1 Edhe Isaaku thërriti Jakovinë, edhe bekoi atë, edhe e porositi, e i tha: Të mos marrç grua nga të bilat Hanaanit, 2 ngreu e shko ndë Padan-aram ndë shtëpi të Vathuilit t’et sat ëme, edhe së andejmi merr grua për vetëhenë tënde nga të bilat’ e Llavanit të vëllat sat ëme, 3 edhe Perëndia Fuqi-madhi të bekoftë, e të shtoftë, e të shumoftë, kaqë sa të bëneç shumë gjëndëje; 4 edhe të dhashtë bekimin’ e Avraamit ty, edhe farësë sate bashkë me ty, që të trashëgonjç dhen’ e huajë që rri ti, të cilinë ja dha Avraamit Perëndia.
5 Edhe Isaaku dërgoi Jakovinë, edhe vate ndë Padan-aram te Llavani, i biri Vathuil Syrianit, i vëllai Revekësë s’ëmësë Jakovit edhe Isafit.
6 Edhe Isafi kur pa se Isaaku bekoi Jakovinë, edhe e dërgoi atë ndë Padan-aram, për të marrë grua për vetëhen’ e ti së andejmi, edhe se, kur bekonte atë, e porositi tuke thënë: Mos marrç grua nga të bilat’ e Hanaanit, 7 edhe se Jakovi i dëgjoi t’et e s’ëmësë, edhe vate ndë Padan-aram. 8 Edhe Isafi kur pa se të bilat’ e Hanaanit ishinë të këqia ndër sy t’et Isaakut, 9 Isafi vate te Ismaili, edhe përveç të tieravet gravet ti mori grua për vetëhen’ e ti Mahallathënë, të bilën’ e Ismailit të birit Avraamit, të motërën’ e Nebaiothit.
10 Edhe Jakovi dolli nga Beer-shebaja, e vate ndë Haran.
11 Edhe harriu mbë një vënt, edhe shkoi natën’ atie, sepse kishte perënduarë dielli, edhe mori nga gurët’ e vëndit, edhe e vuri ndënë kryet të ti, edhe fjeti nd’atë vënt. 12 Edhe pa ëndërrë, edhe na një palë shkallë te kishinë qëndruarë mbi dhet, që i harrinte kryetë ndë qiell, edhe na ëngjëjt’ e Perëndisë tek hipënin’ e cbrisinë mbi ato. 13 Edhe Zoti tek po rrinte mbi ato, edhe tha: Unë (jam) Zoti Perëndia i Avraamit tyt et, edhe Perëndia i Isaakut, këtë dhe që po fle ti mbi atë, do ta ap ty, edhe farësë sate, 14 edhe fara jote do të jetë posi rëra e dheut, edhe do të shtrihesh nga perëndon e nga lint dielli, nga an’ e borës’ e nga an’ e shiut, edhe gjithë farat’ e dheut do të bekonenë mbë ty, e mbë farët tënde, 15 edhe na unë (tek jam) bashkë me ty, edhe do të të ruanj gjithë kudo të veç, edhe do të bie ty përsëri mbë këtë dhe, sepse nuk do të heq dorë nga ti, gjersa të bënj ato që të fola ty.
16 Edhe Jakovi kur u squa nga gjumi, tha: Me të vërtetë Zoti qënëka mbë këtë vënt, edhe unë nuk’ e pasëkam diturë. 17 Edhe u frikësua, e tha: Sa i frikëshim (qënëka) ky vënt! Ky nukë (është) tietërë veçe shtëpi Perëndie, edhe këjo dera e qiellit. 18 Edhe Jakovi u ngre shpejt me natë, e mori atë gurinë që pat vënë ndënë kryet të ti, edhe e nguli atë për shtyllë, edhe derdhi val ndë majët t’ati. 19 Edhe ja vuri emërin’ ati vëndi Beth-ell [shtëpi Perëndie], edhe emëri i ati qyteti (thuhej) përpara Lluz.
20 Edhe Jakovi bëri uratë, e tha: Ndë qoftë Perëndia bashkë me mua, ndë më ruajtë ndë këtë udhë që po vete, edhe ndë më dhashtë bukë të ha, edhe rrobe të vishem, 21 edhe të kthenem me paqtim ndë shtëpi të tim et, atëhere Zoti do të jetë Perëndia im, 22 edhe ky gur që ngula për shtyllë, do të jetë shtëpi Perëndie, edhe nga të gjitha sa që të më apç, do të të bie të dhietënë.
1 Atëherë Isaku e thirri Jakobin, e bekoi dhe e urdhëroi: «Mos merr grua nga bijat e Kanaanit. 2 Ngrihu e shko në Padan Aram, në shtëpinë e Betuelit, atit të nënës tënde. Atje merr grua nga bijat e Labanit, vëllait të nënës tënde. 3 Perëndia i gjithëpushtetshëm të bekoftë, të shumoftë e të shtoftë që të bëhesh shumicë popujsh. 4 Ai të dhëntë, ty e pasardhësve të tu, bekimin e Abrahamit që ta trashëgosh tokën që Perëndia ia dha Abrahamit, ku ti banon si i huaj». 5 Isaku e nisi Jakobin dhe ai shkoi në Padan Aram, te Labani, biri i Betuel Arameasit, të vëllait të Rebekës, të ëmës së Jakobit dhe Esaut.
Esau martohet sërish
6 Esau e pa se Isaku e bekoi Jakobin dhe e dërgoi në Padan Aram për të marrë grua prej andej, se e bekoi dhe e urdhëroi të mos merrte grua nga bijat e Kanaanit. 7 Jakobi e dëgjoi të atin dhe të ëmën e shkoi në Padan Aram. 8 Kur Esau pa se Isaku, i ati, i shihte me sy të keq bijat e Kanaanit, 9 shkoi tek Ishmaeli e mori për grua, përveç atyre që kishte, Mahalatën, bijën e Ishmaelit, birit të Abrahamit, motrën e Nebajotit.
Ëndrra e Jakobit
10 Jakobi doli nga Bersheba e shkoi në Haran. 11 Arriti në njëfarë vendi e u ndal për të kaluar natën, sepse dielli kishte perënduar. Mori një nga gurët aty pranë, e vuri nën krye e fjeti aty. 12 Dhe pa një ëndërr. Në ëndërr pa një shkallare që qëndronte në tokë, maja e së cilës prekte qiellin. Engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin mbi shkallë. 13 Dhe ja, Zoti, që qëndronte mbi të, tha: «Unë jam Zoti, Perëndia i Abrahamit, atit tënd, dhe Perëndia i Isakut. Tokën ku je shtrirë do të ta jap ty e pasardhësve të tu. 14 Ata do të jenë si pluhuri i tokës e ti do të shtrihesh drejt lindjes e perëndimit, drejt veriut e jugut. Të gjitha fiset e tokës do të bekohen në ty e në pasardhësit e tu. 15 Ja, unë jam me ty. Do të të ruaj kudo që të shkosh e do të të kthej në këtë vend, sepse nuk do të heq dorë prej teje pa bërë çfarë të thashë». 16 Atëherë Jakobi u zgjua e tha: «Me të vërtetë Zoti qenka në këtë vend e unë nuk e dija». 17 I frikësuar tha: «Sa i frikshëm ky vend! Nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë dhe porta e qiellit».
18 Jakobi u ngrit herët në mëngjes, mori gurin që kishte vënë nën krye, e vendosi si përmendore dhe hodhi vaj mbi të. 19 Ai e quajti atë vend Betel. Më parë qyteti quhej Luz. 20 Jakobi u betua e tha: «Nëse Perëndia është me mua e më ruan në udhëtimin që kam nisur, nëse më jep bukë për të ngrënë e rroba për të veshur, 21 nëse më kthen shëndoshë e mirë në shtëpinë e tim eti, atëherë Zoti do të jetë Perëndia im, 22 ky gur që kam vendosur si përmendore do të jetë shtëpia e Perëndisë dhe ty do të të jap të dhjetën e çdo gjëje që do të më japësh».