1 Ndë dalç mbë luftë kundrë arëmiqet tu, e të shohç kuaj, e qerre, e gjëndëje më tepërë se ti, mos u kij frikë atyre, sepse Zoti Perëndia yt është bashkë me ty, i cili të ngjiti lart nga dheu i Egjyftërisë. 2 Edhe kur të afrohi ndë luftët, prifti do të qaset’ afërë, e do t’i flasë gjëndëjesë, 3 e do t’u thot’ atyre: Pa dëgjo, o Israil, ju po afrohi sot ndë luftët kundrë arëmiqet tuaj: le të mos frikësonetë zëmëra juaj, mos kini frikë, as mos trembi, as mos tmerohi nga faqeja e atyre, 4 sepse Zoti Perëndia juaj (ësht’) ay që shkon përpara bashkë me ju, që të lëftonjë për ju kundrë arëmiqet tuaj, që t’u shpëtonjë juve. 5 Edhe të parëtë t’i flasënë gjëndëjesë, e t’i thonë: Cili ësht’ ay njeri që ka ndërtuarë shtëpi të re, e s’ka bërë të përtërijturë për atë? Le të ikënjë, e le të kthenetë ndë shtëpit të tij, që mos vritetë ndë luftë, e përtërin atë tietërë njeri. 6 Edhe cili ësht’ ay njeri që ka vënë vështë, edhe nuk’ u gëzua për atë? Le t’ ikënjë, e le të kthenetë ndë shtëpi të tij, mos vritetë ndë luftë, e të gëzonetë për atë tietërë njeri. 7 Edhe cili ësht’ ay njeri që ka zënë grua, edhe nuk’ e ka marrë atë? Le t’ ikënjë, e le të kthenetë ndë shtëpi të tij, mos vritetë ndë luftë, edhe e merr atë tietërë njeri. 8 Edhe të parëtë t’i flasën’ edhe më gjëndëjesë, e t’i thonë: Kush është frikës e i pazëmërë? Le t’ikënjë, e le të kthenetë ndë shtëpi të tij, që të mos u frikësonetë zëmëra të vëllezëret atij, posi zëmëra e atij. 9 Edhe të parëtë si të mbaronjënë së foluri gjëndëjesë, t’u vënë krerë ushtërivet, që të qëndronjënë mbi gjëndëjet. 10 Kur të afronesh ndë qytet për të lëftuarë kundrë atij, atëherë thirr-e atë ndë paqtim; 11 edhe ndë t’u përgjeqtë me paqtim, e të të hapnjë (dyertë), atëherë gjithë gjëndëja që gjëndetë nd’ atë të vihetë ndënë pagë, e të të shërbenjë. 12 Po ndë mos bëftë paqtim me ty, po të të lëftonjë, atëherë ta qerthullonjç atë; 13 edhe Zoti Perëndia yt si të ta apë ndër duart të tua, të vraç gjithë meshkujt’ e atij me thikë; 14 po gratë, e foshnjetë, e bagëtitë, e gjithë sa gjëndenë ndë qytet, gjithë plaçkat’ e atij, t’i marrç për vetëhe; edhe të hash plaçkat’ e arëmiqet tu, sa të dha Zoti Perëndia yt. 15 Kështu të bënjç ndër gjith’ ata qytete që janë shumë lark prej teje, të cilëtë nukë janë prej qytetesh këtyre kombave, 16 po nga qytetet’ e këtyre gjëndëjevet, që t’ep Zoti Perëndia yt për trashëgim, të mos lësh të rronjë asndonjë gjë e gjallë, 17 po t’i shuanjç ata fare, Hittitëtë, e Amorejtë, e Hanaanitëtë, e Perizitëtë, e Hivitëtë, e Jebysitëtë, sikundrë të urdhëroi Zoti Perëndia yt, 18 që të mos u mësonjënë juve të bëni gjith’ ato ndyrësirat’ e atyre, që u bëninë perëndiravet tyre, e të fëleni përpara Zotit Perëndisë tuaj. 19 Kur të qerthullonjç ndonjë qytet shumë dit, e ta lëftonjç për të pushtuar’ atë, të mos prishç drunjt’ e atij, tuke siellë sëpatënë mbi ata, sepse prej atyre munt t’ushqehesh, edhe të mos i preç ata. Sos (është) njeri druri i fushësë, që të dalë kundrë teje ndë qerthullimt të qytetit? 20 Vetëm’ ata drunj që e di se nukë janë drunj të ngrëni, këta t’i prishç e t’i preç, edhe të ndërtojsh mure të thururë kundrë atij qyteti, që lëfton me ty, gjersa t’epetë ndë dorë.
Rregullat e luftës
1 «Kur të dalësh për luftë kundër armiqve e të shohësh kuaj, karroca e popuj më të mëdhenj se ti, mos ki frikë, sepse me ty është Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga toka e Egjiptit. 2 Para se të nisesh për luftë, do të vijë prifti e do t'i thotë popullit: 3 “Dëgjo Izrael, sot po nisesh për luftë kundër armiqve. Mos t'ju lëshojë zemra, mos kini frikë, mos u trembni e mos u tmerroni para tyre. 4 Zoti, Perëndia juaj, do të dalë në luftë bashkë me ju, për të luftuar kundër armiqve tuaj e për t'ju dhënë fitoren”. 5 Pastaj eprorët do t'i thonë popullit: “Kushdo që ka ndërtuar shtëpi të re, por nuk ka hyrë ende në të, të kthehet mbrapa, që të mos vdesë në luftë e të hyjë dikush tjetër. 6 Kushdo që ka mbjellë një vresht e nuk e ka gëzuar ende, të kthehet mbrapa, që të mos vdesë në luftë e t'ia gëzojë dikush tjetër. 7 Kushdo që është i fejuar, të kthehet mbrapa, që të mos vdesë në luftë e të martohet dikush tjetër me të fejuarën”. 8 Pastaj eprorët do të shtojnë: “Kushdo që është frikacak e zemërlëshuar, të kthehet mbrapa, që të mos ua ligështojë zemrën të tjerëve”. 9 Kur të mbarojnë së foluri eprorët, prijësit e ushtrisë të vihen në krye të popullit.
10 Kur t'i afrohesh qytetit që do të sulmosh, njoftoi kushtet e paqes. 11 Nëse i pranon e t'i hap portat, i gjithë populli i qytetit do të të shërbejë me punë të detyruar. 12 Nëse nuk i pranon e të bën luftë, rrethoje. 13 Zoti, Perëndia yt, do të ta dorëzojë. Shkoi në teh të shpatës të gjithë meshkujt e qytetit, 14 por gratë, fëmijët, kafshët e gjithçka në të, pra tërë plaçka e qytetit, është e jotja. Gëzoje prenë e armikut që të dha Zoti, Perëndia yt. 15 Kështu vepro me të gjitha qytetet që janë shumë larg e nuk u përkasin këtyre kombeve. 16 Por, në këto qytete që po të jep trashëgimi Zoti, Perëndia yt, mos lër frymë gjallë. 17 Shkatërroji plotësisht hititët, amoritët, kananitët, perizitët, hivitët e jebusitët, siç të urdhëroi Zoti, Perëndia yt, 18 që mos t'ju mësojnë tërë veprat e tyre të neveritshme, që ata bëjnë për perënditë e tyre, dhe, si pasojë, të mëkatoni kundër Zotit, Perëndisë tuaj.
19 Kur sulmon ndonjë qytet, për ta pushtuar dhe e rrethon për një kohë të gjatë, mos i prit me sëpatë pemët përreth. Do të hash prej tyre, prandaj mos i prit. A mos janë njerëz pemët e fushës, që t'i sulmosh? 20 Vetëm pemët që e di se nuk janë frutore mund t'i shkatërrosh ose presësh, për të ndërtuar mjete për rrethimin e qytetit, që po bën luftë kundër teje, derisa ai të bjerë».