1 Edhe Avraami u nis andej, nga ana e mesditësë, edhe ndenji ndërmest Kadheshit e Shurit, edhe ndenji i huajë ndë Gjerarë. 2 Edhe Avraami tha për Sarrënë gruan’ e ti, (se): Është ime motërë. Edhe Avimelehu mbëreti i Gjerarësë dërgoi, e mori Sarrënë. 3 Edhe Perëndia erdhi tek Avimelehu natënë ndë ëndërrë, e i tha: Na ti tek vdes për punë të gruasë që more, sepse ajo është martuarë me burrë. 4 Edhe Avimelehu nuk’ ishte afruarë tek ajo, edhe (ay) tha: Zot, a do të vraç një komp të dreitë? 5 A nukë më tha ay, (se): Ësht’ ime motërë? Edhe ajo vetë përsëri më tha (se): Është im vëlla. Me të këthiellë të zemrësë sime, edhe me të dreitë të duarvet mia bëra këtë. 6 Edhe Perëndia i tha ati nd’ëndërrë: Edhe un’ e di se me të këthiellë të zemrësë sate bëre këtë, andaj edhe unë të ndala të mos fëlenjç tek unë, përandaj nukë të lashë t’i piekç asaj, 7 tashi pra epi prapë gruanë burrit, sepse është profit, edhe do të lutetë për ty, edhe do të rronjç, po ndë mos ja dhënç prapë, ta dish se do të vdeç krejt ti, edhe gjithë të tutë.
8 Edhe Avimelehu mëngoi ndë mëngjes, edhe thirri gjithë shërbëtorët’ e ti, edhe u foli atyre gjithë këto fialë ndë vesh t’atyre, edhe njerëzit’ u frikësuanë fort. 9 Edhe Avimelehu thirri Avraamnë, e i tha: Ç’ (është) këjo që na bëre? Edhe ç’faj të kam bërë unë ty, që prure mbi mua, edhe mbi mbëretërit time faj të math? Bëre një punë tek unë, që nukë duhej të bënej. 10 Edhe Avimelehu i tha Avraamit: Ç’pe, që bëre këtë punë? 11 Edhe Avraami tha: Sepse unë thashë: Me të vërtetë s’ka frikë Perëndie ndë këtë vënt; edhe do të më vrasënë për gruanë time, 12 po me të vërtetë ësht’ ime motërë, e bija tim et, por jo e bij’ e simëje, edhe u bë gruaja ime, 13 edhe kur më bëri Perëndia të dal nga shtëpia e tim et, i thashë asaj: Do të më bënjç këtë nderë: ndë çdo vënt që të vemi, thuaj për mua, se: Ky ësht’ im vëlla.
14 Edhe Avimelehu mori dhen, e qe, e shërbëtorë, e shërbëtore, e ja dha Avraamit, edhe i dha prapë Sarrënë gruan’ e ati. 15 Edhe Avimelehu tha: Na dheu im (tek është) përpara teje, rri ku të të pëlqenjë. 16 Edhe Sarrës’ i tha: Na tek i dhashë një mijë argjënde tyt vëllai, na ay (është) për ty një mbulesë sysh ndër gjith’ ata që janë bashkë me ty, edhe bashkë me gjithë (të tierëtë). (Kështu) u qërtua ajo.
17 Edhe Avraami iu lut Perëndisë, edhe Perëndia shëndoshi Avimelehunë, edhe gruan’ e ati, edhe shërbëtoret’ e ati, edhe puallnë (djem). 18 Sepse Zoti kishte mbyllurë krejt çdo shtrat ndë shtëpi të Avimelehut, për punë të Sarrësë gruas’Avraamit.
Abrahami dhe Abimeleku
1 Abrahami u largua prej andej drejt tokës së Negevit. Ndenji mes Kadeshit e Shurit e banoi si i huaj në Gerar. 2 Atje Abrahami thoshte për Sarën, gruan e tij: «Është motra ime». Kështu, Abimeleku, mbreti i Gerarit, dërgoi njerëz dhe e mori Sarën. 3 Por Perëndia iu drejtua Abimelekut natën në ëndërr e i tha: «Ja, do të vdesësh për shkak të gruas që more, sepse është e martuar». 4 Abimeleku nuk e kishte prekur, prandaj i tha: «O Zot, a do ta vrisje një komb të drejtë?! 5 A nuk më tha Abrahami se ishte e motra? Edhe Sara vetë më tha se është vëllai i saj. Me ndërgjegje të pastër e me duar të pafajshme e bëra këtë gjë». 6 Perëndia i tha në ëndërr: «Unë e di që veprove me ndërgjegje të pastër, prandaj të ruajta që të mos mëkatosh kundër meje e kështu nuk të lashë ta prekësh. 7 Tani, ktheja të shoqen, se Abrahami është profet. Ai do të lutet për ty e do të jetosh. Por nëse nuk ia kthen, dije mirë se do të vdesësh ti dhe të gjithë të tutë». 8 Abimeleku u ngrit herët në mëngjes dhe thirri të gjithë shërbëtorët e tij. Kur u tregoi gjithçka, ata i zuri një frikë e madhe.
9 Atëherë Abimeleku thirri Abrahamin e i tha: «Çfarë na ke bërë kështu? Ç'të keqe të bëra që solle mbi mua e mbi mbretërinë time një mëkat kaq të rëndë? Nuk u solle me mua siç duhet». 10 Abimeleku shtoi: «Ç'të shkoi në mendje që bëre këtë gjë!». 11 Abrahami iu përgjigj: «E bëra se thashë: me siguri, nuk ka frikë Perëndie në këtë vend e kështu do të më vrasin për shkak të gruas sime. 12 Është e vërtetë, ajo është motra ime, sepse është bija e tim eti e jo e sime mëje, por e mora për grua. 13 Kur Perëndia më bëri të endem larg nga shtëpia e tim eti, i thashë asaj: “Tregohu mirëdashëse ndaj meje. Në çdo vend që do të hyjmë, thuaj për mua se jam vëllai yt”».
14 Atëherë Abimeleku mori dhen e qe, shërbëtorë e shërbëtore e ia dha Abrahamit. I ktheu edhe Sarën, gruan e tij, 15 e i tha: «Ja, para teje është vendi im. Bano ku të të pëlqejë». 16 Sarës i tha: «Ja, i kam dhënë një mijë monedha argjendi vëllait tënd për të mbuluar fyerjen para të gjithë atyre që janë me ty e për të të shfajësuar para të gjithëve ». 17 Atëherë Abrahami iu lut Perëndisë dhe Perëndia i shëroi Abimelekun, gruan dhe skllavet e tij. Kështu, ato lindën fëmijë, 18 sepse Zoti i kishte bërë beronja të gjitha gratë e shtëpisë së Abimelekut, për shkak të Sarës, gruas së Abrahamit.