1 Të faniturit’ e Vavillonësë, që pa Isaia i biri i Amosit.
2 Ngreni shenjë mbi malt të lartë, ngreni zënë tek ata, tuntni dorënë që të hynjënë ndër dyert të parëvet.
3 Un’ urdhërova ata që kam vënë, po më fort thërrita të fortët’ e mi për zemëratënë t’ime, ata që gëzonenë për lavdinë t’ime.
4 Zëri një shumice mbi malet, posi një gjëndëje të madheje, një zë i trubullë i mbëretëret kombavet që janë mbëledhurë; Zoti i ushtërivet po vështron ushtërin’ e luftësë.
5 Po vinjënë nga dheu i largë, nga fundi i anëvet qiellit, Zoti edhe armët’ e zemëratës’ ati, që të shuanjënë gjithë dhenë.
6 Klani me ulërimë, sepse u afrua dit’ e Zotit, do të vinjë posi prishëje prej Fuqi-madhit.
7 Përandaj gjithë duartë do të sgjidhenë, edhe ç’do zemërë njeriu do të tretetë.
8 Edhe do të trishtonjënë; të dhëmbura e shtrëngime do t’i pushtonjën’ ata; do të kenë të dhëmburë, posi ajo që piell, do të mbetenë të habiturë njëri te jatri, faqet’ e atyreve (do të jenë) posi flaka.
9 Na dit’ e Zotit tek po vien, e keqe edhe me zemëratë e me mëri të flakëtë, që të shkretonjë dhenë, edhe do të shuanjë nga ay faltorët’ e ati.
10 Sepse yjet’ e qiellit edhe shenjet’ e yjevet ati nukë do të lëshonjënë dritën’ e tyre; dielli do t’erretë ndë të lindurit të ti, edhe hëna nukë do të lëshonjë dritën’ e saj.
11 Edhe do të mundonj botënë për të ligënë, edhe të paudhëtë për panomin’ e atyreve; edhe do të pushonj madhështin’ e madhështorëvet, edhe do të përunj mëndëjen’ e lartë të njerëzet frikëshim.
12 Do t’e bënj njerinë më të vëlyerë se arin’ e qëruarë, po më fort njerinë, se arin’ e Ofirit.
13 Përandaj do të tunt qiejtë, edhe dheu do të luanjë vëndit ti, ndë zemëratët të Zotit ushtërivet, edhe ndë ditët të zemëratësë ti të flakëtësë.
14 Edhe do të jetë posi kapruall që e gjuanjënë, edhe posi dele mbeturë mb’ udhë; si-cili do të kthenetë te gjëndëj’ e ti, edhe si-cili do t’ikënjë ndë vënt të ti.
15 Gjithëkush të gjëndetë do të çponetë, edhe gjith’ ata që janë mbëledhurë do të bienë prej thike.
16 Edhe bijt’ e atyreve do të copëtonenë ndër syt t’ atyreve, shtëpit’ e atyreve do të plaçkitenë, edhe grat’ e atyreve do të turpëronenë.
17 Na tek do të ngre Midhëtë mbi ata, të cilëtë nukë do të mendonjënë për argjënt, edhe ari nukë do t’u pëlqenjë atyre.
18 Po harqet’ e atyreve do të dërmonjënë dialoshatë, edhe nukë do t’u dhëmbetë për pemën’ e barkut; syri i atyreve nukë do të kursenjë djem.
19 Edhe Vavillona, lavdia e mbëretëret, të mburrurit’ e lavdëruarë të Haldhevet, do të jetë posi atëhere kur prishi Perëndia Sodhomat’ e Gomorratë;
20 kurrë ndonjëherë s’ka për të ndenjurë njeri, as s’ka për të ngulurë njeri tendë bres pas brezi; as Arapëtë s’kanë për të ngulurë tendat’ e tyre atie, as bari nukë do të prëhen’ atie,
21 po bisha do të prëhen’ atie, edhe shtëpit’ e atyreve do të jenë plot me shtëzë që ulërinjënë; edhe kamille-zoq do të rrinë atie, edhe njerës t’egrë do të karcenjën’ atie;
22 edhe maçokë të egrë do të thërresënë ndër shtëpit t’atyreve të shkretatë, edhe çakaj ndër pallatet të prëjturit; edhe koh’ e asaj po afronetë të vinjë, edhe dit e asaj nukë do të sgjatenë.
Profeci kundër Babilonisë
1 Profecia kundër Babilonisë, që pa Isaia, biri i Amosit.
2 Mbi një mal të zhveshur ngrini flamurin,
lëshojuni kushtrimin e bëjuani me dorë,
që të hyjnë nëpër dyert e fisnikëve.
3 Të shenjtëruarve të mi u kam dhënë urdhër
e trimat i kam thirrur,
që të vënë në jetë zemërimin tim,
ata që krenohen me madhështinë time.

4 Një zë turme nëpër male,
i ngjan një morie të shumtë,
ushtojnë mbretëritë,
kombet e bëra tok;
Zoti i ushtrive po mbledh
ushtrinë për të bërë luftë!
5 Vijnë nga një vend i largët,
nga skajet e qiellit vijnë
Zoti dhe armët e zemërimit të tij,
tokën mbarë për të shkatërruar.
6 Vajtoni, se po afron dita e Zotit,
si shkatërrim prej të gjithëpushtetshmit po vjen!
7 Prandaj të gjitha duart po ngathen,
gjithë njerëzit po i lëshon zemra.
8 Do të tmerrohen, do të dridhen,
dhimbjet do t'i pushtojnë,
do të përpëliten si gruaja që lind,
me tmerr do të shohin njëri-tjetrin,
fytyrat do t'u përflaken.

9 Ja, po vjen dita e Zotit,
mizore dhe e furishme,
plot zemërim përvëlues,
për ta kthyer vendin në shkretëtirë,
mëkatarët për t'ia zhbirë.
10 Yjet e qiellit, bashkë me yjësitë,
më nuk do të ndriçojnë,
sapo të lindë, dielli do të erret
e hëna dritë më s'do të bëjë.

11 Do ta ndëshkoj botën për ligësinë e saj
e të paudhët për fajet e tyre,
do t'i jap fund mburrjes së kryelartëve,
do ta hedh poshtë kryeneçësinë e gjakatarëve.
12 Njeriu do të jetë më i rrallë se ari i kulluar,
njerëzia më e rrallë se ari i Ofirit.
13 Do ta bëj qiellin të trandet
e toka do të tundet nga vendi,
prej zemërimit të Zotit të ushtrive
ditën e shpërthimit të furisë së tij.
14 Do të ndodhë si me sutën që e ndjekin pas,
si me delet që kanë mbetur pa bari.
Gjithkush do të kthehet te populli i vet,
gjithkush do t'ia mbathë drejt vendit të vet.
15 Kush kapet, do të tejshpohet,
kush zihet, do të bjerë nga shpata.
16 Fëmijët do t'ua copëtojnë para syve,
shtëpitë do t'ua plaçkitin,
gratë do t'ua dhunojnë.
17 Ja, kundër tyre do të ngre medët,
të cilët argjendin nuk e çmojnë
e arin nuk e dëshirojnë.
18 Me hark do t'ua vrasin të rinjtë,
për foshnjat në bark s'do të kenë mëshirë,
as për fëmijët s'do të duan t'ia dinë.
19 Babilonia, më e bukura ndër mbretëritë,
lavdia e krenarisë së kaldenjve,
si Sodoma e Gomorra do të bëhet,
kur ta përmbysë Perëndia.
20 Në të nuk do të rrijë më kush,
e pabanuar do të jetë brez pas brezi,
atje arabët nuk do të ngrenë më tenda
e barinjtë s'do të ndalen me bagëtitë.
21 Veç egërsirat e shkretëtirës do të rrinë atje,
shtëpitë e tyre do të mbushen me huta,
zogjtë e strucit do të gjejnë atje strehë,
dhitë e egra do të hedhin valle.
22 Në banesat e saj do të hingëllijnë hienat,
çakejtë në pallatet e saj të shtrenjta.
Koha e saj s'do të vonojë të vijë,
ditët e saj nuk kanë për të zgjatur.