1 Kush të ketë mbolet’ e tija të shtypura, a të këputura, mos hynjë ndë përmbëledhëjet të Zotit.
2 Dobiçi të mos hynjë ndë përmbëledhëjet të Zotit; gjer mbë të dhietinë bres të mos hynjë ndë përmbëledhëjet të Zotit.
3 Amonit e Moavit të mos hynjë ndë përmbëledhëjet të Zotit; gjer mbë të dhietinë brezin’ e tyre të mos hynjënë kurrë ndonjëherë ndë përmbëledhëjet të Zotit.
4 Sepse nuk’ u duallë përpara juve me bukë e me ujë mb’ udhë, kur dualltë nga Egjyftëria, edhe sepse pajtuanë kundrë teje Vallaamnë të birin’ e Beorit nga Pethori i Mesopotamisë, që të të mallëkonte.
5 Po Zoti Perëndia yt nuk deshi t’i dëgjonte Vallaamit, po Zoti Perëndia yt ktheu mallëkimnë për bekimnë tënt, sepse Zoti Perëndia yt të deshi. 6 Të mos kërkojsh paqtim nga ata, as të mirën’ e atyre, gjithë dit e tua ndë jetët (të jetëvet). 7 Të mos i kesh të ndohëtë Idhumeut, sepse është yt-vëlla; të mos i kesh të ndohëtë Egjyftit, sepse qe i huajë ndë dhet t’atij. 8 Sa djem të lintnjënë nga ata, të hynjënë ndë përmbëledhëjet të Zotit mbë të tretinë brezin’ e tyre.
9 Kur të dalç me ushtëri mbi arëmiqt e tu, ruhu prej ç’do gjëje të keqeje. 10 Ndë qëntë ndë mest tënt ndonjë njeri që s’ësht’ i këthiellëtë, prej ndonjë të kodituri natënë, të dalë jasht’ ushtërisë, të mos hynjë brënda ndë ushtërit;
11 edhe mbrëmanet të lahetë me ujë, edhe si të perëndonjë dielli, të hynjë brënda ndë ushtërit. 12 Edhe të kesh vënt jasht’ ushtërisë, edhe të dalç jashtë atie; 13 edhe të kesh terplote të vogëlë ndë mest t’armëvet tua; edhe kur të dalsh jashtë, të rëmojsh me atë, edhe të kthenesh e të mbuloish të dalëtë t’at. 14 Sepse Zoti Perëndia yt ecën ndë mest të ushtërisë s’ate, që të të shpëtonjë, e t’apë ndë dorë arëmiqt’ e tu përpara teje, përandaj ushtëria jote të jet’ e shënjtëruarë, që të mos shohë ndonjë ndyrësi te ti, e të kthenetë prej teje. 15 Mos apsh ndë dorë të zot ndonjë shërbëtuar që ka ikurë nga i zoti, (e ka rënë) ndë dorët tënde;
16 të rrijë bashkë me ty, ndë mest tënt nd’ atë vënt që të sgjethnjë ndër dyert e tua, tek t’i pëlqenjë; të mos e shtrëngojsh atë.
17 Të mos jetë ndonjë kurvë nga të bilat’ e Israilit, as të mos jetë ndonjë i shkërdhyerë nga të bijt’ e Israilit. 18 Të mos biesh pagë kurve, as pagesë qëni, ndë shtëpit të Perëndisë tënt, për asndonjë kushtim, sepse të dyja këto janë të ndyra te Zoti Perëndia yt.
19 Të mos i huajsh t’yt-vëlla argjënt me uzure, të ngrëna me uzure, asndonjë gjë që epetë hua me uzure. 20 Të huajit munt t’i huajsh me uzure, po t’yt-vëlla të mos i huajsh me uzure, që të të bekonjë Zoti Perëndia yt ç’do punë që të zësh, mb’ atë dhe që po vete për të trashëguar’ atë.
21 Kur t’i kushtonesh ndonjë kushtim Zotit Perëndisë tënt, të mos munojsh t’ja apsh atë, sepse Zoti Perëndia yt vërtet do t’e kërkonjë atë prej teje, edhe do të kesh fal. 22 Po ndë mos daç të kushtonesh, nukë do të kesh fal.
23 Ç’të dalë prej buzëvet tua, ta ruajsh, edhe ta bëjsh, mb’ atë mëndyrë që iu kushtove Zotit Perëndisë tënt dhurëtinë me zëmrënë tënde, që iu zotove me golënë tënde. 24 Kur të hynjç ndë vëreshtë të afërmit tënt, munt të hash rrush pas andësë s’ate, gjersa të nginjesh, po të mos vësh nd’ enët tënde. 25 Kur të hynjç ndër të lashtat të afërmit tënt, munt të këpuç kallinj me dorënë tënde, po nukë munt të vësh drapër ndër të lashtat t’afërmit tënt.
1 «Askush të mos martohet me gruan e të atit, se e turpëron të atin.
2 Asnjë i tredhur apo me gjymtyrën mashkullore të prerë, nuk do të marrë pjesë në bashkësinë e Zotit.
3 Asnjë fëmijë i paligjshëm nuk do të marrë pjesë në bashkësinë e Zotit. Madje, as pasardhësit e brezit të tij të dhjetë nuk do të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit.
4 Amonitët e moabitët nuk do të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit. Madje, as pasardhësit e brezit të tyre të dhjetë nuk do të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit. Nuk do të marrin pjesë kurrë, 5 sepse nuk ju pritën rrugës me bukë e ujë, kur dolët nga Egjipti. Ata paguan Balaamin, birin e Beorit, nga Petora e Aram Naharaimit, që t'ju mallkonte, por 6 Zoti, Perëndia yt, nuk deshi ta dëgjonte Balaamin. Zoti, Perëndia yt, ta ktheu mallkimin në bekim, sepse të do. 7 Sa të jesh gjallë, mos bëj kurrë paqe me ta e mos iu sill mbarësi.
8 Mos e urre edomitin se e ke vëlla. Mos e urre as egjiptianin, sepse ishe i huaj në tokën e tij. 9 Pasardhësit e brezit të tyre të tretë mund të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit.
Papastërtia në fushim
10 Kur të fushosh kundër armiqve, ruhu nga gjithçka e keqe. 11 Nëse dikush prej jush është i papastër, për shkak të derdhjes së farës gjatë natës, të dalë jashtë fushimit e të mos hyjë brenda. 12 Në të ngrysur të lahet me ujë e të hyjë brenda fushimit pasi të perëndojë dielli.
13 Cakto një vend jashtë fushimit për nevojat vetjake. 14 Mbaj një lopatë me pajisjet e tua, që, kur të dalësh jashtë, të hapësh një gropë e ta mbulosh jashtëqitjen. 15 Fushimi yt do të jetë i shenjtë, sepse Zoti, Perëndia yt, ecën përmes fushimit, që të të ruajë e të t'i shtjerë në dorë armiqtë e tu. Nëse duket ndonjë gjë e pahijshme, ai do të largohet prej teje.
Rregulla te ndryshme
16 Mos ia dorëzo të zotit skllavin që iku e erdhi te ti. 17 Le të rrijë me ty, në vendin ku ti banon e të zgjedhë një qytetet që i pëlqen. Mos e shfrytëzo.
18 Asnjë nga bijat e Izraelit të mos jetë lavire kulti e asnjë nga bijtë e Izraelit të mos jetë lavir kulti. 19 Mos kushto në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, çmimin e lavires e të qenit , sepse që të dy i neveriten Zotit, Perëndisë tënd.
20 Mos i kërko vëllait kamatë për paratë, ushqimin e gjithçka tjetër që i ke dhënë hua. 21 Kërkoja kamatën të huajit, por jo vëllait, që Zoti, Perëndia yt, të bekojë çdo vepër të duarve të tua në tokën ku po hyn për ta pushtuar.
22 Kur t'i zotohesh Zotit, Perëndisë tënd, mos vono ta kryesh zotimin, sepse Zoti, Perëndia yt, nuk të lë pa ta kërkuar e kështu do të biesh në mëkat. 23 Por, nëse nuk zotohesh, nuk do të biesh në mëkat. 24 Zbato me kujdes çdo fjalë që del nga goja jote, siç iu zotove vetë Zotit, Perëndisë tënd, kur fole me buzët e tua.
25 Kur të hysh në vreshtin e tjetrit, mund të hash sa ta ka ënda, por mos e mbush shportën. 26 Kur të hysh në arën e grurit të tjetrit, mund të këputësh kallinj me dorë, por mos korr me drapër».