1 Edhe ky ësht’ ay bekimi që bekoi Moisiu, njeriu i Perëndisë, të bijt’ e Israilit përpara vdekëjesë tij,
2 edhe tha: Zoti erdhi nga Sinai, edhe u duk ndër ata nga Seiri. Ndriti nga mali i Paranit, edhe erdhi bashkë me dhietë milë shënjtorë. Nga e diathta e atij dolli zjarr nomi për ata.
3 Po, deshi gjëndëjenë. Ndënë dorët tënde janë gjithë shënjtorët’ e atij, edhe rrininë ndër këmbët tua, që të mirrinë fjalët’ e tua.
4 Moisiu na urdhëroi për nom trashëgimin’ e përmbëledhëjesë Jakovit.
5 Edhe ishte mbëret ndë Jeshurun, kur u mbëlothnë të parët’ e gjëndëjesë bashkë me farat e Israilit.
6 Rroftë Reubeni, e mos vdektë, edhe qoft’ e shumë gjëndëja e atij.
7 Edhe ky është (bekimi) i Judhësë, edhe tha: Dëgjo, o Zot, zën’ e Judhësë, edhe bier-e ndë gjëndëjet t’atij; duart’ e atij qofshinë mjaft për atë, edhe ndih-i kundrë arëmiqet atij.
8 Edhe për Levinë tha: Thummimet’ e tua edhe Urimet’ e tua qofshinë bashkë me njerinë tënt të shënjtëruarinë, të cilit i sgjodhe zemrënë ndë Masah, (edhe me) atë u hëngre me fjalë ndër ujërat të Meribahësë,
9 i cili i tha t’et e s’ëmësë: Nuk’ e pashë, edhe i cili mohoi të vëllezëritë, as nukë njohu të bijtë, sepse ruajtnë fjalënë tënde, edhe mbajtnë dhiatënë tënde.
10 Do t’i mësonjënë Jakovit gjyqet’ e tu, edhe nominë tënt Israilit; do të vënë thimiamë përpara teje, edhe kurbane të diegura-gjithë mbi theroret tënde.
11 Beko, o Zot, tufat’ e ushtëris’ atij, edhe prit punët’ e duaret atij, thyej mezin’ e atyre që ngrenë krye kundrë atij, edhe atyre që mërzitnjën’ atë, kaqë sa të mos ngrihenë më.
12 Për Veniamininë tha: I dashuri i Zotit do të rrijë me siguri afër’ atij, (Zoti) do ta mbulonjë gjithë dit, edhe do të prëhetë ndë mest ndë krahavet tij.
13 Edhe për Josifnë tha: Qoftë bekuarë prej Zotit dheu i atij, nga dhuratat’ e qiellit të paçëmuaratë, nga vesa, e nga thellësira që gjëndetë poshtë,
14 edhe nga pemët’ e diellit të paçëmuaratë, e nga dhuratat’ e hënësë të paçëmuaratë,
15 e nga të mirat’ e sgjedhura të bieshkavet vietëra, e nga të mirat’ e paçëmuara të malevet përjetëshim,
16 e nga të mirat’ e paçëmuara të dheut, e nga të mbushurit’ e atij; edhe pëlqimi i atij që u duk ndë ferrët arthtë mbi kryet të Josifit, edhe mbi majët të sgjedhurit vëllezëret tij.
17 Lavdia e atij (qoftë posi) e demit atij që ka lindurë përpara, edhe brinjt’ e atij posi brinjt’ e vetëm-bririt; me ata do t’u bierë me brinj kombavet gjer mb’ anët të dheut; edhe ato (janë) të dhietë milët’ e Efraimit, edhe ato janë të një milët’ e Manasehut.
18 Edhe për Zebulluninë tha: Gëzohu, o Zebullun, ndë të dalët tënt; edhe (ti), o Isahar, ndër tëndat tua.
19 Do të thërrasënë gjëndëjetë ndë malt, atie do të bënjënë kurbane dëreitërie, sepse do të thithënë të plotën’ e detit, edhe thesarët’ e fshehurë të rërësë.
20 Edhe për Gadhinë tha: (Qoftë) bekuar’ ay që sgjeron Gadhë, rri posi leon, edhe çqyenë krah e krye.
21 Edhe proi për vetëhen’ e tij piesën’ e parë, sepse atie ish ruajturë piesa e nom-vënësit; edhe erdhi me të parët’ e gjëndëjesë, lau dëreitërin’ e Zotit edhe gjyqet’ e atij bashkë me Israilinë.
22 Edhe për Daninë tha: Dani (është) këlysh leoni: do të këcenjë nga Bashana.
23 Edhe për Naftalinë tha: O Naftaliu i nginjurë me pëlqim, e i mbushurë me bekimin’ e Zotit, trashëgo anën’ e të perënduarit e të mes-ditësë.
24 Edhe për Asherinë tha: Qoftë bekuarë nga djemtë Asheri, qoft’ i priturë ndër vëllezërit, edhe le të ngjyenjë këmbën’ e tij ndë val.
25 Këpucët’ e tua (qofshinë) hekur’ e rame, edhe fuqia jote posi dit e tua.
26 Asndonjë nuk’ (është) si Perëndia i Jeshurunit, i cili sbret mbi qiejet për ndihmënë tënde, edhe me gjithë madhërin’ e atij mbi qëndresët.
27 Perëndia i përjetëshim është mbulesë, edhe krahat’ e përjetëshim (janë) mpshtetëje. Edhe do të përzërë arëmikunë përpara teje, edhe do të thotë: Prish-e.
28 Atëherë Israili do të rrijë vetëmë ndë siguri, syri i Jakovit (do të jetë) mbë dhe gruri e vere, edhe qiejet’ e atij do të pikonjënë vesë.
29 Lumthi ti, o Israil. Kush është si ti, o gjëndëje e shpëtuarë nga Zoti, i cili është mburonja e ndihmësë s’ate, edhe kordha e madhërisë s’ate! Edhe arëmiqt’ e tu do t’unjënë kryetë ndënë ty, edhe ti do të shkelsh mbi qafët t’atyre.
Bekimi përfundimtar
1 Moisiu, njeriu i Perëndisë, i bekoi kështu izraelitët para se të vdiste:
2 «Zoti erdhi prej Sinait,
prej Seirit rrezatoi mbi ta,
vezulloi prej malit Paran,
bashkë me mijëra të shenjtë.
Zjarr flakërues,
lëshonte dora e tij e djathtë .
3 Ti që popujt i do,
në dorë i ke gjithë të shenjtët.
Nën këmbët e tua, ata përulen,
e fjalën tënde zbatojnë,
4 ligjin, që na dha Moisiu,
si trashëgimi për bashkësinë e Jakobit.
5 Mbret i Jeshurunit u bë Zoti,
kur u mblodhën krerët e popullit,
të gjitha fiset e Izraelit.
6 Rroftë Rubeni e mos u shoftë,
edhe pse i vogël në numër».
7 Këtë i tha Judës:
«Dëgjoje, o Zot, zërin e Judës,
ktheje te populli i vet.
Duart i pastë gati për luftë,
prej kundërshtarëve shpëtoje».
8 Levit i tha:
«Tumimi e Urimi yt,
qoftë me besëtarin.
Atë e sprovove në Masë,
në ujërat e Meribës me të u grinde.
9 Për nënën e atin e vet tha:
“Nuk i këqyr!”,
vëllanë nuk e pranoi,
bijtë e vet nuk i njohu,
për të mbajtur fjalën tënde,
besëlidhjen tënde për të ruajtur.
10 Do t'ia mësojë Jakobit vendimet e tua,
Izraelit, ligjin tënd.
Temjan do të djegin para teje,
fli shkrumbimi mbi altarin tënd.
11 Bekoje, o Zot, fuqinë e tij,
pranoji veprat e duarve të tij.
Kundërshtarët e tij këputi në mes,
mos ngritshin më krye armiqtë e tij».
12 Benjaminit i tha:
«I dashuri i Zotit jeton i sigurt pranë tij,
gjithë ditën nën mbrojtjen e tij.
Në kraharorin e Zotit banon ai».
13 Jozefit i tha:
«Toka e tij, bekim prej Zotit,
prej stolive të vesës së qiellit,
të ujërave që shtrihen nën dhe,
14 prej dhuratave që prodhon dielli,
që sjell çdo hënë e re,
15 prej të përzgjedhurave të bjeshkëve të moçme,
prej begatisë së kodrave të amshuara,
16 prej të mirave e plotësisë së dheut,
dhe përkrahjes së atij që në shkurre u duk.
Ia mbulofshin kryet Jozefit,
ballin e të shuguruarit mes vëllezërve.
17 Madhështor si i parëlinduri i mëzatit,
e me bri si ato të kaut,
që me to shpon popujt
e tokën anekënd.
E tillë është moria e Efraimit
e mijërat e Manaseut».
18 Zabulonit i tha:
«Gëzohu, o Zabulon, në rrugëtimet e tua
e ti Isahar në tendat e tua.
19 Do të thërrasin popujt në mal,
për të kushtuar fli drejtësie.
Do të gëzojnë pasuritë e detit
e thesaret e fshehta të rërës».
20 Gadit i tha:
«Bekuar qofshin hapësirat e Gadit,
si luan ai shtrihet
e shqyen fund e krye.
21 Zgjodhi për vete më të mirën,
se kur krerët e popullit u mblodhën,
hise prijësish ai mori.
Drejtësinë e Zotit, ai zbatoi,
vendimet e tij bashkë me Izraelin».
22 Danit i tha:
«Dani është pjellë luani
që kërcen prej Bashanit».
23 Neftaliut i tha:
«Neftaliu u kënaq me hir,
përplot me bekimet e Zotit.
Zotëron perëndimin e jugun».
24 Asherit i tha:
«Qoftë Asheri ndër më të bekuarit e fëmijëve,
i pëlqyeshëm ndër vëllezërit e tij.
Këmbët i laftë me vaj.
25 Shulat i pastë prej hekuri e bronzi
e fuqia i qoftë përjetë».
26 «Nuk ka si Perëndia, o Jeshurun.
Kalëron qiej e re me madhështi,
që në ndihmë të të vijë.
27 Strehë është Perëndia i amshuar,
përkrahje krahët e tij të përjetshëm.
Armiqtë i zbon para teje,
“Shkatërrojini”, ai urdhëron.
28 Izraeli banon i sigurt,
rrjedha e Jakobit e qetë,
në tokën e drithit e të verës,
ku vesa e qiellit rigon.
29 Lum ti, o Izrael.
Cilin popull shpëtoi Zoti si ti?
Ai është mburoja që të mbron,
shpata që lavdi të sjell.
Armiqtë do të të lëpihen,
e ti do t'i shtypësh me këmbë».