1 Edhe këtë punë do t’ua bënjç atyre që të shënjtëronjç ata që të priftëronjënë për mua. Merr një mëshqerrë lope, edhe dy desh të pafëlliqurë, 2 edhe bukë pa brumë, edhe peta pa brumë ngjeshurë me val, edhe petulla pa brumë lyerë me val; do të bënjç ato prei semidhal gruri. 3 Edhe do të vësh ato ndë një kanistrë, edhe do t’i biesh ndë kanistrët, bashkë me mëshqerrën’ e me të dy desht.
4 Edhe do të shpiesh Aaroninë edhe të bijt’ e ati ndë derët të tendësë përmbëledhëjesë, edhe do të lajsh ata me ujë. 5 Edhe do të marrsh rrobatë, edhe do t’i veshç Aaronit rrobënë, edhe sharkën’ e efodit, edhe efodinë, edhe rrasën’ e kraharorit, edhe do t’e ngjeshç me brez’ e qendisurë të efodit. 6 Edhe do të vësh mitrënë mbë kryet t’ati, edhe do të vësh kurorën’ e shënjtëruarë mbi mitrët. 7 Atëhere do të vësh valin’ e të lyerit, edhe do të derthç (prei ati) mbi kryet t’ati, edhe do të lyenjç atë. 8 Edhe do të biesh të bijt’ e ati, edhe do t’u veshç atyre rrobatë, 9 edhe do t’i ngjeshç ata me brezat, Aaroninë edhe të bijt’ e ati, edhe do t’u vësh atyre mitrat’ e vogëla, edhe priftëria do të jetë ndër ata për nom të përjetëshim, edhe do të shënjtëronjç Aaronin’ edhe të bijt’ e ati. 10 Edhe do të biesh mëshqerrënë përpara tendësë përmbëledhëjesë, edhe Aaroni edhe të bijt’ e ati do të vënë duart’ e tyre mbi kryet të mëshqerrësë, 11 edhe do të therç mëshqerrënë përpara Zotit, përanë derësë tendësë përmbëledhëjesë. 12 Edhe do të marrç nga gjaku i mëshqerrësë, edhe do t’e vësh mbi krahët të theroresë me gishtinë tënt, edhe do të derthç gjithë gjakunë për rrëzë theroresë. 13 Edhe do të marrç gjithë dhiamëtë që mbulon zorrëtë, edhe veshinë përmbi mëlçit të zezë, edhe të dy veshnjetë, edhe dhiamëtë që është mbi ato, edhe do të diekç (ato) mbi therorenë. 14 Edhe do të diekç ndë zjarrt mishin’ e mëshqerrësë, edhe lëkurën’ e asai, edhe bagëlat’ e asai përjashta ushtërisë, ky (është) kurban për faj.
15 Edhe do të marrç njërinë dash, edhe Aaroni edhe të bijt’ e ati do të vënë duart’ e tyre mbi kryet të dashit, 16 edhe do të therç dashinë, edhe do të marrç gjakun’ e ati, edhe do të spërkaç therorenë përqark, 17 edhe do ta bënjç dashinë copa copa, edhe do të lajsh zorrët’ e ati, edhe këmbët’ e ati, e t’i vësh bashkë me copat e ati, e me kryet’ e ati, 18 edhe do të diekç gjithë dashinë mbi theroret, ky (është) kurban i diegurë gjithë për Zotinë, ësht’ erë e mirë, kurban që bënetë prei zjarri për Zotinë.
19 Edhe do të marrç dashin’ e dytë, edhe Aaroni edhe të bijt’ e ati do të vënë duart’ e tyre mbi kryet të dashit. 20 Atëhere do të therç dashinë, edhe do të marrç nga gjakut i ati, edhe t’e vësh mbi lovidhet të veshit diathtë të Aaronit, edhe mbi lovidhet të veshit diathtë të bijet ati, edhe mbi gishtin’ e math të dorësë diathtë t’atyreve, edhe mbi gishtin’ e math të këmbësë diathtë t’atyreve, edhe do të spërkaç me gjak therorenë përqark. 21 Edhe do të marrç nga gjaku, që (është) mbi therorenë, edhe nga vali të lyerit, edhe do të spërkaç Aaroninë, edhe rrobat’ e ati, edhe të bijt’ e ati, edhe rrobat’ e të bijet ati bashkë me atë, edhe do të shënjtëronenë ay, edhe rrobat’ e ati, edhe të bijt’ e ati, edhe rrobat’ e të bijet ati bashkë me atë.
22 Edhe do të marrç nga dashi dhiamin’ edhe bishtinë, edhe dhiaminë që mbulon zorrëtë, edhe veshinë përmbi mëlçin’ e zezë, edhe të dy veshnjetë, edhe dhiaminë që (është) mbi ato, edhe krahun’ e diathtë, (sepse është dash shënjtërimi), 23 edhe një bukë, edhe një petë lyerë me val, edhe një petullë nga kanistra e të pabrumëjevet që janë vënë përpara Zotit, 24 edhe do t’ia vësh të gjitha ndë duart të Aaronit, edhe ndë duart të bijet ati, edhe do t’i lëkunç ato, (për) dhuratë të lëkundurë përpara Zotit. 25 Edhe do të marrç ato nga duart’ e atyreve, edhe t’i diekç mbi therorenë sipërë kurbanit diegurë gjithë, për erë të mirë përpara Zotit, ky (është) kurban që bënetë prei zjarri për Zonë.
26 Edhe do të marrç kraharorinë nga dashi i përhierimit, që (është) për Aaroninë, edhe do t’e lëkunç atë (për) dhuratë të lëkundurë përpara Zotit, edhe do të jetë piesa jote. 27 Edhe do të shënjtëronjç kraharorin’ e dhuratësë lëkundurë, edhe krahun’ e dhuratësë lartimit, e cila u lëkunt, edhe e cila u lartua, nga dashi i përhierimit, prei (ati) që (është) për Aaroninë, edhe prei (ati) që (është) për të bijt e ati, 28 edhe do të jet’ e Aaronit edhe e të bijet ati pas nomi të përjetëshim prei të bijet Israilit, sepse është dhuratë lartimi, edhe do të jetë dhuratë lartimi prei të bijet Israilit nga kurbanet’ e paqtimit atyreve, dhurata e atyre e lartuara mbë Zonë.
29 Edhe e shënjtëruara stolia e Aaronit do të jet’ e të bijet ati bashkë me atë, që të lyhenë nd’atë, edhe të shënjtëronenë nd’atë. 30 Shtatë dit do ta veshnjë atë prifti që është ndë këmbët t’ati prei të bijet ati, i cili hyn ndë tendët të përmbëledhëjesë që të bënjë punën’ e lutëjesë ndë vënt të mirë.
31 Edhe do të marrë dashin’ e përhierimit, edhe do të ziejë mishin’ e ati ndë vënt të mirë. 32 Edhe Aaroni edhe të bijt’ e ati do të hanë mishin e dashit, edhe bukënë që (është) ndë kanistrët, përanë derësë tendësë përmbëledhëjesë. 33 Edhe do të hanë gjithë ato (kafsha), që u bë shpërblim me ato për përhierim (e) për shënjtërim t’atyreve, po i huajë nukë do të hajë, sepse janë (kafsha) të shënjtëruara. 34 Edhe ndë mbettë (gjë) nga mishi i përhierimevet, a nga buka, gjer ndë mëngjest, atëhere do të diekç ndë zjarrt atë që të mbesë, nukë do të hahetë, sepse është (gjë) e shënjtëruarë.
35 Edhe kështu do t’i bënjç Aaronit edhe të bijet ati, për gjithë sa të urdhërova, shtatë dit do t’i përhieronjç ata,
36 edhe për ditë do të biesh një mëshqerrë për dhuratë fajesh për shpërblim. Edhe do të qëronjç therorenë, tuke bërë shpërblim për atë, edhe do të lyenjç atë, që t’e shënjtëronjç. 37 Shtatë dit do të bënjç shpërblim për therorenë, edhe do ta shënjtëronjç, edhe do të jetë therore fort e shënjtëruarë, çdo gjë që t’i piekë theroresë, do të jetë e shënjtëruarë.
38 Edhe këjo (ësht’ ajo), që ke për të prurë mbi therorenë: dy shqerra motake ndë ditët për kurdo, 39 njërinë qënq do t’e biesh ndë mëngjest, edhe tiatrinë qënq do t’e biesh ndë zamërë herë, 40 edhe bashkë me qëngjinë një të dhietën’ e semidhalit ngjeshurë me një të katrëtën’ e një hin vali të shtypurë, edhe të katrëtën’ e një hin vere (për) të spërkaturë, 41 edhe qëngjin’ e dytë do ta biesh zamërë herë, pas dhuratësë mëngjesit, edhe pas të spërkaturit asai, do ta bënjç atë për erë të mirë, kurban bërë ndë zjarr për Zonë. 42 (Ky do të jetë) kurban i diegurë gjithë përherë ndë brezat tuai, (përanë) derësë tendësë përmbëledhëjesë përpara Zotit, atie ku do t’u dukem juve, që të flas me ty atie.
43 Edhe atie do të dukem ndër të bijt’ e Israilit, edhe (tenda) do të shënjtëronetë me lavdinë time. 44 Edhe do të shënjtëronj edhe Aaronin’ edhe të bijt’ e ati, që të priftëronjënë për mua. 45 Edhe do të rri ndë mest të bijet Israilit, edhe do të jem Perëndia i atyreve. 46 Edhe do të njohënë se unë (jam) Zoti Perëndia i atyreve, që i nxora nga dheu i Egjyptërisë, që të rri ndë mest t’atyreve, unë Zoti Perëndia i atyreve.
Shugurimi i Aronit
1 «Kështu do t'i shenjtërosh që të më shërbejnë si priftërinj: merr një mëzat dhe dy desh të patëmetë. 2 Merr bukë, kuleç e pite të lyera me vaj. Të përgatiten me miell të bardhë, por të jenë të ndorme. 3 Vendosi në një shportë dhe paraqiti bashkë me mëzatin dhe me dy deshtë. 4 Paraqite Aronin me bijtë e tij te hyrja e tendës së takimit dhe laji me ujë. 5 Pastaj merri rrobat dhe vishja Aronit tunikën, petkun, efodin e parzmoren. Mbërtheje me rripin e efodit, 6 vëri kësulën mbi kokë dhe kurorën e shenjtë vendose mbi të. 7 Merre vajin e vajosjes dhe derdhja mbi kokë, që ta vajosësh. 8 Afroji edhe bijtë e tij dhe vishua tunikat, 9 lidhua brezin, si Aronit, edhe bijve të tij, e vërua kësulëzat. Priftëria do të jetë e tyrja. Ky është rregull i përhershëm. Shuguro Aronin e bijtë e tij.
10 Pastaj sille mëzatin para tendës së takimit dhe Aroni me bijtë e tij të vënë duart mbi kokën e mëzatit. 11 There në prani të Zotit, në hyrje të tendës së takimit. 12 Merre gjakun dhe lyej me gisht brirët e altarit. Pjesën tjetër të gjakut derdhe në rrëzë të altarit. 13 Merre tërë dhjamin e të përbrendshmeve, rizën e mëlçisë, dy veshkat me gjithë dhjamë e shkrumboji mbi altar. 14 Ndërsa mishin, lëkurën e rropullitë digji në zjarr jashtë fushimit. Kjo është fli për mëkatin.
15 Pastaj merre njërin dash dhe Aroni me bijtë e tij të vënë duart mbi kokën e dashit. 16 There, merr gjakun dhe spërkat altarin rreth e qark. 17 Prije dashin copa-copa. Laja të brendshmet e këmbët dhe vendosi mbi copat e mishit dhe mbi kokën. 18 Shkrumboje mbi altar. Kjo është fli shkrumbimi për Zotin, fli erëkëndshme zjarri për Zotin.
19 Pastaj merr dashin tjetër dhe Aroni me bijtë e tij të vënë duart mbi kokën e dashit. 20 There, merr gjakun dhe lyej bulën e veshit të djathtë të Aronit e të bijve të tij, gishtin e madh të dorës së djathtë dhe gishtin e madh të këmbës së djathtë. Me pjesën tjetër të gjakut spërkat rreth e qark altarin. 21 Pastaj merr nga gjaku në altar e nga vaji për vajosje dhe stërpik Aronin e rrobat e tij bashkë me të bijtë e rrobat e tyre. Kështu, ai dhe rrobat e tij bashkë me të bijtë dhe rrobat e tyre, do të shenjtërohen.
22 Merre dhjamin e dashit, bishtin e dhjamosur, dhjamin e të përbrendshmeve, rizën e mëlçisë, dy veshkat me gjithë dhjamë dhe kofshën e djathtë, sepse ky është dash për shugurim. 23 Merr një bukë të rrumbullakët, një kulaç me vaj dhe një pite nga shporta e bukëve të ndorme që është në prani të Zotit. 24 Vendosi të tëra këto në duart e Aronit dhe të bijve të tij dhe ngriji lart si fli lartësimi para Zotit. 25 Pastaj merri prej tyre dhe shkrumboji në altar si fli shkrumbimi që të jenë si erë e këndshme para Zotit. Kjo është fli zjarri për Zotin.
26 Merre gjoksin e dashit që kushtohet për shugurimin e Aronit dhe ngrije lart si fli lartësimi para Zoti. Kjo pjesë të takon ty. 27 Shenjtëroji pjesët e dashit të shugurimit që i përkasin Aronit e bijve të tij, gjoksin që kushtohet si fli lartësimi dhe kofshën që kushtohet duke u ngritur lart. 28 Këto pjesë do t'i përkasin përherë Aronit e bijve të tij, sepse janë fli lartësimi. Pjesët do të merren prej flijimeve të paqtimit të izraelitëve si dhuratë kushtuar Zotit. 29 Rrobat e shenjta të Aronit do t'u takojnë bijve të tij, që ata të vajosen dhe shugurohen me to. 30 I biri që do ta zëvendësojë, ai që do të hyjë në tendën e takimit për të shërbyer në shenjtërore, do t'i veshë për shtatë ditë.
31 Merre dashin e shugurimit dhe zieje në një vend të shenjtë. 32 Aroni me bijtë e tij do ta hanë mishin e dashit dhe bukën e shportës te hyrja e tendës së takimit. 33 Prej tyre do të hanë vetëm ata për të cilët është bërë flija e shlyerjes së mëkatit për vajosje dhe shugurim. Askush tjetër nuk do të hajë prej tyre, sepse ato janë të shenjta. 34 Nëse, deri në mëngjes, tepron diçka prej mishit të shugurimit dhe prej bukës, digje në zjarr. Mos e hani, sepse është e shenjtë.
35 Vepro me Aronin e bijtë e tij ashtu siç të urdhërova. Shuguroji për shtatë ditë. 36 Flijo përditë nga një mëzat si fli për mëkatin, për shlyerjen e tyre. Flijo edhe një fli për të shlyer mëkatin e altarit dhe vajose që ta shenjtërosh. 37 Për shtatë ditë kushto fli për shlyerjen e mëkatit të altarit që ta shenjtërosh. Kështu, altari do të bëhet tejet i shenjtë dhe kushdo që e prek do të shenjtërohet.
Flijimet e përditshme
38 Ja çfarë do të kushtosh përherë mbi altar: nga dy qengja motakë përditë. 39 Njërin kushtoje në mëngjes e tjetrin në mbrëmje. 40 Bashkë me qengjin e parë kushto një kilogram majë mielli përzier me një litër vaj të shtrydhur dhe një litër verë si fli stërpikjeje. 41 Qengjin e dytë kushtoje në mbrëmje e bashkë me të kushto të njëjta fli drithi e stërpikjeje si ato të mëngjesit, që të jetë një fli erëkëndshme zjarri për Zotin. 42 Kjo do të jetë një fli shkrumbimi e përhershme, brez pas brezi, që kushtohet te hyrja e tendës së takimit, në prani të Zotit, atje ku unë do të të takoj për të folur me ty. 43 Atje do të takoj izraelitët dhe vendi do të shenjtërohet me lavdinë time. 44 Do ta shenjtëroj tendën e takimit dhe altarin. Aronin e bijtë e tij do t'i shenjtëroj që të më shërbejnë si priftërinj. 45 Do të banoj mes izraelitëve dhe do të jem Perëndia i tyre. 46 Kështu, ata do ta dinë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i nxori nga toka e Egjiptit, që të banoj mes tyre. Unë jam Zoti, Perëndia i tyre».