1 Edhe Zoti i tha Moisiut: Hyrë te Faraoni, sepse un’ ashpërova zemërën’ e ati, edhe zemërën’ e shërbëtorëvet ati, që të dëftenj këto shenjet’ e mia ndë mest t’atyreve, 2 që t’i tregonjç ndë veshët tyt biri, edhe të birt tyt biri sa u bëra Egjyptianëvet, edhe shenjet’ e mia sa bëra ndë mest t’atyreve, që të njihni se unë (jam) Zoti.
3 Edhe Moisiu e Aaroni hynë te Faraoni, e i thanë: Kështu thotë Zoti Perëndia i Evrevet: Gjer kurë mohon ti të përunjesh përpara meje? Lësho gjëndëjenë time që të më lusënë, 4 sepse ndë mos daç të lësh gjëndëjenë time të dalë, na nesërë tek do të bie karkaleca mbi sinoret e tu, 5 edhe do të mbulonj faqen’ e dheut, kaqë sa të mos muntnjë njeri të shohë dhenë, edhe do të hajë të mbeturitë që shpëtoi, sa u la juve breshëri, edhe do të hajë gjithë drunjtë, që u kanë mbirë juve ndëpër fushat, 6 edhe do të mbushenë shtëpitë tuaia, edhe shtëpit’ e gjithë shërbëtorëvet tu, edhe shtëpit’ e gjith’ Egjyptianëvet, që s’kanë parë atërit’ e tu, as atërit’ e atëravet tu, çë atë ditë që kanë qënë mbi dhet, gjer sot. Pastaj u kthye, edhe dolli nga Faraoni.
7 Edhe shërbëtorët’ e Faraonit i thanë: Gjer kurë do të jetë ky të ndalë ndër ne? Lësho njerëzitë që të lusnjënë Zotinë Perëndin’ e tyre; edhe nuk’ e di se humbi Egjyptëria?
8 Atëhere prunë përsëri Moisinë edhe Aaroninë te Faraoni, edhe (ay) u tha atyre: Shkoni, (e) lutni Zotinë Perëndinë tuai, (po) cilët’ edhe cilëtë do të venë? 9 Edhe Moisiu tha: Do të vemi bashkë me djemt tanë e me pleqt tanë, bashkë me bijt tanë e me bilat tona, bashkë me dhënt tona e me qet tanë do të vemi, sepse kemi të kremte për Zonë. 10 Edhe ay u tha atyre: Kështu qoftë Zoti bashkë me ju, sikundrë unë do t’u lë të delni bashkë me djemt tuai, shihni, sepse e keqe (ndodhetë) përpara jush, 11 jo kështu, (po) tashi shkoni (ju) burratë, edhe lutni Zonë, sepse këtë kërkoni. Edhe Faraoni i nxori ata nga syt’ e ti.
12 Edhe Zoti i tha Moisiut: Ndej dorënë tënde mbi dhet të Egjyptërisë për karkalecat që të ngjitenë mbë dhet të Egjyptërisë, edhe të hanë gjithë barin’ e dheut, gjithë ç’la breshëri. 13 Edhe Moisiu ndejti stapin’ e ti mbi dhet të Egjyptërisë, edhe Zoti pruri mbi dhet gjith’ atë ditë e gjith’ atë natë, erë dielli, (edhe) ndë mëngjest era e diellit pruri karkalecatë. 14 Edhe u ngjitnë karkalecatë mbi gjithë dhen’ e Egjyptërisë, edhe ndenjnë mbi gjithë sinoret e Egjyptërisë, fort shumë; më përpara s’patnë qënë të këtillë karkaleca, as nukë do të jenë të këtillë paskëtaj, 15 edhe mbuluanë faqen’ e gjithë dheut, edhe u vduar dheu, edhe hëngrë gjithë barin e dheut, e gjithë pemët’ e drunjvet, që pat lënë breshëri, edhe nukë mbeti asgjë e ngjomë, (as) mbi drunjt, as mbi barërat e fushësë, ndëpër gjithë dhen’ e Egjyptërisë.
16 Atëhere Faraoni shpejtoi të thërriste Moisinë edhe Aaroninë, e tha: Fëleva mbë Zotinë Perëndinë tuai, edhe mbë ju, 17 po tashi ndëlemë vetëmë këtë herë, edhe luti Zotit Perëndisë tuai të ngrerë prei meje vetëmë këtë vdekëje. 18 Edhe (Moisiu) dolli nga Faraoni, e iu lut Zotit. 19 Edhe Zoti pruri përsëri një erë të fortë nga të perënduarët’ (e diellit), edhe ngriti karkalecatë, e i hodhi ndë Det të Kuq, nukë mbeti asnjë karkalec mbi gjithë sinoret e Egjyptërisë. 20 Po Zoti i ashpëroi zemrënë Faraonit, edhe nukë la të dilinë të bijt’ e Israilit.
21 Edhe Zoti i tha Moisiut: Ndej dorënë tënde mbë qiell, edhe do të bënet’ errësirë mbi gjithë dhen’ e Egjyptërisë, një errësirë që ndihetë. 22 Edhe Moisiu ndejti dorën’ e ti mbë qiell, edhe u bë një errësirë e dëndurë mbë gjithë dhen’ e Egjyptërisë tri dit. 23 Edhe nukë shihte njëri jatrinë, as nuk’ u ngre njeri nga vëndi i ti tri dit, po ndër të gjithë të bijt’ e Israilit ishte dritë ndëpër vëndet e atyreve.
24 Atëhere Faraoni thirri Moisiun, e tha: Shkoni (e) lutni Zotinë, vetëmë dhëntë tuaja e qetë tuai le të mbetenë, edhe djemtë tuai le të venë bashkë me ju. 25 Edhe Moisiu tha: Po ti ka hie të na apç edhe kurbane, e (kurbane) të diegurë gjithë, që t’i bëjmë kurban Zotit Perëndisë tënë, 26 po bagëtitë tona do të venë bashkë me ne, nukë do të mbetetë prapa as një thundrë, sepse duhetë të marrëmë nga këto, që të lusëmë Zotinë Perëndinë tënë, edhe neve nukë dimë me se do të lusëmë Zotinë, gjersa të harrimë atie.
27 Po Zoti i ashpëroi zemrënë Faraonit, edhe nukë desh t’i linte të delin’ ata.
28 Edhe Faraoni i tha ati: Ikë prei meje, ki mëntë ndë vetëhet tënde, të mos më shohç më sytë, sepse atë ditë që të më shohç sytë, do të vdeç.
29 Edhe Moisiu tha: Sikundrë the, s’kam për të parë sytë më ty.
Ndëshkimi i tetë
1 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shko te faraoni. Unë e kam ngurtësuar zemrën e tij dhe atë të shërbëtorëve të tij për të dëftuar shenjat e mia mes tyre, 2 që t'i tregosh birit e nipit tënd shenjat që bëra dhe sesa ashpër u solla me Egjiptin. Kështu do ta dini se unë jam Zoti».
3 Moisiu e Aroni shkuan te faraoni e i thanë: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: “Deri kur nuk do të pranosh të më nënshtrohesh? Lëre popullin tim të shkojë e të më shërbejë! 4 Nëse nuk pranon ta lësh popullin tim, atëherë nesër do të lëshoj karkaleca në vendin tënd. 5 Ata do të mbulojnë tërë sipërfaqen e tokës, aq sa dheu të mos shihet më. Do të përpijnë gjithçka që mbeti e shpëtoi pas breshrit. Do t'ju përpijnë çdo pemë të fushës. 6 Shtëpitë e tua, ato të shërbëtorëve të tu dhe tërë shtëpitë e Egjiptit do të mbushen me karkaleca. Një gjë e tillë nuk është parë kurrë as nga etërit e tu e as nga të parët e tu, që nga dita kur lindën e deri më sot”». Pasi mbaroi së foluri u kthye dhe u largua prej faraonit.
7 Atëherë shërbëtorët i thanë faraonit: «Deri kur do t'i durojmë kurthet e këtij njeriu? Lëri këta njerëz të shkojnë e t'i shërbejnë Zotit, Perëndisë së tyre! Ende nuk e ke marrë vesh se Egjipti po rrënohet?». 8 Moisiun e Aronin i sollën para faraonit dhe ai u tha: «Shkoni dhe shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj! Kush do të vijë me ju?». 9 Moisiu i tha: «Do të shkojmë me të rinj e të vjetër, me bij e bija, dhen e qe, sepse do të kremtojmë për Zotin». 10 Faraoni iu përgjigj: «Zoti qoftë me ju po aq sa unë do t'ju lë të shkoni bashkë me fëmijët. Ja, ju keni qëllime të këqija, 11 prandaj nuk do t'i lë të vegjlit! Të shkojnë vetëm burrat t'i shërbejnë Zotit, se edhe ju këtë po kërkonit». Pastaj i dëbuan nga prania e faraonit.
12 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shtrije dorën mbi tokën e Egjiptit që të lëshohen karkalecat e të hanë tërë barin e gjithçka mbeti mbas breshrit». 13 Moisiu shtriu shkopin mbi tokën e Egjiptit dhe Zoti dërgoi mbi tokë erën e lindjes gjatë gjithë asaj dite e nate. Në të gdhirë, era e lindjes kishte sjellë karkalecat. 14 Ata u lëshuan mbi tërë Egjiptin dhe u ndalën aty. Kurrë nuk kishte pasur më parë kaq shumë karkaleca dhe kurrë nuk do të kishte kaq shumë as në të ardhmen. 15 Ata mbuluan sipërfaqen e tokës aq sa e nxinë të tërën. E përpinë mbarë barin e tokës dhe tërë frutat e pemëve që kishin mbetur mbas breshrit, në mbarë tokën e Egjiptit. 16 Atëherë faraoni i thirri me të shpejtë Moisiun e Aronin e u tha: «Mëkatova kundër Zotit, Perëndisë tuaj, dhe kundër jush. 17 Ma falni mëkatin vetëm kësaj here dhe lutjuni Zotit, Perëndisë tuaj, që të largojë të paktën këtë mort prej meje». 18 Moisiu u largua nga faraoni dhe iu lut Zotit. 19 Atëherë Zoti solli një erë shumë të fortë nga perëndimi që i përmblodhi karkalecat e i hodhi në detin e Kuq. Asnjë karkalec nuk mbeti në tokën e Egjiptit. 20 Por Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit dhe ai nuk i la izraelitët të shkonin.
Ndëshkimi i nëntë
21 Zoti i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt qiellit, që një errësirë e thellë të mbulojë tokën e Egjiptit!». 22 Moisiu shtriu dorën drejt qiellit dhe një errësirë pus mbuloi tërë tokën e Egjiptit për tri ditë. 23 Egjiptianët nuk mund të shihnin njëri-tjetrin dhe askush nuk lëvizi prej vendit për tri ditë, por në vendin ku banonin izraelitët kishte dritë. 24 Atëherë faraoni e thirri Moisiun e i tha: «Shkoni e shërbejini Zotit! Merrni me vete edhe të vegjlit, veçse dhentë e qetë do t'i lini!». 25 Moisiu iu përgjigj: «Ti duhet të na japësh edhe flijimet, edhe flitë e shkrumbimit, që t'ia kushtojmë Zotit, Perëndisë tonë. 26 Prandaj bagëtitë tona duhet të vijnë bashkë me ne. As edhe një këmbë kafshe nuk do të mbesë pas. Na duhet t'i marrim që t'ia kushtojmë Zotit, Perëndisë tonë, sepse, derisa të mbërrijmë atje, nuk e dimë se çfarë duhet të flijojmë». 27 Por Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit dhe ai nuk deshi t'i linte të shkonin. 28 Kështu faraoni i tha: «Shporru! Ruhu se më del prapë përpara, se po më dole do të vdesësh!». 29 Moisiu iu përgjigj: «Mirë thua! Nuk do ta shoh më fytyrën tënde!».