1 Të kini kujdes të bëni gjith’ ato porositë që po të urdhëronj sot, që të rroni e të shumohi, edhe të hyni e të trashëgoni atë dhenë që u përbetua Zoti atëret tuaj. 2 Edhe të kujtojsh gjith’ atë udhënë që të hoqi Zoti Perëndia yt këta dyzet viet ndë shkretëtirët, për të përunjurë ty, për të provuarë ty, për të njohur’ ato (që ke) ndë zëmërët tënde, ndë qoftë se do të ruajsh porosit’ e atij, apo jo. 3 Edhe të përunji, edhe të bëri të kesh uri, edhe të ushqeu me mannë (që nuk’ e njihnje ti, as atërit’ e tu nuk’ e njihinë), që të të bënte të xinje se njeriu nukë rron vetëmë me bukë, po njeriu rron me gjithë ç’do (fialë) që del nga gola e Zotit. 4 Rrobat e tua nuk’ u vietëruanë siprë teje, as këmba jote nuk’ u ëjt, këta dyzet viet. 5 Ta dijsh pra ndë zemërët tënde, se posi njeriu që mundon të birrë, kështu të mundoi Zoti Perëndia yt. 6 Përandaj të ruajsh porosit’ e Zotit Perëndisë tënt, që të ecëjsh nd’ udhët t’atij, edhe t’i kesh frikë atij.
7 Sepse Zoti Perëndia yt të pruri ndë dhe të mirë, dhé lumrash me ujë, e me gurra e me thellësira, që buronjënë nga grykat’ e nga maletë, 8 dhe gruri, e elbi, e vëreshtësh, e fiqsh, e shegësh, dhe ullinjsh e mjaltë; 9 dhe, mbë të cilinë nukë do të hash bukënë me kursim, nukë do të shteretë ndonjë gjë nga ay; dhe, të cilit gurëtë (janë) hequrë, edhe nga malet’ e atij do të nxierrsh rame. 10 Edhe do të hash, e do të nginjesh, e do të bekonjç Zonë Perëndinë tënt mbi atë dhe të mirë që të dha.
11 Ki mëntë mos harrojsh Zonë Perëndinë tënt, të prishç porosit’ e atij, e gjyqet’ e atij, e urdhërimet’ e atij, që po të urdhëronj unë sot, 12 mbase, si të hash e të nginjesh, e të trajtojsh shtëpi të mira, e të rrish, 13 edhe qet’ e tu edhe dhent’ e tua të shtonenë, edhe të shumonet’ argjëndi yt, e ari yt, edhe gjithë sa ke të shtonenë, 14 atëherë mbase lartonetë zëmëra jote, e harron Zonë Perëndinë tënt, që të nxori nga dheu i Egjyftërisë, nga shtëpia e shërbesësë, 15 i cili të hoqi udhënë ndëpër atë shkretëtirë të madhe edhe të frikëshime, tek ishinë gjarpinj të flakëtë, e sfurqe, e thatësirë tek nukë (kish) ujë, i cili të dha ujë nga guri i ashpërë, 16 i cili të ushqeu me mannë ndë shkretëtirët, që nuk’ e njihinë atërit’ e tu, për të përunjurë ty, e për të provuarë ty, që të të bënjë mirë më ndë funt, 17 edhe të thuash ndë zëmërët tënde: Fuqia ime, edhe pushteti i dorësë s’ime më fituanë këtë gjë. 18 Po të kujtojsh Zonë Perëndinë tënt, sepse ay (është) që të ep fuqi të fitojsh gjë, që të forconjë dhiatën’ e tij që u u përbetua atëret tu, sikundrë është këtë ditë. 19 Po ndë harrofsh Zonë Perëndinë tënt, e të veç prapa të tierëve perëndirave, e t’i luç ata, e t’u falesh atyre, 20 thërres për deshmi ndër ju sot, se do të shuhi fare, posi ata kombatë që shoi Zoti përpara jush; kështu do të shuhi, sepse nuk’ i dëgjuatë zërit Zotit Perëndisë tuaj.
Kujto Perëndinë
1 «Ki kujdes që ta zbatosh të gjithë ligjin që të kam urdhëruar sot, që të jetoni, të shumoheni, të hyni e të pushtoni tokën për të cilën Zoti iu betua etërve tuaj. 2 Kujto tërë udhën që Zoti, Perëndia yt, të bëri të marrësh gjatë këtyre dyzet vjetëve në shkretëtirë, për të të sprovuar me mundime, që të dinte çka kishe në zemër e nëse do t'i mbaje apo jo urdhërimet e tij. 3 Ai të mundoi me uri e pastaj të ushqeu me manë, të cilën s'e njihje as ti, as etërit e tu, për të të treguar se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Zotit. 4 Gjatë këtyre dyzet vjetëve, as t'u shqyen rrobat, as t'u ënjt këmba. 5 Ngulite në mendje se Zoti, Perëndia yt, të ndreq, ashtu siç ndreq njeriu fëmijën e vet. 6 Mbaji urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, ec udhës së tij e druaje atë. 7 Zoti, Perëndia yt, po të çon në një vend të mirë, në një tokë ku përrenjtë, krojet e burimet e nëndheshme vërshojnë nëpër fusha e bjeshkë, 8 në një tokë me grurë, elb, vreshta, fiq e shegë, në një tokë me vaj ulliri e me mjaltë, 9 në një tokë ku do të hash bukë sa të duash, ku asgjë nuk do të të mungojë, në një tokë ku nxirret hekur prej gurit e bronz prej maleve. 10 Do të hash, do të ngihesh e do të bekosh Zotin, Perëndinë tënd, për tokën e mirë, që të ka dhënë.
11 Kujdes se mos harron Zotin, Perëndinë tënd, e nuk i mban urdhërimet, vendimet e rregullat e tij, që ju urdhërova unë sot. 12 Kur të hash sa të ngihesh, kur të ndërtosh e të rrosh në shtëpi të mira, 13 kur të të shtohen dhentë e qetë, argjendi e ari e gjithçka që ke, 14 mos të të rritet mendja dhe harron Zotin, Perëndinë tënd. Ai të nxori nga toka e Egjiptit, nga skllavëria, 15 të priu në shkretëtirën e madhe e të tmerrshme, një vend gjarpërinjsh helmues e akrepash, një vend i shkretë pa ujë, të nxori ujë nga një shkëmb stralli, 16 të ushqeu në shkretëtirë me manë, të cilën as etërit e tu nuk e njihnin, që të të sprovonte me mundime e në fund të ta sillte mbarë. 17 Mos thuaj me vete: “Me forcën dhe fuqinë e duarve të mia e fitova gjithë këtë pasuri”. 18 Kujto Zotin, Perëndinë tënd, se ai të jep forcë për të fituar pasuri dhe e mban besëlidhjen e tij, për të cilën iu betua etërve të tu, si edhe sot. 19 Por, nëse e harron vërtet Zotin, Perëndinë tënd, e ndjek perëndi të tjerë, u shërben e i adhuron, për be, sot po ju paralajmëroj se do të shkatërroheni krejt. 20 Do të merrni fund si kombet që po shkatërron Zoti para jush, ngaqë nuk e dëgjuat zërin e Zotit, Perëndisë tuaj».