1 Edhe Moisiu me pleqt’ e Israilit urdhëroi gjëndëjen, e tha: Ruani gjithë porositë, që po u urdhëronj unë juve sot. 2 Edhe atë ditë që të kapërceni Jordhaninë, nd’ atë dhe që t’ep Zoti Perëndia yt, të ngrehç për vetëhenë tënde gurë të mëdhenj, edhe t’i lyejsh me gëlqere;
3 edhe të shkruajsh mbi ata gjithë fialët’ e këtij nomi, si të kapërcejsh Jordhaninë, që të hynjç nd’ atë dhe që t’ep Zoti Perëndia yt, dhe që rrieth klumësht e mjaltë, sikundrë t’u zotua Zoti Perëndia i atëret tu.
4 Përandaj si të kapërceni Jordhaninë, të ngrihni këta gurë, që po u urdhëronj unë juve sot, ndë malt të Eballit, edhe t’i lyejsh me gëlqere.
5 Edhe t’i ndërtojsh atie therore Zotit Perëndisë tënt, therore prej gurësh; të mos vësh hekur mbi ata.
6 T’i ndërtojsh therorenë Zotit Perëndisë tënt prej gurësh të tërë; edhe t’i biesh Zotit Perëndisë tënt mb’ atë kurbane të diegurë gjithë;
7 edhe të biesh kurbane paqtimi, edhe të hash atie, e të gëzonesh përpara Zotit Perëndisë tënt;
8 edhe të shkruajsh mbi gurët gjithë fjalët’ e këtij nomi të çquara.
9 Edhe Moisiu e pleqtë Levitë u folnë gjith’ Israilit, e thanë: Mba vesh, edhe dëgjo, o Israil: këtë ditë u bëre gjëndëje e Zotit Perëndisë tënt; 10 t’i dëgjojsh pra zërit Zotit Perëndisë tënt, e të bëjsh porosit’ e atij, e urdhërimet’ e atij, që po të urdhëronj sot.
11 Edhe Moisiu urdhëroi gjëndëjen’ atë ditë, e tha:
12 Këta të qëndronjënë ndë malt të Gezarinit, që të bekonjënë gjëndëjenë, si të kapërceni Jordhaninë: Simeoni, e Leviu, e Judha, e Issahari, e Josifi, e Veniamini. 13 Edhe këta të qëndronjënë ndë malt të Eballit, që të mallëkonjënë: Reubini, Gadi, e Ashiri, e Zabulloni, Dani, e Neftaliu.
14 Edhe Levitëtë do të flasënë, e do t’u thonë gjithë njerëzet Israilit me zë të math:
15 Qoftë mallëkuar’ ay njeri që të bënjë idhullë të gdhëndur’ a të derdhurë, të ndyrë te Zoti, punë duarsh mieshtri, e ta vërë ndë vënt të fshehurë. Edhe gjithë gjëndëja të përgjigjet’ e të thotë: Amin.
16 Qoftë mallëkuarë kush të shanjë t’anë a t’ëmënë. Edhe gjithë gjëndëja të thotë: Amin.
17 Qoftë mallëkuarë kush të luajë vëndit kufirin’ e t’afërmit tij. Edhe gjithë gjëndëja të thotë: Amin.
18 Qoftë mallëkuarë kush të bënjë të verburinë të humbasë udhënë. Edhe gjithë gjëndëja të thotë: Amin.
19 Qoftë mallëkuarë kush t’ja bënjë të shtrembëtë gjyqinë të huajit, e të varfëritë, e së vesë. Edhe gjithë gjëndëja të thotë: Amin.
20 Qoftë mallëkuarë kush të bierë me gruan’ e t’et, sepse sbulon mbulesën’ t’et. Edhe gjithë gjëndëja të thotë: Amin.
21 Qoftë mallëkuarë kush të bierë bashkë me ç’do shtëzë. Edhe gjithë gjëndëja të thotë: Amin.
22 Qoftë mallëkuarë kush të bierë me të motërënë, të bilën’ e t’et, a të bilën’ e s’ëmësë. Edhe gjithë gjëndëja të thotë: Amin.
23 Qoftë mallëkuarë kush të bierë me të vjehërrënë. Edhe gjithë gjëndëja të thotë: Amin.
24 Qoftë mallëkuarë kush të vrasë fshehurazi t’afërmin’ e tij. Edhe gjithë gjëndëja të thotë: Amin.
25 Qoftë mallëkuarë kush të marrë dhurëti për të vrarë njeri të pafal. Edhe gjithë gjëndëja të thotë: Amin.
26 Qoftë mallëkuarë kush nukë qëndron ndë fjalët të këtij nomi, për të bër’ ato. Edhe gjithë gjëndëja të thotë: Amin.
Gurët e ligjit
1 Moisiu dhe pleqtë e Izraelit e urdhëruan popullin: «Mbaji të gjitha urdhërimet që të urdhërova sot. 2 Ditën kur të kalosh përtej Jordanit, në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, vër dy gurë të mëdhenj e zbardhi me gëlqere. 3 Shkruaj mbi to çdo fjalë të këtij ligji kur të kalosh përtej e të hysh në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë, siç të premtoi Zoti, Perëndia i etërve të tu. 4 Kur të kaloni përtej Jordanit, vërini këto gurë siç po ju urdhëroj sot, në malin Ebal dhe zbardhini me gëlqere. 5 Atje ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd. Altari të jetë prej guri e të mos punohet me vegël hekuri. 6 Gurët e altarit të Zotit, Perëndisë tënd, të jenë të palatuar. Kushto mbi to fli shkrumbimi për Zotin, Perëndinë tënd. 7 Kushto edhe fli paqtimi, haji aty e festo para Zotit, Perëndisë tënd. 8 Shkruaj mirë e qartë mbi gurë çdo fjalë të këtij ligji».
9 Pastaj Moisiu e priftërinjtë levitë i thanë mbarë Izraelit: «Hesht e dëgjo, o Izrael. Sot u bëre populli i Zotit, Perëndisë tënd. 10 Dëgjoje zërin e Zotit, Perëndisë tënd. Mbaji urdhërimet e rregullat e tij që unë po të urdhëroj sot».
Mallkimet
11 Atë ditë Moisiu e urdhëroi popullin e i tha: 12 «Kur të kaloni përtej Jordanit, këto janë fiset që do të qëndrojnë në malin Gerizim për të bekuar popullin: Simeoni, Levi, Juda, Isahari, Jozefi e Benjamini. 13 Këto janë fiset që do të qëndrojnë në malin Ebal për të mallkuar: Rubeni, Gadi, Asheri, Zabuloni, Dani e Neftaliu. 14 Levitët do t'u shpallin me zë të lart mbarë burrave të Izraelit:
15 “Mallkuar qoftë ai që bën fshehurazi idhuj të gdhendur apo të metaltë. Kjo vepër e duarve të mjeshtrit i neveritet Zotit”. Atëherë tërë populli të përgjigjet e të thotë: “Amen!”.
16 “Mallkuar qoftë ai që e përbuz të atin e të ëmën”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
17 “Mallkuar qoftë ai që lëviz kufijtë e të afërtit”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
18 “Mallkuar qoftë ai që e çon të verbrin në rrugë të gabuar”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
19 “Mallkuar qoftë ai që shkel të drejtën e të ardhurit, të jetimit e të vesë”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
20 “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me gruan e të atit dhe kështu e turpëron të atin”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
21 “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me ndonjë kafshë”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
22 “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me të motrën, nga i ati apo nga e ëma”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
23 “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me të vjehrrën”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
24 “Mallkuar qoftë ai që godet fshehurazi të afërtin”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
25 “Mallkuar qoftë ai që merr mitë, për të derdhur gjak të pafajshëm”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
26 “Mallkuar qoftë ai që nuk i mban e nuk zbaton fjalët e këtij ligji”. Tërë populli të thotë: “Amen!”».