1 Edhe Josifi erdhi e i dha zë Faraonit, edhe i tha: Im atë, edhe tem vëllezër, edhe dhënt’ e atyre, edhe lopët’ e atyre, edhe gjithë ç’kanë, erthnë nga dheu i Hanaanit, edhe na tek janë ndë dhe të Goshenit.
2 Edhe mori shtatë burra prej të vëllezërish, e ja nxori përpara Faraonit.
3 Edhe Faraoni u tha të vëllezëret ati: Ç’punë bëni ju? Edhe ata i thanë Faraonit: Shërbëtorët’ e tu (janë) bari dhënsh, edhe neve, edhe atëritë tanë.
4 Pastaj i thanë Faraonit: Erdhëm që të zëmë vënt ndë këtë dhe, sepse s’ka kullotë për tufat’ e shërbëtorëvet tu, sepse zia u rëndua ndë dhet të Hanaanit, tashi pra, të lutemi, le të rrimë shërbëtorët’ e tu ndë dhet të Goshenit.
5 Edhe Faraoni i tha Josifit: Yt atë edhe tët vëllezër erthnë te ti, 6 dheu i Egjyptërisë është përpara teje, vërë të rrinë yt atë edhe tët vëllezër ndë më të mirinë dhe, edhe le të rrinë ndë dhe të Goshenit, edhe ndë di se gjëndenë ndër ata burra të zotë, vëri kujdestarë mbi bagëtit të mia.
7 Edhe Josifi futi Jakovinë t’anë, edhe e nxori përpara Faraonit, edhe Jakovi bekoi Faraonë. 8 Edhe Faraoni i tha Jakovit: Si sa (janë) dit e vietet jetësë sate? 9 Edhe Jakovi i tha Faraonit: Dit e vietet mi ndë dhe të huajë (janë) një qint e tridhietë viet, dit e vietet jetësë sime kanë qenë të paka e të liga, edhe nuk’ ua harrinë ditvet vietet jetës’ atërëvet mi ndë dit që rrijnë ndë dhe të huajë. 10 Edhe Jakovi bekoi Faraonë, edhe doli nga syt’ e Faraonit.
11 Edhe Josifi vu t’anë edhe të vëllezëritë të rrinë, edhe u dha atyre vënt ndë dhe të Egjyptërisë, mbë më të mirinë dhe, ndë dhe të Ramesësë, sikundrë urdhëroi Faraoni. 12 Edhe Josifi ushqente me bukë t’anë, edhe të vëllezëritë, edhe gjithë shtëpin’ e t’et pas fëmijëvet (atyre).
13 Edhe nukë (kishte) bukë mbë gjithë dhenë, sepse zia ishte fort e rëndë, kaqë sa dheu i Egjyptërisë, edhe dheu i Hanaanit u shuanë nga zia.
14 Edhe Josifi mbëlodhi gjith’ argjëndinë që gjëndej ndë dhe të Egjyptërisë, e ndë dhe të Hanaanit për drithinë që blininë, edhe Josifi pruri argjëndinë ndë shtëpi të Faraonit.
15 Edhe passi u mbarua argjëndi nga dheu i Egjyptërisë, e nga dheu i Hanaanit, erthnë gjithë Egjyptianëtë te Josifi, e i thanë: Epna bukë, sepse përse të vdesëmë përpara teje? Sepse u mbarua argjëndi. 16 Edhe Josifi tha: Bini bagëtitë tuaja, edhe do t’u ap (bukë) ndë vënt të bagëtivet tuaj, ndë u mbarua argjëndi. 17 Edhe (ata) prunë bagëtit’ e tyre te Josifi, edhe Josifi u dha atyre bukë ndë vënt të kuajvet, e ndë vënt të dhënet, e ndë vënt të qevet, e ndë vënt të gomarëvet, edhe i ushqeu ata me bukë atë vit ndë vënt të gjithë bagëtivet atyre.
18 Edhe passi u mbarua ay vit, erthnë tek ay të dytinë vit e i thanë: S’do ta fshehëmë prej tën zot se s’mbeti argjënt, edhe bagëtitë (u bënë) të tën zot, veç kurmatë tanë, edhe dheu ynë, 19 përse të humbasëmë përpara teje, edhe neve, edhe dheu ynë? Blina neve, edhe dhenë tanë për bukë, edhe do të jemi, neve edhe dheu ynë, shërbëtorë te Faraoni, edhe epna farë, që të rroimë, e të mos vdesëmë, edhe të mos shkretonetë dheu.
20 Edhe Josifi bleu gjithë dhen’ e Egjyptërisë për Faraonë, sepse Egjyptianëtë shitnë gjithësecili arën’ e ti, sepse zia u rëndua tepërë mbi ata, kështu dheu u bë i Faraonit, 21 edhe gjëndëjesë u ndërroi vëndetë ndër qytete, nga njëra anë e sinorevet Egjyptërisë, gjer ndë tiatrët anë t’asaj, 22 vetëmë dhen’ e priftëret nukë bleu, sepse priftëritë kishinë piesën’ (e tyre) nga Faraoni, edhe haninë piesën’ e tyre, që u kishte dhënë Faraoni, përandaj nukë shitnë dhen’ e tyre.
23 Atëhere Josifi i tha gjëndëjesë: Na tek bleva juve edhe dhenë tuaj sot për Faraonë, na merrni farë, edhe mbillni dhenë, 24 edhe ndë kohë të drithit, do t’i epni të pesëtënë Faraonit, edhe të katrë piesatë do të jenë tuajatë, për farë arash, e për ushqiminë tuaj, e për ata që janë ndë shtëpi tuaj, edhe për ushqim të djemet tuaj. 25 Edhe ata thanë: Ti na shpëtove jetënë, le të gjejmë hirë përpara tën zoti, edhe le të jemi shërbëtorët’ e Faraonit.
26 Edhe Josifi vuri këtë zakon ndë dhe të Egjyptërisë, gjer mbë sot: t’i epet’ e pesëta Faraonit, përveç dheut priftëret vetëmë, që nuk’ u bë e Faraonit.
27 Edhe Israili ndënji ndë dhe të Egjyptërisë, ndë dhe të Goshenit, edhe vuri gjë nd’atë, edhe u shtuanë, e u shumuanë fort. 28 Edhe Jakovi rroi edhe shtatëmbëdhietë viet ndë dhe të Egjyptërisë, edhe dit’ e vietet jetësë Jakovit u bënë një qint e dyzet e shtatë viet.
29 Edhe u afruanë dit e Israilit që të vdiste, edhe (ay) thirri të birrë Josifnë, e i tha: Ndë kam gjeturë hirë tashi përpara teje, të lutem, vëre dorënë tënde ndënë kofshët time, edhe bën tek unë përdëllim e të vërtetë, të mos më këllaç ndë varr, të lutem, ndë Egjyptëri, 30 po do të flë bashkë me atërit’ e mi, edhe do të më ngresh nga dheu i Egjyptërisë, edhe do të më këllaç ndë varr t’atyre. Edhe ay tha: Unë do të bënj pas fialësë sate. 31 Edhe ay tha: Bëmë be, edhe (ay) i bëri be. Edhe Israili unji kryetë mbi majët të shkopit (ati).
1 Atëherë Jozefi shkoi e njoftoi faraonin: «Im atë e vëllezërit e mi kanë ardhur nga toka e Kanaanit bashkë me dhentë e qetë e tyre dhe me gjithçka kanë dhe tani ndodhen në tokën e Goshenit». 2 Jozefi kishte zgjedhur pesë nga vëllezërit e i kishte nxjerrë para faraonit. 3 Atëherë faraoni u tha vëllezërve: «Me çfarë merreni?». Ata i thanë: «Shërbëtorët e tu janë barinj, ashtu siç kanë qenë edhe etërit tanë. 4 Kemi ardhur për të banuar si të huaj, se zia e bukës është aq e rëndë në tokën e Kanaanit, saqë nuk ka më kullota për bagëtitë e shërbëtorëve të tu. Prandaj, lejoji shërbëtorët e tu të banojnë në Goshen». 5 Atëherë faraoni i tha Jozefit: «Yt atë dhe vëllezërit e tu erdhën te ti. 6 Toka e Egjiptit është para teje. Vendose tët atë e vëllezërit e tu në vendin më të mirë. Le të banojnë në tokën e Goshenit e nëse di se ndonjëri prej tyre është i aftë, vendose si kryembikëqyrës të bagëtive të mia».
7 Pastaj Jozefi mori me vete Jakobin, të atin, dhe e nxori para faraonit. Jakobi e bekoi faraonin. 8 Atëherë faraoni e pyeti Jakobin: «Sa vjeç je?». 9 Ai iu përgjigj: «Kam njëqind e tridhjetë vjet që endem në këtë botë. Të pakta e të liga kanë qenë vitet e jetës sime dhe ende nuk i kam mbushur vitet e shtegtimit të etërve të mi». 10 Pastaj Jakobi e bekoi faraonin e u largua prej tij. 11 Atëherë Jozefi i vendosi të atin e vëllezërit të banonin atje ku i kishte urdhëruar faraoni dhe, në tokën e Egjiptit, u dha për pronë tokën më të mirë që ishte në vendin e Ramsesit. 12 Jozefi u kujdes për të atin, për vëllezërit e vet dhe për gjithë familjen e atit të tij e u dha bukë sipas numrit të fëmijëve.
Zia e bukës në Egjipt
13 Zia e bukës ishte aq e rëndë, saqë nuk kishte bukë në gjithë vendin. Toka e Egjiptit dhe e Kanaanit u shkretuan prej zisë. 14 Prej shitjes së grurit, Jozefi mblodhi të gjitha paratë që gjendeshin në tokën e Egjiptit e Kanaanit dhe i dorëzoi në thesarin e faraonit. 15 Kur paratë mbaruan në tokën e Egjiptit e Kanaanit, gjithë Egjipti erdhi te Jozefi e i tha: «Na jep bukë, sepse na kanë mbaruar paratë. Pse duhet të vdesim para syve të tu?». 16 Atëherë Jozefi u tha: «Nëse ju kanë mbaruar paratë, sillni gjënë e gjallë që t'jua këmbej me grurë». 17 Ata ia prunë dhe Jozefi u dha ushqime në këmbim të kuajve, dhenve, qeve e gomarëve. Kështu, atë vit Jozefi i mbajti me bukë në këmbim të gjithë gjësë së gjallë. 18 Viti kaloi, por pas një viti ata erdhën përsëri e i thanë: «S'duam t'ia fshehim zotërisë sonë se tani që na kanë mbaruar paratë dhe gjëja e gjallë i përket zotërisë sonë, nuk ka mbetur asgjë tjetër për t'i dhënë zotërisë sonë, përveç vetes e tokës tonë. 19 Kështu do të marrim fund para syve të tu, ne bashkë me arat tona. Në këmbim të ushqimit na bli si skllevër për faraonin, ne dhe arat tona. Na jep farë gruri, që të mos vdesim e të mos na shkretohen arat».
20 Atëherë Jozefi e bleu tërë tokën e Egjiptit për faraonin, sepse zia e bukës ishte aq e rëndë, saqë çdo egjiptiani iu desh të shiste arën e vet. Kështu, toka u bë e faraonit 21 dhe populli u vu nën skllavëri anekënd Egjiptit. 22 Vetëm tokat e priftërinjve, Jozefi nuk i bleu, sepse faraoni u kishte caktuar një racion buke dhe ata rronin prej saj. Për këtë arsye, priftërinjtë nuk i shitën arat e tyre. 23 Jozefi i tha popullit: «Tani që ju kam blerë ju e arat tuaja për faraonin, ja ku e keni grurin për vete dhe për arat tuaja. 24 Por, kur të korrni, një të pestën do t'ia jepni faraonit. Ndërsa pjesa tjetër do të jetë e juaja për farë e për të ushqyer veten, familjet e fëmijët tuaj». 25 Ata i thanë: «Na shpëtove! Në dashtë zotëria ynë, ne do të bëhemi skllevër të faraonit». 26 Kështu, Jozefi e bëri ligj në tokën e Egjiptit: Një e pesta i takon faraonit. Vetëm tokat e priftërinjve nuk i përkasin atij. Ky ligj është deri më sot.
Ditët e fundit të Jakobit
27 Izraeli banoi në tokën e Egjiptit, në Goshen. Aty patën prona, u shtuan dhe u shumuan. 28 Jakobi jetoi në tokën e Egjiptit shtatëmbëdhjetë vjet. Ai jetoi gjithsej njëqind e dyzet e shtatë vjet. 29 Kur po i afrohej koha për të vdekur, Izraeli thirri Jozefin, të birin, e i tha: «Nëse kam gjetur hir para teje, vëre dorën tënde nën kofshën time. Tregohu mirëdashës dhe besnik me mua. Mos më varros në Egjipt! 30 Kur të pushoj me etërit e mi, më merr nga Egjipti dhe më varros në varrin e të parëve». Ai i tha: «Do të bëj siç the». 31 Jakobi i tha: «M'u beto!» e Jozefi iu betua. Atëherë Izraeli u përkul me nderim pranë kokës së shtratit.