flakë krejt do t'i digjja.
5 Por kush do të kërkojë mbrojtjen time,
do të bëjë paqe me mua,
po, do të bëjë paqe me mua.
6 Në të ardhmen Jakobi do të lëshojë rrënjë,
Izraeli do të lulëzojë e do të çelë sytha,
frutat do ta mbushin faqen e dheut.
7 A mos i ra vallë Izraelit,
aq sa u ra atyre që i binin atij?
A mos u vranë vallë,
aq sa u vranë ata që e vrisnin?
8 E ndëshkoi duke e dëbuar,
padi kundër tij ngriti,
me frymën e tij të fuqishme e degdisi,
në ditën e erës së furishme nga lindja.
9 Kështu do të shlyhet paudhësia e Jakobit,
ky do të jetë fryti i faljes së mëkatit të tij,
kur t'i kthejë tërë gurët e altarit
në pluhur gëlqereje të shuar,
kur shtyllat e Asherave dhe altarët e temjanit
të mos ngrihen më kurrë.
10 Qyteti i fortifikuar i shkretë do të mbetet,
pa banorë e i braktisur si shkretëtira.
Aty do të shkojnë të kullotin viçat,
aty do të shtrihen e degë do të hanë.
11 E kur degët të thahen e të këputen,
do t'i marrin gratë për të ndezur zjarr,
se ky popull nuk ka fare mençuri,
prandaj ai që e bëri,
s'do të ketë për të dhembshuri,
ai që i dha trajtë,
nuk do të ketë për të mëshirë.
12 Atë ditë Zoti do t'i shijë kallëzat,
që nga rrjedha e lumit deri te përroi i Egjiptit,
ndërsa ju një nga një do të mblidheni,
o bij të Izraelit!
13 Atë ditë do të bjerë boria e madhe
e do të vijnë të hapërdarët në tokën e Asirisë,
bashkë me të dëbuarit në dheun e Egjiptit.
Para Zotit do të përkulen
në malin e shenjtë, në Jerusalem.