1 Edhe u bë zi buke nd’ (atë) dhe, përveç asaj zisë parë që qe bërë ndë dit të Avraamit. Edhe Isaaku vate tek Abimelehu, mbëreti i Filistejvet ndë Gerara. 2 Edhe Zoti iu duk ati, e i tha: Mos sbrit ndë Egjyptëri, rri nd’atë dhe që do të të them, 3 rri i huajë ndë këtë dhe, edhe unë do të jem bashkë me ty, edhe do të të bekonj, sepse ty edhe farësë sate do t’ap gjithë këta vënde, edhe do të mbush benë që i bëra Avraamit tyt et, 4 edhe do të shumonj farënë tënde posi yjet’ e qiellit, edhe do t’i ap farësë sate gjithë këta vënde, edhe gjithë kombet’ e dheut do të bekonenë ndë farët tënde, 5 sepse Avraami ma dëgjoi zënë, edhe ruajti urdhërimet e mi, (e) porosit’ e mia, (e) fialët’ e mia, e nomet’ e mi. 6 Edhe Isaaku ndenji ndë Gerara.
7 Edhe njerëzit’ e ati vëndi e pyetnë për gruan’ e ati, edhe (ay) tha: Ësht’ ime motërë, sepse pat frikë të thoshte: Ime shoqe; (tuke thënë me vetëhen e ti) mos më vrasënë njerëzit’ e këti vëndi për Revekënë, sepse ishte e bukurë ndë sy. 8 Edhe si ndenji atie shumë dit, Abimelehu mbëreti i Filistejvet, u kurrus nga parathiri, e pa, edhe na Isaaku tek po loste bashkë me Revekënë të shoqen’ e ti. 9 Edhe Abimelehu thirri Isaakunë, e tha: Na, me të vërtetë këjo (është) gruaja jote, përse the pra, (se): Ësht’ ime motërë? Edhe Isaaku i tha ati: Sepse thashë: Mos vdes nga puna e asaj. 10 Edhe Abimelehu tha: Ç’(është) këjo (punë) (që) na bëre? Për pak gjë pat për të fjeturë ndonjë nga gjëndëja bashkë me gruanë tënde, edhe pate për të prurë panomi mbi ne. 11 Edhe Abimelehu urdhëroi gjithë gjëndëjenë, tuke thënë: Kush të ngasë këtë njeri, a gruan’ e ati, do të vritetë krejt.
12 Edhe Isaaku mbolli nd’atë dhe, edhe mbëlodhi atë mot për një, njëqint, edhe Zoti e bekoi atë. 13 Edhe ay njeri madhonej, edhe vinte mbarë tuke shtuarë, gjersa u bë fort i math, 14 edhe fitoi dhen, e lopë, e shumë shërbëtorë, edhe Filistejt’ e kishinë cmir. 15 Edhe gjith’ ata pusa që patnë rëmuarë shërbëtorët’ e t’et ndë dit t’Avraamit, Filistejt’ i mbyllnë e i mbushnë me dhe. 16 Edhe Abimelehu i tha Isaakut: Ikë prej nesh, sepse u bëre fort më i fortë se neve.
17 Edhe Isaaku iku së andejmi, edhe nguli tendën’ e ti ndë groporet të Geraravet, edhe ndenji atie. 18 Edhe Isaaku hapi përsëri ata pusat’ e ujit që patnë rëmuarë mbë dit t’Avraamit t’tet, edhe Filistejt’ i mbyllnë ata pas vdekëjes’ Avraamit, edhe i kluajti me ata emëra që i pat kluajtur’ i ati. 19 Edhe shërbëtorët’ e Isaakut rëmuanë ndë groporet, edhe gjetnë atie pus uji të gjallë. 20 Edhe barit’ e Geraravet u hëngrë me fialë bashkë me barit’ e Isaakut, tuke thënë: Ky ujë (ësht’) yni, edhe e kluajtnë pusinë Esek, sepse u hëngrë me fialë bashkë me atë. 21 Edhe rëmuanë një tiatërë pus, edhe u hëngrë me fialë edhe për atë, përandaj e kluajtnë atë Sitna. 22 Edhe (ay) si u ngrit andej e vate gjetëk, rëmoi një tiatërë pus, edhe nuk’ u hëngrë me fialë për këtë, edhe e kluajtnë atë Rehoboth, tuke thënë se: Tashi na sgjëroi Zoti, e na shtoi mbi dhet.
23 Edhe së andejmi u ngre ndë Beersheba. 24 Edhe Zoti iu duk ati atë natë, e tha: Unë (jam) Perëndia i Avraamit tyt et, mos u frikëso, sepse unë (jam) bashkë me ty, edhe do të të bekonj, edhe do të shtonj farënë tënde, për Avraaminë shërbëtorinë tim.
25 Edhe (ay) ndërtoi atie një therore, edhe thirri emërin’ e Zotit, edhe nguli atie tendën’ e ti, edhe shërbëtorët’ e Isaakut rëmuanë atie pus.
26 Atëhere Abimelehu vate tek ay nga Geraratë, edhe Ahuzathi një miku i ati, edhe Fiholli kryeushtëtori i ushtërisë ati. 27 Edhe Isaaku u tha atyre: Përse erthtë tek unë, passi ju më mërzittë, e më dëbuatë prej jush? 28 Edhe ata thanë: E pam faqeza, se Zoti është bashkë me ty, edhe tham: Le të bënetë be tashi ndërmes neve, ndërmes neve e teje, edhe le të lidhëmë fialë bashkë me ty, 29 se s’do të na bënjç keq, sikundrë edhe neve nukë të ngam, edhe sikundrë të bëm vetëmë mirë, edhe të dërguam me paqtim, tashi ti (je) i bekuari Zotit. 30 Edhe (ay) u bëri atyreve gosti, edhe hëngrë e pinë. 31 Edhe u ngrenë shpejt me natë, e i bënë be njëri jatrit, atëhere Isaaku përcolli ata, edhe shkuanë nga ay me paqtim.
32 Edhe atë ditë erthnë shërbëtorët’ e Isaakut, e i dhanë zë për pusinë që rëmuanë, e i thanë (se): Gjetëm ujë. 33 Edhe e kluajtnë atë Shebah, përandaj (e ka) emërinë qyteti Beer-sheba gjer sot.
34 Edhe Isafi ishte dyzet vieç, kur mori për grua Judithënë të bilën’ e Beeri Hittitit, edhe Bashemathënë të bilën’ e Ellon Hittitit, 35 edhe ato ishinë të hidhurë shpirti te Isaaku e te Reveka.
Isaku dhe Abimeleku
1 Tokën e pllakosi një tjetër zi buke si ajo që kishte rënë në kohën e Abrahamit dhe Isaku shkoi në Gerar te Abimeleku, mbreti i filistinëve. 2 Atëherë Zoti iu shfaq e i tha: «Mos shko në Egjipt, por bano në vendin që do të të tregoj. 3 Bano si i huaj në këtë vend dhe unë do të jem me ty e do të të bekoj. Ty e pasardhësve të tu do t'ua jap tërë këto vende e kështu do të përmbush betimin që i bëra Abrahamit, atit tënd. 4 Do t'i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe atyre do t'ua jap tërë këto vende. Të gjitha kombet e tokës do të bekohen përmes pasardhësve të tu, 5 sepse Abrahami e dëgjoi zërin tim e i mbajti urdhrin, urdhërimet, rregullat dhe ligjet e mia». 6 Atëherë Isaku banoi në Gerar.
7 Kur vendasit e pyetën për të shoqen, ai u tha: «Është motra ime», sepse kishte frikë se mos vendasit e vrisnin po të thoshte: «Është gruaja ime», ngaqë Rebeka ishte e bukur. 8 Isaku qëndroi atje për një kohë të gjatë. Një herë, Abimeleku, mbreti i filistinëve, po sodiste nga dritarja dhe pa Isakun duke përkëdhelur Rebekën, gruan e tij. 9 Atëherë thirri Isakun e i tha: «Pa dyshim ajo është gruaja jote. Si munde të thuash: “Është motra ime”?». Isaku iu përgjigj: «Mendova se do të vdisja për shkak të saj». 10 Abimeleku tha: «Ç'është kjo që na bëre? Për pak, dikush mund të flinte me gruan tënde e kështu do të na bëje fajtorë». 11 Kështu, Abimeleku urdhëroi tërë popullin: «Kushdo që prek këtë njeri dhe gruan e tij, me të vërtetë do të vdesë».
12 Isaku mbolli në atë vend e po atë vit korri njëqindfish. Zoti e bekoi 13 dhe ai u pasurua. Pasuria e tij sa vinte e shtohej derisa u bë shumë e madhe. 14 Ai pati dhen, qe e shumë shërbëtorë. Filistinët e kishin zili, 15 prandaj ia mbyllën e ia mbuluan me dhe të gjitha puset që kishin hapur shërbëtorët e të atit, në kohën e Abrahamit. 16 Atëherë Abimeleku i tha Isakut: «Largohu, sepse je bërë më i fuqishëm se ne».
17 Isaku u largua prej andej, fushoi në luginën e Gerarit e banoi atje. 18 Ai i rihapi puset e hapura në kohën e Abrahamit, atit të tij, që filistinët mbyllën pas vdekjes së Abrahamit e i quajti njësoj siç i kishte quajtur i ati. 19 Shërbëtorët e Isakut gërmuan në luginë e gjetën një burim me ujë të freskët. 20 Barinjtë e Gerarit u grindën me barinjtë e Isakut e thanë: «Uji është yni!». Ai e quajti pusin Esek, sepse ata u grindën me të. 21 Hapën dhe një pus tjetër, por edhe për të u grindën, prandaj e quajti Sitna. 22 Pastaj lëvizi prej andej dhe hapi një pus tjetër. Por për këtë pus nuk u grindën. Kështu, e quajti Rehobot e tha: «Tani Zoti na ka hapur vend e aty do të shumohemi».
23 Prej andej u nis për në Bershebë. 24 Po atë natë Zoti iu shfaq e i tha: «Unë jam Perëndia i Abrahamit, atit tënd. Mos ki frikë, se unë jam me ty. Do të të bekoj e do t'i shumoj pasardhësit e tu për hir të Abrahamit, shërbëtorit tim». 25 Isaku ngriti një altar dhe thirri emrin e Zotit. Aty vuri tendën dhe, po aty, shërbëtorët e tij hapën një pus.
26 Ndërkaq Abimeleku erdhi tek ai prej Gerarit bashkë me Ahuzatin mikun e tij dhe Pikolin, prijësin e ushtrisë së tij. 27 Isaku u tha: «Përse erdhët tek unë? Ju më urreni e më keni dëbuar». 28 Ata u përgjigjën: «Kemi parë qartë se Zoti ka qenë me ty. Atëherë thamë të bëjmë një betim mes dy palëve, mes nesh dhe teje, e le të lidhim një besëlidhje me ty, 29 që të mos na bësh ndonjë gjë të ligë ashtu si dhe ne nuk të prekëm, por të bëmë vetëm mirë e të lamë të shkoje në paqe. Tani ti je i bekuari i Zotit». 30 Atëherë Isaku u përgatiti një gosti e ata hëngrën e pinë. 31 Kur u ngritën herët në mëngjes, u betuan me njëri-tjetrin. Isaku i përcolli e ata u larguan prej tij në paqe. 32 Po atë ditë erdhën shërbëtorët e Isakut, i treguan për pusin që kishin hapur e i thanë: «Gjetëm ujë». 33 Kështu, ai e quajti Shebë, prandaj qyteti quhet Bershebë deri më sot.
34 Esau ishte dyzet vjeç kur mori për grua Juditën, bijën e Ber Hititit, dhe Basematën, bijën e Elon Hititit. 35 Këto u bënë shkak hidhërimi për Isakun e Rebekën.