1 Edhe Zoti i tha Moisiut: Tashi ke për t’e parë, se ç’i kam për të bërë Faraonit, sepse me anë të dorësë fortë do t’i lëshonjë ata, edhe me anë të dorësë fortë do t’i dëbonjë ata nga dheut i ti.
2 Pastaj Perëndia i foli Moisiut, edhe i tha ati: Unë (jam) Jehovahu, 3 edhe iu duksh Avraamit, (e) Isaakut, e Jakovit, me (emër) Perëndi Gjithëpushtetës, por nuk’ iu çfaqa ati (me) emërinë tim Jehovah, 4 pastaj vura ndër ata dhiatënë time, t’u ap atyre dhen’ e Hanaanit, atë dhen’ e huajë t’atyre, ndë të cilinë ndenjnë, 5 unë prap dëgjova psherëtimën’ e të bijet Israilit që i bënë shërbëtorë Egjyptianëtë, edhe prura ndër mënt dhiatënë time, 6 përandaj thuaju të bijet Israilit: Unë (jam) Zoti, edhe do t’u nxier juve së poshtëri nga barrët’ e Egjyptianëvet, edhe do t’u shpëtonj juve nga shërbesa e atyreve, edhe do t’u shpërblenj juve me krah të ndejturë, edhe me gjyqe të mëdha, 7 edhe do t’u marr juve për vetëhe për gjëndëjenë time, edhe do të jem Perëndia juaj, edhe do të njihni, se unë jam Zoti Perëndia juaj, që u nxier së poshtëri nga barrët e Egjyptianëvet, 8 edhe do t’u bie juve nd’atë dhe, për të cilinë ngrita dorënë time, se do t’ia ap Avraamit, (e) Isaakut, e Jakovit, edhe do t’ua ap atë juve për trashëgim. Unë Zoti.
9 Edhe Moisiu u foli kështu të bijet Israilit, po ata nukë dëgjuanë Moisinë, për shtrëngimin’ e shpirtit, edhe për punët’ e rënda. 10 Edhe Zoti i foli Moisiut, e (i) tha: 11 Hyrë, e foli Faraonit, mbëretit Egjyptërisë, të nxierrë jashtë të bijt’ e Israilit nga dheu i ti.
12 Edhe Moisiu foli përpara Zotit, edhe tha: Na të bijt’ e Israilit tek nukë më dëgjonjënë, e qysh do të më dëgjonjë Faraoni, edhe unë (jam) me buzë të parrethprera? 13 Edhe Zoti i foli Moisiut edhe Aaronit, edhe i dërgoi ata te të bijt’ e Israilit, e te Faraoni mbëreti i Egjyptërisë, që të nxierrënë të bijt’ e Israilit nga dheu i Egjyptërisë.
14 Këta (janë) krerët’ e shtëpivet atërivet tyre, të bijt’ e Ruvinit, të parëlindurit Israilit: Hanohu, e Fallu, Hezroni, e Karmi, këta (janë) fëmijt’ e Ruvinit.
15 Edhe të bijt’ e Simeonit: Jemuelli, e Jamini, e Ohadi, e Jaqini, e Zohari, e Shaulli i biri një gruaje Hanaaniteje, këta (janë) fëmijët’ e Simeonit.
16 Edhe këta (janë) emërat’ e bijet Leviut, pas brezash atyre: Gershoni, e Kohathi, e Marari, edhe viet e jetësë Leviut (u bënë) një qint e tridhiet’ e shtatë viet.
17 Të bijt’ e Gershonit: Lioni, e Shimi, pas fëmijsh atyre.
18 Edhe të bijt’ e Kohathit: Amrami, e Iz-hari, e Hebroni, e Uzzielli, edhe viet e Kohathit (u bënë) një qint e tridhiet’ e tre viet.
19 Edhe të bijt’ e Mararit: Mahalli e Mushi, këta (janë) fëmijët’ e Leviut, pas brezavet atyre.
20 Edhe Amrami mori grua për vetëhen’ e ti Johebedënë, të bilën’ e të vëllat t’et, edhe ajo i polli ati Aaronin’ edhe Moisinë, edhe viet e jetës’ Amramit (u bënë) një qint e tridhiet’ e shtatë viet.
21 Edhe të bijt’ e Iz-harit: Korahu, e Nefegu, e Zithri.
22 Edhe të bijt’ e Uzziellit: Mishaili, e Elzafani, e Zithri.
23 Edhe Aaroni mori grua për vetëhe Elishebanë, të bilën’ e Amminabadit, të motërën’ e Naashonit, edhe ajo i polli ati Nadabinë, e Abihunë, Eleazarinë, e Ithamarinë.
24 Edhe të bijt’ e Korahut: Assiri, e Elkahu, e Abiasafi, këta (janë) fëmijët’ e Koritëvet.
25 Edhe Eleazari, i biri Aaronit, mori grua për vetëhe nga të bilat’ e Putielit, edhe ajo i polli ati Finehasinë, këta (janë) krerët’ e atërivet Levitëvet, pas fëmijëvet atyre.
26 Këta (janë) Aaroni e Moisiu, që u foli atyre Zoti: Nxirni të bijt’ e Israilit nga dheu i Egjyptërisë, pas tufash atyre.
27 Këta (janë) ata që i folnë Faraonit mbëretit Egjyptërisë, për të nxierrë të bijt’ e Israilit nga Egjyptëria, këta (të dy), Moisiu edhe Aaroni.
28 Edhe atë ditë që i foli Moisiut Zoti ndë dhe të Egjyptërisë,
29 Zoti i tha Moisiut, tuke thënë: Unë (jam) Zoti, foli Faraonit mbëretit Egjyptërisë, gjithë sa të them ty. 30 Edhe Moisiu tha përpara Zotit: Na unë (tek jam) me buzë të parrethprera, edhe qysh do të më dëgjonjë Faraoni?
Zoti premton shpëtimin
1 Zoti i tha Moisiut: «Tani do të shohësh se çfarë do t'i bëj faraonit. Për shkak të dorës sime të fuqishme ai do ta lërë popullin të shkojë e do ta dëbojë nga toka e tij».
2 Perëndia i tha Moisiut: «Unë jam Zoti. 3 Abrahamit, Isakut e Jakobit iu dëftova si Perëndia i gjithëpushtetshëm, por emrin tim Zot nuk ua tregova. 4 Unë bëra edhe një besëlidhje me ta që t'u jepja tokën e Kanaanit, tokën në të cilën banuan si të huaj. 5 E kam dëgjuar rënkimin e izraelitëve që po shtypen nga egjiptianët dhe u kujtova për besëlidhjen time. 6 Prandaj thuaju izraelitëve: unë, Zoti, do t'ju nxjerr nga zgjedha e Egjiptit, do t'ju çliroj nga skllavëria e tyre dhe do t'ju shpëtoj duke i goditur me krah të fuqishëm e me gjykime të rënda. 7 Do t'ju marr për popullin tim dhe do të jem Perëndia juaj. Atëherë do ta dini se unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga zgjedha e Egjiptit. 8 Do t'ju çoj në tokën që u betova për t'ia dhënë Abrahamit, Isakut e Jakobit dhe unë, Zoti, do t'jua jap për pronë». 9 Kështu u tha Moisiu izraelitëve, por ata nuk e dëgjuan se ishin ligështuar nga puna e rëndë.
10 Atëherë Zoti i tha Moisiut: 11 «Shko e fol me faraonin, mbretin e Egjiptit, që t'i lërë izraelitët të ikin nga toka e tij». 12 Moisiu iu përgjigj: «Shiko, unë nuk jam i gojës. Si do të më dëgjuaka faraoni kur nuk më dëgjuan as vetë izraelitët?». 13 Por Zoti i foli Moisiut e Aronit dhe i urdhëroi izraelitët e faraonin, mbretin e Egjiptit, që izraelitët të dilnin nga toka e Egjiptit.
Breznitë e Moisiut dhe të Aronit
14 Këta janë krerët e shtëpive të izraelitëve. Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit, janë Enoku, Palui, Hecroni e Harmiu. Këto janë familjet e Rubenit. 15 Bijtë e Simeonit janë Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Cohari e Sauli, biri i një kananiteje. Këto janë familjet e Simeonit. 16 Këta janë emrat e bijve të Levit sipas breznive: Gershoni, Kohati dhe Merari. Levi jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet. 17 Bijtë e Gershonit janë Libniu e Shimei sipas familjeve të tyre. 18 Bijtë e Kohatit janë Amrami, Ichari, Hebroni e Uzieli. Kohati jetoi njëqind e tridhjetë e tre vjet. 19 Bijtë e Merarit janë Mahliu e Mushiu. Këto janë familjet e Levit sipas breznive.
20 Amrami mori për grua Johebedën, të emtën. Ajo i lindi Aronin e Moisiun. Amrami jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet. 21 Bijtë e Icharit janë Korahu, Nefegu e Zikriu. 22 Bijtë e Uzielit janë Mishaeli, Elcafani e Sitri. 23 Aroni mori për grua Elishebën, të bijën e Aminadabit, motrën e Nahshonit. Ajo i lindi Nadabin, Abihuin, Eleazarin e Itamarin. 24 Bijtë e Korahut janë Asiri, Elkanahu e Abiasafi. Këto janë familjet e Korahitëve. 25 Ndërsa Eleazari, biri i Aronit, mori për grua një nga bijat e Putielit. Ajo i lindi Finehasin. Këta janë krerët e etërve të levitëve sipas familjeve të tyre. 26 Ky është Aroni e Moisiu që Zoti u tha: «Nxirrini izraelitët nga toka e Egjiptit sipas grupimeve të tyre». 27 Moisiu e Aroni ishin ata që i folën faraonit, mbretit të Egjiptit, për të nxjerrë izraelitët nga Egjipti.
28 Ditën kur Zoti i foli Moisiut në tokën e Egjiptit, 29 i tha: «Unë jam Zoti! Thuaji faraonit, mbretit të Egjiptit, gjithçka që po të them». 30 Moisiu iu përgjigj Zotit: «Shiko, unë nuk jam i gojës. Si do të më dëgjuaka faraoni?».